E enjte, 01.05.2025, 12:15 PM (GMT+1)

Mendime

Fran Kamshi: Tre ngjarje pritshmëri të vitit 2017

E marte, 07.02.2017, 08:33 PM


Tre ngjarje pritshmëri të vitit 2017

Nga Fran Kamshi

Pas shumë ecejakesh, akuzash kundërakuzash, pritjesh, konfliktimesh bipartiake e më gjërë, duket se Vetingu do të vendos një rregull tjetër në kaosin e organizuar shqiptar, ku mbretërit e kaosit, PD dhe PS, me shemrën e tyre LSI-në ka njëzet e pesë vjet që po e çorodtin këtë vend.

Konkretizimi i procesit të Vetting-ut në sistemin e drejtësisë, zgjedhja e Presidentit të Republikës, si dhe votimet parlamentare janë tre zhvillimet kryesore të pritshme në vitin 2017.

Vetingu u bë fjala më e gjithëpërdorshme jo vetëm në ambientet politike, në zyrat dhe korridoret e selive partiake, në Kuvend dhe në institucione, por dhe në kafenetë ezhurmshme të këtij vendi, ku e vetmja industry që punon “rentabël” janë thashethemet rreth parzareve të politikës sonë.

Zhargoni politik u pasurua me një term të ri gjatë vitit 2016. Vetting-u, ose procesi i seleksionimit dhe kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve, ka qenë fjala më e lakuar jo vetëm nga politikanët e çdo niveli, nga diplomatët dhe zyrtarët ndërkombëtarë, por dhe nga njerëzit e thjeshtë, pavarësisht se një pjesë e tyre ende e kapin instiktivisht kuptimin. Por nëse Vetting-u, si pjesa thelbësore e reformës në drejtësi është hartuar dhe miratuar në letra gjatë vitti 2016, tashmë mbetet si sfida kryesore zbatimi i saj për 2017-n. Mbetet për t’u provuar gjithë ai investim i ndërkombëtarëve dhe ekspertëve vendas, gjithë ai mosbesim brenda dhe jashtë vendit, nëse Vetting-u do të jetë “ilaçi çudibërës” që do ta çlirojë sistemin tejet të sëmurë të drejtësisë, nëse do të bëjë drejtësi brenda “pallatit të drejtësisë” të anatemuar për korrupsion dhe injorim të ligjit në 25 vitet e fundit.

Por 2017-a ka të paktën dhe dy sfida të tjera në rrafshin politik. Mbaron mandati i presidentit Bujar Nishani dhe pritet të zhvillohet procesi i zgjedhjes së pasardhësit të tij, ndërkohë që vendi në 18 qershor ka të fiksuar zhvillimin e votimeve parlamentare. Në një klimë konfliktuale dhe mosbesuese mes mazhorancës dhe opozitës, kur në dy kampet kryesore ende janë të mjegullta aleancat dhe kur pritet që listat e deputetëve të ardhshëm të hartohen për herë të parë në kontekstin e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit – vetëm kaq mjafton për ta karakterizuar 2017-n si një 365 ditësh dinamik dhe dilematik për zhvillimet e brendshme, por dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Miratimi i reformës në drejtësi dhe veçanërisht ajo pjesë e kësaj reforme që ka të bëjë me përzgjedhjen dhe kontrollin e gjykatësve dhe prokurorëve, ka krijuar pritshmëri të lartë në publik. Siç ndodh shpesh kur krijohen pritshmëri të mëdha, ekziston edhe rreziku që ato të pasohen nga zhgënjim po aq i madh, siç ka ndodhur jo pak herë në këto vite të tranzicionit shqiptar. Ekzistojnë dy rreziqe në këtë aspekt: e para, që reforma të mbetet në letër, siç kanë mbetur në letër disa reforma të mëparshme të reklamuara me bujë, e dyta, që reforma të zbatohet keq, domethënë të përdoret si një instrument për të hequr disa gjykatës vërtetë të korruptuar dhe për të vendosur disa gjykatës pak, më pak ose po aq të korruptuar, por të kontrolluar politikisht nga ata që kanë në dorë procesin e përzgjedhjes së tyre. Megjithatë, nëse reforma zbatohet dhe mirë atëherë ajo patjetër do të ketë rezultate positive.

Kjo do të krijonte premisat për një sistem drejtësie më pak të korruptuar, domethënë më aktiv dhe më efikas në luftën ndaj korrupsionit politik dhe administrativ dhe rrjedhimisht edhe më shumë shanse për vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Njëfarë shprese në këtë drejtim frymëzohet prej faktit se komisioni që do të bëjë përzgjedhjen do të jetë nën kontrollin e BE-së dhe kjo është vërtetë shpresëdhënëse. Personalisht mendoj se ka mundësi dhe shpresa për një sistem drejtësie më të mirë me reformën, por kjo nuk do të ndodhë menjëherë, dhe nuk do të arrihet pa vështirësi.

Dy sfidat e tjera të pritshme politike për vitin 2017, zgjedhja e presidentit dhe votimet parlamentare shafqen të ndara prej njëra tjetrës; zgjedhja e kreut të shtetit duket se do të jetë ekskluzivitet i maxhorancës, e cila posedon dy të tretat për zgjedhjen që në raundin e parë, pa përmendur shumicën e thjeshtë që rezervohet në raundin e fundit.

Sfida e kësaj maxhorance mbetet që Presidenti të jetë sa më përfaqësues, larg konflikteve partizane dhe të luajë rolin si garant i kushtetutës. Për fat të keq, megjithëse jemi shumë afër këtij momenti, ende nuk ka kandidatura të mbështetura publikisht. Kurse zgjedhjet e përgjithshme në qershor janë një test shumë i rëndësishëm për stabilitetin e brendshëm, por edhe për të ardhmen evropiane të vendit. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë rruga e vetme që mund të prodhojë rezultat pozitiv për këto qëllime. Ndaj jo vetëm votimet por edhe përzgjedhja e kandidatëve, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, tonet e fushatës elektorale, pariteti mes palëve në respekt të ligjit, janë kushtet e domosdoshme që do të certifikojnë këtë proces dhe mos të përsëritet fjalia standarte e stërthënë nga organizmat monitoruese këto ishin zgjedhje më të mira se të mëparshmet.

Deri tani asgjë nga këto nuk duket në horizont; ende kur nuk mbeten  as pesë muaj nga dita e zgjedhjeve, klima e mosbesimit midis PS dhe PD, ku LSI-i kalon herë nga njëra portë herë nga tjetra, është e ngrirë, e shoqëruar me breshërin e akuzave të ndërsjellëta dhe që duket se nuk kanë të sosur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx