Mendime
Adil Fetahu: Marrimi i vetes dhe katundit
E diele, 09.07.2017, 11:24 AM
AI QË BËNË KËSHTU, MARRON VETEN DHE TANË KATUNIN
Nga Adil FETAHU
Tahir Sheremeti i Shëngjergjit, të Nikaj-Merturit (Malësia e Gjakovës), njihet në atë krahinë si mahitar (shakaxhi), i cili ka lënë fjalë e mahi, të cilat edhe sot e kësaj dite fliten e përsëritën, në situata të ndryshme. Në një mbrëmje të ftohtë vjeshte, Tahiri ishte vonuar në qendër të rrethit, për disa dokumenta. Duke u kthye për në shtëpi të vet, rrugës duke kaluar pranë një shtëpie (kulle) trekatëshe, vërenë se i zoti i shtëpisë në oborr po çante dru për të ndezë zjarrin e mbrëmjes. Tahiri ndalet dhe i drejtohet:
“T’u ngjatë jeta, o i zoti i shpisë”.
I zoti i shpisë i përgjigjet por me pritesë, dhe vazhdon punën e vet.
Tahiri, kembëngulës, vazhdon:“Si po e sheh, me ka zanë vonja, shpinë e kam larg, a kam ku me fjetë sonte”?
I zoti i shpisë: “Jo, nuk kam ku me të shti, se jam me rob me një vend”!
Tahiri: “Për me rob e pata fjalën, se pa rob pata me hy në xhami që i nxe 200 vetë”.
I zoti i shpisë, i zemëruar, ia kthen: “A po shko në punë tënde, more shok, se po të nxe pika e sherrit?!
Tahiri: “Jo, për sherr beriqatëvers, nuk kam nevojë”, dhe vazhdon rrugën. Arrinë te shtëpia e kumbarës, Sadik Selmani i Grisë*, shtëpi e njohur në tërë Malësinë e Gjakovës për bujari e mikpritje shqiptare. Sadiku, përveç pritjes së çdo mysafiri me fjalë të mirëseardhjes, në gurin mbi derën e hyrjes i kishte gdhendur fjalët: “Hajde bujrum”. Përveç mikpritës i dalluar, Sadiku ishte edhe vet një mahitar, që bënte pjesë në grupin e “të fortëve” ndër mahitarët. Kur Tahiri i tregon për bisedën që kishte bërë me atë të zotin e shpisë ku kishte kërkuar konak, Sadiku i revoltuar përgjigjet:
“Po Tahir, e njoh atë faqezi! Shyqyr që kemi pak si ai qe po thue ti, se ata e marrojnë veten por edhe tanë katunin”.
Prej atëherë, për raste të ngjajshme, në atë anë ka mbetë shprehja: “Për rob e pata fjalën…!” Sidomos kur bisedat zhvillohen me bashkëfshatarët e të zotit të shtëpisë i cili e kishte refuzuar mahitarin e njohur,Tahir Sheremetin nga Shëngjergji.
*) Sadik Selmani i Grisë, ka qenë babai i shkrimtarit të njohur tropojan, Zeqir Lushaj.
(Nga libri i Kolë Tahirit: “Tahir Sheremeti – mahitet me njerëzit dhe me kohën”).