Kulturë
Cikël poetik nga Sabile Keçmezi-Basha
E enjte, 15.09.2011, 07:59 PM

Konfuzion
Mos u habitni me Itakën
Pse qanë e qesh në udhëkryq
Se dje i kishin thënë
Homazhet do ia bëjnë
Tek kështjella e Rozafës
Pa pranin e saj...
Një herë...
Vetëm edhe njëherë do të iki
Bile pa u përshëndetur me kipcin
Dhe mos akuzo veten tënde
Se ke bërë
Ndonjë shantazh
Sonte
Do të salvohen shami-bardhat
Tek guri i shpuar
Duke bërë gjëmën
Për natën e sëmur
Aromë ftoi
Erë ftoi sonte ka marrë
Arka e gjyshes
Duhanxhinjtë djegin gishtat
Duke bërë pelegrinazh
Katallanët e zënë pritën
Për karvanët që ecin
Eci edhe unë...
Po kah...se
Mish e thua
Një ditë
Gjyshja më tha
E di Ti
Se dhemb...
Sa shumë dhemb
Kur ç’kapet
Mishi nga thoi...
E ne nuk qamë
Metamorfozë
Pëson metamorfozë
Dita e java
Pash më pash i bie
Memories në tri qoshe
Dhe kërkojë hartën e grisur
Që më qet gjuhën
nga pasqyre e thyer
ani mesjetë... ani
Më falë ...
Më falë Atdhe
Që ta rrëfeva ëndrrën
Dhe drithërimën e fundit
Në prag të ikjes
Më fal për të pa bërat
Që nuk munda t’i bëja
E si bëra kurrë
Më fal
Edhe pse qesha
Edhe pse qava
Edhe pse më mungove shumë
Skelet prej hëne
Në natën- skëterrë
E sot
Si veja vesë
Ngjajnë ditët
Në mes veti