E marte, 11.08.2020, 08:21 PM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Zbulohet mrekullia e fundit romake

E merkure, 01.04.2009, 01:45 PM


Bëhet fjalë për një sistem perfekt kanalizimesh me një gjatësi prej 106 kilometrash që shtrihet në provincën romake të Sirisë 

Sipas ekspertëve, kjo vepër kërkoi më shumë se një shekull për t‘u ndërtuar

Kur nuk qenë të zënë me pushtime, romakëve u pëlqente shumë të ndërmerrnin vepra të përmasave të mëdha. Veçanërisht kur bëhej fjalë për të furnizuar qytetet me ujë të pijshëm. Inxhinierët e perandorisë shpikën tubacione të standardizuara, struktura kanalizimesh aq të larta sa kështjellat. Vetëm në Romë numëroheshin mijëra çezma, shatërvanë e banja termale. Senatorët e pasur freskoheshin në pishina private. Rezultati qe një rekord konsumi prej 500 litrash për individ (gjermanët e sotëm përdorin rreth 125 litra per capita).

Gjithsesi, kur legjionet romake marshuan në rajonin e Palestinës, pak para lindjes së Krishtit, duhet të mësoheshin pa ujë, të paktën përkohësisht, pasi thjesht rajoni qe tepër i thatë. Por kjo nuk i ndali inxhinierët e perandorisë. Gjetën shpejt rrugën për t‘i rregulluar gjërat. Në provincën romake të Sirisë, ku gjendet Jordania e sotme, ekspertët po studiojnë një sistem kanalizimesh të jashtëzakonshëm. Në pjesën më të madhe shtrihet nën sipërfaqe për një distancë prej 106 kilometrash.

Tuneli u zbulua nga Matias Dëring, profesor hidromekanike në Darmstadt të Gjermanisë. I ka përshkuar vetë një pjesë të kanaleve me parete të mbuluara nga myshku. "Shpesh detyrohemi të ndërpresim punimet, mungon oksigjeni", thotë drejtori i projektit. Kanat Firaun, "Kanali i faraonëve", e quajnë vendasit një pjesë të këtij ujësjellësi, i cili shtrihet 80 metra nën sipërfaqe dhe ka zëra se në kthinat e nëndheshme janë fshehur sasi të mëdha floriri.

Dëring ka shpjegime më të besueshme. Ka zbuluar se ujësjellësi i përket epokës romake. Nis në një moçal të dikurshëm në Siri, i cili sot është tharë, dhe shtrihet për 64 kilometra mbi sipërfaqe përpara se të zhduket për t‘u ndarë në tre tunele me gjatësi përkatësisht 1, 11 dhe 94 kilometra. Kanali më i gjatë i lashtësisë i njohur deri më sot gjendet në Bolonjë të Italisë dhe është vetëm 19 kilometra i gjatë. "Mrekulli" është fjalë që përdorin ekspertët për të përshkruar këtë vepër, me shumë gjasa e realizuar falë punës së legjionarëve. Ushtarët kanë gërryer me dalta më shumë se 600 mijë metra kub shkëmb. Ky ujësjellës kolosal furnizonte qytetet e mëdha të Dekapolisit, një bashkësi e përbërë në atë kohë nga dhjetë komunitete. Mbaron në Gadara, një qytet me 50 mijë banorë, ku sipas Biblës, Jezusi yshti demonët dhe i mbylli në një stallë derrash.

Dëring do të kthehet në prill bashkë me studentët e vet për të eksploruar edhe më tej sistemin. Çdo ditë futen nëpër tunele me pajisje GPS. Kërkojnë hyrje të reja që shpien te labirintet e fshehta.

Dihet me saktësi se punimet për realizimin e kësaj vepre kanë nisur rreth vitit nëntëdhjetë para Krishtit, kur Roma gjendej në kulmin e madhështisë. Frontini, komisionari romak për furnizimin me ujë të pijshëm, u ngarkua me realizimin e nëntë ujësjellësve të ndërtuar mbi struktura me harqe. Qe ai njeriu që lejoi mbushjen me ujë pa pagesë të ambienteve të nëndheshme të Koloseut.

Edhe Lindja po shijonte një bum të paparë ekonomik e kulturor falë tregtisë me Perëndimin. Romakët, aq të dhënë pas festimeve, donin të shihni tigra e luanë. Senatorët e pasur koleksiononin specie të rralla nga India e vishnin rroba mëndafshi nga Kina. Ata që mund t‘i lejonin vetes lukse, digjnin sasi të mëdha temjani e blinin skllave të bukura nga Arabia. Edhe tregtia përmes shkretëtirës lulëzonte në të njëjtat përmasa.

Por puset e qendrave të banuara nuk qenë në gjendje të siguronin aq ujë sa të përmbushnin kërkesat e shtuara. Shpejt rajoni nisi të vuante mungesën e ujit. Kështu që administrata e qytetit vendosi t‘i hynte një sipërmarrjeje në kufijtë e së besueshmes. Duket se bllokuan shtratin e një lumi në thellësi të vendit, në Sirinë e sotme. Që aty uji kanalizohej përmes një sistemi të ndërtuar me beton romak, të famshmin "opus caementicium". Ky kanal gjigant mbulohej me rrasa të mëdha guri për të mbajtur lart kafshët, jashtëqitjet e shpendëve dhe pluhurin. Gjithashtu e mbronte edhe nga drita, gjë që ndalte rritjen e algave. Por rruga e ujësjellësit ndalej nga një rajon malor, gjë që i detyroi inxhinierët fillimisht të devijonin drejtimin dhe më pas të gërmonin një kanal të nëndheshëm që zgjatet për 11 kilometra.

U deshën 120 vite për të përfunduar këtë vepër gjigante të nëndheshme. Më në fund uji niste të dilte si me magji nga thellësia e tokës. Mineralet e depozituara në një seksion të ujësjellësit pranë qytetit Abila tregojnë se përmes kanalit kalonin nga 300 në 700 litra ujë në sekondë. Gjenialiteti i inxhinierëve romakë ia kishte dalë ta transformonte këtë pjesë të thatë të lindjes në një vend ku banorëve nuk u mungonte asnjë çast uji i pijshëm.

E megjithatë, në Gadara banorët u detyruan ta shihnin veprën gjigante me një lloj zhgënjimi. Edhe ky ujësjellës kolosal është veç një provë më shumë se asgjë e ndërtuar nga dora e njeriut është tërësisht e përsosur. Sipas planeve fillestare, uji i transportuar që aq larg duhej të mbushte një rezervuar të madh të gërryer në shkëmb, i cili do të furnizonte më pas çezmat e qytetit dhe një tempull nimfash, që planifikohej të ndërtohej më pas. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Për shkak të llogarive të gabuara të inxhinierëve, uji - pas 170 kilometrash rrugëtim, arrinte në Gadara me presion shumë të vogël për të bërë të mbushur rezervuarin e gurtë e për të mundësuar realizimin e planeve të mëdha të qytetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora