E shtune, 27.04.2024, 10:21 AM (GMT+1)

Mendime

Gjovalin Gjeloshi: Kush ishin ata apo kush jemi ne?

E shtune, 22.12.2018, 10:32 AM


Kush ishin ata apo kush jemi ne?

Na ndihmoni të protestojmë, sepse energji të  vërteta të shqiptarëve kanë emigruar!

Nga Dr. Gjovalin Gjeloshi*

Me rastin e luftës së Kosovës, në Shqipëri u strehuan një numër i madh i kosovarëve. Gjatë atyre ditëve, kampet e akomodimit dhe institucionet shtetërore në Shqipëri, vizitoheshin nga shumë  përfaqësues të organizatave të ndryshme shtetërore dhe humanitare. Kam qenë kryetar komune në rrethin e Lezhës, kur më erdhi në zyrë një vëzhgues i OSBE. Gjatë bisedës që bëmë, fillova për me i tregua për ne shqiptarët: u futa thellë në histori, qysh me luftën e Trojës, me Akilin, me Aleksandrin e Maqedonisë, me Pirron, Teutën, Gjergj Kastriotin e çfarë nuk i përmenda dhe pak pa ardhur te Nanë Tereza, më ndërhyri me dashamirësi (pa e kuptuar se më kishte ndërprerë) dhe foli: ne kanadezët, tha ai, jemi një popull i ri, nuk kemi histori të tilla. Jam dakort se njeriu duhet të ndihet krenar për paraardhësit e vet, qoftë kur përfaqësojnë një familje e aq më tepër një komb. Ju, – vijoi ai, – duhet të shikoni e të flitni më tepër se kush jeni sot, çfarë bëni për vendin tuaj ju, e jo vetëm çfarë patën bërë ata të parët. Ata e përmbushën detyrimin e tyre. Po ju sot? Kjo do të ishte më e rëndësishme.

Më dha një mësim të vlefshëm. Jo se ne nuk jemi vetë dikushi, por të gjithë sikur e teprojmë nga pak me mburrjen për të parët tanë, duke harruar të krahasojmë se sa u kemi ngjarë atyre dhe mbi të gjitha, çfarë bëjmë ne sot për të çuar më përpara ose së paku për të mbajtur në atë shkallë përvujtërinë dhe burrërinë, patriotizmin dhe ndershmërinë që kishin ata dikur. Nuk kam pse të rrah gjoksin gjithë ditën unë se qenkam nipi i Uc Turkut a Prek Calit; dikush prej jush, se është i derës së Çun Mulës së Hotit apo Dedë Gjo’ Lulit; dikush tjetër thotë, se emri i shpisë sonë ka qenë i shkruar në derë të Stambollës; se axha im ka qenë ai, vet i gjashti që u vra në Bratilë tw Deçiqit më 1911; tjetri i Luc Nishit; se daja im është vrarë në shtëpi prej forcave ushtarake malazeze dhe nuk e ka dorëzuar mikun. Se jam i Gjon Dedë Bajraktarit apo shpisë Gjo’ Rapukës së Vuklit; jam i Ivezajve apo Vuksan Gjelit të Grudës; Prel Tomës së Kastratit apo Marash Vatës së Shkrelit. Të gjithë sa janë në këtë sallw, për fat të mirë kanë ç’të tregojnë se të kujt janë. Por pyetja që  shtrohet  përpara nesh është: jo të kujt jemi, por kush jemi ne sot?

Çdo vit kujtojmë, festojmë, organizojmë ceremoni, panaire, sesione shkencore e jubilare, botojmë libra e mbajmë referate. Përkujtojmë Gjergj Kastriot Skenderbeun, Shpalljen e Pavarësisë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Konferencën e Bujanit, Lidhjen e Pejës, Kryengritjen e Malësisë së Madhe 1911-1912, Kryengritjen Antikomuniste të Kelmendit, Lëvizjen e Postribës etj, etj dhe natyrisht që mirë bëjmë dhe duhen përgëzuar nismëtarët e këtyre përkujtimeve, sepse të gjitha këto ngjarje lidhen me luftën dhe jetën e gjysh-stërgjyshërve tanë. Por duke ndjekur porosinë e mikut tim kanadez, sa kanë ndikuar këto ngjarje tek edukimi atdhetar i brezave tanë, sa e ndjejmë veten shqiptar në çdo pikëpamje? Nëse atëherë në luftë e në  robëri, dëgjohej për mirë zëri i shqiptarit, po sot në paqe e demokraci, çfarë emri i kemi shtuar vetes, si shtet e si komb? Si na njeh bota? Dhe më qartas: si i përcjell Europa apo Shtetet e Bashkuara zhvillimet tona të tashme, ekonomike e sociale, kulturën tonë demokratike? A dimë të orientohemi, a dimë të zgjedhim midis shumë rrugëve, atë më të mirën?

Nuk lëmë rast pa u mburrur  për shqiptarë që bënë këtë apo atë shtet, që drejtuan atë apo këtë Perandori. Iliria vetë kurrë nuk qe një mbretëri e përbashkët, por emrat e mbretërve që kishin shtetet e vogla ilire i dinë përmendsh edhe fëmijët tanë: me Pirron e Gentin, Teutën, Glaukun etj. Numërojmë perandorët ilirë që drejtuan  Perandorinë Romake për 300 vjet me radhë dhe ndër to Justinianin, që ndryshoi Romën e i dha Ilirisë status të veçantë apo Konstandinin, perandorin e parë të krishterë. Pse jo, një fakt domethënës historik kur 39 vezirë të mëdhenj të Perandorisë osmane ishin shqiptarë, nga viti 1475 deri më 1920. Vetëm dinastia e Qyprylinjëve nga Roshniku i Beratit, qëndroi 50 vjet në krye të Veziratit të Madh Perandorak. Të gjithë kontribuan në zgjerimin e kufinjëve të kësaj Perandorie pushtuese. Dimë më mirë për dinastinë mbretërore të Faruk shqiptarit në Egjipt, se sa historinë e vërtet, të papolitizuar të Ahmet Zogut, mbretit të Shqipërisë tonë. Njohim Pashko Vasën si poet e shkrimtar në vendin tonë, por ai qe  guvernator  në Liban. Teodor Kolokotroni ose “Plaku i Moresë”, qe shqiptari që udhëhoqi revolucionin grek kundër Perandorisë Osmane dhe i dha lirinë Greqisë. Numërohen edhe nëntë kryeministra grekë me prejardhje arvanitase, një president dhe një general, Theodor Pangalo që në karrierën e tij diktatoriale-ushtarake u tregua më i keq se me çdokënd, me shqiptarët e vet. Vasil Koçi ose Vasil Ujku, me prejardhje nga Shqipëria Jugore, i cili qëndroi 19 vjet në fronin e Moldavisë dhe thuhet se, mes punëve të tjera të mira, ndërtoi mbi 30 kisha në këtë shtet. Dera princërore e Serbisë, Karagjeorgjeviçët, që udhëhoqën kryengritjen serbe kundër perandorisë osmane, kishin prejardhjen nga Kelmendi i Gurit dhe ishin Kelmendasit ata që i shpëtuan jetën mbretit Aleksandër më 1915. Mihal Gjika, guvernator i principatës së Vllahisë, bija e të cilit ishte Elena Gjika (Dora D’Istra), një nga personalitetet më të mëdha të gjinisë femërore të të gjitha kohrave, shqiptarja e famshme e Bukureshtit. Krenohemi edhe me nipërit tanë: presidentin e parë të SHBA, Xhorxh Uashingtoni, i biri i shqiptares Marie Bala, nga Peja dhe Ataturkun, presidenti i parë turk, arkitektin e Turqisë moderne, i ati i të cilit qe shqiptar etj. Ja pra shqiptarët, si nga lisi i gjakut si nga ai i tamlit, bënë shtete moderne, drejtuan perandori, zbuan perandorinë osmane prej vendeve të tjera, murtajën që kombi ynë ia pa sherrin më shumë se çdo perandorie apo pushtuesi tjetër në 2000 vjet histori.

Po Shqipërinë, pse nuk e bënë shqiptarët? Pse nuk e bënë dje dhe pse nuk e bëjnë siç duhet as sot? Fan Noli i madh ka shkruar se “nëse Hamza Kastrioti, i nipi, nuk do ta kishte tradhtuar Gjergj Kastriotin, Shqipëria do të kishte pasur një Skënderbe të dytë në historinë e saj”. Disa historianë e albanologë shqiptarë e të huaj, shfaqin mendimin se “nëse Ali Pash Tepelena në Jug dhe Kara Mahmut Pasha në Veri, të dy bashkëkohës, do të kishin bashkuar forcat e nuk do të ishin grindur e bërë luftë me njëri tjetrin për territore e pushtet, Shqipëria nuk do të kishte mbetur kaq shekuj nën perandorinë osmane dhe do të pavarësohej shumë më përpara Greqisë, Serbisë apo Malit të Zi. E nëse Enver Hoxha nuk do ta kishte prishur marrëveshjen e Mukjes me sugjerimin e jugosllavëve në vitin 1943, Shqipëria nuk do të kishte mbetur nën gubernen ruse dhe ne nuk do të kishim kaluar natën e gjatë 45 vjeçare. Nëse Ramiz Alia do të kishte pranuar një ofertë bujare të Shtrausit e Gensherit, Shqipëria do  të ishte futur në rrugë demokratike përpara Rumanisë e vendeve të tjera të Bllokut të lindjes e ne do të kishim zhvillime të tjera në rrugën tonë të zhvillimit. Në vitin 1994, drejtori i fondit Monetar Ndërkombëtar deklaronte se, “nëse Shqipëria do të ecë me këto ritme, për 10 vjet ajo do të arrijë zhvillimin ekonomik të Portugalisë”. Por, pushteti që nuk u menaxhua drejt dhe opozita e mësuar me pushtet 45 vjeçar, do të ishin dy shkaqet që u shkaktuan trazirat shkatërruese të vitit 1997, të cilat e çuan Shqipërinë  disa dekada mbrapa duke shkaktuar dëme që nuk janë riparuar as sot. Dhe këtu nuk e kam fjalën për dëme thjesht ekonomike. Për të ardhur deri më sot kur ne akoma nuk po gjejmë rrugën e duhur. Dhe kjo po ndodh se Shqipëria pati pak burra shteti në krye. Sw paku ata që na drejtojnë tw jenw thjesht  burra: burrat nuk shahen, nuk fyejnë, nuk luftojnë vetëm e vetëm për të bërë të pasur veten dhe emërtimi “Kuvend” që kemi sot, gadi i fyen  kuvendet e traditës shqiptare. Në kuvend kur burrat flisnin me radhë, dëgjonin shoku shokun, vërejtjet i bënin më të menduara, nuk mbronin kollaj të keqen dhe për çështjet madhore të vendit të tyre merreshin vesh edhe nëse ishin në konflikt me njëri-tjetrin.

Aty nga viti 1988, kur njerëzve në Vermosh u kishte shkuar thika në palcë e nuk po duronin më varfërinë, shtypjen e diskriminimin klasor, shumë banorë muarën guxim dhe kapërcyen natën piramidat duke u larguar nga vendi për të mos u kthyer më kurrë. Në shumë raste linin familjet këndej kufirit edhe pse e dinin se mbi ta do të derdhej urrejtja e pushtetit. Pranoheshin vuajtje të tilla: djemve ua bënin hallall nanat, fëmijët baballarëve dhe motrat vllezërve. Atëhere lajme dhe statistika të tilla nuk jepeshin në gazeta, por qeveria natyrisht se ishte e shqetësuar për këtë fenomen që nuk e ndalonte dot si në zonat e tjera të Shqipërisë, ku kufirin e kishte rrethuar me tela me gjemba dhe e kishte “fortifikuar” me energji elektrike. Për Vermoshin gardhi me tela ishte në Rapsh, disa dhjetra km larg. Për të ulur sado pak numrin e këtyre rasteve, pushteti i Tiranës dërgoi në Vermosh për të biseduar fshatçe me banorët, një zyrtar të lartë të ministrisë së brendshme. Në mbledhje me të gjithë vermoshasit, pyetja shtrohej: “pse njerëzit ikin, kur partia na i ka siguruar të tëra të mirat”? Heshtjen disi të gjatë, sepse ata njerëz nuk kishin dëshirë me fol çfarë kishin në mendje, e theu një burrë i moshuar, duke e parë drejt e në sy, do t’i drejtohej: “Zotni ministër (nuk i tha “shoku ministër” dhe ky i fundit e kapërdiu këtë), të parët tanë e kanë mbrojtë me gjak këtë truall, këtë Kelmend, këtë Vermosh. I kena eshtnat e baballarëve e gjyshave tanë të mbjellun përgjatë kufinit, për mos me i lanë ata me na ardhë këndej. Sot fmitë tanë po ikin andej. Pse-hin gjeje vet”. Pra pse-hin e arratisjes, pushteti i atëhershëm duhej ta kërkonte te vetja e vet!…

Se si të parët tanë i kanë mbrojtë ato troje për mos me ardhë kush me i shkelë, do të ju paraqes këtu me pak rrjeshta, atmosferën e njërës prej luftërave heroike për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, që në histori njihet si “Lufta e Nokshiqit”, të cilën na e përcjellë at Daniel Gjeçaj, duke komentuar rreth “Këngës së njëzetepestë”  tek “Lahuta e Malcisë”: “Këcen në kambë Mark Milani dhe me fjalë të zjarrta zemëron luftëtarët për msymje. Zâni i burisë, krizma e trompetës e urdhni i Mark Milanit shpërthen luftën në të katër anët…Ushtritë shqiptare jo veç që s’topiten para morisë së forcave malazeze, por xehen edhe mâ tepër e egërsohen. Hallakaten luftëtarët, bërtasin, ngatërrohen shoq me shoq, kacafyten; fishkullojnë plumbat, gjimojnë topat, shungullon bjeshka, dridhen malet.  Përleshen Hot e Grudë me të Vasoviqas; lëshohen Shkrel e Kastrat me herojtë e vet; rrâ Kelmendi, mësue përherë me u dà në shêj ndër beteja….ja edhe dyluftimi i malaziasit Vuko Lekë Drava me Prel Memën e Vuklit, tue e fitue ky i mbrami. Para korisë që mbulon ushtrinë karadake, lëshohet Mark Milani dhe me fjalë zjarm, i nxit të vetët me e çue nderën në vend. Ndër heroj malazez dahet në shej Kik Mëhilli, që në Hercegovinë pat vra Smajl Agën Çengiq e sa tjerë. U rrijnë përballë hordhive të zgjedhuna malazeze kreshnikët shqiptarë me Turk Shabin, Masha Cokun, Muç Hasin, Prel Mirin, Dedë Ivanin etj. Hynë në veprim taborri i zgjedhun  i Biocave: ndeshen ndër parzme të tanëve dhe thehen, si tallazet e Drinit ndër kambët e urës granitit. Arrijnë fuqitë e freskëta shqiptare nën Prel Tulin; rrâjnë Malësi e Madhe, Dukagjin, Has e Rekë, Postribë e Shllak. Mark Milani e sheh vedin ngusht…..ushtria karadake tërhiqet natën, nëpër gryka e prroje….”.

Të nderuar pjesëmarrës! Populli nga keni origjinën ju, sot ka humbur nëpërmjet emigrimit, pjesën më të madhe të forcave më të mira dhe më aktive, në 50 vjeçarin e sidomos në 25 vjeçarin e fundit. Kësisoj nuk ka energji të brendshme të mjaftueshme për të reaguar, për të luftuar për një qeverisje më të mirë. Një ndër presidentët e SHBA-ve ka thënë se “çdo popull meriton qeverinë që ka”. Mbase të gjithë ne që kemi mbetur atje, meritojmë ata që kemi në krye. Krahasoni lëvizjet e protestat e vitit 1991 e disa vite më vonë në Shqipëri dhe do të bindemi për këtë. Lëvizjet e fuqishme nuk i realizon politika. Protestat që sjellin rrotacionin e pushteteve të paafta e të korruptuara i realizon shoqëria civile, komunitetet e ndërgjegjësuara që dinë se çfarë kërkojnë dhe kur duhet ta kërkojnë. Por shoqëria civile nuk është ajo që duhet për t’u ngritur në nivelin e detyrave që shtron koha. Popullsia në trojet e veta po plaket. Sipas të dhënave statistikore, këtë vit u regjistruan në universitete 44 mijë studentë më pak se katër vjet më parë dhe filluan shkollën 130 mijë nxënës më pak në vitin shkollor 2018-2019 se sa vitin e kaluar. Këtë vit ministria e arsimit në Shqipëri mbylli 135 shkolla me klasa kolektive. Këto shkolla para 20 viteve kishin së paku secila nga 100-120 nxënës. Ato u mbyllën se secila pati më pak se 5 nxënës mesatarisht. Shqiptarët janë në krye të listave për azilkërkues në vendet e BE. 55 mijë shqiptarë kërkuan azil në vitin 2015 dhe vetëm në Gjermani e Francë ishin 27.500 në vitin 2017. Nga ana tjetër, për aplikimet në llotarinë amerikane, ne jemi në krye të të gjithë botës: sipas burimeve të Departamentit të Shtetit, në vitin 2013 aplikuan për llotari amerikane 87 mijë shqiptarë dhe pesë vjet më vonë, 2018 kjo shifër ishte mbi 4 fishuar; 367 mijë vetë. Kjo përbën 17 përqind të të gjithë popullsisë që mund të aplikojë mbi 20 vjeç. Në një kohë që kjo përqindje për Libinë është 15 përqind, në Sierra Leone 14 % dhe në Gana është vetëm 8 %. (Natyrisht që ky nuk është tregues vetëm i dashurisë për Amerikën). 2500 infermierë janë larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë dhe 2000 të tjerë presin në radhë. – “Ikin për një punë më dinjitoze dhe nuk janë të sapodiplomuar”, – thotë presidenti  shoqatës së tyre, Elson Jacaj.

Shqiptarët kanë zgjedhur si protestë të vetme të tyre, ikjen. E vetmja protestë që nuk kontrollohet dot nga qeveria. Këtë fenomen e kanë vënë re edhe të huajt. Gazeta gjermane “Hanoversche Zeitung” (Hanovershe  Cajtung), në një nga numrat e saj të fillimit të tetorit të këtij viti, shkruante: “Shqiptarët janë mjaft të pakënaqur me qeverisjen aktuale. Por për çudi ata nuk dalin në rrugë për të protestuar, por preferojnë të shkojnë në aeroport dhe të arratisen nga Shqipëria”.

– Gjithshka filloi në vitin 2015, deklaronte Jorg Ristov, një oficer i Policisë Federale në Hanover, duke komentuar për udhëtimin e vështirë nga Cuxhaveni i Gjermanisë për në Britaninë e Madhe, si udhëtim ilegal. Duke shtuar më tutje se, “mbi të gjitha, këto rreziqe të mëdha i ndërmarrin kryesisht shqiptarët”, – citonte në fillim të tetorit të këtij viti, revista e shqiptarëve të Zvicrës “Albinfo-ch”.

Aty nga fillimi i viteve 80-të të shekullit të kaluar, kur u zbut pak armiqësia e pajustifikuar midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, disa nanave e gjysheve tona që ishin bija të Hotit a Grudës, iu dha e drejta me ba vizita tek prindërit dhe vllezërit e tyre në Malin e Zi. Një ndër to ishte edhe një nuse e axhës së babës tim, Prenaqja, vajza e Gjokë Nicajt. Shkoi, ndenji, pa e u ç’mall. Kur u kthye, në ditët e para nuk fliste asnjë gjë për jetesën e bisedat atje, se ashtu ishte e porositun nga njerëzit e sigurimit shqiptar kur kishte marre vizën. Ma vonë filloi të na tregonte në familje se çfarë kishte parë e ne na dukej se po flet përralla. Tash të gjitha i kam harruar, por veç një thënie më ka mbetë në mendje: I vëllai, Rroku, me sa ia mbaj mend unë emrin, duke dëgjuar të motrën për varfërinë e paimagjinueshme dhe për frikën që ngjallte sistemi komunist te ne, i kishte thënë një ditë:

-Naqe, ti the që ke katër djem, po? Edhe të tjerët kanë djem natyrisht. Pse nuk ia falni te tana familjet ka nji djalë Enver Hoxhës e shpëtoni një herë e mirë prej tij? Morali i thënies së Rrokut është i  qartë: nuk fitohet liria pa humbje njerëzore, por as demokracia dhe jeta normale nuk arrihen pa sakrifica, pa kundërshtuar, pa protestuar, pa i thënë ndal, qeverisjes së keqe.

Ne kemi pak forca për të luftuar për ndryshimin. Na ndihmoni ju. Ne s’kemi forca të brendshme për të ndaluar shitblerjen e votës. Na ndihmoni ju. Ne nuk kemi forca për të bërë protesta dhe çdo protest (kur arrihet të bëhet) e konsiderojmë politike. Ne kemi çmimet më të larta në fluturimet ajrore, më të lartat në telefoninë celulare, më të lartat në energjinë elektrike. Nuk protestojmë. Kemi çmimet më të larta për karburantet dhe me të njëjtin çmim e blen karburantin si vetura luksoze e trafikantit të drogës si traktori i fshatarit të varfër që don të punojë një dy tokë për të fituar bukën e gojës.  Nuk e bllokojmë rrugën me mjete bujqësore ashtu siç bën fshatari grek që cënohet dhjetë herë më pak se sa ne dhe nuk proteston kush ashtu siç ndodhi muajin e fundit nw Francw. Shqipëria vazhdon të mbetet një shtet rural, dhe kjo nuk është gjë e keqe, por keq është se bujqësia është më e pambrojtura dhe më e varfëra e të gjithë vendeve të rajonit. Jemi vendi që financojmë bujqësinë shumë më pak se vendet fqinjë rreth e rrotull. Një litër qumësht që prodhon fshatari ynë, ia grumbullojnë me një çmim sa gjysma e çmimit të ujit të amballazhuar. Prap nuk ka protesta. Ndërmarrja më e pasur në Shqipëri rezulton një ndërmarrje shtetërore, që është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sepse çdo muaj faturon energji elektrike të pashpenzuar nga konsumatorët, kundrejt asnjë investimi dhe prap nuk ban zë kurrkush. Ne nuk protestojmë. Ne mësyjmë lojrat e bixhozit: për pesë vjet, është pesfishuar numri i pikave të lojrave të fatit: mbi 4 mijë të tilla ka në të gjithë Shqipërinë. Aty humbin lekët, familjen deri edhe jetën. Ne dimë të vrasim vëllain a kushëririn për një metër tokë; nipi din me vra gjyshen se nuk i jep lek për hashash, t’u vemë gjoba bisnesmenëve të ndershëm, dimë të grabisim me maska, të vrasim me pagesë, të punojmë në fushat e mbjella me kanabis dhe të votojmë për atë që na jep një thes miell apo vlerën e 50 dollarëve, por nuk dimë të protestojmë me dinjitet, të luftojmë për të drejtat tona e kështu të edukojmë si duhet fëmijët tanë, brezat e nesërm të atdheut tonë.

Në 25 vite ne shkuam prapa në promovimin e realizimin e vërtet të demokracisë: më 1992, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ishte Pjetër Arbnori, një disident i regjimit komunist, i cili vuajti afro 30 vjet në burgjet e diktaturës dhe 25 vjet më vonë, viti 2017, sjellë në këtë post Gramoz Ruçin, persekutorin e tij politik, një zyrtar i lartë i nomenklaturës komuniste. Ashtu siç më 1992 ministër i jashtëm ishte Alfred Serreqi, një mjek që vinte nga “populli” i vuajtur dhe 25 vjet më vonë është ministër i jashtëm djali i Sulejman Bushatit, pjesë e së njëjtës infrastrukturë politike me Ruçin. Më tutje, drejtoreshë e Agjensisë së trajtimit të pronave është vajza e Llambi Gegpriftit, ish-anëtar i Byrosë Politike, ashtu siç edhe në institucione të tjera të larta, janë “bijtë e bijat e etërve”.

Sipas raportit të Departamentit të Shtetit, qeveria shqiptare ka nënshkruar më shumë se 200 kontrata me partneritet publik-privat ose koncensione, deri në fund të vitit 2017, duke eliminuar në maksimum konkurencën në tregun e shërbimeve dhe investimeve. Po kështu edhe raporti europian shprehet se, “në Shqipëri nuk ka garë për miratimin e kontratave koncensionare”. Dhe shifrën e saktë e plotëson vetë ministria e financave shqiptare, kur thotë: “janë 223 kontrata me vlerë mbi 5 milion euro”. Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet kundër koncensioneve, qeveria as nuk dëgjon nga ai vesh. Jep me koncension naftën dhe në arkën e shtetit nuk vjen asnjë lek, megjithëse vetëm Patos-Marinza, zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në Europë, me sipërfaqe 17.8 mijë ha llogaritet të ketë rezerva të provuara mbi 5.5 miliard fuçi naftë. Aeroporti i Rinasit me çmimet më të larta në botë, deklaron 17 milion euro fitim për vitin 2016. Tetë milion euro fitim ka koncensionari i pasaportave. 120 milion euro i jep qeveria koncensionarit të chek-upit për punë të pakryer dhe shëndetësia falas rezulton një megamashtrim ashtu siç është dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar- një propagandë që lulëzon përditë.  Po shkatërrohet në mënyrë të pariparueshme natyra shqiptare, duke dhënë me koncensione ndërtimin e qindra HEC-eve me fuqi nën 2 MG. Nuk ka përrua, degë lumi apo lumenj të vegjël malor, nga Cemi i Kelmendit, Valbona e Tropojës, Lura e Dibrës e deri te kanionet e Osumit, që të mos jetë  planifikuar të ndërtohen HEC-e, në të shumtën e rasteve duke rënë ndesh me natyrën e virgjër, pyjet e biodiversitetin dhe interesat e banorëve. Kurrkush nuk proteston. Vetëm për HEC-et në Valbonë protestonte para pak kohësh një amerikane me nja dhjetë fshatarë nga Tropoja.

Kelmendasit që janë në këtë sallë, a kanë qenë kohët e fundit në Vermosh? Lumin e tyre të dashur “Cemin e Selcës”, po e fusin në tub. Në një gjatësi prej disa kilometrash, nuk do ta shohin më askund ujin e tij të kaltër si deti, të pastër si kristali, të ftohtë në të cemtë e të vrullshëm si orteku i  bjeshkëve. Politikat fiskale të qeverisë kanë shkatërruar bisnesin e vogël, një ndër bazat kryesore të punësimit në Shqipëri. Para një muaji, shoqata e këtij biznesi njoftonte se “në 6 muajt e fundit, në Shqipëri janë mbyllur 13 mijë biznese të vogla, (që përkthehet në, minimumi 13 mijë të papunë), pasi qeveria vendosi me i përfshi në skemën e tvsh-së”. Dhe më të rëndat: kriminalizimi i politikës, ekonomisë, pushtetit, cënimi i lirisë së personit, blerja e mediave etj, janë maja e asaj katrahure që po ndodh në Shqipëri. Qeveria shqiptare është më shumë e shqetësuar që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Federatën e Shën Kristoforit dhe Nevisit, një minishtet që gjendet diku këtu, mes dy Amerikave afër jush, se sa të luaj diplomacinë e kujdesshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm për faktin se ky ishull i vogël është një parajsë për fshehjen e pasurisë me origjinë të dyshimtë. Në të dhënat që publikon CIA më 1 nëntor të këtij viti, e konsideron Shqipërinë “një ndër vendet aktive ku kalon kokaina nga Amerika e Jugut në Europën Perëndimore”. Por CIA nuk ndalet vetëm te droga: “pastrim parash, trafik armësh dhe kontrabandë refugjatësh”, janë fenomene të tjera kriminale aktive dhe që kryhen nën hundën e qeverisë.

Na ndihmoni të protestojmë dhe mos t’i lemë qeveritë më shumë se 6 muaj në pushtet kur ato nuk përmbushin detyrimet dhe premtimet që bëjnë. Jo vetëm ju këtu, të gjithë atje ku kanë emigruar, duhet ta ndjejnë peshën e asaj mangësie që i kanë lënë vendit  me largimin e tyre, boshllëkun që keni krijuar. Mos harroni se dobia që keni sjellë këtu nuk ka qenë pa pasoja për vendin tuaj. Shembulli më domethënës se ç’mund të bëjnë ata që janë larguar, për vendin e tyre,  është rasti i protestave të fuqishme të kohëve të fundit që u zhvilluan në Rumani: mediat raportonin për rreth 3 milion emigrantë rumunë që ishin kthyer atje vetëm për protestat dhe nuk do të largoheshin nga sheshi pa u realizuar qëllimet e protestuesëve. Nuk e kanë më të afërt ata Rumaninë se sa e kanë bashkëatdhetarët tanë Shqipërinë. Është për të të ardhur keq kur në disa raste një numër emigrantësh nga Greqia apo Italia vijnë kur ka zgjedhje parlamentare dhe votojnë për atë parti apo kandidat që u ka paguar biletën e udhëtimit. Pse, kaq mund të gjykojmë ne, kaq mund të bëjmë për vendin tonë? Kaq dritëshkurtër jemi: njëlloj si fshatari i varfër që e shet votën për një thes miell, si emigranti që ka parë jetë e vende demokratike, të japë votën në kompensim të biletës 30 apo 50 euro? Nuk e ndjejmë për detyrë ndaj atdheut që të vijmë e të votojmë me mendtë tona, me gjykimin tonë? Ju mund ta ndihmoni më shumë vendin tuaj, por së pari ndoshta duhet të reflektojmë me ndërgjegje të plotë ndaj konstatimit që bën gazetari i shquar Frank Shkreli, kur thotë: “Diaspora sot është më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, falë fatkeqësisht edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara”. Unë kam dëshirë të mos e besoj këtë konstatim dhe vetë z. Shkreli, do të dëshironte të ishte i gabuar  në thënien e tij.

Në fund dy gjëra krejt të thjeshta, që përfaqësojnë dy prej disa karakteristikave tonat si komb:

E para, për të treguar se sa ngadalë e kurrë, i ndryshojmë konceptet ne shqiptarët, Ju jap një shembull konkret: edhe pse ka 54 vjet (unë kam qenë 4 vjeç) që ka ndryshuar vlera e lekut në Shqipëri, edhe sot, i madh e i vogël, monedhës 50-she, i thotë 500 lek. Por jo vetëm populli mbarë, edhe qeveria. Edhe kryeministri, që tash së fundmi do të marrë vendim me shpërblye lindjen e fëmijës së tretë (nuk e di se kush do t’i lindin fëmijët në Shqipëri, sepse mosha që bën fëmijë janë të gjithë nëpër botë) me 120 mijë lek, i thotë “një milion e 200 mijë lek”. Edhe kur qeveria u jep pensionistëve 5 mijë lek në fund të vitit, del kryeministri e thotë: do të shpërblejmë pensionistët me 50 mijë lek. Media, gazeta e televizione, po kështu flasin. Dhjetë milionshit i thonë 100 milion. Edhe të huajt kanë rënë në hall me ne kur blejnë, dhurojnë apo investojnë: lek i ri, lek i vjetër.

E dyta, për të treguar se si janë ruajtur në kujtesën e të parëve tanë burrat e veçantë të Malësisë, po ju tregoj një ngjarje që ka ndodh  këtu e 65 vjet më parë: në vitin 1953 në zonën e Bregut të Matës në Lezhë, ishte me shërbim ushtarak një oficer nga jugu i Shqipërisë. Meqenëse nuk kishte kushte jetese të mira në kazermë, oficerit i ishte pajtuar një odë shpi në banesën e një gruaje malësore të moshuar. Një ditë, aty nga marsi i atij viti, ushtaraku po kthehet në banesë duke qarë e uluritur, sipas tij, për një gjëmë që kishte ndodhur. E moshuara e dëgjon komshiun e vet, shqetësohet ashtu si dinë  nanat me u shqetësua dhe e pyet: Çfarë ke more bir që qan, çfarë të ka ndodh?

-E moj nëne,- i përgjigjet ky me aq mërzitje sikur i kishte ngjarë diçka e rëndë në familje,- nuk më ka ndodhur vetëm mua. Është sosur bota, ka vdekur Stalini.

Plaka, e lehtësuar prej shkakut të lemerisë së tij, ashtu me mashë në dorë duke shprushë në breg të forumit ku digjeshin do dru zjarmit jo fort të mira, e prej tymit gadi po i delnin lot edhe asaj, duke tund me krye prej habisë e me një qetësi sikur nuk kishte ndodhë kurrgja, i kthehet oficerit të ushtrisë popullore:

– He ty të pastë kjo nanë, paj ka dekë Prêkë Cali e nuk asht shua bota.

*Autori ishte ftuar që t’a referonte këtë temë në festimet e 106 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në ambjentet e Kishës së “Shën Palit” në Rochester Michigan të SHBA nga Shoqata “Malësia e Madhe”, por nuk pati mundësi  të merrte pjesë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora