E premte, 26.04.2024, 07:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Massimo Ranieri sjell “Traviata”, ekskluzivisht për Tiranën

E enjte, 24.05.2007, 11:40 PM


Premiera në TKOB në versionin modern, sukses i padiskutueshëm

Një "Traviatë" ndryshe, ekskluzivisht për Tiranën  solli këngëtarin dhe regjisorin e njohur italian, Massimo Ranieri.  Violeta e Verdit kësaj here erdhi tërësisht ndryshe, moderne, ku rrëfeu historinë e saj të dashurisë në skenën e magjishme të Teatri Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Me një melankoli të ëmbël, në kërkim të imazhit që regjisori i kishte caktuar dhe që la pa fjalë të pranishmit, sopranoja e famshme Etleva Golemi realizoi atë që Massimo Ranieri kishte konceptuar enkas për Shqipërinë.

Një shfaqje e suksesshme duhet të përcjellë emocione në të gjithë detajet e spektaklit. Premiera e “Traviatës”, u shfaq mbrëmjen e 12 majit me një sukses absolut në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si një bashkëpunim i këtij teatri me regjisorin dhe këngëtarin e njohur italian, Masimo Ranieri. Në praninë e një publiku të zgjedhur me aktorë të jetës politike dhe kulturore të vendit, ku duartrokitën interpretimin dinjitoz të Etleva Golemit në rolin e Violetës, Armoldo Kllogjerit, në rolin e Alfredos, tenorin e ri dhe të talentuar Erlind Zeraliu, në rolin e Zhermonit, Sidrid Bejleri në rolin e babait të Alfredos.

Me një nivel të lartë artistik, të dukshëm në krahasim me shfaqjet e kaluara të saj, kjo opera erdhi për publikun si një ansambël harmonik dhe origjinal, duke arritur të sjellë jetën dhe dashurinë e Violetës, por edhe fundin e saj tragjik në operën e shfaqur pothuajse në të gjitha skenat e botës dhe e cilësuar si një ndër operat më të dashura dhe më popullore për publikun. Publiku i kryeqytetit shqiptar ka përshëndetur me duartrokitje të ngrohta muzikën rrëqethëse të Verdit, e cila magjeps gjithkënd me delikatesën dhe kolorin e orkestrimit dhe me thjeshtësinë gjeniale që është përcjellë mjeshtërisht nga një kast këngëtarësh të talentuar, si mexosopranoja Vikena Kamenica, tenori Erlind Zeraliu, apo dhe nga personazhet kryesore të saj, Etleva Golemi dhe Armaldo Kllogjeri.

Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit virtuoz francezit, Andre Bernard ka sjellë për shikuesin një muzikë perfekte. Gërshetimi origjinal i muzikës me fjalët ishin shkrirë harmonikisht me mendjemprehtësi të thellë, duke depërtuar dhe në shpirtrat e personazheve, të cilët jepeshin plot jetë dhe në pajtim të plotë me veprën e kompozitorit. E pasur me gjetje të reja regjisoriale nga Massimo Ranieri, “Traviata” e këngëtarit të njohur italian duket se ka qenë një bashkëpunim i frytshëm. 

Sopranoja shqiptare Etleva Golemi e ka cilësuar  “shumë të suksesshëm dhe të veçantë bashkëpunimin më regjisorin Ranieri”. Ajo u shpreh se “ishte ndjerë shumë mirë gjatë punës më të, megjithëse ishte një regji shumë e vështirë për t’u realizuar”.  Ranieri, emri i vërtetë i të cilit është Giovanni Calone, duke iu përgjigjur interesimit të medias, u shpreh mëse entuziast për pjesëmarrjen e tij në këtë opera, duke thënë “se kishte qenë një punë shumë e mirëkuptimtë, ajo që kishte realizuar me artistët shqiptarë. “Secili prej tyre është një personalitet i formuar artistikë”,- ka vlerësuar Ranier, i cili njihet në Shqipëri sidomos nga brezi i viteve ’70-’80-të (kulmi i karrierës së tij artistike), pikërisht atëherë kur në vendin tonë ishte e ndaluar të dëgjohej e ashtuquajtura muzikë dekadente. Por pavarësisht diktaturës së përdorur nga regjimi komunist, duket se ai arriti të kishte fansat e tij shqiptarë, të cilët kanë admiruar një numër të madh këngësh të këtij këngëtari, madje kanë arritur edhe t’i këndojnë.

“Unë kisha kohë që kisha menduar të vizitoja Shqipërinë, të them të drejtën do të doja të vija për një koncert, por meqë realizimi i operës rezultoi i suksesshëm, së shpejti do të  këndojë për këtë publik të mrekullueshëm”, - tha Ranieri, i cili gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka festuar me artistët shqiptarë edhe ditëlindjen e tij. Këngëtari italian i ka shprehur personalisht vlerësimet e tij për nivelin e lartë të Operës shqiptare, sikundër edhe vlerësimet për bashkëpunimin e shkëlqyer me kolegët shqiptarë. Është fakt që kohët e fundit programi i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit, ka qenë më se i organizuar nën drejtimin e Zhani Cikos. Opera “Traviata” u shfaq për herë të parë në botë vitin 1853, në teatrin “La Fenice” (Venecia,Itali), ndërsa në Shqipëri ajo u vu për herë të parë në skenë në vitin 1956, nën interpretimin e këngëtares së madhe lirike, Marije Kraja.

Verën e vitit të kaluar, në teatrin "Verdi" në Trieste, Ranieri shënoi një sukses të plotë me operan "Traviata" si regjisor. Një koncept krejt i veçantë, ku veç artistëve të tjerë të famshëm, në kryerolin e kësaj opera në rolin e Violetës kishte angazhuar dy sopranet e njohura shqiptare, të mirënjohurën Inva Mula dhe sopranon e re të suksesshme, Ermonela Jaho Nga njoftimet në faqen ëeb të artistit të mirënjohur italian, mësohet se menjëherë pas Tiranës, produksioni i Massimo Ranierit, "Traviata" do të shfaqet në teatrin e famshëm, "San Carlo", të Napolit. Kjo vepër e Verdit, që daton në vitin 1856, ka njohur premierën e parë pikërisht në Teatrin lirik të "San Carlos", në Napoli.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora