E premte, 26.04.2024, 06:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Gjenocidi serbo-malazez në këngët tona popullore

E enjte, 06.11.2008, 06:51 PM


Demir Krasniqi
GJENOCIDI SERBO-MALAZEZ NË KËNGËT TONA POPULLORE

 

Nga Demir KRASNIQI

 

Nuk është e rastësishme dhe e pa bazë thënia popullore se “odat shqiptare kanë qenë shkollat e para popullore”, apo “odat shqiptare kanë luajtur rolin e një universiteti  gjithë popullor”!

            Vërtetë , odat kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në të kaluarën tonë historike, sidomos në atë kohë kur shqiptarët nuk kishin  të drejta shkollimi e  arsimimi , nga  dielli i lirisë shqiptare ishte i mbuluar nën vellon e rëndë të okupimit dhe robërisë klasike.

            Odat popullore ishin logje burrash  dhe kuvende popullore, në të cilat organizohej mikpritja, bujaria dhe bukë-dhënia , si për mikun e dashamirin, ashtu edhe për kalimtarët e largët nga vendbanimet  tjera shqiptare. Aty, bisedohej shtruar për çdo gjë që kishte të bënte me problematikën dhe jetën shqiptare. Aty dëgjohej fjala e urtë e njerëzve të mençur, filozofia popullore, historia kombëtare, strategjia e mbrojtjes dhe qëndresës. Flitej për moralin, nderin , mençurinë, urtësinë, trimërinë, drejtësinë dhe për gjithçka që ishte në dobi e interes të popullit dhe të kombit.

            Në odat tona popullore mbaheshin edhe kuvende burrash mendjendritur, ku zgjidheshin shumë probleme, ngatërresa, pajtime gjaqesh...por edhe strategji për luftë, vetëmbrojtje dhe rezistencë ndaj armikut.

Nisur nga këto funksione të cilat i kanë luajtur odat tona popullore, me të drejtë , ato janë quajtur:”Odat e burrave “ dhe në to asnjëherë nuk kanë pasur vend fëmijët, të rinjtë e moshave të mitura dhe bota femërore. Kjo, nga se bisedat dhe problemet të cilat janë trajtuar nëpër odat e burrave, nuk kanë guxuar në asnjë mënyrë që të bien në veshët e fëmijëve, të rinjve dhe botës femërore !

Me që thamë se odat e burrave janë quajtur “Universitet popullor”, aty në rolin e ligjëruesve kanë qenë “pleqnarët” , apo burrat e ngritur me përvojë dhe dije të pa kontestueshme. Andaj, të gjithë burrat që kishin nderin dhe privilegjin që të jenë pjesëmarrës të odave, ishte traditë dhe zakon që kur ta merr fjalën kryeplaku, pleqnari, apo njeriu i ngritur me autoritet, përderisa ai e kishte fjalën – të tjerët duhej të dëgjonin me vëmendje dhe qetësi absolute!

Krahas kryepleqve, pleqnarëve dhe njerëzve autoritativ të odave, që ishin në rolin e ligjëruesve dhe edukatorëve popullor, menjëherë pas tyre radhiteshin rapsodët popullor, të cilët nëpër shekuj e kënduan historinë tonë kombëtare, përmes vargjeve epike, përmes këngës dhe përmes veglave muzikore autoktone.

Sipas zakoneve dhe traditave tona kombëtare, edhe gjatë këndimit të rapsodëve nëpër odat tona popullore, është dëgjuar me vëmendje, me respekt shumë të lartë njerëzor dhe me një disiplinë absolute.

Por, odat tona popullore, përveç që luanin rolin e universiteteve popullore, rolin e kuvendit të burrave, ato gjithmonë ishin edhe arenë, apo amfiteatër popullor, ku zhvilloheshin edhe shumë aktivitete kulturore popullore, duke filluar prej ndejave popullore, ahengjeve , fejesave e dasmave popullore, në të cilat kultivoheshin vlera artistike popullore, si: fjalë të urta popullore, tregime, mahi popullore, lojëra të ndryshme popullore, humore, këndime, vallëzime, luajtje me instrumente muzikore...ku njerëzit argëtoheshin dhe disponoheshin në mënyrë kulmore.

Por, po i kthehemi rolit të rapsodëve popullor në odat dhe gazmendet tona popullore.

Përderisa në krahinat rurale shqiptare, mungonte liria, shkollimi, libri, informimi, mosnjohja e historisë kombëtare, komunikimi mes njerëzve nga vendbanimet më të largëta, i vetmi burim i dijes dhe mësimit të historisë kombëtare, ishte kënga rapsodike e kënduar nga rapsodët popullor.

            Horizonti i dijes së rapsodëve popullor ishte i gjerë sa oqeani, nga se ata në mënyrën më besnike dhe më autoktone , iu kënduan ngjarjeve të ndryshme historike, luftërave të përgjakshme, trimave, heronjve, por edhe traditave e zakoneve tona popullore.

            Kësaj radhe, do të ndalemi në njërën ndër temat më të dhimbshme dhe më të përgjakshme të historisë sonë. Pra, do të ndalemi tek gjenocidi serbo-malazezë në këngët tona popullore, ku do të shkoqisim disa fragmente nga rapsoditë tona popullore, në mënyrë që të shohim e të bindemi se si janë trajtuar këto tema dhe ngjarje të kobshme , nga ana e rapsodëve tanë popullor.

            Në analet e folklorit tonë muzikor, shpeshherë na ka rënë të dëgjojmë nga rapsodët tanë popullor, një rapsodi e cila në popull njihet me dy emërtime: “Kanga e Junanit” (Greqisë) dhe “Kanga e Brahim pashës”. Që të dyja këto emërtime përmbajnë në veti të njëjtin tekst dhe të njëjtën ngjarje. Në këtë këngë , në mënyrën më rrëqethëse përshkruhet gjenocidi grekë i ushtruar gjatë periudhës së sundimit osman në tokat ballkanike, me theks të veçantë, mbi popullatën myslimane.

Ndonëse , krijuesi rapsodik popullor, brenda kësaj kënge nuk na jep të dhëna se cilit komb i përkasin viktimat  myslimane të  gjenocidit grekë , po qe se e analizojmë mirë tekstin e kësaj kënge, do të vijmë në konkluzion se këtu është fjala për gjenocidin grekë të ushtruar mbi popullatën myslimane shqiptare:

 

Brahim pasha keq koka ngushtue,

T’ mirë ni letër, pasha e ka shkrue ,

Shumë selamet mretit ja ka que  -

Aman, babë, dertin kqyrma mue ,

N’ shpinë Junani mu ka lshue,

Shumë zullumet babë, i ka punue ,

Se n’ xhirit çka ka damtue ,

Gratë me yzër na i ka coptue,

Thminë në djep na i ka  shkurtue,

Motrat tona n’ Junan na i ka que !...

Ni  sandak , pasha, e ka marue,

N’ qatë sandak çka ka palue,

Duert e sabive - çka i kanë shkurtue,

Sytë e femnave i kanë palue,

Krejt Junani çka i ka damtue !...

 

            Kryeprotagonisti i gjenocidit serbo-malazez  që është ushtruar mbi popullatën myslimane dhe shqiptare në krahinën e Sanxhakut, në qytetin e Novi Pazarit (Tregut të Ri) dhe në qytezën e Rozhajës, pa dyshim është Komandanti i Forcave Çetnike Serbo – Malazeze , Drazha Mihajlloviqi.

            Edhe plojat e përgjakshme gjenocidale të ushtruara mbi popullatën e pambrojtur dhe të pafajshme shqiptare, nën drejtimin e Drazha Mihajlloviqit, rapsodët popullor shqiptarë i kanë kënduar në mënyrën më besnike, pa iu shmangur për asnjë çast të vërtetave historike. Po e shkëpusim vetëm një fragment nga rapsodia popullore që i këndon ngjarjeve tragjike nga luftërat e përgjakshme të Drazha Mihajlloviqit:

 

Haj medet për Rozhajë të zi,

Drazhë Mihajli, n’ Pazar ka hi,

Po grinë robë e po grinë thmi,

Nuse e çika i ka shti n’ Serbi,

I kanë nxjerrë katër killa sy,

I kanë pre nandë killa gji –

Ja kanë çue Drazhës n’ Cetinë!...

Drazhë Mihajlit ja paskan que ,

Fort ky Drazha koka gzue,

Jallah bani n’ kamë na u que –

Rrnofshi vllazën, asqert e mi,

N’ myslimanë paski banun zi!

 

Dhe ja se ç’ na thotë rapsodia shqiptare në vazhdim, për  planet dhe ambiciet gjenocidale të Drazha Mihajlloviqit, kundër popullit shqiptarë të Kosovës:

 

Tash po vjen kjo vera tuj dalë,

Mbushen malet me dushk e barë,

Se n’ Kosovë ,  kemi me dalë,

Kem mej marrë kah ka shqiptarë !

Nëpër shehre do t’i  tubojmë,

Thminë e vogël -  n’ furra do t’ jav çojmë,

Nëpër furra kemi me jav pjekë,

Kanë mej hangër nana e baba i vet!

Nana e baba, thminë kur t’ i hanë –

Zemra n’ bark ka me ju plasë!

Pleq e plaka se çka janë –

Nëpër prroje patare do t’i bajmë!

Nuse e çika se çka janë –

Do t’ jav japim asqerit tanë!

Djemtë e ri se çka janë –

Do t’ jav lidhim duer e kamë,

Nëpër soba t’ veta do t’ i çojmë,

Me gra t’ tyne n’ soba na do t’ shkojmë!

Me gra t’ tyne kur t’ deshmi me ra –

Me sy t’ vet kanë me na pa,

Zemra n’ bark ka me ju plasë !

Kërkujt bukë s’ kemi mej dhanë,

Me dru shpirtin kem me jav marrë!

 

            Kolonizimi i tokave shqiptare me serbë e malazezë, ishte një plagë e madhe historike për popullin vendor shqiptarë. Andaj, edhe këtë elaborat famëkeq të gatuar nga kuzhinat fashiste të Beogradit dhe Podgoricës, nuk e lanë pa e vu në vargje rapsodike dhe pa e kënduar mbi telat e çiftelive, rapsodët tanë popullor.

            Njëra ndër ngjarjet më tragjike të kolonizimit serbo- malazez mbi tokat shqiptare të Kosovës, pa dyshim se ishte kolonizimi i fshatit Brezhnicë, në mes të Prishtinës dhe Vushtrrisë, ku para se të kolonizohej ky fshat me malazezë, kishte vetëm 30 shtëpi. Mirëpo, okupatorët , gllabëruesit dhe pushtuesit serbo-malazezë, gjithmonë kishin në shënjestër dyfishimin e banorëve me kolonë – karshi numrit të banorëve autokton shqiptarë, në mënyrë që kolonët të mbisundojnë dhe të jenë në epërsi të fuqisë njerëzore!

            Kolonët ardhacakë serbo-malazezë, nuk zgjidhnin mjete, as metoda të barbarisë së tyre të egër, për ta thyer moralin dhe dinjitetin e vendorëve autokton shqiptarë! Ata, gjithmonë i kanë përzgjedhur njerëzit më autoritativ, për t’ ua cenuar moralin, nderin dhe pronën, me qëllim që të bëjnë trysni mbi popullatën shqiptare për t’ i braktisur tokat e tyre dhe për t’ i shpërngulur me dhunë në shkretëtirat e Anadollit!

            Kështu, në fshatin Brezhnicë, e zgjedhin për ta viktimizuar imamin e këtij fshati, duke ia përdhosur moralin dhe nderin e familjes së tij, madje duke ia kërcënuar gratë tek bunari i fshatit, ku ato pa tjetër duhej të shkonin për ta furnizuar familjen me ujë të pijshëm:

 

Kjo Brezhnica, tridhetë shpi -

Gjashtdhetë shpi cërrnagorë janë hi!

Gjashtdhetë shpi cërrnagorë  poj çojnë,

Shpijat me pllan po jav marojnë !

N’ ni bunar kishin ujë me marrë,

Gratë e hoxhës po shkojnë n’ bunar,

Vrajmi zot, carrnagort ç’ po bajnë –

Ju kanë ra grave n’ bunar,

Gjithë çka a zi, nër sy tu ju thanë,

Tana kënatat  llom po jav bajnë !

 

Invadimi serbo-malazezë mbi tokat shqiptare, më 1912, mori me veti shumë viktima të pafajshme dhe të pambrojtura shqiptare gjithandej trojeve etnike në Kosovë dhe Maqedoni. Për këto ngjarje tragjike, vrasje, therje, përndjekje dhe shpërlarje të tokave shqiptare me gjak, ja një fragment nga një rapsodi popullore:

 

Kjo Morava po banë gjak,

Po na pret shkau ditë e nat’!

Po hecë Ibri tuj vajtue –

Gjak shqiptarie shkon tuj que !

  Lepenc  gjaku shkumon –

Gjak shqiptari sun po çon!

Çka Vardari qi po gjumon –

Gjak shqiptari shumë po banë !

Po vajtojnë fusha e male –

Qi naj prenë këta shqiptarë !

Po vajtojnë burra e gra –

Shqiptarinë e preu ky shka !

Vajtojnë çika e vajtojnë djem –

Shkavi shumë ne po na prenë !

Pleq e thmi shumë po vajtojnë –

T’ mjertë na t’ mjertë  pa vatan !

 

            Ushtrimi i gjenocidit serbo-malazezë , mbi popullatën autoktone shqiptare në Kosovë, ushtrohej në mënyrat më perfide barbare, të pa para në historinë e civilizimit njerëzor. Kolonizatorët nuk ngopeshin me gjak të shqiptarëve, as me përndjekjet e tyre nga  vatrat shekullore. Ndaj atyre që mbeteshin të gjallë dhe nuk shpërnguleshin dot, ata shkonin aq larg, sa deshën që t’ ua ndërrojnë edhe fenë me anë të dhunës, vrasjeve dhe torturave, në mënyrë që shqiptarët autokton të detyroheshin ose të bëhen ortodoks, ose të ikin brenda natës nga trojet e tyre !

            Një shembull i këtillë , me përmasa tragjike kishte ndodhur në Lugun e Baranit, përkatësisht në fshatin Gorazhdevc, ku një udhëheqës i bandave çetnike, i quajtur Sava i Basanit, i tubon të parët e fshatit Baran të Epër dhe i kërcënon me dhunë që ta ndërrojnë fenë!

            Me që , shqiptarët nuk pranojnë me asnjë kusht dhe asnjë çmim për ta ndërruar fenë e tyre, atëherë Sava i Basanit, me ekspediten e vet prej xhelatëve çetnikë, i urdhëron shqiptarët e atij fshati që më parë t’ i gropojnë varret e veta në një mal afër kishës së Gorazhdevcit dhe i pushkaton të gjithë!

            Nga rapsodia popullore që e përshkruan këtë ngjarje të llahtarshme, po e shkëpusim vetëm një fragment:

 

Savë Basani n’ kamë na u çue ,

N’ Baran t’ Epër koka shkue,

Te tanë kmetat i ka tubue ,

Mejherë Sava i ka kallxue –

M’ ka ardhë emri fenë me jav ndrrue,

Nestra e dielle asht qillue,

Tanë në kishë  kena me shkue,

Mej ngue popat çka u thonë juve,

Si mos dishit me u kryque ,

Unë vet, Sava, kam me ju msue !

 

Hazir Alija, n’ kamë na u que,

Ktheu bre Savë e fol me mue,

Ku ke nije shqiptartë fenë me ndrrue?

Pa na gri, pa na coptue ,

Tybe n’ mundesh fenë me na e ndrrue !

Savë Basani koka idhnue,

Xhanarisë ju ka ngërmue,

Xhanarija i kanë rrethue,

Duert në bleqe jav kanë vnue,

N’ Garazhdec te kisha i kan çue,

Ngat ni mal asht qillue,

N’ at mal t’ shkretë i kanë ngujue,

I kanë shti vorret  mej marue,

Se te vorret Sava i ka çue,

Edhe i herë ju kish kallxue –

Kqyrni vorret ku i keni marue,

A po doni fenë me qef me ndrrue,

Kapetana kam me ju marue,

N’ Koloshin kam me ju çue,

Koloshinin kini me sundue !

Pra, mos dashi fenë me qef me ndrrue –

Krejt batare kam me ju marue,

N’ qito vorre kam me ju gjue!

 

Hazir Alija ni fjalë pe flet,

Shokve t’ vet po u jep gajret –

Çone vllazën ka i gisht përpjetë,

Ta bajmë Zotin me isharet,

Se ky Sava sod po na pret !

 

Tanë pe qojnë ka ni gisht përpjetë,

Pe bajnë Zotin me isharet -

Ni batare Sava po jav jep !

Ni batare Sava jav ka lshue,

Te tanë trimat n’ vorre kokan rrxue !

Se për s’ dyti, batare jav lëshojnë –

Te tanë trimat jetë po ndrrojnë !

Te tanë trimat kanë ndrrue jetë,

Se për komb, trimat kanë vdekë !

 

            Njëra nga ngjarjet më tragjike të gjenocidit serbo-malazezë, të ushtruar në vazhdimësi mbi popullin shqiptar, pa dyshim është edhe ploja mbi fshatin Kabash të Prizrenit, ku Kryeçetniku i quajtur Spiro Kapetani nga fshati Dellovc, i mbledh me emër e mbiemër djemtë dhe burrat më të mirë të këtij fshati dhe i vret pa kurrfarë gjyqi, as faji, hiq më pak se 90 shqiptarë !

            Edhe kjo ngjarje tragjike, sipas të dhënave të rapsodisë popullore, do të ketë ndodh menjëherë pas okupimit të Kosovës nga ana e Serbisë, më 1912.

Nga kjo rapsodi, po e shkëpusim vetëm një fragment:

 

Serbi i parë n’ këtë ven kur ka hi –

Shumë kanë hjekë shqiptarët e zi,

Tanë tuj pre e tanë tuj gri,

Spirë Dellovci u paska pri!

Spirë Dellovci, ushtarëve ju pri –

Se n’ Kabash naj paska shti!

Se n’ Kabash, ata kur po hinë,

Spirë  Dellvci vet po ju prinë!

Me defterë te tanë naj ka thirrë –

Kah janë kanë burrat ma t’ mirë ,

E te tanë t’ shkretit poj lidhë !

Poj lidhë burrat, o haj medet,

E te kisha te tanë poj qet,

Me defterë te tanë poj thrret!

Kamë e duer , Spira i kish përvjelë –

Pret shqiptarë, si me pre berrë!

Me dorë t’ vet , Spira poj pret,

Rrokotel krenat  po jav qet ,

Gjak e krye po u rajke n’ rekë!

Poj pret Spira, shqiptarët e shkretë,

I ka pre Kabashin nandëdhetë,

Kah janë kanë burra t’ vërtetë !

           

Pas çdo krimi të organizuar mbi shfarosjen e popullit shqiptar, udhëheqësit e këtyre  masakrave , gradoheshin nga ana e krajlit të tyre në Beograd !

Ja se si i lavdërohet Spiro Kapetani, bashkëveprimtarit të tij – Files, pas masakrës së kryer në fshatin Kabash:

 

Po vjen Spira në kali t’ bardhë,

Bashkë me Filen, si bajraktarë !

Po vjen Spira tuj u livdue  ,

Për shqiptarë sa i ka shkurtue -

Krali s’ ka kapetan si mue,

Gradat flakë, mue mi ka çue!

Flakë, mue gradat qi m’ kanë ardhë,

Se i kam pre nanddhetë shqiptarë !

Po kallxojke me gojë t’ vet –

I kam pre Kabashin nandëdhetë ,

Kah janë kanë shqiptarë t’ vërtetë !

 

            Kasapët e  tërbuar  serbo-malazezë , nuk i kursenin shqiptarët për t’ i kasapitur as gjatë festave të tyre fetare! Ata e dinin mirë se shqiptarët janë besimtarë të paepur të fesë dhe të festave fetare.

Kështu që diku rreth vitit 1885, Kryeçetniku i Serbisë, i quajtur Novica i Zi, mu në  Ditën e Bajramit, iu prinë forcave çetnike prej 300 vetash dhe hynë në pabesi në fshatin Mavriq të krahinës së Llapit, mu në kohën kur e dinte se të gjithë burrat gjenden në xhami duke e falur namazin e Bajramit dhe e sulmojnë familjen e Demë Ahmetit, me qëllim që t’ ia grabisin vajzën e tij – Ajetën !

Me atë rast, fillon lufta e përgjakshme në mes të forcave të armatosura çetnike dhe rezistencës së familjarëve të Demë Ahmetit, të cilit atë ditë ia presin 30 anëtarë të familjes, shumë mysafirë të rastit që kishin shkuar për t’ a uruar festen e Bajramit, ku prej tyre shpëtojnë të gjalla vetëm dy rejat  me një nip të vogël të  Demë Ahmetit, të cilat Novica i Zi me çetnikët e tij, i merr dhe i çon për në Serbi!

 

Zoti e vraftë kaurreshën plakë,

Po del para Novicën pe mëson!

Pe mson Novicën , çka me punue:

“N’ëm ngofshi mue, vetit za mej çue,

Ju, si n’ dashi me hi n’ Shypni,

Qi e kceni hudutin me dalë n’ atë anë,

Ju mej ra për rreth Mitrovicës,

Për rreth bjeshkës së Vuçitërrnës,

Ju mej ra katunit t’ Mavriqit !

Ju, n’ Mavriq, biro keni me shkue,

Demë Ahmetin, n’ Mavriq me e rrethue!

Tridhetë robë, Dema na i ka ,

Të përmendun  , biro, shpi me za ,

Ni çikë n’ bylyk , Dema e ka ,

Ju , Ajetën , n’ mujshi me ja marrë!

Me ja marrë e n’ Serbi me e prue ,

Ni djalë t’ ri me ta me e martue,

Lavd i madh, biro, ka me u dalë!”...

 

Zoti e vraftë, Novica ç’po banë,

E thirrke n’ emën, si ta kishte nanë!

Oj Hanife, n’ shami t’ bardhë,

A po m’ vetë për çka jam ardhë?

Nuk jam ardhë me ba Bajram,

Me treqin vetë rrethue ju kam ,

Jam ardhë Ajetën sot me jav marrë !

 

Luftë e shtirë atë ditë ish marue,

Mashqit e Demës, krejt janë damtue,

Musafirtë krejt çka janë qillue,

Kulla e shpija, rrafsh ja kanë rrafshue,

Tridhetë robë, Demës, ja kanë shkurtue,

Veç dy rejat i kishin pshtue!

Veç dy rejat me ni sabi,

E ja marrke Novica i Zi,

Poj çon lidhun tuj i rrehë kamxhi,

Kcejnë kufinin e i çon n’ Serbi!...

 

            Bishat e egra gjakatare serbo- malazeze, nuk dinin të ngopur me gjakun e shqiptarëve. Ata suleshin në gjah mbi shqiptarët me të gjitha forcat dhe mënyrat më të egra të barbarisë dhe të çmendurisë! Sulmonin familjet më të njohura nëpër rrethe të ndryshme, ku përveç vrasjeve e therjeve të njerëzve, ua digjnin shtëpitë dhe gjithë çka kishin para veti. Ua plaçkitin tërë pasurinë që kishin, madje edhe shtazët shtëpiake!

            Njëra nga ngjarjet më tragjike të gjenocideve të kësaj natyre, është rasti i familjes së Selman Lites, që ishte njëra ndër familjet më të pasura dhe më autoritative në Rrethin e Rekës së Keqe .

Selman Lita ishte një njeri i njohur për pasuri në atë rreth, sidomos për kultivimin e deleve, të cilat i mbante në një numër të madh nëpër stane të bjeshkës.

            Hajdutët dhe kriminelët gjakatarë serbo-malazezë , ia kishin vu syrin kopeve të deleve të Selman Litës, për t’ ia vjedhur, por për ta kryer këtë akt barbar, sulmuesit dhe hajdutët çetnik, ia kishin ruajtur ditën më të gëzuar familjare, pronarit të deleve – Selman Litës, mu në ditën e dasmës, kur ai po i martonte dy djemtë e tij dhe po bënte dasmë të madhe me 300 krushq e tri palë tupanë!

            Kriminelët çetnikë hajdutë, e kishin përcjell gjendjen, kur dasmorët e Selman Litës, kishin shkuar për rrugë për t’ i marrë dy nuset e djemve të Selmanit dhe mu në ato momente, ia sulmojnë stanet e deleve, me ç’ rast ia vrasin çobanët e deleve, ia vrasin 12 qentë dhe ia plaçkitin 300 copa dele!

Selman Lita, sikur ta dinte se do t’ i ndodhte kjo tragjedi dhe nuk kishte shkuar krushkë bashkë me dasmorët, por kishte ndej për t’ i ruajt djemtë dhe familjen.

 Me të hetuar se hajdutet çetnikë ia morën delet , ia vranë çobanët dhe qentë, e merr martinën dhe niset për t’ iu bërë rezistencë . Pas tij, i shkojnë në ndihmë edhe dy djemtë e tij, të cilët po i prisnin nuset për t’ u martuar atë natë. Mirëpo, forcat armike ishin shumë herë më të forta dhe ia vrasin edhe dy djemtë e Selmanit:

 

Selman Lita po rrin n’ krevet ,

Poj shkojnë sytë te stani i vet –

Ranë komitat  ja muerën dhentë !

Ranë komitat ja  kanë marrë gjanë,

Ja kanë vra edhe dy çobanë,

Ja kanë vra edhe dymdhetë qenë,

Ja kanë marrë treqin copa dhenë !...

 

Çka ka Reka qi po ushton –

Selman Lita po lufton!

Thërret Musaja, more Rexhep –

Ku i kem armët, he i lashim shkret,

Se na i muerën berret në bjeshkë!

Sa po mujnë djemtë po shpejtojnë,

Babës s’ vet në ndihmë poj shkojnë!

Luftë e madhe po kërset –

Selman Litës , ju vranë dy djemtë !

 

            Gjenocidin serbo- malazez , mbi shfarosjen dhe përndjekjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike e vazhdoi edhe Nënkryetari i Jugosllavisë titiste – Aleksandar Rankoviqi, i cili në muajin Janar të vitit 1956, organizoi në Kosovë, Aksionin gjithë popullor për grumbullimin e armëve. Aksion ky, që kishte të bënte  ekskluzivisht vetëm  për  shqiptarët!

            Nën pretekst të kërkimit të armëve, shqiptarët  i rrihnin, maltretonin e torturonin  në mënyrat më brutale , kurse qëllimi final i këtij Aksioni, ishte presioni mbi shqiptarët që me dhunë t’ përndjekin nga vatrat e veta stërgjyshore dhe të arratisen për në shkretëtirat e Anadollit të Turqisë!

            Edhe për këtë ngjarje të kobshme tragjike, rapsodët popullor shqiptarë thurën dhe kënduan shumë këngë, prej të cilave e shkëputëm këtë fragment:

 

 

Vjeshtë e zezë , dimën i gjatë,

Ish kanë viti pesëdhjetë e gjashtë,

Ishin çue UDB-at në hajkë,

Mej mundue shqiptarët e ngratë,

Tanë për arme i kanë kapë,

N’ borë e n’ shi, deshë e dathë,

Rrehshin gjinën me dajak,

Si e pat e si se pat,

Hiq s’ ju jepshin, medet, afat,

Dogri i shtirshin nër dajak,

Shumë janë mbetë, për jetë sakat,

Brijtë e thyeme tuj qitë gjak !

Ashtu i rrehshin nëpër stanica ,

Kur ju shkojke letërthirrja ,

Lmerim t’ madh kishin familja,

Marrshin vajin robtë e thmija –

S’ na vjen baba ma te shpija !

S’ na vjen baba ma në shpi,

Rankoviq, he kofsh i zi,

Fort e shkepe këtë anmiqësi,

N’ mbarë Kosovën në shqiptari !...

 

            Marrë në tërësi analizën e këtyre rapsodive dhe shumë të tjera, që ende nuk i kemi publikuar, nuk mund të mos e themi të vërtetën se  një copë të historisë sonë  kombëtare arritëm që ta mësojmë vetëm falë talentit dhe guximit të rapsodëve tanë popullor dhe nëpër odat tona popullore, nga se historia e vërtetë e popullit shqiptar në baza shkencore , profesionale dhe institucionale, fatkeqësisht , ende nuk është shkruar dhe as që dihet se kur do të shkruhet?!                                                                           



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora