E shtune, 27.04.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Mendime

Nafi Çegrani: Kë spiunonin UDB dhe KOS?

E merkure, 15.08.2018, 07:06 PM


KE SPIUNONIN  UDB-a  DHE  KOS-i JUGOSLLAV?

Fragment nga libri ''Agjentura e UDB-s dhe shqiptarët''

Nga Nafi Çegrani

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore me urdhër të Titos u formua e ashtuquajtura OZN-a (Organ Zastite Narodaj) me 13 Maj 1944, dhe një vit më pas VOS (Vojna Obavestajna Sluzba ‘JNA’) Shërbimi Informativ Ushtarak UPJ. Nga fundi i vitit 1946 këto shërbime u reformuan, dhe u shkrinë duke u formuar UDB-në dhe KOS-in, (Uprava Drzavne Bezbednosti) Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe (Kontra obavestajna Sluzba) Shërbimi i Kundërzbulimit Jugosllav varësia e të cilit ishte nga Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të cilët drejtoheshin nga Aleksandar Rankoviç me pseudonimin “Leka” dhe Sllobodan Peneziç me nofkën “Kercun”. Njëkohësisht dhe me shpejtësi rrufe në të gjitha republikat dhe Krahinën Autonome të Kosovës u formuan drejtoritë përkatëse të UDB-së dhe KOS-it në këto nivele. OZN-an dhe UDB-në për shumë vite në Kosovë i udhëhoqi si kryeshef Spasoje Gjakoviç dhe kryeshefa degësh të këtij shërbimi famëkeq për Kosovë ishin edhe Çedo Mijoviç, Ali Shukriu, Lubo Shotra, Alush Gashi, Nazmi Kursani, Çedo Topalloviç, etj..

UDB-në në Maqedoni e drejtonin Ilisie Popovski “Marko”, Çvetko Uzunovski me nofkën “Abaz”, Arizan Mesterovski-Marçe etj..

Degët e UDB-së në Kosovë dhe Maqedoni i udhëhoqën edhe shumë shqiptarë, të cilët u angazhuan sidomos në përndjekjen dhe likuidimin e grupeve te armatosura shqiptare, veprimtarë të rezistencës, një pjesë e të cilëve fshiheshin në male për të shpëtuar gjallë nga likuidimet e UDB-së, u arratisën dhe emigruan në grupe matanë kufirit, në Greqi dhe Itali, ndërsa të tjerë u vendosën edhe në Amerikë apo në shtete të Europës Perëndimore, si Franca, Belgjika, Gjermania etj..

***

… Gjatë shtatorit të vitit 1942, me iniciativën e PKSH-së u mbajt Konferenca e Pezës, e cila kishte për qëllim bashkimin e të gjitha forcave antifashiste shqiptare, përkatësisht formimin e një fronti të përbashkët, në të cilin do të merrnin pjesë të gjithë, pa dallim feje, krahine apo ideje. Në të u ftuan edhe përfaqësues të partive dhe të organizatave të tjera shqiptare, si Abaz Kupi, Mit’hat Frashëri e të tjerë. Mit’hati nuk shkoi në këtë konferencë, por dërgoi si përfaqësues Halim Begenë, i cili ishte edhe udhëheqës i Rinisë së Ballit Kombëtar. Meqë e përmenda Halim Begenë, duhet të theksoj, se shok i ngushtë i vëllait të tij, ka qenë edhe Ramiz Alia, i cili në librin me titull “Unë, Ramiz Alia” i hiperbolizon ca gjëra, kur bën fjalë për rolin e tij dhe të Enver Hoxhës apo të Partisë, për çështjet kombëtare dhe e injoron, e mohon kontributin dhe rolin e Abaz Kupit e Mit’hat Frashërit dhe, në përgjithësi, të “Bashkimit Kombëtar”, “Lidhjes së Prizrenit”, “Legalitetit”, “Ballit Kombëtar”, më vonë edhe të “Lidhjes Kosovare”, “Partisë Agrare”, “Besës”, (të mos i përmendim emrat e Ali Këlcyrës, Ismail Vërlacit, Kadri Cakranit, Mustafa Gjinishit e të tjerëve).

Në prag të kapitullimit italian, përkatësisht në fillim të shtatorit të vitit 1943, në Prizren u mbajt Kuvendi për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në të cilin rol vendimtar luajti Xhafer Deva dhe Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj kohe, e Gjermanisë. Statuti dhe programi i kësaj organizate, mbronte Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare dhe kërkonte bashkimin e Tetovës e të Gostivarit me Kosovën dhe të trojet e tjera shqiptare në Mal të Zi e të Sanxhakut, më shtetin shqiptar të vitit 1913.

Mbledhja gjenerale e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, u mbajt nga mesi i janarit të vitit 1944, në të cilën kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Musa Shehu, ndërsa sekretar Sulejman Aliu. Në këtë mbledhje u formua edhe një nënkomitet i përbërë nga Bedri Pejani, Rexhë Meta, Sulejman Riza, Sokol Dobroshi, Tahir Zajmi, Kolë Margjini etj., të cilët parashtruan për aprovim, listën e anëtarëve të prefekturave. Anëtarë të Prefekturës së Prizrenit, me këtë rast u zgjodhën Musa Shehu dhe Kolë Margjini, të prefekturës së Prishtinës, Sulejman Aliu dhe Mahmut Bej Pasha, të prefekturës së Mitrovicës, Asllan Boletini, të Pejës, Bedri Pejani, të Dibrës, Ekrem Jegeni dhe Adem Sabriu, të Shkupit, Esad Berisha, kurse të prefekturës së Tetovës dhe Gostivarit, u zgjodh Kadri Saliu. Statutin e kësaj organizate kombëtare shqiptare, e aprovoi dhe e urdhëroi zbatimin e tij, Këshilli i Lartë i Shtetit Shqiptar, me Aktin Nr. 324, të datës 14 mars 1944, në Tiranë, të nënshkruar nga anëtarët Anton Arapi dhe Lef Nosi dhe nga kryetari Mehdi Frashëri e kryeministri z. Rexhep Mitrovica... ( Është me rëndësi të përmend se  numri i shqiptarëve të shpërndare nëpër të gjithë globin mendohet të jetë afërsisht 15 milion. Këtu vihet re një fenomen i veçante ku numri i personave në diasporë (rreth 12,6 milion) e kalon numrin e personave në shtetin amë, (rreth 2.4 milion) shifra këto që dëshmojnë për një migrim më shumë të imponuar se sa të dëshiruar të shqiptarëve. Që nga emigrantët e parë, në fillim të shekullit të kaluar e deri në ditët tona, në Amerikë llogaritet të jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë ndërsa emigrantët që janë larguar nga trojet shqiptare drejt Kanadasë llogaritet të jenë rreth 25 mijë. Një numër i vogël gjenden edhe në shtetin e largët të Australisë, rreth 100 mijë shqiptarë. Në Evropë duket se ka një shpërndarje "të rregullt" të emigrantëve shqiptarë me diferenca të vogla. Kështu në Gjermani emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi llogaritet të jenë rreth 300 mijë. Austria është një tjetër vend me numër të konsiderueshëm shqiptarësh, qe kap shifrat e 300 mijë vetëve. 200 mijë të tjerë jetojnë në Zvicër dhe po kaq shqiptarë jetojnë nëMal të Zi. 100 mijë shqiptarë banojnë në Francë dhe 50 mijë të tjerë nëSpanjë.Në Itali sot jetojnë dhe punojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Duhen përmendur edhe 100 mijë të tjerë të emigruar në Belgjikë. Ndërkohë në Kosovë janë rreth 2 milionë e katër qind mijë shqiptarë autoktonë. Një numër i konsiderueshëm shqiptaresh gjendet edhe në Serbi, ku jetojnë 70 mijë prej tyre. Në Maqedoni llogaritet që shqiptarët të zënë vendin e dytë për nga numri i popullsisë pas asaj vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve në Maqedoni mund arrijë rreth 1 milion. Po kaq shqiptarë jetojnë dhe në Greqi. Fluksi i emigrantëve që ka zgjedhur shtetin fqinjë jo vetëm për të punuar, por edhe për t'u vendosur familjarisht atje, shkon në një milion të tillë. Ndërsa numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë rreth 5 milion shqiptarë...)

***

Sipas një studimi analitik që kam bërë gjatë viteve kur kam punuar si operativ në sektorët e SDB-së Republikane të Jugosllavisë në Shkup, në sajë të rrjetit të bashkëpunëtorëve të ndryshëm nga radhët e shqiptarëve dhe sipas kodeve të fshehura dhe kategorive të dosjeve, apo evidencave të kartotekës së regjistruar, afro 60 për qind, prej tyre 20 për qind ishin bashkëpunëtorë të evidentuar, me pseudonime të koduara, dhe që zotëronin dosje të sajuara për këtë qëllim.

Nuk di pse ndodhte kështu, por një gjë e kisha të qartë: krerët e UDB-së, ideologjia komuniste dhe bolshevike e pansllavizmit, si në Beograd ashtu edhe në disa qendra të tjera të Jugosllavisë (edhe në kabinetet e Komiteteve Qendrorë të PKJ-së), hartoheshin projekte të fshehta për zhdukjen fizike, likuidimin dhe spastrimin e shqiptarëve pasivisht nga Maqedonia dhe Kosova, nga Mali i Zi dhe troje të tjera të banuara nga shqiptarë etnikë.

Të zhgënjyer shqiptarët shkuan edhe në fronte lufte, në formacionet partizane, siç ishte Brigada VII shqiptare në Frontin e Sremit etj..

Që atëherë deklaratat e Titos dhe të tjerëve si ai, se shqiptarët do të jetonin si popull në “Vëllazërim-Bashkim” me popujt e tjerë në Jugosllavi?! U zhgënjyen në vitin 1945, 1966, 1974. Spastrimet etnike dhe zhdukja fizike e shqiptarëve vazhduan edhe pas vdekjes së Titos, synimet pansllaviste dhe në saje të pasuesve famëkeq Çubrilloviçe dhe Millosheviçe arritën kulmin në vitin 1981.

Cilët ishin dhe pse disa shqiptarë kanë bashkëpunuar me UDB-në ose me mirë të them se UDB-ja kishte aq interesim të madh që të fuste në radhët e saj shqiptarë të zgjedhur, për zyrtarë apo të angazhuar në rrjetin e spiunazhit dhe të bashkëpunëtorëve. Qëllimet, synimet, interesimet dhe preokupimet e këtij shërbimi famëkeq kanë qenë të mëdha, por edhe dinake e perfide, për t’ia thyer dinjitetin kombëtar shqiptarit dhe për ta bërë leckë në aspektin moral, të krenarisë së tij. Në shumë raste, kur ka qenë fjala edhe për ndonjë djalë të fisit me traditë, ose bir i ndonjë ballisti të njohur, me emër në historinë tonë për ta komprometuar operativët e UDB-së i kanë ndenjur afër, kanë ngritur dolli dhe përshëndetur në rrugë, kur e kanë takuar e kapnin për krahu me qëllim që ta shikonte populli dhe e reklamonin si të ishte Xhems Bond ose njeri i afërt, apo edhe bashkëpunëtor i tyre.

Këto të dhëna dhe fakte, i nxjerr nga argumente të ndryshme të arkivit sekret të UDB-së dhe nga bisedat që kam pasur gjatë viteve 1974-1976 në Amerikë, me prof. Rexhep Krasniqin, Hasan Dostin, Luan  Gashin,  hafus Jusuf Azemin e Dobroshtit ne Cekago, Vasil Andonin,  Zef Oroshin. Mandej me Tahir Kolgjinin dhe  Qazim Prodanin në Turqi dhe shume te tjer,  të cilët më flisnin hollësisht për qëllimet e mbrapshta të Kongresit të Londrës… / E ne vecanti per BASHKIMIN E KOSOVES dhe te trojeve etnike shqiptare ne nje SHQIPERI   nen nje  Flamur me zhgaben dykrenare, symbol i races shqiptare/.

Kurse Tahir Zajmi , siç më rrëfente në  Njujork  Rexhep Krasniqi, duke më dhënë një tufë të gazetës ,,Shqiptari i lire,, dhe disa libra, ai fliste me krenari për angazhimet e plota dhe të devotshme në rrugën e kauzës kombëtare të  Tahirit, duke cituar fjalët :,,Klika komuniste dhe azhdaja e tyre antishqiptare, nje dite do te vije, kur ata do te japin llogari dhe pergjegjesi perpara kombit shqiptare per te gjitha marrezite dhe tmerret qe kane bere, per krimet sllave ndaj kombit tone…dhe nuk mund t u  ikin forcave te drejtesise dhe Zotit ,,!

***

... Agjentët e Sigurimit dhe UDB-a në rradhët e emigracionit

Historitë e spiunazhit mbeten gjithnjë interesante kur bëhet fjalë për rrëfime nga shefat e spiunazhit dhe agjensive të fshehta…

Pse?

Sepse, ka shumë histori secrete, histori të vërteta të cilat nuk i di çdo kush, dhe mbahen me sigla e kode, mbahen në arkive dhe kasaforte çeliku. Ja një shembull për një ngjarje: në 1968 në Bruksel do të inaugurohej monumenti i Gjergj Kastriotit. Legalistët donin të ruanin marrëdhënie të mira me grupet e tjera politike aktive në Belgjikë, por pikërisht në këtë moment ne duhej të gjenin një element që të ishte radikal ndaj këtyre grupeve të tjera, për të dalë Legaliteti më i fortë në këtë organizim... Sa për kujtesë, në atë kohë, Oborri  i mbretit Zog ishte përbërë nga njerëzit më besnikë të mbretit, siç ishin kolonel Hysen Selmani,  kapiten Adem Shehu, major Qazim Preni, kapiten Muharrem Gjoka... Në Belgjikë kemi pasur kryetar Vehap Shehun, Zef Delinë e shumë të tjerë...

***

Është plotësisht e mundur dhe unë besoj se shumë agjentë të Sigurimit të Tiranës dhe të UDB-së së Beogradit, vepronin si agjentë të dyfishtë. Dihen për shembull, shumë veprime të Sigurimit të Shtetit me UDB-në Jugosllave. Edhe pse, zyrtarisht Shqipëria kishte prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë që nga viti 1948, agjentët e Sigurimit të Shtetit bashkëvepronin me UDB-në për identifikimin dhe arrestimin e shqiptarëve më aktivë në Kosovë dhe në vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Ju kujtohet sigurisht se Shqipëria komuniste nuk ka mbështetur asnjëherë në botën perëndimore lëvizjet e Shqiptarëve të Kosovës për liri dhe të drejtat e tyre; qoftë diplomatikisht, politikisht apo mediatikisht. Por, në të njëjtën kohë, infiltronte Kosovën nëpërmjet agjentëve të saj, të cilët në bashkëpunim me UDB-në nxitnin popullin për të bërë kryengritje. Kryengritja e Shqiptarëve në Kosovë ndodhi disa here, e sidmos me vitin 1981, sepse besonin që gëzonin përkrahjen e shtetit amë, por çfarë ndodhi? Ata vuajtën represionin e shtetit jugosllav, burgime, tortura, asgjësime, etj. Për sa i përket lojës së dyfishtë të agjentëve të Sigurimit në radhët e Legalitetit dhe të Oborrit Mbretëror në kohën e diktaturës komuniste, mendoj se duhet shikuar rezultati i arritur,  duhet zbuluar arhivat secrete edhe për interese te historiografisë sonë.

Nuk është e çuditshme në rast se në varrimin e Mbretit Zog të ketë pasur edhe agjentë, sepse aty kanë qenë prezentë me mijëra shqiptarë dhe askush nuk i kontrollonte, ashtu siç mund të kenë marrë pjesë dhe në varrimin e mbretit Leka, ish-agjentë apo komunistë. Është e sigurt se në çdo lloj organizimi masiv të emigracionit politik shqiptar, si në kremtimet e 28 nëntorit, në demonstrata të ndryshme, etj, kishte agjentë të fshehtë të UDB-së jugosllave, madje edhe shqiptarë bile!

Edhe me vdekjen e  mbretit Zog, më 9 prill 1961,dhe në ceremoninë ë varrimit të tij, me këtë rast  merrnin pjesë edhe shumë agjent të kamufluar dhe të fshehtë të UDB-së, të Siguriumit të shtetit shqiptarë, të KGB-së ruse si dhe ata të CIA-s ameikane dhe MI 6 të Anglisë etj.

***

Metodat  komprometuese të  UDB  kanë qënë dhe janë  përdorur edhe në mesin e shqiptarëve në Amerikë, ose në radhët e emigracionit shqiptar duke u futur mosbesim e grindje, përçarje e hakmarrje, duke zhvilluar kombinacione të ndryshme, kurthe e intriga. E shqiptari gjithmonë gjaknxehtë dhe eksploziv, bajraktar dhe kapadai, me armë në brez dhe... njerëzit i duken si milingona, nuk e kuptonte se në prapavijën e gjithë kësaj ka edhe diçka tjetër, diçka të cilën UDB-ja e ka mbajtur në fshehtësi të vërtetë, duke e “djegur” atë që nuk e ka me qejf, atë që ia turbullon ujin, e djeg “spiunin” për ta mbrojtur dhe mbajtur në fshehtësi SPIUNIN e vërtetë. Prandaj, shërbimi i spiunazhit dhe veprimtaria e spiunit janë tejet specifike, e për gjëra të tilla, marifete e trillime, UDB-ja ka përvojë të madhe si një makineri e çuditshme që me dekada ka spekuluar me shqiptarin dhe në dëm të shqiptarëve, duke i vrarë me njëri-tjetrin. Edhe kjo është një pjesë e historisë sonë dhe fatit tragjik si popull e si komb.....

Po pse kështu?! Habitesh me faktin se nga qindra e qindra dosje dhe emra të koduar dhe të evidentuar në sektorët e UDB-së nga radhët e shqiptarëve si në Maqedoni dhe në Kosovë, afro 60 për qind prej tyre janë të përfshirë si bashkëpunëtorë të këtij shërbimi të zbulimit dhe kundërzbulimit jugosllav. Me qindra shqiptarë kanë dosje të sajuara të disa kategorive, si p.sh. një pjesë e tyre janë të evidentuara si bashkëpunëtorë të rregullt, një pjesë janë të kategorisë DL (dosie za lice) dosje personale, dhe PPR (predmet u predhodnom radu) që do të thotë dosje të lëndës së përpunuar paraprakisht.

Dosje të tilla individuale UDB-ja i zotëron me shumicë, por në kasafortat e çelikta dhe të blinduara të saj gjenden edhe me qindra dosje voluminoze për krerët dhe organizatat e ndryshme emigrante shqiptare nga të gjitha vendet e Botës, e në veçanti të atyre nga Amerika, Franca, Belgjika, Gjermania, Australia, Kanadaja, Turqia etj..

Ekzistojnë dosje të çuditshme edhe për hoxhallarë e priftërinj, për profesorë e mjekë, për mësues dhe inxhinierë, për emigrantë e bujq, për pleq dhe të rinj, për nxënës e studentë etj., etj..

Dhe të gjitha këto, sipas strategjisë së këtyre shërbimeve komuniste, kanë rëndësi të madhe për sistemin e spiunazhit të UDB-së.

Por në ç’mënyrë dhe si bëhet rekrutimi dhe marrja në lidhje i personave të “zgjedhur” për bashkëpunëtorë, e që si proces zhvillohet sipas metodave identike dhe specifike që i ka në praktikë dhe i zbaton shërbimi për zbulim dhe kundërzbulim.

Si bashkëpunëtorë të UDB-së dhe spiunazhit në mes shqiptarëve në Jugosllavi, të kategorisë “armiq të brendshëm” dhe “armiq të jashtëm”, në veçanti flasim për aktivitetet e pjesëtarëve të këtij shërbimi ndër shqiptarët e Amerikës, si dhe lidhjet e disa të shiturve në shërbimet sekrete diplomatike e konsullore jugosllave si në Çikago dhe Nju Jork dhe në disa vende të tjera evropiane apo dhe përtej oqeanit, të cilët veprojnë si persona të infiltruar dhe spiunë në radhët e krerëve dhe të Kryesive të organizatave emigrante shqiptare, gjen një varg emra shqiptarësh të shitur dhe që verbërisht punuan dhe po punojnë kundër shqiptarëve.

UDB-ja jugosllave me dekada e vite të tërë ka përdorur operacione të fshehta agjenturore dhe agjentë të stërvitur edhe kundër Shqipërisë. Nga të gjitha anët e kufirit shqiptar KOS-i dhe UDB-ja kanë hedhur grupe të tërë diversantësh e terroristësh, mjerisht duke i zgjedhur si më të besuar nga vetë radhët e shqiptarëve, të cilët duke i stërvitur në kampe të veçantë e sekretë për veprimtari të tilla spiunazhi të armatosur, i ka drejtuar maleve, disa duke kaluar shpateve të Malit Vllaj dhe Korabit, disa nga Vraca e Sharrit dhe Restelica, të tjerë nga kreshtat e Pejës dhe Gjakovës e deri në anët e Ulqinit në Mal të Zi.

Lista e emrave të tyre është e gjatë, p.sh. nga Maqedonia u nisën si diversantë; Shemo Merko nga fshati Frengove, Shibrit Kica nga Veleshta e Strugës, Murteza Shatri, Mahir Zherovjani “Majeri”, Shaban Zejneli, Xhafer Hasani, Bal Beqiri, Memet Zeneli, Riza Kadriu, Qebir Mustafa, Hashim Toplica, Azir Jakupi, Ajet Ameti, Zilbear Qazimi, Sadik Sinani, etj., etj.. Por, të cilët, shumica e tyre vajtën e erdhën andej kufirit, dhe asnjëherë nuk i mbetën besnik agjenturës jugosllave...

(vazhdon)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora