E premte, 26.04.2024, 05:22 PM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Një kapak pusete për peshqit pa ujë

E shtune, 18.10.2008, 01:04 PM


Agron Tufa
Një kapak pusete për peshqit pa ujë

Nga Agron Tufa

A ju ka ndodhur të zbrisni në Hadin, Ferrin apo Xhehnemin e Forumeve shqiptare? Sigurisht, të paktën një a dy herë, besoj se jua ka marra ana... e kur ta merr ana, prishet ekuilibri, d.m.th., të del vetja jashtë kontrollit të kohës. Të paktën aq herë më ka bërë vaki dhe mua o lexuesi im i ngjashëm. Ja se si ka ndodhur.

Njëditëzaj, ndërsa kërkoja një shkrim problematik të kulturës, të botuar në “Panorama”, të cilin e kisha dërguar nga jashtë shtetit dhe më duhej një kopje e atij teksti, ndesha në një ferr tipik virtual, krejt të çmitizuar në një shëmtirë të thjeshtë.

Sigurisht, nuk mund të krenohem e të them se jam krejt indiferent për çka shkruhet rreth meje, qofshin këto dhe forume. Madje edhe pse e kuptoja fare mirë që produkti i përçatur kundër meje villej prej bijve të komunistëve, të cilët prezantohen edhe më ortodoksalë se komunistët më të indoktrinuar, tani në vitin 2008! Si Ferr, ky forum ua kalon të nëntë niveleve të Komedisë së Dantes: mllefet, mungesa tërësore e arsyetimit, shkumëzimi, sharjet dhe cirkat e pështymës – rrëfejnë për deformimin definitiv të kryeatyrës së re të socializmit shqiptar, i cili na paska lënë plot trashëgimtarë.

Të gjitha këto vetëdije reptilësh që zvarriten nga njëri nivel i ferrit në tjetrin, që shquhen vetëm për nga zeheri i mbledhur për faktin se u paskan sharë Dritëronë e Partisë, jo atë Dritëroin-shkrimtar e poet me vlera, për të cilin kam shkruar jo pak herë (gjë për të cilën as ia kanë idenë peshqit pa ujë tek përpëliten me velëza të thara në forumin virtual), - pra të gjithë këto peshq të kuq llumrash kanë emra pa identitet, meqë i vetmi identitet i tyre është mllefi i përbashkët kur u shan komunizmin, Enverin, Nexhmien apo Dritëroin.

Gjykuar nga psudonimet “11 September 2008”, “@, XYZ”, “edrus”, “Artian”, “Idris”, “Spiritus”, “Perparim Hysi” etj., - ke të bësh me evoluimin e paradigmës guerile komuniste që tashmë e kanë shpërngulur vullnetarisht detyrën të derdhin zeher.

Ata u ngjajnë vërtet një rejë të zezë mizash zukatëse që pështyjnë në çdo gjellë që kanë përpara dhe ndotnin gjithçka. U habita pa masë me të vetmin pseudonim (“sol-nox”) që bënte i vetëm thirrje për arsye e vetëpërmbajtje duke gjykuar: “Si mund të denigrohet kështu një njeri, krijimtarinë dhe formimin e të cilit nuk e njihni?”.

Sa për kuriozitet, më i zellshmi ndër peshqit pa ujë ishte njëfarë “11 September”. Kolosale! Ky, nga 122 faqe forum kundër meje, zinte masën 80%. Injoranca e thellë në lidhje me çështjen e rishkrimit të letërsisë që ngrija unë në atë artikull, që shndërruar në garë rekrutimi dhe shtrëngimi radhësh për të mbrojtur kauzën e kuqe.

Ajo që të bën përshtypje në pikëpamjen e dukurisë, është fakti se sa larg debatit jemi kur shtrohen çështje të nxehta që shqetësojnë sot shoqërinë tonë; me çfarë paragjykimi dhe dritëshkurtësie reduktohen vulgarisht dhe kthehen në anatemë çështjet e shtruara me kurajë e kthjelltësi; se si shndërrohen këto diskurse në gjyqe masive, partizane apo popullore.

A nuk është e trishtueshme që këto mbetje të diktaturës, kjo trashëgimi e gërbulur e “njeriut të ri” na ngatërrohet ende nëpër këmbë?
Një gjë dihet: komunistëve (aq më pak bijve të tyre) nuk ua mbush dot mendjen me asnjë argument.

Sepse ata, siç është vënë re e studiuar nga psikologët (jo komunistë), kanë një cilësi: mund t’u flasësh sa të duash – nuk të dëgjojnë. Përkundrazi, truri i tyre funksionon si një kompakt-disk që xhiron e vërtitet pandërprerë duke dëgjuar vetëm veten.

Më lart bëmë një krahasim me Hadin. Edhe këta bij, bija, mesoburra, gra dërdënge apo pleq trutharë janë hijet e këtij hadi zhurmërues më “gërr-mërre” patësosur. Madje tani, në shëmbëlltyrën e këtyre lakuriqëve të verbër përfton dimensionin e vet real diktatura.

Për çfarë janë krenarë këta bij sigurimsash e sekretarësh partie? Për faktin se kur anembanë Shqipërisë rriteshin fëmijë të varfër, të privuar, të internuar, jetimë me baballarë në burgje apo në internime, ata paskan kaluar një fëmijëri rozë, me përkëdhelira, nën “Dorën e ngrohtë” të Partisë? Për këtë qenkan krenarë? Për faktin se kur fëmijët anembanë Shqipërisë mezi mbijetonin, pa gëzime e argëtime, ndërsa ata e kishin të ardhmen të garantuar nga zelli shpifarak i prindërve të tyre? Si nuk u ka shkuar ndërmend që ushqimi, veshmbathja dhe lodrat që u sillnin baballarët e tyre ishte i skuqur me blanat e gjakut të pafajshëm të atyre njerëzve që i merrnin më qafë po prindërit e tyre? Mendjet dhe ndjeshmëritë normale reflektojnë, distancohen.

Por jo peshqit! Sepse nuk mund të mendohet ndryshe, mjaft t’i bësh një autopsi hijes së ferrit me pseudonimin “11 September” kur u bën thirrje në forumin e peshqve: “Kush i ka lexuar këto libra (me përjashtim të atyre të I.K): 1. Fronti i heshtun; 2. E fshehta e paqetes Porti; 3. Hapa te matur; 4.Takim apo duel; 5.Veprimtaria armiqesore e klerit katolik shqiptar; 6.Gezhoja e vjeter; 7.

Ne gjurme të të tretit; 8.Zbulimi; 9.Rrezja e padukshme; 10.Belxhiku që këndonte vençe”.
E qartë më në fund: ajo me të cilën njerëzit me mendje të shëndoshë turpërohen, këta hije të hadit i bën të krenohen. Janë të gjithë libra të persekutimit dhe gjenocidit komunist shqiptar, të shkruar nga njerëzit më gjakësorë që ka patur ndonjëherë Sigurimi i Shtetit në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Këtu inteligjencës terroriste të 11 shtatorit i dalin veshët nga torba. Më thuaj çfarë lexon, të të them çfarë mendje, estetike dhe etike ke. Tmerr! Katastrofë personaliteti që kutërbon. Duhet thjesht një veprim për të përmbajtur të vjellët: një kapak pusete! Atë i rekomandoj dhe lexuesit tim fisnik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora