Kerko: a
Elbasani
E premte, 30.06.2006, 09:24 AM
Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin e IIte p.k. me vendbanimet e hershme ilire. Në shekullin e IIte qyteti njihet me emrin “SKAMPA” e më vonë me emrin “SKAMPINI” në varësi administrative të Durrahut. Duke qënë i vendosur ne kryqezimin e rrugëve Veri – Jug dhe Lindje – Perendim, ai ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qëndër urbane, ushtarake e peshkopale. Pas bllokimit të rrugës Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti nuk përmendet më dhe njeh shkatërrimin e tij gjatë migrimit sllavo – bullgar diku nga shekulli VI - VII.
Gjatë pushtimit turk të Shqipërisë, pas disfatës që pësoi në rrethimin e dytë të Krujës, Sulltan Mehmeti IIte, në kthim e rindërtoi kalanë e vjetër, për ta patur si pikë mbështetje të mëvonshme. Në vitin 1466 qyteti mori emrin Elba-san.
Ai shpejt u zhvillua si qëndër e rëndësishme strategjike, administrative, ushtarake dhe ekonomike e Shqipërisë së mesme. Zejtaria dhe tregtia mori përsëri një zhvillim te dukshëm duke shtrirë lidhjet dhe ndikimin në tërë zonat përreth.
Urë e rrugës Egnatia
Urë e rrugës Egnatia
Një zhvillim të ndjeshëm mori arti postbizantin i përfaqësuar nga mjeshtri dhe piktori i madh Onufri i Neokastrës (Elbasanit), i cili krijoi një art kulminant ku spikat me forcë të vecantë gërshetimi i shkëlqyer i gjeniut me traditën vendase. Si vepra të tij, të trashëguara deri në ditët tona, janë afresket dhe ikonat e kishave të Shelcanit dhe të Valshit të mesit të shek. XVI. Vazhdues i veprës së Onufrit përmendet Kostandin Shpataraku.
Kalaja e Elbasanit
Një zhvillim të vrullshëm mori qyteti i Elbasanit në shek. XVII me krijimin, organizimin dhe funksionimin e 60 llojeve të zejeve në 45 Esnafe. Vlen të përmendet në këtë kohë “Kodiku i Esnafeve të Tabakëve”, 15 Maj 1658, i cili konsiderohet ndër më të vjetrit ne Ballkan.
Në dokumentacionin e kohës, dëshmohet se në mesin e shekullit të XVII, Elbasani kishte 2000 shtëpi, 900 dyqane, punoheshin lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi.
![]() |
Kalaja e Elbasanit |
Në këtë kohë Elbasani shquhet si qëndër e fuqishme arsimore dhe kulturore me përpjekjet që bënë Bugomili (anonimi i Elbasanit), Dhaskal Todri për përhapjen e gjuhës e të shkrimit shqip. Në epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare zë një vend të rëndësishëm Kostandin Kristoforidhi, autor i abetares shqipe, fjalorit gegërisht dhe toskërisht, i cili konsiderohet si babai i gjuhës shqipe.
Në etapën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare vecojmë Elbasanin si perhapës i mendimit përparimtar arsimor e kulturor.
Pas shpalljes së Hyrijetit, Kushtetutës Xhonturke, u krijuan nje sërë shoqërish dhe klubesh nga patriotët elbasanas ku detyrë kryesore kishin përhapjen e gjuhës dhe shkrimit shqip.
Kostandin Kristoforidhi
Më 2 – 9 Shtator 1909 u thirr Kongresi i Elbasanit i cili ndër vendimet më kryesore ka qënë hapja e Shkolles Normale e cila u realizua me 1 Dhjetor 1909 dhe krijimin e Shoqërisë Përparimi e cila do te mbështeste financiarisht këtë shkolle. Kjo shkolle ka qënë e para shkollë e mesme e arsimit kombëtar Shqiptar.
Qyteti i Elbasani konsiderohet si një nga vatrat më të rëndësishme të luftës për liri dhe clirim kombëtar. Si pika kulmore përmendim aktin e shpalljes së pavaresisë së Elbasanit më 25 Nëntor 1912, si i pari qytet i Shqipërise, pjesmarrjen aktive në Luftën e Vlorës në vitin 1920, në lëvizjen demokratike antifeudale të vitit 1921 – 1924, si dhe në luftën e Dyte Botërore.
Gjatë periudhës 1924 – 1939 qyteti i Elbasanit arriti një zhvillim të ndjeshëm në disa drejtime si p.sh. në infrastrukturë kryesisht me ndërtimin e rrugëve që lidhnin Elbasanin me Tiranën, Durrësin, Korcën, Gramshin, Dibrën, etj, ndërtimin e ujësjellësit të qytetit dhe ndërtimin e centralit elektrik.
Aqif Pashë Elbasani
Gjatë kësaj periudhe mori zhvillim edhe ekonomia, me ngritjen e disa objekteve si: fabrika e alkoolit, duhan cigareve, vaj sapunit duke vazhduar punën artizanale tradicionale. Në këtë kohë kemi ngritjen e degëve të bankave Shqiptare dhe të huaja të cilat nxisnin prodhimin bujqësor e industrial të Elbasanit.Në vitin 1945 u vendos diktatura e proletariatit, regjimi komunuist dhe qyteti vuajti për 45 vjet nga represioni që donte ta privonte nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore.
U persekutuan personalitetet më të spikatura të qytetit të Elbasanit. U vu dorë mbi institucionet e kultit duke i transformuar sipas “ideologjise së re . Megjithatë qytetarët e Elbasanit morën pjesë aktive në proceset demokratike të vitit 1990. Personalitetet më të spikatura të këtij shekulli për qytetin e Elbasanit janë: Aqif Pashë Elbasani, Aleksandër Xhuvani, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Et’hem Haxhiademi, etj.
Web: www.elbasani.gov.al