E diele, 04.05.2025, 08:39 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Zhurma e pompave të ujit

E hene, 02.10.2017, 07:08 PM


Zhurma e pompave të ujit, makth dhe shqetësim për shëndetin për banorët e kateve të para.

Nga Gëzim Hoxha

Selman Goxhaj një 74 vjeçar, jeton i vetëm me të shoqen e sëmurë në katin e parë të një pallati të ndërtuar që para viteve ’90 në lagjen 29 Nëntori, në Fier. Që të dy vuajnë nga diabeti dhe e shoqja ka kaluar edhe një paralizë parciale që ia vështirëson së tepërmi lëvizjen. Nënë Ferideja shumicën e kohës e kalon në shtëpi pasi nuk mund të dalë.

Me gjithë hallin e madh që i ka zënë, atyre iu duhet të përballen edhe me zhurmën e pompave. – Kam 2 - 3 muaj që merrem me pompat, ku s’kam shkuar, më ranë këmbët – të thotë xha Selmani. Pyetjes se sa shumë i shqetësojnë pompat ai i përgjigjet me një fjalë të vetme: - Tejmase. Më tej sikur të kishte një brengë të madhe fillon të flasë duke i zvarritur fjalët një e nga e një. - Kam 11 pompa mu te dritarja që ulërijnë gjithë ditën.

Po si ia bën? – erdhi natyrshëm një pyetje tjetër. – Ç’të bëj, si të thashë edhe më parë ku s’kam shkuar për tu ankuar, - vazhdon rrëfimin e tij xha Selmani, - kam shkuar te kryetari i rajonit, kam shkuar në polici madje kam folur në telefon edhe me kryetarin e Bashkisë. Ai më tha, -  citon plaku z. Armando Subashin; kryetarin e bashkisë së Fierit, - nuk mund të bëj dot asgjë pa mbaruar projekti i ujësjellsit.

Në rajonin nr 3 të Fierit, kryetari i tij z. Asqeri Ruko, na thotë pothuajse të njëjtën gjë: - Nuk mund të bëhet asgjë hë për hë, po me sa di unë pompat do të hiqen shumë shpejt. Pyetjes se sa shpejt do të hiqen pompat?, ai nuk di si t’i përgjigjet. Për të marrë një përgjigje më të saktë drejtohemi për në bashki. Te dera kryesore roja nuk lejon askënd të hyjë dhe na drejton te hyrja e prapme e bashkisë e cila është shdërruar në një zyrë me një ndalesë për marrjen e informacionit.

Neritan Boçova përgjegjës për informimin e qytetarëve në bashkinë e Fierit na thotë se projekti për rehabilitimin e ujësjellësit u zbatua nga firma Alb Star. Bashkia nuk ka informacion në lidhje me ecurinë e projektit. Pyetjes se kur do të hiqen pompat ?, ai nuk di t’i japë një përgjigje të saktë. Ideja fillestare, - thotë z Boçova, - ishte që me rritjen e presionit të ujit do të hiqeshin edhe pompat. Madje do ishin vetë banorët ata që do kërkonin heqjen e tyre, apo vendosjen e pompave të përbashkëta. Alb Star nuk varet nga ne, ata nuk i marrin fondet nga ne prandaj dhe nuk di ç’të them. Tek ne ata marrin leje vetëm për çarje rrugësh dhe hapje kanalesh. Këto janë të dhëna jozyrtare prandaj ti duhet të shkosh tek ujësjellsi.

Tek ndërmarrja e Ujësjellësit, z. Vasil Marko Drejtor Teknik i UKF- së, thotë me të qeshur se projekti ka përfunduar dhe 70 % e pompave edhe pse janë ende të instaluara nuk shërbejnë më për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm. – Unë vetë e kam hequr pompën dhe furnizohem me ujë të pijshëm pa ndihmën e saj. – tregon z. Marko. Më tej ai të thotë se projekti për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit ka përfunduar në disa lagje si: në lagjen 11 Janari, Apolonia, Kastrioti, Qënas, 29 Nëntori, 15 Tetori, Konferenca e Pezës, Kongresi i Përmetit, një pjesë e Bishanakës si dhe dy fshatra: Levan dhe Frakull. Sipas tij projekti parashikon rritjen e presionit me qëllim hedhjen e tij deri në 15 m. lartësi.

Pra praktikisht të gjitha pallatet me lartësi deri në 5 kate do të funizohen me ujë të pijshëm pa ndihmën e pompave. Ky projekt nuk përfshin pallatet e reja shumëkatëshe. I pyetur se kur pritet të hiqen pompat z. Marko thotë se akoma nuk është parashikuar një datë fikse për fillimin e këtij operacioni. Por është planifikuar muaji Tetor. Banorët do të njoftohen dhe nëse kërkojnë ndihmë për heqjen e tyre do t’iu dërgojmë hidraulikët tanë për këtë qëllim. Shqetësimi i ngritur për përballimin e kostos së heqjes së tyre, z. Marko i përgjigjet që ajo do të paguhet nga vetë banorët, pasi ata janë edhe pronarët e tyre.

Xha Selmani nuk është i vetmi që shqetësohet nga zhurma e tyre. Një tjetër banore e ardhur rishtazi në një prej pallateve të vjetër parafabrikat në lagjen 8 Shkurti shprehet se bezdiset shumë prej tyre. Anxhela Demiraj një nënë e re, banore po e katit të parë, hap derën e shtëpisë dhe duke qeshur pret se çfarë do t’i thuash. Pyetjes se sa e shqetësojnë zhurma e pompave?, ajo i përgjigjet shumë thjesht: - Janë shumë të bezdisura. Po ç’të bëjmë u mësuam tani me to. Instinktivisht sytë të shkojnë tek foshnja të cilën ajo e mban në krahë. – Po bebin e shqetësojnë pompat? Nëna e shikon për një çast të birin duke qeshur dhe thotë: - Oh jo aspak, ai është mësuar. Më tepër na shqetësojnë ne të rritur se sa atë.

Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, ata që e vuajnë më shumë zhurmën e pompave janë banorët e kateve të para pasi ata i kanë fare pranë ato dhe zhurma e tyre iu është kthyer në një muzikë të bezdisshme që ta ç’akordon veshin. Dhe këmbët të çojnë vetë tek një mjek specialist O.R.L. për ta pyetur se: “Sa e fortë duhet të jetë një zhurmë për ta dëmtuar aparatin e dëgjimit?, dhe “A e dëmton veshin zhurma e pompave?”.

Mjeku specialist O.R.L. Kristaq Çaçi, iu përgjigjet të dyja pyetjeve. Në fillim ai të thotë se kufiri i një zëri për të mos e dëmtuar aparatin e dëgjimit është frekuenca që krijohet nga vibrimi i tij duhet të jetë 16.000 herz, ose 40 – 50 dB (Decibel). Më pas ai rendit një sërë simptomash që dëshmojnë ndikimin e zhurmave në përgjithësi dhe të zhurmës të pompës në veçanti. Kështu ai përmend dhimbjen e kokës, atë të zemrës, shkaktimin e stresit si dhe krijimin e gjendjes së ankthit. Dhe për ta mbyllur ai thotë se ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj kësaj zhurme, e cila kthehet në muzikën e përditshme për çdo familje të kateve të para dhe ndonjëherë edhe të dyta, e dëmton seriozisht aparatin e dëgjimit.

Të njëjtën gjë e vërtetojnë edhe studimet psikologjike të dekadave të fundit. Ato kanë gjetur se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave mund të ndikojë në shëndetin dhe mirëqënien tonë psikologjike. Në aspektin shëndetsor, - thotë  psikologia klinike Lediona Braho, - ky lloj ekspozimi mund të çojë në dëmtim të dëgjimit, hipertension, sëmundje ishemike të zemrës, etj.

Ndërsa në aspektin psikologjik mund të ndikojë në uljen e performancës gjatë kryerjes së një detyre a pune, probleme të gjumit, shqetësimet emocionale e deri në probleme të shëndetit mendor. Efekti negativ rritet me rritjen e kohës që ne kalojmë gjatë këtij ekspozimi.

Kjo psikologe e përkufizon kështu zhurmën: “Zhurmë quhet çdo tingull i padëshiruar për veshët tanë”. Në përgjithësi tingujt bëhen të padëshirueshëm kur ndërhyjnë në aktivitetet tona të përditshme si në shtëpi, në punë, në kohën e lirë e kështu me radhë. Ajo të thotë se zhurma dëmton edhe fëmijët e vegjël dhe ky dëmtim mund të fillojë që herët: që në fetus. Kur ndodhet në barkun e nënës fetusi i percepton dhe përgjigjet me lëvizje ndaj zhurmave që mund të jenë të pranishme në mjedis. Edhe më vonë ajo ndërhyn në procesin e të folurit dhe në mësimin e gjuhës.

Në degën rajonale të agjensisë të mjedisit në Fier, ku na thanë se edhe në Fier ka ndotje akustike. Dhimitraq Bitri, një prej monitoruesve të Vlerësimit të Ndikimit të Mjedisit thotë se kjo ndotje shkaktohet nga makinat e vjetra, nga kantieri i ndërtimit në qendër të qytetit, tek ish Bar Rinia, klubet e natës, makinat që thithin pluhurin, gërshërët dhe sharrat elektrike që përdoren nga punonjësit e gjelbërimit, kositëset e barit etj. Pyetjes: “Po zhurma e pompave a shkakton ndotje akustike?”, ai i përgjigjet se: “ Edhe zhurma e pompave është ndotje akustike.” Në vijim z. Bitri thotë se kjo lloj zhurme e godet në mënyrë të vazhdueshme njerëzit në tru duke i irrituar ata, sidomos ky ndikim është më i dukshëm tek ata persona të cilët janë më të ngarkuar emocionalisht apo psikologjikisht. Kur e pyet se: “Nëse është marrë ndonjë masë?”, ai vë buzën në gaz dhe të thotë duke qeshur – “Ç’a masash!, shumë flitet po asgjë nuk bëhet.”

Ndotje apo jo, dëmtuese apo jo, zhurma që shkaktohet nga pompat gjatë procesit të thithjes së ujit dhe ngjitjes për në katet e sipërme të pallateve të vjetra, është bërë e padurueshme për banorët e kateve të para të tyre. Ata mezi presin që pompat të hiqen sepse një jetë pa zhurmën e tyre do të ishte shumë herë më e mirë se kjo e tanishmja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx