Mendime
Dardan Islami: Vetëmohimi i identitetit
E hene, 13.04.2015, 06:55 PM
Vetëmohimi i identitetit
Nga Dardan Islami
Nuk ka religjione të këqija, pasi ato mbështeten mbi parimet e njëjta morale dhe kanë krijuesin e përbashkët, por ka njerëz të këqij, trushpërlarë, të manipuluar, por edhe të tillë që për përfitime materiale dhe të tjera e përdorin fenë si mjet për të marrë edhe pushtet.
Askush më shumë se ISIS-i, "kumbarë" e së cilës, që si duket ka plot, nuk e dëmtoi me shumë Islamin në kuptimin e tij filozofik si paqësor, kur edhe njeriu më i rëndomtë duke i parë barbaritë e tyre është bindur se ata nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin.
Pas arrestimeve të disa imamëve në Kosovë, BIK-u filloi t’i pastrojë radhët e veta, ku nuk munguan as deklaratat nga vetë burimet e këtyre, se luftëtarët shqiptarë që iu bashkuan kësaj lufte, po paguheshin nga 20 mijë euro në muaj.
Ky
reagim, fatkeqësisht erdhi me vonesë, atëherë kur shumë nga këta xhihadistë
kishin humbur jetën, ose ishin plagosur, disa duke i lënë familjet e tyre në
vende të huaja, në shkretëtirë.
Ekspertët e kësaj fushe thonë se është shumë vështirë të debatohet me një pjesë të tyre duke u thirrur në fakte sepse ata nuk pranojnë asgjë tjetër përveç bindjeve të tyre, duke e bërë komunikim e pamundur.
Të izoluar, ndarja mes nesh dhe atyre vetëm sa shkon e thellohet. Reagimet e ithtarëve të imamit kontrovers të Prizrenit Irfan Salihut, shkuan aq larg duke e mbrojtur verbërisht tezen e tij se osmanlinjtë i sollën shqiptarët në Kosovë, të cilët, sipas tij, në atë kohë përbënin vetëm 1 për qind të popullatës këtu në Kosovë dhe se ishin osmanlinjtë ata që na çliruan.
Por, ai
nuk di të tregojë se nga erdhën ata shqiptarë, ndoshta nga shkretëtirat e
Anadollit apo nga
Çfarë rastësie! Mohimi i identitetit dhe fyerja e heronjve kombëtarë nga ana e fundamentalistëve po krijon një përçarje të rrezikshme, e cila në të kaluarën e këtij kombi i ka kushtuar shumë, duke sjellë edhe vëllavrasje. Debati i shqiptarëve në Maqedoni sot do të duhej të ishte mbi origjinën e Aleksandërit Lekës së Madh, duke mbledhur dhe ofruar fakte mbi origjinën e tij si pasardhës i shqiptarëve.
Por, mjerisht ndodh e kundërta. Ky soj primitiv i predikueseve që ka fenë para kombit vazhdon dhe fyen heronjtë e kombit si Gjergj Kastriot-Skënderbeun apo figurën e Nënës tonë të madhe Terezë.
Ata shkojnë edhe më larg, duke i nderuar emrat shqip me emra arab. Këta fundamentalistë janë në rritje dhe vazhdojnë të manipulojnë të vërtetën, duke mbjellë frikë te ata që mendojnë ndryshe. Ata dita-ditës po duan të na bindin se as shqiptarët nuk janë imunë ndaj ndasive sektare, pasojat e të cilave po i shohim në Siri, Irak, Jemen dhe shumë vende të tjera.
Populli shqiptar shquhet për harmoni fetare, ku klerikë e të gjitha religjioneve dhanë dhe vazhdojnë të japin kontribut të pamohueshëm në mbrojtjen dhe kultivimin e fesë, por në radhë të parë, duke i gëzuar së bashku kombin dhe fenë. Për një kohë të gjatë ky debat për mbrojtjen e parimeve të vërteta të fesë dhe rrezikut të kombit nga shtrembërimet e qëllimshme, injorohej nga ekspertët e fesë dhe intelektualët e tjerë.
Disa kanë frikë nga pasojat që mund t’i kenë nga ky soj agresiv, por në shumë raste, të bindur se ky debat nuk na duhej, pasi "gjërat janë të qarta". Edhe ne kemi nevojë për ta debatuar këtë temë, sepse po del se të gjithë, megjithatë, nuk e kanë të qartë se edhe ne jemi farkëtarë te fatit tonë dhe të bashkësisë njerëzore që do paqe mes njerëzve dhe jetë pa tutorë dogmash të nxjerra nga shpirti i djallit.
Është koha që kolektivisht të zgjohemi dhe të ballafaqohemi me këta armiq të Islamit dhe të kombit, duke mos i lejuar në realizimin e planit të tyre që tashmë është i qartë, plan ky për minimin e shtetit dhe imponimin e kalifateve të tejkaluara.