E marte, 18.02.2020, 12:11 PM (GMT)

Intervista

Albert Vataj: Intervistë Ekskluzive me Kompozitorin dhe Kantautorin Pirro Çako

E diele, 05.08.2007, 04:52 PM


Pirro Çako një jetë mes partiturave

Përgaditi dhe Realizoi Gazetari dhe Poeti Albert Vataj - Zemra Shqiptare

Pirro Çako
Kam mundësuar gadishmërinë për një intervistë ekskluzive për faqen tonë www.zemrashqiptare.net nga këngëtari Pirro Çako. Do ju isha mirënjohës nëse merrni përsipër të ishit ju ai që do ta mbanit këtë përgjegjësi profesionale. Ishte ky, ose saktësisht diçka rreth këtij formati, e-mail i përsëritur nga një i njohur i rastësishëm, por që do të mbetet ndër miqtë e mi më të mirë. Porsi një detyrë perëndishë të Olimpit, kësorasti si një Gurë Sizifi, mu rëndua në detyrimet e të përditshmes të dengur plot stres dhe çoroditje, të pudrosura nga pluhuri i rrugëve gjithnjë në ndërtim të Tiranës. Të jem i sinqert me veten dhe me mikun tim, mu desh të gërmoj në galerinë e thesareve të familjes Çako, më saktë të përmbush detyrimin e një njohje, që duhet të ket një gazetar para se ai të marrë pozat e një intervistuesi.
Dashamirësia e Pirros për t’iu përgjigjur on-line këtij pyetësori modest ishte për t’u falenderuar. Ajo që ndjek si një fill magjik tërë këtë kontakt artistik është sinqeriteti. Do të isha mirënjohës shumë për këtë Pirros, pasi sot ajo që ka viktimizuar batërdinë mediatike, asaj të shkruar, elektronike dhe online është shtirja artistike dhe pozat neveritëse që na faniten për orë të tëra në gozhdimin tonë skllavërues para urisë për informacion.
Pakkush nga VIP-at e intervistuar ka guximin të jetë i sinqertë, me veten në radhë të parë dhe me artëdashësit, apo kushdoqoftë ai, në fund të fundit. Megalomania artistike që po vendos gjithnjë e më shumë pushtet mbi protagonizmin, duke u bërë provokues dhe imponues shijesh ka bërë që e tashmja të gjendet në një truall aspak të qëndrueshëm.
Në këto kushte Pirro Çako, protagonisti ynë ka dëshmuar me punë, përpjekje dhe me veprën e tij artistike, se koha nuk është domosdo ajo që vë piketat e përcaktimit të nivelit të vlerave, por puna dhe përkushtimi.
I lindur në një familje artistësh ai ka mundur dhe ka ditur të përfaqësojë në maksimumin e mundshëm obligimet e tij, jo dhe aq detyruese artistike për kohën, se sa përcaktuese të produktit gjenetik që ai mbart. Përsosmëria e një brezi varet nga përkushtimi, hapat e mëtejmë të pasuesve, vlerësimi i së kaluarës dhe përgjegjësitë e të sotmes për një artëdashës intuitiv, sqim, shumë të vëmendshëm dhe aspak tolerues. Prezantimi i Pirro Çakos ka qenë efikas për nga plani i vlerave dhe resurseve artistike. Ai ka behur gjitnjë triumfues në skenat prestigjoze të këngës. Gjithashtu edhe në produktin personal artistik, albumet dhe videoklipet. Ka qenë jo më pak kërkues dhe jo më pak sfidues. Kënga dhe muzika e tij janë një magji e vërtetë. Melankolia që plazmohet në koloritin e saj nga zëri i tij mitik, vijnë në të gjithë këngët e dy albumeve të tij, sikurse edhe në promovimet në skenën e këngës shqiptare, dukshëm të mrekullueshme. Ndjenja, si një ndër qiejt ku shoqëria njërëzore kërkon strehë për shpirtin e tij plot zjarr dhe vrulle të motivimit për nga e ardhmja, përcillen me një delikatesë farfuritëse, si prekje drite në një mëngjes ku ke vendosur të zgjohesh para ditës.
Për të mbërritur këtu ai natyrshëm që ka bërë një udhë, të cilën pak nga kolëgët e tij e kanë bërë kryekëput në fushën e muzikës dhe vetëm nëpër tokat e kësaj perandorie perëndishë. Ai ka bërë gjithçka dhe vijon të bëjë për të dëshmuar se me punë, përkushtim, më ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe objeksioni vlerash, me motivim artistik dhe me pasion nacionalizmi që zgjohet hera-herës, mund dhe duhet të arrish sado larg që të të çojë ambicja. Ai është sot në armatën e muzikës në kryeradhë. Është dhe planet e tij janë jo më pak nga ato të derisotmet.
 
Të jesh pinjoll i një familje artistësh, do ta konsideronit privilegj apo përgjegjësi?
 
Mendoj se është pak nga të dyja. Se pari, konvertohet më shpejt privilegji, sepse ka të bëjë me genin dhe traditën, ndërsa më pas vjen natyrshëm përgjegjësia si pjese e pandarë e kërkesës profesionale për të mos qenë i krahasueshëm dhe për të qenë  sa më shumë vetvetja.
 
Sa dhe si ka ndikuar të qenit Çako në formimin tuaj profesional?
 
Ka patur edhe raste kur femijet e artistëve nuk kanë mundur, ose nuk kanë dashur që të ndjekin rrugën e prindërve. Në rastin tim do të thoja me plotë gojë, se të lindurit në familje Çako më kanë dhënë ekzistencën dhe privilegjin që të quhem artist i Shqipërisë dhe të përfaqësoj denjësisht këtë traditë dhe këto vlera si një përgjegjësi dhe obligim kombëtar. Sipas meje artistët në përgjithësi dhe pinjollët e familjeve me emër në veçanti janë ato, mbi të cilët jo dhe aq bie barra e përfaqësimit të vlerave nacionale, se sa janë këta të fundit ata që yshten nga ambicja profesionale dhe kombëtare për të promovuar bashkë me emrin e tyre të madh dhe vlera të mëdha.
 
A ka patur Pirro vështirësi në rrugën e sfidave artistike, nëse po ku ndryshojnë ato të një mbartësi genesh artistësh nga ato të një talenti të rastësishëm?
 
Në se e kuptoj mirë pyetjen do t'i përgjigjesha se pa vështirësi nuk ka sfida dhe pa sfida nuk ka suksese. Ndërsa përsa i përket diferencës të një artisti mbartës genesh me një artist të "rastësishëm"ose që nuk vjen nga një familje artistësh, do të thoja se është e njëjta gjë. Prindërit e mi nuk kanë ardhur nga një familje mbartës genesh. Ata janë bërë artistë dhe kanë promovuar vlerat artistike falë dashurisë që kanë patur për artin dhe përkushtimin e madh për të shpërthyer talentin nga inkubatori.Unë mendoj se çdo njeri është mbartës i një talenti. Por pa punën e mjaftueshme, pa një punë dhe përkushtim gati vetmohues, talenti mbetet brenda këtij inkubatori. Eksperienca botërorë ka shembuj të panumërt që provojnë tërësisht një filozofi të tillë të artit dhe atyrë që kanë mishëruar me emrin dhe punën e tyre vlera të patjetërsueshme, kryevepra që do të rrojnë përjetësisht në fondin e artë.
 
Si e përjetoni famën e bashkëshortes tuaj, me doza xhelozie, partneriteti në karrierë, triumfi të përbashkët, apo…?
 
Do të thoja se famën e bashkëshortes sime e kam përjetuar dhe vazhdoj ta përjetoj me së miri. Ishin arritjet e sukseseve të saja ato që zgjojnë tek unë ambicjen profesionale dhe më pas më mësojnë rrugët për të arritur suksesin, ku çelësi kryesor padyshim mbetet puna dhe vetëm puna. 
 
Ndryshe nga personalitetet e tjerë të artit, të cilët protagonizmin e kanë kthyer në një armë në betejat e tyre, çfarë motivon Pirro Çakon artist të qëndrojë sa më larg kamerave dhe mikrofonave, megalomania apo rritja e natyrshme artistike?
 
Nuk mendoj se Pirro Çako ka qëndruar larg mikrofonave dhe kamerave. Në ditët tona intervistat, emisiontet televizive si dhe videoklipet janë bërë arma më e fuqishme për t’u prezantuar me dinjitet në sytë e zgjuar të artdashësve, i cili mbetet sipas meje gjykatësi më i mirë
 
Thuhet se ju i keni privuar jetës tuaj personale dhe artistike që të rrini pranë djalit tuaj Anthony dhe bashkëshortes. A ka risk në jetën e një artisti babai i përkushtuar dhe bashkëshorti i devotshëm?
 
E kush nuk do të bënte sakrifica për familjen. Pa atë nuk do të kishte jetë në tokë. E si mos të sakrifikosh për fëmijën kur ai të bën që të prekësh qiellin. Nërsa përsa i përket riskut që mundet të ketë patur Pirro Çako si baba artist, mendoj se është inegzistent. Koha po vërteton se edhe baballarët artistë përfitojnë nga ky fakt dhe janë në gjëndje që me tingujt që përcjellin të grumbullojnë rreth vetes shumë fansa.
 
Albumet tuaja spikasin për nivelin e lartë të profesionalizmit, vijën muzikore, tekstet e këngëve, harmoninë e penelatave në dekorin e promocionit, ky është një trofe që do ia dedikonit vetëm vetes apo keni dikë me të cilin do ta ndanit këtë triumf?
 
Per albumin e pare jam shprehur se është albumi i zemrës sime, ndërsa atë të dytin ia kam dedikuar tërësisht djalit tim Anthony. Çmimin që mora nga revista kult për albumin “Mos më krahaso”, si albumi më i mirë i vitit, ia dedikoj të gjithë atyre që kanë kontribuar për realizimin e tij dhe të gjithë atyre që e pëlqejnë muzikën time.
 
Sa e mundimshme është të arrish Olimpin e përfaqësimit dhe kush janë shtigjet që ka ndjekur Pirro Çako drejt këtij kurorëzimi?
 
Kjo pyetje më bën të buzëqesh, sepse të prekësh olimpin është fjalë e madhe. Por di të them, se suksesi personal ka ardhur nga një punë e gjatë dhe këmbëngulëse që në kohën e pantallonave të shkurtëra e deri sot. 
 
A mendoni se masivizimi artistik, nëse mund ta artikulonim kështu tërbimin që ka marrë prodhimi i albumeve dhe këngëtarëve, sipas jush ndikon negativisht në koherencën që duhet të prek edhe muzika, si dhe fushat tjera?
 
Mendoj se pas viteve ‘90 muzika jonë e kishte të domosdoshme masivizimin, i cili sigurisht solli edhe shumë mosvlera. Por ç'do gjë shërben për zhvillimin, më të mirat mbeten, të tjerat i tret koha.
 
Sipas Pirro Çakos, konkurenca përftohet si avantazh monetar dhe profesional nëpërmjet duelit të vlerave dhe përfaqësimit apo mundësive për promovim?
 
Mendoj se konkurenca ka lindur dhe do të vdesë me njeriun. Pa atë do të ishim të gjithë njësoj dhe miq të përjetshëm. Por natyra ka menduar ndryshe dhe prandaj sot njeriu nuk po njeh me limite zhvillimi, e si rrjedhojë dikush me shumë, dikush me pak përfitojnë edhe avantazhin monetar, i cili është i lidhur ngusht me mënyrën e të jetuarit që shoqëria ka aplikuar që në kohët e hershme e deri në ditët e sotme.
 
Duke hedhur një vështrim nga fëmijëria juaj. Në moshën 9 vjeçare ndjekni kursin e parë të kompozicionit që u hap në Pallatin e Pionerëve ne Tiranë. Pra ju i hyni artit. Jeta e partiturave a ka grabitur diçka nga fëmijëria dhe adoleshenca, Ka diçka që do kishit dëshirë ta përmendni?
 
Sigurisht  ç'do fëmijë  në atë moshë vë lodrat në planin e parë, edhe une jam privuar nga ato. Por me syrin e sotem them se duhet te isha privuar akoma edhe me shume. Nuk kam dëshirë që ta shoh botën të eci me shpejt se sa unë, prandaj flas kështu. Përfeksionimi pa limite është një nga kushte për të ndaluar sadopak këtë fenomen që heret a vonë troket për të gjithë qënien njerëzore.
 
Një ndër synimet tuaja ka qenë hapja e një studioje regjistrimi në Tiranë, ku përveç kompozimeve vetjake Pirro do të shkruajë këngë edhe për këngëtarë të rinj shqiptarë. Çfarë u bë me të?
 
Studio tashme është bërë realitet dhe ka filluar nga puna. Endra ime është që studio që kam të kontribojë sa më shumë në zhvillimin e mëtejshëm të muzikës shqiptare. Muzikës shqiptare të erës së re.
 
Ku janë projektet e të tashmes, të ardhmes së afërt dhe asaj të largët, nëse ka diçka që nuk do nguronit të thonit, kush janë?
 
Në muajin Shtator publiku do te njihet me videoklipin e ri të këngës “Mos më krahaso”. Do të jem pjesëmarrës në “Kënga magjike” si dhe në “Festivalin e RTSH të fundvitit. Ndërsa për vitin 2008 shpresoj që të nxjerr albumin e tretë, i cili sapo ka filluar të marrë konturet e para modeste, por për mua mbetet si punë tepër inkurajuese.

Vizitoni faqen e këngëtarit te mirënjohur, Pirro Çako: www.pirrocako.com

Videoklipe, Ketu



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT