E premte, 19.04.2024, 10:28 PM (GMT+1)

Faleminderit

At Zef Pllumi, kleriku që i rezistoi regjimit komunist

E enjte, 25.09.2008, 06:16 PM


At Zef Pllumi
Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Nderohet figura e klerikut, shkrimtarit dhe historianit

Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, dje u zhvillua në sallën e Muzeut Kombëtar në Tiranë, konferenca "At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë". Konferenca u organizua nga Provinca Françeskane Shqiptare "Zonja Nunçiatë", Instituti i Kërkimeve Politike "Alcide De Gasperi", Universiteti i Tiranës dhe "Qendra e Studimeve Albanologjike". Për të nderuar figurën e klerikut, shkrimtarit dhe historianit, ishin mbledhur studiues, historianë dhe mjaft të ftuar të tjerë. Mes të pranishmëve të shumtë ndodheshin edhe dy njohëse të mira të veprës së At Zef Pllumit. Dy shtetase të huaja, që e kanë përcjellë veprën e tij "Rrno vetëm për me tregue" edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Moderatori i konferencës, Prof. Dr. Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës e cilësoi At Zef Pllumin si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore që i rezistoi regjimit komunist. Ndërsa, studiuesi i njohur nga Kosova, Prof. Dr. Sabri Hamiti, gjatë fjalës së tij trajtoi idenë mesazhin e veprës së atit të shquar françeskan. Ndër të tjera ai theksoi se, "misionari duhet ta paguajë detyrën me jetë", duke aluduar kështu për të gjithë kalvarin e vuajtjeve të At Zef Pllumbit dhe misionarëve të tjerë katolikë gjatë regjimit monist. Përkushtimi dhe përbetimi ndaj besimit, theksoi profesor Hamiti, ka përcaktuar gjithmonë jetën e Zef Pllumit si shkrimtar misionar, kurse libri i tij përmban gjithë dramatikën e këtij përkushtimi. Duke u thelluar më tej në rolin e At Zef Pllumit si misionar dhe përcjellës i mesazheve hyjnore, ai theksoi ndër të tjera se, Ati françeskan ia arriti këtij synimi, duke ruajtur e kultivuar njerëzoren në vallen e çmendur të dhunës e bestialitetit. Ai e ndau veprën monumentale të fratit françeskan "Rrno vetëm për me tregue" në tre shkallë, ku e para perceptohet prej tij si jetesa dhe mbijetesa ndaj ferrit (komunist). Shkalla e dytë cilësohet përjetimi dhe rijetimi si kujtesë e asaj çka ndodhi, ndërsa shkalla e tretë është: zija e shkrimit që mbështetet në mbijetesë e në rikujtim për të dhënë dëshminë në trajtën më të besueshme e bashkë me të, efektin e reales. Më poshtë ai në mënyrë eksplicite, nxorri në pah synimin e librit të Zef Pllumit, ku njeriu përshkruhet në situata ekstreme, atëherë kur ai zbret në egërsi dhe kur sojin e vet e kthen në "kafshë të punës". Si përfundim At Zef Pllumi në analizën e kritikut të njohur kosovar e pranon rolin e misionarit, por kthehet në misionar të rebeluar. Rebelimi i tij fondamental në veprën "Rrno vetëm për me tregue" është rebelim kundër harresës, por gjithsesi mesazhi zgjerohet edhe më tej, duke bërë thirrje për falje, por jo për harresë.

Në fjalën e tij, ati françeskan Gazmend Tinaj, përfaqësues i Provincës Françeskane Shqiptare, theksoi në referatin e tij me temë "Të humbësh për të fituar" se për pesëdhjetë vjet, lufta u zhvillue e pamëshirshme ndërmjet djallit e Zotit, Krisht… Urtia më e madhe në konceptin e At Zefit, theksoi Gazmend Tinaj, nuk ishte si të evitonte, apo t`u ikte torturave, problemeve të jetës, si çdokush bën në ditët e sotme, por të pranonte me dashuri atë çka zgjedhja e jetës së tij përmbante dhe nënkuptonte. Ai solli amanetin e At Zefit, i cili mund të konceptohet si testamenti i tij shpirtëror. Duke iu drejtuar apostujve të tij, ai shprehet në një letër shumë qartë mbi ruajtjen të pastër të kujtimit mbi vendet ku ai kishte shkelur e kujtuar, të cilat më vonë u kthyen në vende persekutimi të të pafajshmëve, me fjalët: Ruejne me kujdes këtë vend e shtëpi t'shenjtë! Rueni kujtimet e atyne që kjenë këtu përpara jush! Ata kjenë që i prinë këtij populli të mjerë me dritën e fesë e të përparimit, e ju rueni sot e mbrapa jo vetëm gjurmët e tyne, por edhe shpirtin e tyne!

Ndërsa publicisti Fari Balliu u ndal tek marrëdhënia e At Zef Pllumit me median. "Është mjaft interesante sepse ai nuk iu afrua medias, por media iu afrua atij dhe pati nevojë për të. Por kemi rastin më tipik se është media me anën e saj të dukshme dhë të padukshme që e ndjell personazhin për shkak të vlerave të tij domosdoshmërisht të qenësishme të zhvillimeve politike dhe historike në Shqipëri", tha ai.

Më pas, fjalën e morën dy përkthyeset e veprës monumentale të At Zef Pllumit, në frëngjisht dhe në anglisht, përkatësisht, Prof. émérite Odile Daniel dhe Kate Schank. Në fjalën e saj, përkthyesja franceze, znj. Daniel, theksoi që në fillim se në personalitetin e At Zef Pllumit u mishërua gjithë kujtesa e Shqipërisë dhe vlerat që përbejnë madhështinë e këtij vendi… kjo vepër e madhe - theksoi ajo - dallohet mbi të gjitha për vërtetësinë. At Zef Pllumi nuk kërkoi të lëvdonte veten, por të dëshmonte, duke vënë në zbatim fjalët e superiorit At Martin Sirdanit ne kapitullin "Në gërmadhat e kishës" kur ai tha: "Rrno vetëm për me tregue". "Detyra për të kallëzuar vitet e gjakut dhe tmerrit, të cilat i përballoi me një guxim të paepun", ishte sipas njohëses dhe përkthyeses në frëngjisht të veprës së At Zef Pllumit, primare. Në fjalën e saj, ndërsa rrëfente mbi emocionet që përjetoi kur ra për herë të parë në kontakt me këtë libër, Prof. Daniel që kishte ardhur enkas nga Parisi, theksoi se libri i At Zef Pllumit nuk kufizohet vetëm në kallëzimin dhe dënimin e stalinizmit e krimeve të tij, por ky libër ngjall një interes të veçantë për njohjen e historisë së Shqipërisë e të kulturës së saj, veçanërisht në hapësirën frankofone. Zef Pllumi, vijoi ajo më tej, ka kryer një vepër rehabilitimi të historisë shqiptare. Ai ka çarë/grisur perden e mashtrimit të propagandës staliniste, duke treguar se në ç`mënyrë pushteti i asaj kohe kishte falsifikuar të shkuarën. Por një aspekt tejet interesant i veprës nën këndvështrimin e përkthyeses së saj në frëngjisht, është edhe nxjerrja në pah e vlerave tradicionale të humanizmit në shoqërinë shqiptare, ku më konkretisht shprehen përmes solidaritetit që At Zef Pllumi ndan me bashkëvuajtësit e tij në burgje apo në kampe riedukimi. Vlera të tjera që autori i librit mishëron në librin e tij, sipas saj, janë edhe ajo e besës dhe e qëndresës. Një vlerë e shtuar, e cila duket se ka lënë mbresa të forta te profesoresha franceze është edhe shpirti i humorit shkodran që ka mbetur i paprekur edhe përtej vuajtjeve të panumurta në shpirtin e At Zef Pllumit. Ndërkohë, përkthyesja e librit në gjuhën angleze, botuar në Amerikë, Kate Schank, u përqëndrua më shumë tek vlerat informative të librit të At Zef Pllumit, i cili në përmbajtjen e tij "iluminoi" mendjet në Perëndim e Amerikë mbi gjendjen e vërtetë që mbretëronte në Shqipëri, përsa i përket persekutimit ndaj fesë e mendimit të lirë.

Kush ishte At Zef Pllumi

At Zef Pllumi, i cili lindi në vitin 1924 në Malin e Rencit (Lezhë), përfaqëson një pasuri kulturore e njerëzore, një institucion që diti t'i rezistojë regjimeve dhe kohrave më të vështira. I konsideruar si ndërgjegja e një treve dhe historie të tërë, Ai, pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por besnik ndaj fjalës së zotit dhe bindjeve të tij, diti t'i mbijetojë për rreth tre dekadave burgjeve komuniste. I bugosur për herë të parë në moshën 22-vjeçare, At Zefi dëshmoi fitoren morale dhe njerëzore kundër një prej regjimeve më totalitare në Europën Lindore. Si i tillë, ai përfaqësoi disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane. Ishte viti 1956 kur shugurohet meshtar dhe për 12 vite shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh. Por në vitin 1967, arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme.

At Zef Pllumi, e tregoi jetën e tij me saktësi në kryeveprën e tij "Rrno për me tregue". Në faqet e këtij libri pasqyrohet ana e errët e sistemit komunist, e cila në fakt përbën ditarin e përditshmërisë së tij dhe që duhet njohur nga të gjithë. Ky dhe libra të tjerë të shkruar nga Zef Pllumi janë një pasuri e çmuar kulturore dhe dokumentare e memories sonë kombëtare. Forca e tij krijuese, morali dhe shpirti human i një njeriu, që jetën ia nënshtroi bindjes para fjalës së zotit, të vërtetës dhe luftës për vlerat e lirisë dhe të humanizmit, e bëjnë At Zef Pllumin një nga personalitetet më imponuese të kulturës shqiptare. I nxënë me dije në kolegjin françeskan të Shkodrës, ai pati si mësues personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Anton Arapi, At Gjon Shllaku. Me ardhjen e demokracisë ai rifilloi me devotshmërinë që e karakterizonte meshtarinë në kishën e Shna Nout në Tiranë (25 dhjetor 1990). Prej atëherë nuk pushoi dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje ka dalë dhe në vitin 2003. Janë gjithashtu këto vite, kohë e një veprimtarie krijuese për At Zefin. Ai shkroi dhe botoi trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhenj, Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje. Me gjithë moshën e thyer dhe vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, ai vazhdoi të punojë. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin 'Nderi i Kombit'. Po në vitin 2006, At Zef Pllumi mori çmimin letrar 'Penda e Artë' për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. At Zef Pllumit u nda nga jeta në moshën 83- vjeçare në mbrëmjen e 25 shtatorit 2007, në Romë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora