E shtune, 25.01.2020, 08:56 PM (GMT)

Komente

Bashkim Kopliku: Berluskoni po, Xhuveli jo

E marte, 09.12.2008, 05:23 PM


Bashkim Kopliku
Berluskoni po, Xhuveli jo

Nga Bashkim Kopliku

Kryeministrit italian Berlusconi përcolli në Shqipëri disa projekte gjigante. Përgëzime për qeverisjen shqiptare aktuale që mundësoi këtë gjë: Shqipëria nuk mund të bëhet pa investime të huaja direkt. E këto investime janë nga ato që në princip janë të pastra, gjë që i shton urimet tona. Por me gjithë gëzimin tonë, nuk duhet të harrojmë kujdesin për ambientin: kemi një situatë katastrofike, duke filluar me vetë ministrin e ambientit, zotin Xhuveli, e më tej.

BERLUSKONI

Po përdorim emrin e kryeministrit italian, si simbol të investimeve të huaja të dobishme për Shqipërinë.
Vërtet që investimet italiane që u nënshkruan gjatë vizitës së Berluskonit, tingëllonin nga më të mirat e mundshme, përveç që ishin dhe të mëdha. P.sh., ku ka më mirë se të prodhosh energji nga era, gjë që klasifikohet si prodhimi nga më të pastrit, nga më të dëshiruarit, edhe nga më ekstremistët e mbrojtjes së ambientit. Po edhe linjat nënujore të gazit, apo rruga automobilistike, apo dhe fabrika e çimentos në veri, në një zonë ku nuk ka fare dendësi fabrikash
të tilla, na tingëllonin joshëse.
Jemi kundër kritikave “apriori” që iu bënë qeverisjes, si ajo që “energjia e prodhuar këtu në Shqipëri, do të shkuaka e gjitha në Itali”, dhe nuk “u siguruaka energjia elektrike në vend, me këto investimet italiane”. E pastaj?! Rëndësi ka se nga këto investime mbetet fitim dhe për ne, dhe fitim jo i keq, qoftë në para, e qoftë në vende pune etj.
Po pate para, blen dhe energji, dhe edhe shumë gjëra të tjera: e investimet në fjalë sjellin shumë para, si në buxhetin e shtetit, si dhe në xhepat e shumë shqiptarëve. Duhet të bëjmë përpjekje t’i ikim mendësive komuniste të “prodhimit në vend të çdo gjëje”, edhe të atyre që i bie më mirë të importohen sesa të prodhohen në vend—t’ua lëmë biznesmenëve privatë të vendosin për investimet e leverdishme, kurse shteti të ruajë ambientin dhe rregullat e biznesit.
Nejse, më tej në këtë shkrim do të merremi sot veçse me ambientin.

XHUVELI

Po përdorim emrin e ministrit shqiptar të ambientit, si simbolin e moskokëçarjes për prishjen e ambientit.
Në Shqipëri po kryhet një masakër në ambient. E pra qeverisja e ka detyrë kryesore që të jetë vigjilente për mbrojtjen e ambientit, e sidomos kur kemi parasysh tiparin e mendësisë shqiptare: vrullin investues afatshkurtër—moskokëçarje për pasojat negative afatgjata.
Jemi shumë pesimistë me përgatitjen e deri tanishme të qeverisjes (të Qeverisë dhe të Kuvendit) në lidhje me ambientin. Që nga ministria përkatëse kemi një shije të hidhur, duke filluar me ministrin Xhuveli. U përfol shumë ai, për përzierjen deri dhe në një aferë me goma të vjetra që importoheshin, apo dhe që digjeshin në Shqipëri, nga ai apo njerëz të lidhur me të.
Thua teprim mediatik? Mbase: sa keq që kryeministri u ka hequr të drejtën ministrave të shpien në gjykatë ata të mediave që ia fusin kot, sepse na lë dhe pa i sqaruar të vërtetat: po të lejohesh “gjykimi kundër medias”, mbase ministri Xhuveli do të kishte sqaruar opinionin nëpërmjet një procesi gjyqësor të fituar.
Por edhe figura morale në politikë e ministrit Xhuveli, u dha shijen e mungesës së karakterit, shumë njerëzve që ndjekin politikën. Ai bëri shumë pirueta herë me PS-në, e herë me PD-në, ndërrime nga njëra tek tjetra, të motivuara thjesht për një karrige ministri. E një karakter i tillë i ftoh shpresat se mund të udhëheqë politikat ambientaliste në periudhën që po kalojmë.
Kjo periudhë karakterizohet nga presionet korruptive të firmave që duan të investojnë në Shqipëri, e që barriera më e fortë dhe eficiente duhet të ishte mbrojtja e papërkulshme e ambientit, me një këmbëngulje të udhëhequr nga vetë ministri i ambientit.
Edhe në “bazë”, shohim që formalisht bëhen studime ambientaliste për çdo gjë. Mbushur me ekspertë që po mbajnë familjet duke shpërndarë letra me kopje stereotipe studimesh. Themi kështu sepse absolutisht asgjë e keqe nuk pengohet nga ato ekspertiza ambientaliste, veçse u rritet kosto kot. Me ruajtjen e ambientit, vazhdohet njësoj tradita komuniste hipokrite.

TË GJITHË PËR AMBIENTIN

Mbrojtja e ambienti duhet të bëhet problemi i ditës i shoqërisë sonë, ku roli i
intelektualëve, i elitës së kombit është parësor.
Të vetmit që po ngrenë zërin si profesionistë, janë pak ekologjistë, që s’para i dëgjon njeri, pavarësisht se argumentet e tyre duken mjaft shkencore dhe bindëse. Natyrisht që qëndrimet ndaj mbrojtjes së ambientit duhet të prodhohen si rezultat i një debati kompleks, ku peshohen të mirat e ruajtjes së ambientit, në raport me të mirat e investimeve. Por ky debat mungon pothuaj fare: ekspertët e ambientit lihen qëllimisht pa oponencë (nga investitorët, nga qeveritarët etj.), sepse kjo është mënyra më e mirë që atyre të mos ua vërë veshin njeri, duke lënë të kuptohet se “ata ambientalistët janë ekstremistë që nuk janë në gjendje të bëjnë raportet e duhura kosto/përfitim. E pra debati i prove dhe kundrave për ruajtjen e ambientit, duhet të kishte vendin kryesor në masmediat tona.
Shtytja, ndërgjegjësimi për mbrojtjen e ambientit arrihet me ndryshimin e mendësive të të gjithë shoqërisë. Por ndërrimi i mendësive është një proces i gjatë, dhe shpesh zgjat me dekada.
Duhen gjetur mënyra për ta shpejtuar këtë proces ndërgjegjësimi, por edhe duhen marrë masa imediate për të ndaluar dëmet ambientale.
Mbase shpejtohet nga lart procesi i ndërgjegjësimit të shoqërisë. Mbase duhet filluar duke vënë një ministër ambienti të fortë, një “kokëderr”, që nuk përkulet as nga fjalët e miqve, dhe as nga milionat e dollarëve që vërshojnë si ryshfete e bakshishe. Duhet një ministër që të mbledhë një staf misionarësh, idealistësh. Shoqëria duhet t’i përkrahë së paku moralisht një bërthamë ambientalistësh, e shteti duhet t’i përkrahë dhe materialisht, me paga më të larta se të tjerët.
Mbase një bërthamë e mirë elitare në ministrinë e ambientit, do të kontribuonte që dhe ekspertët e ambientit në bazë, shtetërorë apo privatë qofshin, të shohin interesin e tyre tek kryerja me profesionalizëm dhe ndershmëri e punës, natyrisht kundrejt pagesës përkatëse, por edhe me dënimet përkatëse, qoftë me gjoba e qoftë me burg, për ekspertizat false.
Që gjërat të fillojnë të lëvizin për mirë, duhet të fillojnë të veprojnë konkretisht të gjithë hallkat e qeverisjes: shteti duhet të tregojë dhëmbët. Duhet të shohim të dënuar “ekspertët ambientalistë” që janë bërë shkaktarë të lejimit të projekteve dëmtuese ambientaliste, me të cilat jemi rrethuar ngado.
Për fat të keq, kjo frymë e dënimit të personave përgjegjës për prishjen e ambientit, mungon në administratën shtetërore, që nga kryeministri, qeveria, auditet e deri poshtë; mungon tek prokuroria, tek gjykatat etj.
Gjithsesi, krijimi i një roje ambientaliste në nivelin e duhur, është një ndërmarrje shumë e vështirë dhe e paarritshme shpejt, prandaj ndërkohë duhen marrë masa konkrete për parandalimin e dëmeve. Kemi shkruar për këtë problem shpesh, edhe para disa javësh (shih Gazeta Shqiptare, “Investime po, ndotje jo”). Po ritheksojmë dy nga masat që duhet të merren urgjentisht nga qeverisja, e me vlefshmëri së paku për nja 10 vjetët në vijim.
E para, lejet ambientaliste për investimet e mëdha, të jepen vetëm mbi bazën e
konkluzioneve të studimeve të kryera nga firma të njohura botërore. Investimet e mëdha mund të përcaktohen p.sh. si ato me vlerë më të madhe se 50 milionë euro.
E dyta, të vendoset me ligj “lista e zezë e investimeve”, pra investimet që nuk duhet të lejohen të kryhen një herë për një herë në Shqipëri. Këto do të jenë p.sh. sa vijon: ndërtimi i centraleve bërthamore, djegia e plehrave të huaja, prodhimi i energjisë nga qymyre të importuara, etj.

Durrës, më 3.12.2008
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT