E enjte, 24.10.2019, 05:40 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Grace Kelly

E hene, 17.04.2006, 08:11 PM


Grace Kelly
Gruaja e akullt

Emancipimi i gruas ka bërë që ato të humbin misterin e tyre.

Greis Patricia Kelli Grimaldi (1929-1982)

Aktorja e famshme amerikane që braktisi Hollivudin për tu bërë princeshë….


Greis Kelli lindi në Filadelfia, Pensilvania në 12 Nëntor 1929. Familja e saj katolike, irlandeze gëzonte një status te rëndësishëm social. Babai i saj B. Kelly Sr. ishte një milioner i ri, djali i një emigranti irlandez. Ai ishte fitues i medaljes së artë në vozitje në lojrat olimpike. Vëllai i saj Xhek, gjithashtu ndoqi traditën e të atit, kurse xhaxhai i Greisit ishte dramaturgu i njohur, fituesi i çmimit “Pultizer” Xhorxh Kelli. Familja nuk ishte dakort që ajo të ndiqte karrierën e aktores. E megjithatë, Greis Keli ndoqi disa shkolla private para se të pranohej në Akademinë Amerikane të Arteve Dramatike të Nju Jorkut në 1947. Ajo debutoi për herë të parë profesionalisht në Broduej në Nëntor 1949, por shfaqja e parë në ekranin e madh u realizua vetëm në 1952-shin kur ajo ishte 22 vjeç. Ishte nje rol i vogël, por një fillim i kënaqshëm. Vitin që pasoi mori pjesë në një film përkrah Geri Kuperit dhe Lloid Brixh, që rastisi të pëlqehej shumë nga publiku. Në 1953 realizoi përkrah Klark Gebell dhe Ava Gardnerit filmin Mogambo, i cili i dhuroi asaj një Oskar për rolin më të mirë suportiv. Bashkëpunimi më pas me të famshmin Alfred Hiçkuk, ishte vula për një karrierë të shpejtë e të suksesshme. Prirja e Hiçkuk për të pasur në kastin e tij bjonde, bëri që Greis Keli të merrte prej tij role të paharrueshme si ato në filmat Dial M for Murder, Rear Widow apo To catch a Thief. Greis Kelli ishte heroina perfekte e filmave të Hiçkukut. Në vitin 1955 ajo fitoi çmimin Oskar si aktorja më e mirë për rolin në filmin The country girl, rol të cilin e mori rastësisht pasi akorja Xhenifer Xhons dhe e famshmja Greta Garbo e kishin refuazuar atë. Në këtë kohë Greis kishte lidhje me bashkëprotagonistin në film Bing Krosbi. Lidhja u mbajt e fshehtë për të mos cënuar reputacionin e të dyve. Në 1956-ën ajo luajti rolin e saj të fundit në komedinë muzikore High society ku protagonist ishte gjithashtu dhe Frenk Sinatra. Greis Keli dhe Princ Ranieri i Monakosë u takuan për herë të parë gjatë xhirimeve të filmit To catch a thiev, e më pas në festivalin e Kanes ku aktorja amerikane ishte ftuar nga qeveria franceze. Princ Ranieri në këtë kohë duhej të martohej, sepse pa pasardhës në fron, Monako do të ishte përsëri pjesë e Francës, pas vdekjes së tij. Martesa me një yll të ekranit do të ndikonte gjithashtu në rritjen e turizmit në principatën e tij të vogël. Greis në këtë kohë i jep fund lidhjes romantike me një stilist të quajtur Oleg Kasini dhe në 19 Prill të 1956-ës princesha e ekranit do te kthehej në princeshën e Monakosë. Fustani i martesës ishte më i shtrenjti që Helen Rose kishte dizenjuar ndonjëherë për MGM. U përdorën 25 jard (yard-njësi matese = 91.44 cm) tafta mëndafshi dhe 100 jard tyl mëndafshi. Dantella 125 vjeçare rozë u ble nga një muzeum dhe qindra perla u vendosën në vello. Princ Ranieri dhe princesha Greis patën tre fëmijë: Princeshën Karolin Luis Margarit, e lindur në 27 Janar 1957, Princin Albert Aleksander Luis Pierr, trashegimtari i fronit i lindur në 14 mars 1958 dhe Princeshën Stefani Mari Elizabeth, e lindur në 1 Shkurt 1965. Jeta e Greis Kelit që filloi vrullshëm në Hollivud ishte e thënë të ishte vetëm banja dielli dhe pritje. Ajo iu dedikua tëresisht familjes dhe fëmijëve, aq sa ishte e pabesueshme që ata tre fëmijë të përfolur vazhdimisht nga media për sjelljet e tyre të çuditshme (sidomos vajzat) të ishin lindur nga një grua me virtyte të larta. Biografët shkruajnë se jeta e saj si princeshë nuk ishte aspak ajo që dukej nga jashtë dhe martesa e saj nuk mund të quhej e lumtur. Miq të Greisit nga Filadelfia apo të njohurit nga Hollivudi thoshin se sa e lumtur ndihej ajo kur fliste për jetën e saj në Amerikë dhe veçanërisht kur komunikonte në Anglisht. Për një kthim të saj në kinematografi u fol në 1964-ën në një film të Hiçkuk, përkrah Shon Konerit, por “njerëzit e Monakosë” nuk e lejuan princeshën e tyre ta ndërmerrte këtë hap.
Jeta si princeshë përfundoi tragjikisht, në moshën 52 vjeçare. Greis Keli vdiq në 14 Shtator 1982 pas plagëve të rënda të marra në një aksident automobilistik. Në makinë ishte dhe vajza e saj e vogël që mori vetëm disa plagë të lehta. Aksidenti erdhi pas humbjes së kontrollit si pasojë e një përplasjeje. Makina ra në një lartësie prej 13 metrash. Vendi ku ajo vdiq thuhet se ishte i njëjti me atë ku ajo 27 vjet më parë kishte xhiruar një skenë të filmit To catch a Thiev e ku ajo për herë të parë takoi Princ Ranierin e Monakosë. Ceremonia mortore u zhvillua në katedralen e Shën Kollit në Monte Carlo të Monakosë. Citimi mbi varr nuk i referohet asaj si një princeshë, por përdoret titulli “uxor principis” që do të thotë gruaja e princit sipas traditës së familjes Grimaldi.

Më tepër për Greis Kelin

E quanin ndryshe Graciebird

Ne filmin Swan (1956) Greis luante rolin e një gruaje të re që u fejua me një princ. Ishte roli i saj i parafundit. Pak kohë pas filmit ajo u fejua në të vërtetë me një princ.

Aktorja Rita Dam ishte një nga shoqërueset e saj ditën e martesës

Filmat e saj u ndaluan në Monako me urdhër të Princ Ranierit të Monakosë.

Në 1993, SHBA dhe Monako njëherësh nxorrën në qarkullim një pullë poste përkujtimore për Greis Kelin. Ligji federal i SHBA-së nuk lejonte që në pullat e postës të portretizoheshin figurat drejtuesve të shteteve të huaja, kështu që në SHBA pulla i referohej si Greis Keli, ndërsa që në Monako pulla i referohej si Princesha Greis.

Sheril Led e portretizoi atë në filmin The Grace Kelly Story (1983)

U rendit e 12-ta në listen e yjeve më të mëdha të kinematografisë të të gjitha kohërave sipas Premiere Magazine.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT