E premte, 26.04.2024, 01:43 AM (GMT+1)

Mendime

Flutura Açka: Gjysh, mos më ço në xhami!

E merkure, 13.07.2016, 08:25 PM


Gjysh, mos më ço në xhami!

Nga Flutura Açka

Kjo foto është bërë një nga mbrëmjet e ditëve të fundit, në një nga rrugicat e lagjes Kala të qytetit të Elbasanit, ku, në pritje të disa miqve të mi të huaj që fotografonin aty rrotull, ndesha me këtë fëmijë të vogël që i tërhiqte këmbët zvarrë dhe ankohej. Në respekt të privatësisë së tyre, i fotografova pas shpine, por ajo çfarë ndodhi para syve të mi, është një histori që nuk është edhe aq private. Dëgjova që fëmija iu ankua ketij burri dhe iu lut disa here që të mos shkonin në xhami, për ku mbase ishte nisur gjyshi a i afermi i tij, që nga mjekrra e gjatë dhe veshja, dukej një mysliman i tejdevotshëm (e drejtë e tij). Kur pa hezitimin e fëmijës, që mbase kishte pranuar të dilte me harenë e të gjithë fëmijëve kur dalin jashtë shtëpie, ai ndali dhe i tha: “Atëherë po të kthej në shtëpi!”. Fëmija kundërshtoi sërish dhe e tërhoqi burrin djathtas, aty ku është një park i mrekullueshëm lodrash (privat, natyrisht), por as kjo nuk e tundoi gjyshin e tij, as fakti se mu aty pranë është një godinë që ka shërbyer disa vite si Normalja e Elbasanit dhe që ka shkolluar breza mësuesish që kanë ndiçuar Shqipërinë (Natyrale) anembanë, nuk besoj se i thotë shumë këtij gjyshi. Minuta të tëra dhanë e morën mes tyre, fëmija duke u ankuar të mos e çonte në xhami dhe gjyshi që gati e tërhiqte zvarrë. Duke i parë tek zhyteshin në rrugicë, pyeta veten se në cilin rresht të Kuranit të shenjtë shkruhet që duhet t’i tërheqësh fëmijët kështu për në xhami? Dhe si mund të mbrohet ky fëmijë, dhe të tjerë si ai, që të mos imponohen çdo ditë? A mundet ndonjë mysliman i urtë të kthejë përgjigjje për këtë? A kanë komunitetet fetare në Shqipëri kontroll dhe rregulla mbi moshën e frekuentimit të kulteve fetare? Nëse nuk kanë ata, sepse mbase nuk u intereson, a ka shteti përgjegjësi edhe për këtë fëmijë, edhe për të tjerë si ai që mbushin sallat e kulteve tona fetare? Kushtimi ne fe, besoj, është një marrëdhënie personale me Zotin - e shenjtë, diskrete - por jo të gjithë e kuptojnë kështu. Madje më duket krejt e padrejtë dhe në kundërshtim me shenjtërinë e fesë dhe ritualeve, që në televizion të bëhet reklamë për muajin e Ramazanit mu rëndom si të bëhej për birrën, e madje më duket edhe më e pandershme që përfaqësues të shkolluar të religjioneve ekspozojnë fëmijët e tyre në television për të folur për bindjet e tyre dhe kënaqësitë që duhet të ndanë me bashkëmoshatarët e tyre në këtë akt sublim. Madje më duket antife që lutjet në Zot të ndahen me kompjutera, repetitorë e altoparlantë (që çdo vit u ngrihet zëri edhe më shumë!), shpikje këto të shkencës, duke ia cënuar shenjtërinë këtyre lutjeve. Ndaj, më duket e rrezikshme ethja për të futur fenë në shkolla, dhe ai ose ajo i-e pamend që do të firmosë ta bëjë këtë, duhet ndalur. Ndryshe, do të shohim përditë fëmijë që do të zvarriten për t’u imponuar të tjera lojëra nga ato që u duhen moshës së tyre, duke i çuar në dyer kultesh për t’i bërë me zor myslimanë, ortodoksë, katolikë a tjetërçka. T’i bëjmë më pare të shkolluar e te mencur, te dijshëm dhe të vetëdijshëm për zgjedhjet e pasforcuara të tyre në jetë.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora