E premte, 26.04.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Faleminderit

Terenzio D’Alena: Terenc Toçi një jetë për Shqipërinë

E diele, 15.06.2008, 03:17 PM


Terenc Toçi
Terenc Toçi një jetë për Shqipërinë
 
Nga Terenzio D’Alena

Shqipëria është “toka e shqiponjave”. Një tokë e munduar që hapet, ngrihet, mbyllet e përshkohet nga përrenj të rrëmbyeshëm që përfundojnë në detin Adriatik. Shqiptari ka “luftuar” gjithnjë me këtë tokë pjellore e vende-vende moçalore, ka luftuar kundër të ngjashmëve, thellësisht të lidhur me nacionalizma jo të qartë. Të farkëtuar nga cilësia e tokës mëmë, që ka ndikuar në karakterin dhe traditën e këtij populli, shqiptarët, me krenari, kanë krijuar marrëdhënie klanore, përmes përdorimit të ndershmërisë ndaj “besës”, fjalës së dhënë dhe “kanunit”, kodi i pashkruar i hakmarrjes në bazë të tërthortë e mashkullore, duke përshtatur gjithçka me traditën bizantine dhe armiqsore ndaj së resë. Visigotë, uni, ostrogotë, sllavë, bullgarë, normanë pushtuan dhe shkatërruan Evropën nga shek V-XI. Pasardhësit e pellazgëve hasën në rrugën e tyre kryqëzata të shumta fanatike, para se të krijonin marrdhënie të qendrueshme me Venedikun. Dhe kjo popullsi, me një gjuhë indo-evropiane, e veçantë në kontinent, e torturuar nga luftra antike vëllavrasëse, e stërvitur nëpër beteja të shumta, u çimentua nga shpirti krenar i pavarësisë për konceptimin e një kombi të lashtë.
Në këtë kuadër doli Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, lavdia kombëtare absolute, “kapiteni i përgjithshëm i Shqipërisë”, në agimet e luftës shumëshekullore kundër turqëve, që nuk lejuan vendin e shqiponjave të bëhej shtet deri ne fillimet e 1900-ës. Qe një periudhë me interesa të mëdha gjeo-etnike për emigrimin masiv të shqiptarëve drejt Kalabrisë dhe Siçilisë lindore, ku gjetën një tokë të ngjashme me atë që lanë, e aftë tua zbuste nostalgjinë dhe ku krijuan gjurmë të qendrueshme edhe sot, apo pakica gjuhësore në “ishujt” etnografikë tashmë të njohur.
Në një nga këta “ishuj”, në vitin 1880, u lind Terenc Toçi, një qenie njerëzore e përbërë nga dashuria natyrore për tokën italiane që i dha qendrueshmëri dhe ajo që gjenetikisht i dhuroi karakteristika të shquara të karakterit shqiptar. Jeta e tij u ngjiz në hijet e ullinjëve dhe agrumeve të Kalabrisë, ku hapsirat dhe kodrat e gjelbërta, me qetësinë e tyre, gërshetuan në ndërgjegjen e trazuar impulsivitetin e butë dhe pastërtinë shpirtërore, me besimin e sinqertë e idealist.
Leximi në moshë të re i poezive të Jeronim de Radës, arbëreshit që jetoi gjatë Rilindjes italiane dhe përkrahës i flakët i pavarësisë së Shqipërisë, ngrohu zemrën e Terenc Toçit. Studioi për juridik në Universitetin e Urbinos dhe, në vitin 1904, filloi aktivitetin e tij juridik në Romë, ku punoi edhe si kryeredaktor në shtypin periodik që trajtonte çeshtjet e Ballkanit. Udhëtoi për të takuar diasporën shqiptare nëpër botë, duke dëgjuar kërkesat e tyre në Argjentinë dhe SHBA.
Më 1911 ndodhet përfundimisht në Shqipëri dhe formon në Shkodër qeverinë e parë të përkohshme me patriotë të tjerë të ardhur nga Italia, duke mbledhur edhe krerët e fiseve të Mirditës e të Veriut dhe ngriti për herë të parë flamurin kombëtar. U brohorit unanimisht si president dhe, pavarësisht shumës së madhe të dhënë për kapjen e tij, asnjëri prej mëse 60 mijë malësorëve të armatosur, krenarë e të nderuar sipas traditës, nuk e tradhëtoi. Në Shkodër krijoi edhe të parën gazetë shqiptare “Taraboshi”, e cila u mbyll pas disa muajve nga qeveria ndërkombëtare. Denoncimi i synimeve austriake për vendin qe i bujshëm, sikurse qe i madh edhe zhgënjimi për mosndërhyrjen e premtuar nga Ricciotti Garibaldi.
Vlen të kujtohet se në ato vite, pas pushtimit turk, një koalicion ndërkombëtar, me trupa të vendeve të ndryshme evropiane (Franca, Serbia, Italia, Greqia), qeveriste përkohësisht vendin. Përveç kësaj, fitorja e Italisë në luftën kundër Turqisë, shënoi rënien përfundimtare të Perandorisë otomane dhe i dha hov luftës shqiptare, kështu që patrioti Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin shqiptar dhe krijoi qeverinë e përkohshme. Por një ditë më 1913, në mënyrë të papritur konsullata italiane në Shkodër dëboi pa paralajmërim familjen e Terenc Toçit, që u detyrua të qendronte në shtëpinë e tij në S. Cosmo Albanese për 4 vjet.
Në vitin 1917, i thirrur nën armë, u nis për në frontin e luftës. Më 1920 kthehet në Shqipëri me ndërmjetësimin e ministrit Giolitti dhe më 1921 emërohet prefekt i Korçës, ku drejtoi edhe një revistë të përdyjavshme. Në vitin 1926 shkruan “E drejta penale”, vepër bazë për drejtësinë shqiptare dhe merr pjesë në hartimin e kodit civil të nxitur nga Zanardelli. Merr pjesë edhe në hartimin e kodit tregtar, si dhe boton një gramatikë shqiptare e një italiane. Prodhimtaria letrare e Toçit ishte e madhe dhe këtë e dëshmon biblioteka që la pas vdekjes, e kataloguar tashmë në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai pati një sërë detyrash institucionale të rëndësishme dhe mbështeti arritjen e teknicienëve italianë.
Pas vitit 1925 mbarojnë qeveritë e përkohshme dhe Zogu bëhet president e më pas mbret me pëlqimin e qeverisë, por jo atë të Toçit që ishte një republikan i flakët. Ndërkohë luftohej për miqësinë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, pavarësisht tendencës antiitaliane të shumë ministrave dhe përpjekjeve të Italisë, të denoncuara nga ai, për shfrytëzimin e pjesshëm të ekonomisë shqiptare. E gjitha kjo u cilësua akt tradhëtie e Toçit gjatë ditëve të tmerrshme të gjyqit kundër tij, më 1945.
Në vitin 1938 u emërua ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe pranoi edhe detyrën e Presidentit të Këshillit të Lartë të përbashkët pas pushtimit italian, më 1939. Ishte i vendosur për ruajtjen e përdorimin e gjuhës shqipe në aktet administrative dhe ruajtjen e ceremonive të festave tradicionale që tregonin identitetin kombëtar. Ishte dhe kundër luftës, por u ngushëllua me realizimin e aspiratës shekullore të bashkimit territorial me Çamërinë. Takoi në Romë Musolinin, që iu duk një njeri i lodhur dhe i zhgënjyer. Më 10 shtator ’43 gjermanët arritën në Tiranë, por qeveria e re nxorri dekretin që mbronte italo-shqiptarët. Trupat gjermane lanë Tiranën më 17 Nëntor ’44, duke lënë vetëm një ushtar të mbyllur në një bunker në sheshin Skënderbej me një sasi të madhe municioni. Ai u qendroi për 36 orë partizanëve dhe, pasi i mbaruan municionet, vrau veten për të mos iu dorëzuar partizanëve.
Në të njejtën ditë Terenc Toçi, megjithëse ishte vënë në shënjestrën e një arrestimi të ri dhe, megjithë këshillat e disa miqve për t’u larguar, u ndalua dhe u dërgua në një burg të tmerrshëm bashkë me të burgosur të tjerë. Por më e pakuptimtë ishte akuza si kriminel lufte!
Procesi farsë u zhvillua në fshehtësi e sipas regjisë së udhëheqësve serbë-malazezë, nga të cilët varej partia e Enver Hoxhës. Në këtë proces u përfshinë fatkeqësisht dhe mjaft krerë të “ballistëve”, me të cilët komunistët “fitimtarë” lanë hesapet e tyre.Nga katër vajzat e Toçit, vetëm e vogla me të ëmën qendruan në Tiranë. Ato u plaçkitën dhe u nxorrën me dhunë jashtë nga shtëpia. Me shumë përpjekje arritën ta takojnë njeriun e tyre të dashur, pas orë e orë të tëra qendrimi në rradhë para hekurave të burgut, bashkë me shumë të afërm fatkeqë të të burgosurve të tjerë të pafajshëm.
Një altoparlant jashtë kinema “Savojës”, e shndërruar në sallë gjyqi, shpërndante zërat e protagonistëve të procesit farsë, ndërmjet të cilëve edhe atë të avokat Toçit që ligjëroi duke mbrojtur veten në mungesë të avokatit mbrojtës. Një përmbledhje e debatit të bërë gjatë procesit ndodhet në librin “Terenc Toçi, babai im”, shkruar nga e bija, Rita.
Më 14 prill 1945, shumë qytetarë panë kamionin e zbuluar që përshkonte rrugët e Tiranës, ngarkuar me 17 të pafajshmit e parë të dënuar me pushkatim. Profesionistë, intelektualë, patriotë. Të lidhur dy nga dy, të pushkatuar e të dhunuar u hodhën në një gropë plehrash në një vend të panjohur. Rrefuzuan madje edhe t’u kthenin kurrizin ekzekutuesve, por u qendruan me gjoksin para. U “varrosën” pa një varr, pa kryq, pa lule...
Kishte mbaruar Lufta II Botërore dhe filloi për vendin e torturuar epoka e barbarive të paralajmëruara, e diktaturës së marrë, e izolimit, një tragjedi e vërtetë që do të zgjaste afro gjysëm shekulli dhe që dënoi miliona persona të pafajshëm. Ishte madje dhe përfundimi i një njeriu, që sikurse plot të tjerë luftoi gjithnjë me guxim dhe pasion të pamposhtur derisa dha jetën për arritjen e një politike dhe harmonie sociale që u shënua vonë në kronometrin e historisë. Dhe kjo për më tepër nëse kihet parasysh koha kur ndodhi një gjë e tillë, për të kuptuar eksistencën e idealizmit të pastër të këtij njeriu. Shpresa se një tragjedi e ngjashme nuk duhet të kishte ndodhur më kot, u shton dashurinë të afërmëve e simpatizantëve të tij, sikurse edhe autorit të këtyre rradhëve, nipit të tij, pavarësisht se nuk e njohëm kurrë. Por, edhe sot, për çudi, shteti shqiptar, pavarësisht kërkesave të përsëritura, nuk ia ka njohur statusin e të përndjekurit politik figurës së Terenc Toçit.

Marrë nga revista italiane ATLASORBIS

Përktheu Agim Zeka

*Shefi i mjekësisë së Policisë së Shtetit,specialist në mjekësinë aeronautike-hapsinore



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora