E premte, 26.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Faleminderit

Vaçe Zela, Këngëtarja që u shndërrua në mit

E premte, 20.06.2008, 04:58 PM


Vaçe Zela
Nga Neritana Kraja

Një përshkrim i karrierës së ndritur të këngëtares më të madhe shqiptare Vaçe Zela në 69 vjetorin e saj të lindjes. 

Ndonëse aktualisht vuan në Zvicër pasojat e sëmundjes që e ka mbërthyer prej dhjetë vitesh, ajo për asnjë çast nuk heq dorë nga dëshira për t’u rikthyer në atdheun e saj, për të takuar miqtë dhe njerëzit, për të cilët këndoi gjatë gjithë jetës dhe që u fali emocione dhe rreze shprese. Mbretëresha e padiskutuar e muzikës shqiptare, e cila për shqiptarët në mbarë botën, është shndërruar në një mit.

Matanë anës tjetër të telefonit përgjigjet vetë artistja e madhe, Vaçe Zela. Ka një zë shumë të dashur, flet mjaft qartë, me një qetësi të admirueshme. “Telefonin e kam te koka e krevatit”, thotë. “Jam e sëmurë dhe nuk kam fuqi të flas gjatë. Megjithatë faleminderit që më kujtoni nga Tirana. Faleminderit për urimet e ditëlindjes”.

Ka vetëm pak ditë që ka festuar 69 vjetorin e lindjes. Një ditë që i ka sjellë shumë urime, buqeta me lule, telefonata nga gjithë andej dhe që e ka bërë të ndihet vërtet e emocionuar.
“Ju kam ndjekur që fëmijë, i them, ju kam admiruar gjithmonë si çdo shqiptar tjetër. Prandaj ma lejoni një përqafim të ngrohtë nga larg, si përmbushje të një lumturie që mund ta sjellë vetëm takimi me një artiste të madhe si ju!”.
“Oh, faleminderit, shumë e dashur, faleminderit. Të përqafoj edhe unë”. Zëri i këngëtares vazhdon të ruajë në dukje të njëjtën qetësi si më përpara, por aty kupton se një dozë emocioni është shtuar. “Më mungon gjithçka nga Shqipëria dhe do të doja shumë të kthehesha në shtëpinë time, në vendin tim, por jam sëmurë dhe nuk di se kur do të ndodhë kjo. Aty kam shumë kujtime, mirëpo jam e lodhur nga sëmundja dhe nuk mund të kujtoj shumë gjëra. Megjithëse kam shumë mall. Flas shpesh në telefon me njerëzit e mi dhe kënaqem kur marr lajme të mira nga Shqipëria”. 

Ndërkohë e pyes për fotografi të karrierës së saj. Me qindra shfaqje, koncerte, dhjetëra festivale, turne anekënd vendit, por edhe jashtë Shqipërisë. “Oh e dashur, përgjigjet zëri miqësor i artistes. Kur erdha për në Zvicër, s’e dija se do qëndroja kaq gjatë, erdha sa për t’i bërë një vizitë vajzës sime që jeton këtu dhe befas u sëmura. Ndaj kur erdha nuk kam marrë asnjë kujtim të tillë nga Shqipëria. Edhe mua personalisht më vjen shumë keq për këtë. Gjithçka çfarë kam, e kam lënë në Shqipëri. Edhe sukseset, edhe miqtë, edhe kujtimet, edhe fotografitë e jetës sime”.

Ndërkohë në shtëpinë e saj në Tiranë, mbi pianon e vjetër të këngëtares, qendrojnë të rreshtuara të gjitha çmimet, dekoratat, medaljet, relikat e skenës të artistes në vite. E padyshim të gjitha fotografitë e një jete të shkuar me këngë.

Ajo piano hesht dhe pret që zonja e saj të kthehet e ta prekë me duart e saj. Si dikur.

Festivalet

Në ka një artist, që emri i tij të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës.

Ajo është dhe mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. E lindur në Lushnjë më 9 prill 1939, Vaçe Zela, fëmija i viteve 40, u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për mëse dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë. Sot duket paradoksale, por Vaçen nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika mos bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, jo aq të njohur në interpretimin e këngës. Megjithatë festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezente me zërin e saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tana ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.         

Fillimet

Siç thotë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte talent edhe në pikturë e teatër.

Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur.

Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar.

Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj.

Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle me shumë ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me plaçka. Por nuk qe e thënë. Nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë. Më pas do t'i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin në dyert e ndonjë gjimnazi. Ndërsa nisi studimet në shkollën "Qemal Stafa" nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj.

Një mikja e Vaçes, Violeta Librazhdi, shoqe e shkollës dhe e gjithë jetës së këngëtares së madhe, ka shkruar një libër mjaft interesant kushtuar këngëtares.

“Kujtoj ditët kur për herë të parë pashë Vaçen me një kitarë në duar, me të cilën ajo këndoi gjatë në dhomën e saj, këngë që nuk mundej t’i këndonte dot në skenë. Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi” nga radio. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët ishin ngulur pas dritares. Ne nisëm  të qeshnim, ndërsa njerëzit duartrokisnin pa pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në skenat e Tiranës e jashtë saj”.

Ishte kjo kitarë me të cilën kohë më pas ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, të cilën nuk e çoi dot deri në fund, pasi u mor më shumë me pasionin e fëmijërisë së saj, këngën.

Karriera

U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë i gjithë Shqipërisë, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.

Në çdo sukses të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela bëri për vete një publik mjaft të gjerë. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart.

Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm.

Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.

Një karrierë që u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.

Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm errësirë, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës.

Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë. Qenë këto vite kur njerëzit mezi siguronin bukën dhe rrobën e varfër të trupit, ndërsa, sipas rrëfimit të mikes së saj, “këngëtaren italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e dënonte me “lirinë” e të kënduarit vetëm brenda kufijve shtetërorë. Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin sa hap e mbyll sytë.

Një këngë për Vaçe Zelën

Ishte viti 1993 kur këngëtari nga Kosova Naim Krasniqi do të këndonte në skenën e festivalit të 32-të të këngës, një këngë kushtuar këngëtares së madhe. Kënga mbante titulli “Jetën ma dhurove” dhe vargjet e saj ishin vërtet emocionuese. (Na fale shpirtin e njomë, këngën na fale/ Nga skena jehonte aj’ zá në fush’ e male/ Ooo Vaçe Zela k’saj toke të plaguar/Jetë i dhurove, e mbajte të zgjuar.)

Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale. Dhe publiku kishte mall për të, për praninë e saj. E ja tani, ajo sërish ndodhej në një sallë festivali, vërtet si spektatore, por ishte aty. U mallëngjye, nuk e priste t'i bëhej një nder i tillë. Një këngë kushtuar asaj. U mallëngjye edhe krejt publiku në sallë. Ovacionet për këngëtaren nuk pushonin. Ndërkohë që dridhërima zemre përjetonin miliona shqiptarë nëpër botë që ndiqnin nga ekranet festivalin e këngës. Prania e Vaçe Zelës në një festival, qoftë edhe me një këngë kushtuar asaj, kur ajo prej vitesh, që nga festivali i parë kishte qenë zonjë e festivaleve dhe këngës shqiptare, mjaftonte si fakt që shqiptarët ta ndienin edhe një herë praninë e “mbretëreshës”.      

Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e saj, megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Çmimet

Është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina. Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjes”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.

Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte. Artistja thotë se ndihet mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Është emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.

Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj. I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.

Histori personale

Një histori e bukur e dashurisë, fejesës dhe martesës. Lindja e një vajze të mbarë dhe një jetë e tërë mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes së saj. Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Ishte nisur për të vizituar vajzën e saj Irma që jetonte në Zvicër, kur nuk është ndjerë mirë dhe pikërisht në këtë kohë ka nisur kalvari i saj i dhembjes. Dy operacione të njëpasnjëshëm, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa. Gjithsesi artistja duket se tashmë e ka kapërcyer rrezikun e madh. Qëndron shtrirë në shtëpinë e saj në Zvicër, ndërsa bashkëshorti Pjetër Rodiqi dhe vajza e përkushtuar Irma, kujdesen që asaj të mos i mungojë asgjë. Çdo zile telefoni që vjen nga atdheu e gëzon. “E vetmja mungesë e pazëvendësueshme për mua është largësia nga miqtë dhe publiku shqiptar”, thotë artistja e madhe.

Muzika

Ka kohë që nuk i bie kitarës, që nuk i këndon këngët e saj. Është ndër të rrallat këngëtare që nuk i mban në kasetofon këngët e saj dhe nuk i dëgjon. Thotë se këngëtari nuk këndon për vete, por për njerëzit. “Ato i këndova për njerëzit e mi dhe prekem kur më thonë se njerëzit i mbajnë mend këngët e mia”.
Ndërkohë shton se kënaqet kur dëgjon muzikën shqiptare dhe këngëtarët shqiptarë, të cilët “janë të talentuar dhe po vlerësohen edhe në botë”.

“E vetmja mungesë e pazëvendësueshme për mua është largësia nga miqtë dhe publiku shqiptar”.

“Këtu ku jam, dëgjoj shpesh edhe këngë nga Shqipëria. Prekem shumë prej tyre”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora