15-Vjetori i Shërbimit Shqip të
Radios Europa e Lirë
Nga Frank Shkreli
Javën që
kaloi, Shërbimi Shqip i Radio Europa e
Lirë (REL) festoi 15-vjetorin e themelimit
të tij. Radio Europa e Lirë, si një ent
transmetimesh ndërkombëtare i financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
(SHBA) ka një histori më shumë se 60-vjeçare.
Radio Europa e Lirë, tani me qëndër në Pragë të Republikës çeke, filloi
transmetimet e saja në fillim të luftës së ftohtë, me programe lajmesh,
komentesh dhe analizash, në gjuhët e ndryshme të Europës Lindore dhe të
ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe transmetimet në gjuhën shqipe, pasi
politikanët dhe diplomatët e njohur amerikanë të asaj kohe, si Xhorxh Kenen dhe Xhon Foster Dulles e shihnin
Luftën e Ftoftë me komunizmin ndërkombëtar si një luftë ideshë, që duhej
zhvilluar nepërmjet valëve të radios.
Përsa i përketë shërbimit shqip të REL, sipas autorit të librit mbi
historinë e Radios Europa e Lirë, Michael Nelson, “seksioni shqip i REL filloi transmetimet me disa
vështirsi në vitin 1951, për tu mbyllur më 1953”. Por, pas një mungese prej pothuaj dyzet
vjetësh, qeveria e Shteteve të Bashkuara
vendosi që më në fund të rifillonte transmetimet shqip të REL pak para fillimit të luftës për
çlirimin e Kosovës më 1999, me programe drejtuar kryesisht Kosovës, por edhe më gjërë. Unë kam patur rastin të takoja stafin e ri të
seksionit shqip në Pragë, në kohën kur isha i angazhuar tek Zëri i Amerikës dhe
më patën lënë mbresa positive me entuziazmin rinor, në fillim të veprimtarisë
së tyre gazetareske, tani 15-vjeçare tek REL.
Kështuqë
15-vjetë më parë, transmetimet në gjuhën shqipe (përveç atyre të Zërit të
Amerikës) bëhen pjesë e një organizate tjetër lajmesh ndërkombëtare, financuar
nga Kongresi i SHBA me objektivin për të transmetuar lajme, informacione,
komente dhe analiza drejtuar pothuaj ekskluzivisht Kosovës. Si mision të sajë, Radio Europa e Lirë i ka
venë vetes obligimin për të promovuar vlerat dhe institucionet demokratike,
duke transmetuar lajme dhe informacion atje ku nuk ekziston liria e medias ose
ku liria e shtypit nuk është ende plotësisht e zhvilluar. REL furnizon dëgjuesin ose lexuesin
me lajme të pacensuruara, kryesisht mbi zhvillimet vendore dhe rajonale, si dhe
diskutime dhe debate të hapura mbi ato zhvillime. REL, gjatë gjithë historisë së saj ka vepruar me besimin se, që një
demokraci të jetë e suksesshme, duhet të ketë qytetarë të
mirë-informuar, dhe se "Stabiliteti
-- i bazuar në demokraci dhe në një
ekonomi të tregut të lirë -- anë e mbanë zonës ku transmeton, është jetike edhe
për paqën në botë." Roli i REL gjatë luftës së ftohtë, së bashku
më Zërin e Amerikës dhe BBC në rrëximin
e Murit të Berlinit-- njihet tanimë dhe
pothuajse është bërë legjendë.
Edhe
Shërbimi Shqip i REL, megjithëse i ri në krahasim me disa shërbime të tjera të
këtij enti, gjatë 15 vjetëve të ekzistencës së tij, ka shënuar suksese të
dukshme në informimin e dëgjuesve dhe lexuesve të tij dhe ka lënë gjithnjë
gjurmë të një burimi informcionesh të sakta, të panashme dhe të përgjithshme,
gjithnjë duke ndihmuar në projektimin dhe në zhvillimin e vlerave të një
shoqërie demokratike, pro-perëndimore në Kosovë. Shërbimi shqip i REL, në portalin e saj ka shënuar
këtë përvjetor duke pasqyruar deklarata dhe urime të ndryshme, përfshirë edhe
Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila me rastin e 15
vjetorit të themelimit të Shërbimit shqip të Radios Evropa e Lirë, ka përgëzuar punën që kjo redaksi ka bërë
gjatë kësaj periudhe 15-vjeçare. Presidentja Jahjaga i dërgoi këtë mesazh seksionit
të REL në gjuhën shqipe. ''Ju uroj për
profesionalizmin dhe objektivitetin me të cilin REL e ka ushtruar misionin e saj që
nga fillimi. Programi juaj në gjuhën shqipe për vite me radhë ka krijuar një
forum shumë të nevojshëm që inkuadron kriteret në debat rreth politikë-bërjes
dhe që na bën të gjithëve përgjegjës dhe transparent në punën tonë." Presidentja Jahjaga vazhdoi urimin e saj duke
thënë se, "REL ka kontribuar njëkohësisht në ndërtimin e urës midis
qytetarëve dhe institucioneve, duke na bërë shpesh të vëmendshëm për nevojat e
qytetarëve tanë, prioritet ky për të ndërtuar demokracinë e vëretëtë",
përfundoi kryetarja e Kosovës.
Edhe Dr.
Elez Biberaj, Drejtor i Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës
përshëndeti kolegët dhe gazetarët me rastin e 15-vjetorit të shëbimit shqip të REL, duke i përgëzuar ata, "për këtë arritje të madhe dhe për
përkushtimin tuaj që t'i shërbeni popullatës shqip-folëse në Evropën
Juglindore, posaçërisht në Kosovë, përmes komunikimit të hapur të informacionit
dhe ideve…Shërbimi shqip i Radios Evropa e Lirë", thotë Dr. Elez Biberaj
në mesazhin e tij, "ka ofruar në vazhdimësi lajme dhe informacione të
sakta, të balancuara dhe të zgjëruara, dhe ka promovuar demokracinë, qeverisjen
e mirë, paqën dhe stabilitetin në një rajon të trazuar, por shumë të
rëndësishëm të Evropës". Drejtori i
Divizionit të Euroazisë të Zërit të Amerikës dhe eksperti i çështjeve europiane
dhe të Ballkanit thekson nevjën për rolin e vazhdueshëm të Shërbimit
shqip të REL duke thënë se, "Evropa Juglindore vazhdon të vuajë nga jo
stabiliteti politik dhe ekonomik, qeverisja e dobët, tensionet etnike,
përparimi i ngathtë në vendosjen e shoqërive demokratike dhe shumë-kombëshe,
dhe
nga një ambient i njëanshëm medial".
Veterani i transmetimeve ndërkombëtare shton se puna e shërbimit shqip
të REL është sot aq me rëndësi sa ishte
15 vjetë më parë dhe njëkohësisht, Elez Biberaj ofron ndihmën dhe bashkpunimin
e tij me kolegët e shërbimit shqip të REL .
Shërbimi
shqip i REL mori me këtë rast urime edhe nga
zyrtarët e REL, Kevin Klose, Xhef Trimble dhe Nenad Pejiç si dhe nga ekspertë dhe
miqë të shërbimit shqip të REL si, eksperti i
politikës së jashtme , ish diplomati amerikan Xhejms Huper, tani Drejtor
Menaxhues i "Public International
Law & Policy Group", i cili në mesazhin e tij të urimit thotë se,
" Jam në vazhdimësi i mrekulluar me faktin se sa shumë ngjarje të
rëndësishme, që prekin interesat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të
Shteteve të Bashkuara në Europë, nisin në Kosovë dhe ato raportohen në
programet tuaja." "Kjo",
sipas tij, "me gjithë faktin se
Kosova është vend i vogël, por e ka “hijen e gjerë” në ngjarjet botërore",
tha Xhejms Huper.
Shërbimi
shqip i Radios Europa e Lirë feston 15-vjetorin e themelit të tij në një kohë
të vështirë buxhetore dhe sfidash me të cilat përballen tani transmetimet
ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Është e pamundur të merret me mendë shkurtimi
i këtyre transmetimeve, qoftë nga pikëpamja praktike, diplomatike e politike,
qoftë edhe nga një këndvështrim moral.
Prandaj si i tillë, roli i transmetimeve ndërkombëtare perëndimore,
sidomos të atyre që sponsorizohen nga Shtetet e Bashkuara, siç është shërbimi
shqip i REL -- sidomos në kohë krizash --
duhet të konsiderohet si një armë e pazëvendsueshëme në informimin e saktë në
zona ende të konfliktuara. Siç nënvijon
situata e krijuar kohët e fundit në Ukrainë, gjëndje kjo e shkaktuar nga agresioni
rus në Krime, roli i transmetimeve ndërkombëtare siç është Shërbimi Shqip i
simotrave të saj të Radios Europa e Lirë, nuk ka marrë fund. Siç ka thënë edhe Lech Walesa, duke komentuar
rolin që ka luajtur REL gjatë ekzistencës së saj, se "Përballë valëve të
radios, perdja e hekurt ishte e paaftë.
Asgjë nuk mund të pengonte përhapjen dhe pentrimin e lajmeve , as sputnikët, as minat, as muret
e larta dhe as telat me gjëmba. Kufijtë mund të ishin të mbyllur por fjalët nuk
mund të shuheshin." Radio transmetimet
ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, si Zëri i Amerikës dhe Radio Europa e
Lirë, vazhdojnë të jenë mjete të nevojshme që ndihmojnë në transformimin e
shoqërive nepërmjet informacionit të saktë, të balalncuar dhe gjithpërfshirës, dhe jo diçka që i përket të së kaluarës.
Si një
ish-transmetues ndërkombëtar i lajmeve,
në këtë përvjetor i shpreh urimet e mia Shërbimit Shqip të Radios Europa
e Lirë dhe lutem që fjala e lirë e transemtuar prej tij tani dhe në të ardhmen
të mos shuhet kurrë, pasi historikisht është provuar se fjala e lirë është me e
fuqishme se shpata.