E premte, 26.04.2024, 09:34 AM (GMT+1)

Faleminderit

Cane Ramo: Dëshmori Niko Hoxha krenaria e aviacionit luftarak shqiptar

E enjte, 25.09.2008, 06:36 PM


Niko Hoxha
Dëshmori Niko Hoxha krenaria e aviacionit luftarak shqiptar

Nga Cane Ramo

Pasa një leksioni që mbajti komandanti i regjimentit të aviacionit të Rinasit, Niko Hoxha, në akademinë e Shtatmadhorisë, kishte programuar edhe një vizitë të akademisë në regjimentin e tij.

Mëngjesi i 20 nëntorit u gdhi tepër i mjegulluar. Retë e zeza e kishin mbuluar malin e Dajtit. Komandanti, për habinë e të gjithëve, dha urdhër që çifti i avionëve të dilte në pistë, në gatishmëri për luftim. Arritën akademistët. Komandanti u shpjegoi atyre të dhënat teknike dhe cilësitë luftarake të "Mig 19" dhe pastaj hipi vete në njërin prej tyre. Ai u ngrit nga pista si një pëllumb i bardhë, çau retë e dendura drejt qiellit. Pas pak minutash, befasisht kaloi fare ultazi, sa nuk preku çatitë e ndërtesave, duke lënë pas një zhurme trishtuese. Pastaj u ngrit sërish lart, duke mos kapërcyer retë bëri disa figura taktike, që rrallë pilotë në botë mund t'i bëjë. Ai e manovronte avionin siç manovron dallëndyshja. Ishte mjeshtër i manovrimit me avion supersonik dhe tepër i guximshëm. Herën e fundit ai bëri një pikiate pingule mbi pistë dhe iu afrua rënies, bishti i avionit i takoi në pistë. Avioni në çast mori flakë. Të gjithë akademistët, i gjithë efektivi i repartit, që kishin dalë dhe po shikonin me krenari komandantin e tyre, u lëshuan me vrap drejt avionit që digjej….zjarrfikëset dhe të gjitha mjetet e shpëtimit, i gjithë personeli inxhiniero- teknik vepruan me shpejtësi të madhe. E nxorën nga flakët trupin e tij pa jetë. Një gjëmë e madhe e pushtoi repartin dhe kjo gjëmë u përhap jo vetëm në repartet e aviacionit por në të gjithë ushtrinë. Kush nuk e njihte Niko Hoxhën, pilotin e famshëm, komandantin e shquar, krenaria e aviacionit luftarak shqiptar?

Ismail Kadare atëherë shkroi këto vargje:

Ti e deshe kaq shumë këtë tokë
Në stërvitje shpejt i aviteshe
Më të tmerrshëm shpejtësi!
Një ditë, kaq shumë
Në pikiatë iu afrove
Sa zgjati dorën dhe të mori në gji!

Niko Hoxha ishte nga Tragjasi, i datëlindjes 1 shkurt 1926, vazhdonte Normalen e Elbasanit. Por që në fillimet e para të luftës, e la shkollën dhe ngjeshi armët për liri.

E mbaj mend mirë, kur ai u kthye në Vlorë. Ishte viti 1942. Ishim bashkë në njësitet guerile dhe më pas në çetat territoriale. Më 3 qershor 1943 ishim pjesëtar të çetës së rinisë Gumenicë. Morëm pjesë në luftimet e zhvilluara në Malin e Bardhë, në Jonufër, në Drashovicë etj.

Me krijimin e Brigadës së Parë sulmuese, Nikos i ngarkuan detyrën e zëvendëskomisarit të Kompanisë më pas përgjegjës Rinie Batalioni. Kur kaluam në veri, në Kosovë dhe më tej, deri në sanxhak ai mbante detyrën e përgjegjësit të rinisë të Brigadës, duke shfaqur aftësitë e tij të veçanta, si në luftime, ashtu dhe në marrëdhënie me shokët, partizanët, luftëtarët e lirisë.

Pas çlirimit, Nikon e dërguan për studime në akademinë e aviacionit në Saratov të BS, që e kreu gjatë viteve 1945- 1948. më tej, nga vitet 1949- 1952, mbaroi studimet në Fakultetin e Komandimit të Forcave Ajrore të BS.

Pas mbarimit të shkollave për aviacionin, u kthye në atdhe dhe u emërua komandant i skuadriljes së parë luftarake shqiptare. Dhe përsëri e dërguan për specializim, për avionët reaktiv "Mig -15", në qytetin Grozni.

Në verë të vitit 1955 u emërua komandant i regjimentit të parë të aviacionit në Kuçovë.

Kam fluturuar njëherë me Nikon nga Kuçova në Tiranë, me "Jak -18".

Nga lart shikonim rrugën nga kishte kaluar Brigada e Pestë gjatë luftës. Në vitin 1962 Niko Hoxha u emërua komandant i regjimentit të Rinasit ku drejtori deri sa dha jetën në krye të detyrës.

Në vitin 1996 shpallet "Dëshmor i Atdheut", ndërsa Bashkia e Kuçovës e shpalli "Qytetar Nderi" të saj.

Sivjet, më 1 shkurt Niko Hoxha mbushi 80 vjetorin e lindjes dhe 40 vjetorin e rënies.

Na duket sikur e kemi të gjallë midis nesh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora