E diele, 28.04.2024, 09:13 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Qeveria Haradinaj drejt Gines-it

E diele, 26.11.2017, 10:11 AM


Qeveria "Haradinaj" drejt librit të "GINES-it"

Shkruan Florim Zeqa

Duke përcjellur (në heshtje) dukurinë e emërimit të zv. ministarve në Qeverinë "Haradinaj", ku dita-ditës vetëm sa shkon e rritet numri i tyre, i cili deri më tani ka arritur në 62, m'u sollë ndër mend shkrimi im autorial i datës 15.04.2017 me titull: Mbështetja për Ramushin dhe të vërtetat e saj!

Nga ai shkrim po e shkëpus vetëm një citat; "Në Colmar te Ramushi shkuan edhe biznesmenë dhe pseudo-patriotë të profileve të ndryshme për interesa personale, sa për të zënë ndonjë argat te Ramushi, me shpresën, që ai nesër do t'ua kthejë si shpërblim (kur të vijë në pushtet) me ndonjë tender apo sihariq tjetër".

Rritja enorme e kabinetit qeveritar po e shpërfaqë vetëm një nga shumë të vërteta që i kam cekur në shkrimin e sipërpërmendur.

Aq të shumtë janë në numër ata që kanë zënë argat të Ramushi, saqë edhe me dyfishimin e ministrive dhe trefishimin e zv.ministrave nuk do të ketë vend për të gjithë në Qeveri!

Përkundër zemërgjerësisë së kryeministrit Haradinaj për t'ua kthyer "borxhin" të gjithëve dhe kërkesave të partnerëve në koalicion për kapjen e posteve, hapësirat e objektit qeveritar janë shumë të ngushta për "mbipopullimin" me zv.ministra, këshilltar e nënkëshilltar.

Dukuria e fryerjes së qeverisë me zv.kryeministra, ministra, zv.ministra dhe këshilltar të pafund siq duket nuk ka të ndalur!

Kosova e vogël dhe e varfër, me numrin e madh të ministrive, zv. ministrave dhe këshilltarëve të pafund ua kalon të gjitha qeverive të vendeve të rajonit, e madje edhe vendeve më të zhvilluara të bashkimit evropian.

Bie fjala, në Itali, në shtetin me mbi 60 milion banorë, qeveria e këtij vendi i ka vetëm 13 ministri dhe vetëm një zv.kryeministër (ministrin e Punëve të Jashtme).

Ndërsa në Qeverinë e Kosovës, e kemi pothuajse dyfishin e ministrive, trefishin e zv.kryeministrave, pesëfishin e zv.ministrave dhe numrin e pafund të këshilltarëve!

Sa më i gjërë koalicioni, aq më të mëdha kërkesat për punësime në Qeveri.

Pas 17 shkurtit 2008-të, të gjitha qeveritë pa dallim, për më tepër se institucion qeverisës i vendit, gjasojnë në ent të madh punësimi dhe shpërblimi për militantët e partive klienteliste në pushtet, punësimin e dajëve e tezeve, miqëve e shokëve e deri të dashnoret e liderëve partiak, ministrave dhe deputetëve!

Qeveritë megalomane të Kosovës janë shndërruar në Dinozaurë të buxhetit të shtetit, duke plaçkitur gjithçka që ka mbetur nga pasuria publike e shtetit tonë.

Kësisoji, lufta për pushtet nga partitë politike po bëhet e gjithnjë e më e ashpër, vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri qoftë ai edhe  president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, gjyqtar, prokuror apo avokat.

Me këtë model të keq të politikës dhe logjikë uzurpuese të shtetit, politikanët me (pa) vetëdije janë duke e shkatërruar vendin dhe shpresat e qytetarëve për jetë në vendin e tyre.

Kjo logjikë e shtetshkatërrimit, është duke e dërguar vendin drejt humnerës së pakthim. Dhe kur jemi në këtë segment, pashmangshëm na del përpara thënja e të madhit Faik Konica, e cila shtetit të Kosovës do t'i shkonte përshati në këtë mënyrë; "Rebublika e Kosovës lindi me 2 korrik 1990, e shpëtoi Amerika, po rrezikohet nga politikanët e saj" (F.Z.).

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur kostoja e një qeverie megalomane i arrinë shifrat alarmante. Nëse e marrim vetëm pagën mujore të një zv. ministri e cila është hiq më pak se 1100 euro, atëherë qytetarët vetë le ta bëjnë llogarinë e kostos financiare të 62 zv.ministrave të Qeverisë "Haradinaj. Kur këtij kontigjenti t'i shtohen këshilltarët dhe gjithë të punësuarit në qeveri, atëherë vërtetë do të binden të gjithë qytetarët e vendit se qeveria e këtij populli të varfër është Dinozauri më i madh i buxhetit të shtetit, ku kostoja e rehatimit e të gjithë dostave të pushtetarëve në pozitat e larta shtetërore, nuk ka ku troket tjetër përpos në xhepat e cekët të qytetarëve.

Përderisa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 18 për qind e popullsisë jeton në varfëri të plotë me vetëm 1.82 euro në ditë, kurse 5.2 për qind në varfëri ekstreme me vetëm 1.30 euro në ditë, në anën tjetër kryeministri Haradinaj emëron edhe nga 4-5 zv.minstra për një ministri, siq është rasti me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,...ku Muharrem Nitaj, Arbër Geci, Bajrush Sezairi, Mustafë Myrtaj e Heset Sahiti janë zëvendësit e ministrit Shyqiri Bytyqi!

Nuk i dihet, mbase ky përforcim i MASHT-it do ta përmbysë rezultatin e PISA-s vitin tjetër! Në të kundërtën, nuk kanë si të arsyetohen para qytetarëve drejtuesit e dikasterit të arsimit nesër.

Pavarësisht rezultateve të PISA-s, Qeveria "Haradinaj" me këtë trend të rritjes është duke shkuar drejt shënjimit në librin e rekordeve botërore"GINES", si qeveria më e madhe e një popullare të varfër në Globin Tokësor, llogaritur numrat e kabinetit qeveritar në raport me numrin e banorëve dhe të ardhurave mesatare të tyre.

18.11.2017



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora