E premte, 26.04.2024, 08:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabri Hamiti: Misionari i rebeluar, At Zef Pllumi

E hene, 29.09.2008, 05:36 PM


At Zef Pllumi
Misionari i rebeluar, At Zef Pllumi

Nga Sabri Hamiti

Misionari “Rrno vetëm për me tregue”, titulli i veprës së At Zef Pllumit është titull ...universal dhe tragjik njëherësh. Misionari duhet ta paguajë detyrën me jetë. Trajta e titullit është një frazë në mënyrën urdhërore, që nënkupton dy veta (Unë e Ti), të cilat e ndërrojnë pozicionin për të ndërtuar marrëveshjen, pajtimin. Mirëpo fjala vetëm në këtë formulim e shpie kërkesën deri në skaj, duke e vënë jetën në zgripc dhe në provë të përhershme. Pra flijimi bëhet që në fillim kur jeta matet vetëm me misionin. Ky përkushtim e përbetim e ka përcaktuar gjithmonë jetën e At Zef Pllumit, si dëshmitar misionar e si shkrimtar, kurse libri i tij përmban gjithë gramatikën e këtij përkushtimi. Nuk ka përkushtim më të vështirë, sesa shkrimi i detyrueshëm, sidomos për të dëshmuar tragjedinë njerëzore. Ngase vepra “Rrno vetëm për me tregue” e ka në brendësi farën tragjike, që nga nisja deri në fund, për aq sa është shkrim i jetës që duhet të bëhet i barabartë me jetën, në ndeshje të përhershme me vdekjen.
Roli i misionarit është i vështirë, sepse duhet të përmbush universalen, duke e ruajtur të paprishur personalen, gjithnjë duke ruajtur e kultivuar njerëzoren në vallen e çmendur të dhunës e bestialitetit (egërsisë).
Në rrethana të këtilla At Zef Pllumi ka arritur të jetë misionar dhe autor. Një detyrë tepër e rëndë.

2. Analiza e titujve - Vepra monumentale e At Zef Pllumit ka tre libra: “Libri i kujtimeve”(1995), “Liria mes dy burgimeve” (1997) dhe “Robnia e gjatë” (2001). Nëse titulli i parë jep llojin e tekstit, dy titujt e tjerë japin situatat ekstreme jetësore, që zgjasin në kohë. Mirëpo tri kryefjalët e tri vëllimeve: Libri, Liria e Robnia sugjerojnë e tregojnë, që libri shkruhet për lirinë e robërinë jo më si koncepte universale, por si shenja të jetës konkrete, madje personale.
Të imagjinohet, mandej të shkruhet, liria në robëri, është një mision që e prodhon dhembjen pa kufi.
3. Letërsia e dëshmisë - Shkrimi i kujtimeve si shkrim autobiografik nënkupton seleksionimin (shkruhet ajo që mbahet mend). Kjo dhe nënkupton distancën në shkrim. Shkrimi i dëshmisë nuk e pranon seleksionimin dhe shkruhet pa distancë, duke nënkuptuar të vërtetën dhe moralin aq më tepër kur misionari shkrimtar është pjesëmarrës dhe dëshmitar. Kjo e bën të vështirë situatën e shkruesit që kalon nëpër tri shkallë. Shkalla e parë është jetesa dhe mbijetesa e ferrit (Rrno vetëm për me tregue). Shkalla e dytë është përjetimi dhe rijetimi (si kujtesë). Shkalla e tretë është zija e shkrimit, që mbështetet në mbijetesë e në rikujtim për të dhënë dëshminë në trajtën e besueshme, bashkë me efektin e reales. Këto faza (situata) kanë peshën shkatërrimtare të subjektit shkrues, që duhet të matet me vetveten në çdo fjalë e në çdo frazë. Këtu nuk ka të bëhet me lojën e kuptimeve, po me lojën e shpirtit, për të sprovuar edhe njëherë qëndresën.

4. Funksionet e diskurseve - Letërsia dokumentare ka parasysh gjithnjë të ndodhurën dhe shkrimin që mund të jenë të njëkohshme apo të diferencuara me kohë. Kur janë të njëkohshme shkrimi del si dëftim, kur diferencohen në kohë shkrimi del si tregim. Ne nuk dimë nëse At Zef Pllumi ka pasur mundësi të mbajë shënime në burgjet dhe llogoret e diktaturës. Po njohim një diferencim diskursesh madje një funksionalizim të fortë të diferencimeve në veprën e tij “Rrno për me tregue”.
Shkrimi i tij në sa kaptina merr trajtën e tregimit për të ndodhurën në të shkuarën, që të arrijë shkallën e krijimit artistik në mënyrë të veçantë në përshkrimet e njerëzve apo të ambienteve. Tjetër herë shkrimi i tij bëhet dëftues e paraqitës duke ruajtur dramacitetin e të ndodhurës pa distancë, që merr trajtën e dialogut. Në raste të tjera diskursi i tij bëhet personal (qoftë si përjetim apo gjykim) për të bërë portrete të njerëzve (fizike e morale). Edhe më shpesh At zef Pllumi bën komente që dalin nga situatat konkrete jetësore e shkojnë përtej tyre në kohë e në hapësirë duke ngritur një teknologji të sprovimit me teza e antiteza. Pra, autori ynë nuk mjaftohet me tregim e dëshmi; ai zhvillon ide duke mos harruar asnjëherë të artikulojë qëndrimin e vet.
Në këtë mënyrë shkruesi zbulon unin e vet personal, unin e vet social e unin e vet cogitos. Për pasojë teksti i veprës së tij merr karaktere të ndryshme nëpërmjet funksionimit të diskurseve. Prandaj shpesh duke diferencuar kohën e ndodhjes nga koha e shkrimit, madje me shenja tekstore (tash do të thuhej kështu; kanë kalue shumë vite) kalon në kohën e përjetshme për të artikuluar të vërteta universale. Ketë herë teksti merr trajtat e formulimeve të përgjithshme (pleqnia është sëmundje e pashërueshme).

5. Doktrina e dashurisë - At Zef Pllumi e shqipton qëndresën si doktrinë të flijimit françeskan për të tjerët, që do ta dëshmojë në çdo rast. Po ashtu, doktrina e krishterë si doktrinë e dashurisë provohet në çdo faqe të librit e shtjelluar apo e sinjifikuar në situata ekstreme apo në situata të rëndomta dhe kështu artikulohet misioni i tij doktrinar. Kjo ngjet qoftë kur sprovohet vet qoftë kur e provon ungjillëzimin elementar të një personi, që ende nuk beson qoftë kur zhvillon diskurse të racionalizuara për vlerat humane të doktrinës së tij të krishterë. Mirëpo sprovimi i doktrinës së tij më i madhi është në ndeshjen dramatike të dashurisë njerëzore me dhunën njerëzore, të para në rrethana konkrete e në ngjarje të përjetuara për të përforcuar qëndrimin.
Kjo formulë dalëngadalë merr pamjen e formulës universale të rindërtuar me jetë a vdekje për të arritur tek koncepti i ringjalljes si fondament i doktrinës së krishterë. Duke ballafaquar jetën e vdekjen e në mes të tyre moralin ai ripërkufizon konceptin e flijimit, martirizimit, tanimë si garant të mbijetesës e të shpëtimit të shpirtit njerëzor. Dhe vetë Pllumi bëhet një shembull i ri i këtij fenomeni.

6. Logorografia - “Rrno vetëm për me tregue” është një libër për burgun e llogorit, që shpalon faqen e fshehur të diktaturës komuniste shqiptare. E ushqyer nga disidenca doktrinare, që ia kundërvë dashurinë dhunës, nga disidenca politike që ia kundërvë lirinë robërisë, vepra bëhet një libër i dëshmisë dhe i besimit. Kjo është një kryevepër e llojit në letërsinë shqipe dhe një vepër me rëndësi të përbotshme në fushën logorografisë. Arsyeja është e dyfishtë sepse në një anë dëshmon gjithë egërsinë e sistemit të vënë mbi individin kurse në anën tjetër paraqet ndeshjen vdekjeprurëse ndërmjet materializimit dhe idealizmit në botën njerëzore. Pra ndeshja është lëndore e shpirtërore. Vlera e saj rritet aq për dashurinë, për njohjen dhe për mësimin.

7. Jeta e vdekja: mbijetesa - Libri i Zef Pllumit e përshkruan njeriun në situata ekstreme, atëherë kur ai zbret në egërsi (bestialitet) dhe kur sojin e vet e kthen në “kafshë të punës”. Kjo është një teknologji e rëndë e shfrytëzimit të njeriut. Dhembja është e tmerrshme, sepse nuk prek vetëm një shtresë, por një komb, një vend, edhe më tragjikisht ngase çrregullimi është i brendshëm. Duke treguar e përshkruar situata e pamje skëterrike autori shtron pyetje fundamentale: A ka rrezik që njeriu duke u munduar të mbijetojë, pra, duke shpëtuar trupin a do ta humb shpirtin?
Dhe çka nëse kjo nuk është rast për individin, por dukuri për kolektivin? Zef Pllumi mbijetesën e shpëtimin e sheh vetëm si kthim te fytyra, identiteti.

8. Gega i fundit - Kam kujtuar që vepra e fundme e madhe në gegnisht po mbetej romani i Anton Pashkut (1971) duke pasur ndërmend edhe Martin Camajn, por ai ishte jashtë. At Zef Pllumi kthehet në letërsinë shqipe për të dëshmuar gegnishten në një vepër të madhe për t’u shfaqur si gega i fundit jo vetëm në kuptimin shkrimor. Kam parasysh koncepcionin e tij për gjuhën, jo vetëm si mjet komunikimi por më parë si identitet, sidomos një shkrimtari. Ai nuk e shkruan gjuhën amtare, por gjuhën e nanës. Termi nuk prek vetëm gjenezën, por edhe zhargonin e autenticitetit: nga fjalori në forma e në sintaksë për të dëshmuar një identitet gjuhësor. Diferencimi i tij në shkrim shkon deri në përmasa të ndeshjes ideologjike. Në proceset e montuara viktimat flasin gegnisht, kurse prokurorët e ndjekësit flasin toskërisht.
Në mënyrë implicite At Zef Pllumi e shtron çështjen e moralitetit të fjalës duke u pas marrë me kujtesën e motivimin e saj, që në komunikim e sidomos në shkrimtari, e bartin një kulturë si traditë dhe një shtresë si motivim personal.
Më në fund gjuha në veprën “Rrno për me tregue”, lidhet me stilin e me njeriun. Autori shkruan ashtu si flet, duke forcuar identitetin e vet, që mund të jetë njëra nga vlerat më të identifikueshme të veprës së tij. Edhe në këtë vështrim ky libër është një pasuri e shqipes së shkruar (Pse të shpjegohet maza e tamlit si krem i qumështit)

9. Rebelimi - At Zef Pllumi e pranon rolin e misionarit, por kthehet në misionar të rebeluar. Rebelimi i tij fundamental në veprën “Rrno për me tregue”, është rebelim kundër harresës. Nëse mund të falet diçka asgjë nuk duhet të harrohet. Misionari katolik do të bëhet misionar katolik shqiptar, duke artikuluar autenticitetin si kulturë e si domosdoshmëri: pra, rebelimi ishte i njeriut që grindej me normën duke u bërë personal. Rebelimi i tij shkon deri në skaj kundër shkeljes së lirisë së njeriut dhe kundër diktaturës në çfarëdo forme të shfaqet ajo: si shtypje e rëndë apo e sofistikuar në trajtën e dominimit. Vetë mund të dëshmoj se në një takim që po bënim dymbëdhjetë shqiptarë në Shkodër më 1996 duke biseduar për përvjetorin e Fishtës, flitej italisht, sepse provinciali i trembëdhjeti ishte italian. Këtë herë u rebelova vetë: Flitni shqip le të përkthejë një njeri. At Zef Pllumi këtë e priti me buzëqeshje dhe më shoqëroi në hotel duke përsëritur. Mirë na e bane.
Po dhjetë vite më vonë spikeri i një televizioni shqiptar titullin e veprës së At Zef Pllumit e shqiptonte (lexonte) publikisht: Rrëno vetëm për me tregue, duke përmbysur kuptimin e filozofinë e një vepre të madhe. Jo rrëno!, po rrno!
At Zef Pllumi, kudo e kurdo ishte disident dhe asnjëherë defetist, sidomos jo në veprën e vet jetësore “Rrno vetëm për me tregue”. Pllumi ishte një e duhet të lexohet i tillë.
Po të më lejonte të bëja një lojë të vogël me titullin atëherë do të thosha: Trego vetëm për me rrnue. Përgjithmonë. Për jetë të jetëve.

Fjala e Ministrit Provincial të Provincës Françeskane të Shkodrës, mbajtur në Konferencën shkencore “At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë”, bashkorganizuar nga Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora