E hene, 18.11.2019, 02:51 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Orinda Huta, I’m a big, big girl

E merkure, 12.04.2006, 02:51 AM


Nuk mund të quhet më “baby” i skenës. Sepse Orinda Huta ka marrë pamjen e një zonjushe seksi që i këndon trupit. Dhe nuk ngurron të nxjerrë shpirtin prej ekzibicionisteje të lindur. Eshtë e bindur se kështu funksionon mjaft mirë. Jo vetëm në skenë...

Nga ajo vajza e vogël që përkëdhelej në skenë ndërsa këndonte “Të dua, të dua, të dua...”, tani fare pak ka mbetur. Ledhat janë po ato, ndërsa pamja prej fëmije është zhdukur përgjithmonë, përveç buzëqeshjes dhe syve të qelqtë... Vajza e vogël, “baby” i “Këngës magjike”, Orinda Huta, është rritur dhe ka marrë një pamje mjaft “sexy”. E ndërgjegjshme për bukurinë e saj fizike, veç veshjes së skenës gjithmonë e më provokuese, ajo ka ndryshuar edhe stilin e të kënduarit. Në vend të teksteve të dashurive të adoleshentëve, tani ajo këndon “harrova trupin tim ta prek, ta ndjej....”. Sepse Orinda është rritur me të vërtetë. Aq sa të guxojë t’i shfaqë hiret e saj gjithmonë edhe më shumë, të shfaqë sensualitetin e vet, të eksperimentojë me veshjet ngjyrë mishi, të nxjerrë reçipetat në skenë.... “Jo, jo, ideja e stilistes Rezarta Skifteri nuk ishte të dilnin reçipetat”, - rrëfen Orinda. -“Ai ishte thjesht një incident i vogël që nuk më shqetesoi. Ngritja e fustanit para kamerave do të kishte qenë një gjest aspak skenik dhe i pahijshëm. Megjithatë nuk mund ta mohoj që e kam njëfarë shpirti ekzibicionist, që nuk e fsheh. Dhe trupin më pëlqen ta trajtoj me shumë dashuri”. Më të njëjtën dashuri me të cilën ka kënduar hitin e saj më të fundit “Harrova të marr frymë”. Ndërsa fansat e vet vijojnë t’i këndojnë teksa e shohin në rrugë “Të dua, të dua, të dua...dhe ti e di mirë ", këngën e saj të parë. E ngacmojnë me shikime kureshtare, ndërsa ajo u dhuron buzëqeshjen e saj karakteristike, duke e ditur mirë se pikërisht tek ajo buzëqeshje qëndron çelesi i suksesit të saj. Prej tyre u ngacmuan teleshikesit dhe publiku i Pallatit të Kongresve në netët e "Këngës Magjike". Aq sa 16-vjeçarja Orinda Huta ishte ndër të paktat këngëtare që u kthye tre herë në skenë, për të respektuar duartoktijet që nuk kishin të sosur. Pastaj, në natën finale, juria do ta vlerësonte me çmimin "Kënga Hit". Ajo natë do t'i dukej si një ëndërr, që do të mbaronte shpejt nëse kënaqësinë e suksesit të papritur nuk do ta ndjente dhe të nesërmen në zgjim, në nisjen e një dite ndryshe. Për të dhënë intervista, autografe e për të pranuar ofertat për koncerte të tjera. Pas atij mëngjesi do të ndihej mjaft mirë kur nisën ta thërrsinin "sëeet baby" dhe kur ajo llastohej më shumë se ç’e kishte pasur zakon. Ndërsa pas asaj natës tek "Kënga magjike" do të kënaqej që do të ngjitej sërish në skenën e Pallatit të Kongresve. E pamungueshme në edicionet e festivalit të saj të fatit “Kënga Magjike” dhe në të gjitha koncertet e tjera me këngëtarët më të suksesshëm të momentit. Orinda është gjithmonë e pranishme.

E megjithatë ajo nuk ka se si të mjaftohet vetëm me daljet e herëpashershme në publik. Nuk ka se si të mjaftohet vetëm me dy-tre hite. “Jam duke punuar shumë, por pa vrapuar për albumin tim të parë”,- rrëfen Orinda. –“Nuk ka kaluar shumë kohë që nga përfundimi i koncertit “Të dua”, ku u promovua albumi i Energy Records “Dedikuar ty”. Në këtë album bën pjesë dhe kënga “Nuk mundem pa ty”, e cila do të jetë e përfshire në albumin tim. Ky album është dhe angazhimi im kryesor në këtë periudhë. Duke mos lënë aspak mënjanë dhe përgatitjet për të vazhduar studimet e larta”. Kur vjen puna tek dalja e një albumi të saj dhe vetëm të saj, Orindës i pëlqen që të mos i marrë punët me nxitim. Tashmë albumi është thuajse në përfundim dhe ajo çka e pengon daljen e tij është thjesht koha e përshtatshme për t’u hedhur në treg. “Gjithashtu kam dëshirë t’i shtoj disa veçanti më tepër këtij albumi…”, tregon Orinda, e kënaqur që aty brenda do të përfshihet kënga e preferuar e saj, ajo këngë të cilën Orinda e konsideron si më të bukurën që ka kënduar ndonjëherë, por që është ende e panjohur. Kjo është shija e saj. Kurse sa i takon shijes së të tjerëve për repertorin e saj, Orinda është e sigurt se “nga këngët e njohura për publikun është “Harrova të marr frymë”, realizuar nga Andy DJ. Për publikun? Nuk ka nevojë të mendohem shumë. “Tani e di”....”. Ndoshta pëlqehet më shumë sepse ishte kënga e saj e parë. Sepse Flori Mumajesi, kompozitori i këngës, kishte ditur të bënte më të mirën për shfaqjen e saj të parë në një festival. "Prej ndihmës së tij unë arrita të futem tek "Kënga magjike" e të merrja këtë sukses. Eshtë e vërtetë që kisha marrë pjesë më parë tek spektakli veror i Vera Grabockës "Kërkohet një yll", pas së cilës fitova të drejtën për të qenë tek "Kënga magjike". Por nuk qe aq e thjeshtë sa dukej. Që nga ajo natë vere, kur unë dola fituese, nisa të ëndërroja për skenën e festivalit. Nuk kisha paratë e mjaftueshme për të realizuar këngën me të cilen do të konkurroja. Iu drejtova prindërve, por ata nuk kishin mundësi që ta financonin. Kështu që i humba shpresat. Mendova se aty do të mbaronte gjithçka". Orinda e kishte shfryrë këtë shqetesim tek miku i saj i ri, Flori, të cilin e njohu tek "Kërkohet një yll". Dhe ai nuk ta kishte lënë të qante gjatë - "Ishim në tarracën e Pallatit të Kultures kur ai nisi të më këndonte me zë të ulët këngën e tij të re. Kur mbaroi më tha: “Këtë do ta këndosh ti. Për paratë nuk ka problem”. Një ditë më pas më propozoi dhe disa këngë të tjera, por une e kisha vendosur se do këndoja të parën." Për të parën herë atë këngë e interpretoi në spektaklin "Rokoko", pastaj pritja deri në hapjen e festivalit i ishte dukur e tmerrshme. “Në fillim më mjaftonte vetëm të isha në atë festival. Pastaj, kur kënga u prit mirë dhe kur shumë të tjerë më thoshin se ishte një mrekulli, nisa të shpresoj që të isha dhe në natën finale." Arriti të jetë në atë finale, pas së cilës do të ndjehej shumë më e rritur, në moshë, në trup e në vlera. E kishet kapërcyer kohën sa hap e mbyll sytë. Fëmijëria kishte mbetur shumë larg. Çdo gjë që kishte ndodhur atëherë i përkiste viteve të kahershme. Edhe ato ditët kur priste me padurim të dielat, që të shkonte në kishën ungjillore për të kënduar lutjet: “Ty të kam forcë në dobësi, ty të kërkoj thesari im, i gjithi në gjithçka je ti...”.
E para këngë e kënduar prej saj. Jo në një skenë festivali, por në një ndër aktivitetet e kishës, ndërsa ishte veç 6 vjeç. Po aq të kahershme do t’i dukeshin edhe ato ditët kur pozonte para paqyrës duke kënduar, apo kur këndonte në festivalet e fëmijëve. Ama një ditë tjetër i dukej se kishte ndodhur vetëm një çast më parë: dita kur u paraqit tek Vera Grabocka për "Kërkohet një yll", Që aty kishte nisur fati i mbarë. "E ndjeva këtë që kur Grabocka më pa dhe më pyeti për sytë nëse i kisha të mitë apo kisha vënë lente. Unë i thashë se ato ishin ngjyra ime origjinale. Më ngrohu ajo bisedë dhe u ndjeva më e sigurtë, edhe pse grupi i punës kishte menduar se unë do të konkurroja për topmodele dhe jo për të kënduar". Orinda tregon se ishin përpjekur t'ia mbushnin mendjen që të prezantohej dhe si top-modele, që të mund të hynte më pas edhe në spektaklin e bukurisë "Miss Albania 2003". Por jo! Orinda nuk e kishte bukurinë për ta shitur në pasarela, por për veten e saj, ndërsa do këndonte..."Dua të të puth çdo mbrëmje deri në mëngjes".

E megjithëse nuk konkurroi për modele, por zgjodhi rrugën e këngës, Orinda është e vetëdijshme që në suksesin e saj ka rolin e vet edhe look-u i saj. Prandaj nëse pyetet se ç’marrëdhënie ka me “look”-un ajo përgjigjet pa ngurruar: “Me look-un? Takohemi dy herë në ditë minimumi, dhe jemi tmerrësisht të dashuruar me njëri-tjetrin...
Të qenit e bukur është një bekim nga Zoti dhe sigurisht që unë do të pranoja çdo bekim të tij…”. Vajza që dikur këndonte në kishë nuk e ka harruar, vijon t’i drejtohet sërish Zotit dhe t’i jetë mirënjohëse për gjithçka që ka arritur deri më tani. Edhe për të qenit e famshme. “Ndoshta fjala “e famshme” është pak e ekzagjeruar, por e njohur po, dhe të jesh e njohur që në moshën 15-vjeçare, ka qenë një dhuratë nga Zoti im, një dhuratë të cilën ia kisha kërkuar shumë kohë më parë. Këtë dhuratë Ai vendosi të ma jepte me vonesë, por në çastin e duhur. Frikë nuk kam nga asgjë veç Atij që më dha këtë dhuratë…”. Një dhuratë që e vë në qendër të vëmendjes. Dhe që mbart me vete rriskun që i sjell çdokujt të qenit i njohur, ajo mund të bëhet objekt thashethemesh, të tjerët mund të merren me jetën e saj private. “Mes meje dhe thashethemeve është një marrëdhënie sa interesante, aq dhe e çuditshme. Ato më duan shumë, ndërsa unë shpesh qesh me to…”. Mbi të gjitha, ajo që e bën më shumë për të qeshur është diskutimi që të tjerët ende bëjnë për sytë, i ka të sajat apo jo…??? “Se si janë njerezit herë pas here… Kanë një tendence të mos besojnë që këto sy i kam kështu që në lindje. Ndërsa thashethemet që kanë të bëjnë me jetën time private janë një punë e tipit “part-time”, të atyre që nuk kanë me çfarë ta mbushin jetën e tyre. Nga ana tjetër, them me vete: a nuk do mërzitesha pa këto dreq thashetheme herë pas here?!” Ndonëse nuk është më “baby”, por po merr dalëngadalë pamjen e një “famme fatale”, është paksa e vogël për ta marrë gjithçka në mënyrë kaq sportive. Sikur të kishte eksperiencë dhjetëravjeçare në skenë... Por ja që ajo kështu është gatuar, ta jetojë gjithçka si shaka. Ta marrë si të tillë pyetjen nëse do të pozonte ndonjëherë nudo: “Eshtë hera e parë që më drejtohet kjo pyetje. Me sa duket, shumë pak fillova të “zbulohem” në skenë, dhe dikush ka filluar të imagjinojë anën time të pazbuluar ende! Megjithatë, nuk e di nëse do ta beja. Tani mendoj se jo. Por nëse këtë do të ma kërkonte një piktor apo fotograf me famë nderkombëtare, do ta mendoja dy herë…”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT