E premte, 26.04.2024, 08:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Nertila Koka: “ Një ditë do t’i rikthehem skenës shqiptare”

E enjte, 26.10.2006, 09:18 PM


Këngëtarja ndodhet në Tiranë për pushime dhe tregon për kohën larg skenave të këtushme. Përpjekjet për të mos iu ndarë këngës në vendet ku ka shkuar. Jeta me familjen në Suedi.

“Kam një ritëm jete të cilin nuk më pëlqen ta ndërpres. Megjithatë, nëse do të kem mundësi, padyshim që do të më pëlqente shumë t'i rikthehesha skenës së publikut shqiptar, skenës që më dhuroi aq shumë emocione me vite të tëra. Kam refuzuar ftesat por me premtimin që do të jem e pranishme, ndoshta më vonë.”

Ndodh shpesh që njerëz të njohur, për një farë kohe, harrohen dhe zhduken nga kujtesa me kalimin e viteve. Por ka të tjerë, që i rezistojnë harresës. Ju kujtohet një këngëtare me zë të veçantë, një vajzë e re që filloi të kishte role në disa filma të fundit të viteve '80-të dhe në fillim të ‘90? Ju kujtohet kënga “Çel si gonxhe dashuria”, ose “Më pa vëllai sot me një djalë”?
Me siguri shumë nga lexuesit e këtij shkrimi do të sjellin tani në mend Nertila Kokën. Edhe pse i mungon prej vitesh skenës së festivaleve, ajo iu kujtohet pothuajse të gjithëve. Ndoshta dikush mban mend ndonjë varg të këngës, apo dikush tjetër mban mend pamjen e saj të ëmbël në skenat e festivaleve të viteve '80 dhe '90-të. E rëndësishme është që nuk harrohet.

Ishte një talent i muzikës shqiptare . E filloi karrierën që në moshën 16-vjeçare. Pikërisht në këtë moshë mori dhe çmimin e saj të parë, si debutuesja më e mirë, në Festivalin e Pranverës të vitit 1983. Kaluan vetëm pak muaj kur në Festivalin e Këngës në Radio Televizion ajo arriti të marrë çmimin e parë edhe pse në një moshë fare të re me këngën “Çel si gonxhe dashuria”. U pa qartë se ishte shumë e talentuar dhe kishte një zë të dashur për publikun. Një vit më pas, më 1984-n, Vladimir Kotani i kushtoi asaj këngën “Një lule pranvere”. Nertila e këndoi vetë këtë këngë në Festivalin e Pranverës dhe mori çmimin e dytë.

Ishte shumë e re, e megjithatë, këngët e saj këndoheshin shpesh nga rinia e asaj kohe. Shumë i suksesshëm ka qenë dhe dueti me David Tukiqin “Sagapo”. Edhe me këtë këngë ajo mori çmimin e dytë në Festivalin e Këngës në Radio Televizion. Gjithsesi, përveç paraqitjes në skenën shqiptare, Nertila shpesh herë ka përhapur këngën tonë popullore edhe jashtë vendit si në Zvicër, Itali, Kroaci, Gjermani, apo edhe në Japoni. Pas lëvizjeve të shumta nëpër shtete të ndryshme të botës për arsye pune, Nertila rikthehet për herë të fundit në Shqipëri si këngëtare për të kënduar një duet me Viktor Tahirin. Me sa duket, festivalet kishin ndryshuar shumë që nga koha që e kishte lënë ajo përpara se të largohej. Pra me këtë imazh Nertila zbret shkallët e skenës së festivalit për të mos iu rikthyer më deri tani.

Ëndrra: Të luaj në një film të dajës

Ajo që e bënte Nertila Kokën një personazh shumë të ëmbël dhe të dashur të skenave tona kanë qenë dhe rolet e saj në disa filma si aktore, diplomën e së cilës e ka marrë pranë Akademisë së Arteve të Bukura, në vitin 1989. Ishte vetëm 16- vjeçe , kur luajti një ndër filmat më të suksesshëm “Apasionata”. Në atë kohë ishte studentja e kantos në vitin e dytë të Liceut Artistik. Menjëherë pas atij roli, Nertila u kërkua edhe nga regjisorë të tjerë filmash. Ajo ishte e pranishme edhe në filmat “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Tre njerëz me guna” e të tjerë. Padyshim të gjithëve iu kujtohet gjesti i saj karakteristik, shfryrja e lehtë e balukeve, gjest ky që e dallonte dhe i shtonte ëmbëlsinë imazhit të saj, jo vetëm si aktore, por edhe si këngëtare.

Një ëndërr akoma e parealizuar e Nertila Kokës, është roli në ndonjë film të dajës së saj, një skenarist i njohur shqiptar, Vath Koreshit. “Një film me skenarin e dajës sim do ta luaja me shumë qejf, është një nga personat të cilin e adhuroj…,” – thotë Nertila Koka, e cila shumë shpejt do të largohet nga Shqipëria me premtimin që një ditë do t'i rikthehet skenës së festivalit tonë si dikur…

Larg Shqipërisë, por afër skenës

Në vitin 1991, largohet nga Shqipëria për në Suedi për shkak të punës së bashkëshortit në një nga universitetet më të mirë të vendit. Gjithsesi, edhe pse jashtë Shqipërisë, Nertila nuk e humbi ritmin dhe drejtimin që kishte. Ajo punonte si pedagoge kantoje dhe drame në universitetin “Çukurova” në Turqi. Megjithëse shumë e ngarkuar dhe me detyra familjare, pasioni i Nertilës për këngën ishte akoma shumë i ndezur. Me kalimin në Japoni, ajo u rikthye te kënga. Dha një koncert në teatrin “Skala” të Tokios, pra një koncert që jo të gjithë mund të kenë fatin dhe talentin për ta dhënë në një sallë të atij niveli. Ishte dëshira e madhe e emigrantëve shqiptarë por edhe nga Kosova, që ndodheshin atje, për të dëgjuar këngët popullore shqiptare.

Me kalimin e viteve dhe me ndryshimet e shpeshta të shteteve, detyrimet e saj ndaj familjes, që është padyshim gjëja më e shtrenjtë për të, u shtuan. Pra këngëtarja dhe aktorja e dikurshme vendosi t'i rikthehej një jete normale dhe të qetë familjare duke braktisur skenat e festivaleve dhe teatrove. Megjithëse ofertat kanë qenë të shumta nga Shqipëria për një pjesëmarrje të saj nëpër festivale, qoftë edhe si e ftuar nderi, gjithmonë Nertila i ka refuzuar këto oferta për mungesë kohe. “Kam një ritëm jete të cilin nuk më pëlqen ta ndërpres, – thotë ajo kur e pyet për këtë gjë. – Megjithatë, nëse do të kem mundësi, padyshim që do të më pëlqente shumë t'i rikthehesha skenës së publikut shqiptar, skenës që më dhuroi aq shumë emocione me vite të tëra. Kam refuzuar ftesat por me premtimin që do të jem e pranishme, por ndoshta më vonë.”

Ndoshta vajza e madhe, Sara, është ajo e cila ka trashëguar zërin e nënës së saj, pasi në Goteborg ka krijuar një grup rroku, quhet “VANIC”, ku vetë është këngëtarja dhe në të njëjtën kohë i bie kitarës. Megjithatë kjo nuk e pengon atë që të vazhdojë gjimnazin më të njohur të Goteborgut, Rudebeck, për shkenca politike me nota të shkëlqyera. Ndërkohë që motra e saj e vogël, Ani, ende nuk kuptohet se çfarë prirjeje ka. Gjithsesi, reagimet i ka të menjëhershme në momentin kur dëgjon të ëmën, Nertilën të këndojë nëpër shtëpi për të plotësuar ndoshta diçka që ka filluar t'i mungojë.

Aktualisht vazhdon të jetojë në Goteborg të Suedisë me bashkëshortin dhe dy vajzat Sarën dhe Anin. Nertila ndjek studimet për mësuesi. Eshtë në vitin e fundit dhe në dhjetor do të diplomohet. Pas këngës, aktrimit, tashmë do të kemi një Nertila Koka mësuese. Në të vërtetë ka qenë një personazh i suksesshëm në të gjitha detyrat që ka marrë përsipër deri tani. Padyshim që edhe si mësuese do të vazhdojë të jetë i njëjti personazh i ëmbël dhe i dashur me të tjerët.

“Nuk ishin të paktë ata që më kishin mësuar shtëpinë e prindërve dhe më thërrisnin nga poshtë, – thotë Nertila kur e pyet për suksesin e asaj kohe. - Kishte raste që nëse nuk i dilja më thyenin edhe xhamat e dritareve, megjithatë këto ishin “dëme” që nga njëra anë të sjellin kënaqësi. Ndihesha mirë sepse më vlerësonin për profesionin që kisha. Pra një sukses krejtësisht i ndryshëm nga sukseset e këngëtarëve të rinj të ditëve tona të cilët mund të kalojnë në rrugë edhe pa u vënë re me ndonjë admirim. “Atëherë njerëzit kur të shihnin në rrugë nuk qëndronin pa të folur apo pa të bërë komplimente,” – shton ajo.

Ndër këngëtaret e kohës së saj Nertila kujton Irma dhe Eranda Libohovën, ndërkohë që ruan lidhje miqësore me Merita Halilin. Kur e pyesin për të rinjtë, të vetmin emër që përmend për vlerat si këngëtare është Anjeza Shahini.

Me motrën Dorotea (bashkëshortja e balerinit të njohur Ilir Kerni), e cila aktualisht jeton në Kroaci, ku punon si drejtoreshë e sektorit shqip të Bibliotekës Kombëtare në Zagreb.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora