E premte, 26.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Verë ’90, kur Alia “puthej” me Gorbaçovin

E merkure, 14.01.2009, 06:46 PM


Ramiz Alia
Përgatitën: Juna Hasa/Pasho Alimerko

Rrëfimi i ish-zëvendësministrit sovjetik, Julij Kvicinskij, për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Pas një vëllazërie të zjarrtë që do të niste pas Luftës së Dytë Botërore dhe që do të mbaronte në vitin 1960, do të vijonte ndarja e madhe, e cila nuk do të ndante vetëm qeveritë e Shqipërisë dhe të BRSS-së, por edhe popujt që, për gati dy dekada ishin lidhur shumë.

Për gati 30 vjet, acari mes dy vendeve komuniste do të vijonte, ndërsa Shqipëria e varfër dhe e izoluar sulmonte nëpër tribunat e internacionalizmit revizonizmin sovjetik dhe “tradhtinë” që i kishte bërë Moska diktaturës gjakatare të stalinizmit. Pas tri dekadave, rusët hedhin të parët hapin për te ish-aleati i dikurshëm në Ballkan.

Materiali i mëposhtëm tregon për ditët e verës ’90, kur mes dy vendeve shkrinte akulli dhe rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike. Autori i librit, nga i cili është marrë materiali, është diplomati i lartë sovjetik, Julij Kvicinskij. Ai duke qenë zëvendësministër i parë i Punëve të Jashtme të BRSS-së, ka kryesuar delegacionin sovjetik në bisedimet me palën tonë, në vitin 1990, për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

Kur Eduard A. Shevarnaxe shtroi nevojën e rivendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë, mua më pushtoi entuziazmi. Kishte kohë që kjo çështje ishte pjekur dhe s’kishte lidhje me lëmshin e problemeve, thuajse të pazgjidhshme, që qenë krijuar në marrëdhëniet tona me vende të tjera të Evropës Lindore e Juglindore.

Shqiptarët kishin dhënë sinjalet përkatëse përmes ambasadave tona në Beograd dhe Sofje. Ministri ishte i mendimit se duhej të shkonim drejt e në Shqipëri për ta zgjidhur problemin në vend. Unë lëkundesha disi, sepse ne nuk ishim plotësisht të qartë për problemet që mund të ngrinin shqiptarët lidhur me pasojat e ndërprerjes së njëanshme diplomatike nga ana jonë, me RPSH-në, tridhjetë vjet më parë. Studimi i dokumenteve të marrëdhënieve tona nuk jepte një përgjigje të saktë.

Në Tiranë nuk ishte e përshtatshme të zhvilloheshin bisedimet, sepse aty s’kishte ndërlidhje të shifruar me Moskën. Por edhe nuk donim të ktheheshim duarbosh. Më në fund vendosëm të fillojmë në një territor neutral - në Sofje. U nisa për atje me një grup ekspertësh, në krye të të cilëve ishte zëvendësshefi i seksionit të 5-të Evropian, O.K. Voronkovi. Delegacionin shqiptar e kryesonte këshilltari i Presidentit Alia, drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, prof. Sofokli Lazri. Bisedimet ecën shpejt. Ne hartuam tekstin e dokumentit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Por, ashtu siç e parashikova, profesor Lazri nuk mund ta firmoste dokumentin pa i raportuar udhëheqjes. Ai gjithashtu parashtroi problemin që, nëse do të qe e mundur, reciprokisht të hiqnim dorë nga pretendimet financiaro-materiale ndaj njëri-tjetrit për të evituar përsëritjen e qortimeve reciproke se kush pati të drejtë e kush e pati fajin.

Në fund të korrikut fluturuam përmes Budapestit për në Tiranë, duke pasur miratimin e shqiptarëve se çdo gjë është akorduar dhe nuk ka më pengesa për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Fluturuam me një interes të zjarrtë dhe me ndjenja të ngrohta drejt një vendi, që për ne qe i ndaluar aq dhjetëvjeçarë. Ne ndiheshim fajtorë se si u sollën tanët dikur me këtë popull të vogël, por krenar, gëzoheshim që tani punët do të merrnin për mirë.

Po ashtu, profesor Lazri, që në Sofje, në mënyrë bindëse shpjegoi se Shqipëria ndodhet në prag të reformave të thella dhe po studion me imtësi eksperiencën e perestrojkës sonë. Presidenti Ramiz Alia e quante të pamundur ruajtjen e regjimit të vjetër, që me ashpërsinë e tij qe bërë proverbial dhe në Ballkan dhe në tërësi në Evropë.

Në Shqipëri na pritën shumë miqësisht. U vendosëm në hotel “Dajti”, që, siç dukej, destinohej për delegacione të larta dhe për miq të huaj. Ky hotel ishte edhe vendtakimi për trupin e vogël diplomatik vendor. Në Tiranë ishte një vapë e tmerrshme dhe zagushi që nuk e lehtësonin dot as kondicionerët që punonin pa pushim. Ditën shkonim në gjithfarë lloje bisedimesh dhe takimesh që i pararendnin firmosjes së dokumentit.

Mbrëmjeve kishim mundësi të njiheshim me Tiranën, që mua me ngjante me qytetet tona jugore. Situata në qytet, në tërësi ishte e qetë, megjithëse pak kohë para ardhjes sonë në një seri ambasadash të huaja në Tiranë qenë futur grupe të mëdha shqiptarësh, të cilët, ashtu si edhe qytetarët e RDGJ-së në vitin 1989, kërkonin të lejoheshin për në vendet perëndimore.

Kur binte mbrëmja, qendra e qytetit mbushej plot me njerëz, të cilët këmbenin me njëri-tjetrin të rejat e ditës, gëlltisnin shumë akullore e pije freskuese dhe në përgjithësi dilnin mbrëmjeve në qytet, siç bënin edhe tek ne dikur për të parë dhe për t’u parë nga njerëzit. Terreni paqësor prishej nga numri i madh i rojeve ushtarake e civile, që, të torturuar nga mërzitja, i ndeshje pranë çdo godine zyrtare dhe me pamjen e tyre të kujtonin se në këtë vend nuk rekomandohej të ishe i shkujdesur.

Të zotët e shtëpisë, mikpritës shqiptarë, na shpunë të dielën në qytetin turistik bregdetar Durrës, dhe në pallatin mbretëror që ndodhej aty pranë, vizituam muzeun e legjendarit Skënderbej në Krujë, si dhe ekspozitën e arritjeve ekonomike shqiptare. Të binte në sy që, me gjithë periudhën e vështirë të marrëdhënieve tona, me gjithë persekutimin që i bëhej gjithçkaje që lidhej me “revizionizmin sovjetik”, në Shqipëri ruhej e gjallë gjuha ruse, veçanërisht midis inteligjencës.

Në institucionet mësimore shqiptare, fondet kryesore të bibliotekave në kohën e vet qenë kompletuar me literaturë sovjetike. Kjo gjendje nuk kishte ndryshuar me gjithë urrejtjen që kishte E. Hoxha për Moskën. Shqipëria nuk kishte fonde për të blerë literaturë tjetër të huaj. Kështu, gjuha ruse u ruajt aty e gjallë. Në Tirane patëm shumë biseda politike. U fol, natyrisht, jo vetëm për rrugët e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tekniko-shkencore.

Shqiptarët shpresonin shumë në ndihmën tonë për rikonstruksionin e ndërmarrjeve të ndërtuara dikur me ndihmën tonë teknike, për ripërtëritjen e lidhjeve detare e ajrore, për përpunimin e mineraleve. Të gjitha këto duhet të bëheshin objekt i bisedimeve të hollësishme me ministritë përkatëse.

Shkëmbyem mendime edhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e KSBE-së, perspektivat e ndërtimit të Evropës së re, gjendjen në Ballkan. Në Tiranë, unë për herë të parë e ndjeva si një gozhdë të mprehtë çështjen jugosllave. Bashkëbiseduesit e mi, profesor Lazri, si dhe ish-shoku im i shkollës në institut, zv. ministri i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, e quanin të paevitueshëm acarimin e konflikteve ndërnacionale në RSFJ, rrezikun e shpërbërjes së shtetit jugosllav, me këmbëngulje dhe tension paraqisnin problemin e shqiptarëve kosovarë. A

ta nuk na kërkuan asgjë. Ata vetëm shpjeguan pikëpamjen e tyre për situatën dhe paralajmëruan krizën që po afrohej. Dua të them se këtu unë e ndjeva tamam fizikisht që Ballkani e meriton plotësisht emrin fuçi baruti e Evropës. Dhe e kuptova se siguria e Evropës nuk është bërë më e lehtë dhe zor se mund të sigurohet vetëm duke shpalosurprocesin panevropian.

Ai që do të ketë një Evropë të stabilizuar, duhet të ndërtojë një sistem mbrojtjeje dhe supermbrojtjeje të dyfishtë, të trefishtë dhe katërfishtë - dypalëshe, rajonale, gjithevropiane – dhe, më kryesorja, të mos harrojë se vatrat e qëndrueshme të konflikteve dhe kontradiktave të lindura në thellësinë e shekujve, zor se mund të kontrollohen efektivisht vetëm me ndihmën e mendimit të ri dhe me pranimin si të shenjta të vlerave mbarënjerëzore, pa folur për evitimin e tyre të plotë. Më 30 korrik 1990 nënshkruam deklaratën për normalizimin e marrëdhënieve midis BRSS-së dhe Shqipërisë dhe fluturuam për në Moskë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora