E premte, 13.12.2019, 03:34 PM (GMT)

Komente

Idriz Zeqiraj: Kacushanët e LDK-së dhe dilema e anëtarësisë

E enjte, 13.12.2007, 04:00 PM


KACUSHANET E LDK-SË DHE DILEMA E ANETARESISË

Nga Idriz Zeqiraj

Përdora shumësin e Kacushës, për të shmangur emërtesën tjetër, që diktatori E. Hoxha titulloi nje libër te tërë genjeshtrash, falsifikimesh e trillimesh. Në kremten e madhe të fitores të PDK-së, nën shkëlqimin e ndricueseve dhe shkrepjen e aparateve fotografike e telefonike, rrezatonte edhe buzëqeshja e Kacushës. Me atë shqipen paksa të mundimeshme, por të justifikueshme, panagjyroi partnerin e madh në krye të koalicionit, pa u penguar nga shkumbëzimet e shampanjes. Ajo rezistoi me dinjitet revanshin nacionalist serb te viteve '80-a, por nuk arriti të shkëputet nga titizmi. Madje nuk e heshti këtë ideologji sic bënë Fadil Hoxha e Azem Vllasi me shokë, por e impulsoi në sojin e saj, duke e ngritur në kuotën partiake, packa se me një emërtim të ri, sic ka bërë e majta komuniste në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, pas erës të Murit të Berlinit. Por, jo të gjithë sojlitë e Kacushës iu bashkuan asaj. Ata fshehen nostalgjitë e tyre dhe iu ngjiten, "si pullë postale" LDK-së, për ta marrë kalanë nga brenda. Mjerisht, për fatin e keq të demokracisë në përgjithësi dhe të së djathtës të Kosovës në vecanti, e realizuan.
Ende pa e përcjellur Presidentin Rugova në banesën e prehjes të përjetshme, zëra "intim" filluan përshpëritjen, fillimisht - vesh me vesh e më vonë edhe zëshëm, për kinse kundërshtitë që i paska bërë akademik Daci dr. Rugovës në të gjallë të Tij. Të befasuar, zëra të tjerë reagonin, natyrisht, me rezervë, duke pyetur vehtën dhe të tjerët:"Pse dr. Rugova emëroi sërishmi akademik Dacin në krye të Parlamentit, kur Ai mund ta "harronte" fare lehtë për mandatin e dytë, sic bëri me ministrat paraprak?!"
Ngjarjet precipituan marramendas dhe hamendjet u zhdaravitën. Cubërisht, larg cdo norme partiake e demokratike, akademiku "kryenec" u zhvesh brenda natës nga forca e pushtetit. Etiketimet e llojit monist u lëshuan në etër dhe nxinë faqet e gazetave. Jo vetëm anëtarësia e partisë, por edhe qytetarët tjerë nuk aprovuan shkarkimin, e aq më pak aplikimin e metodave mafioze në marrjen e vendimeve të tilla. E majta nuk e fshehu gëzimin e madh, përkundrazi e manifestoi shfrenueshëm. Pas dr. Rugovës, të cilin, stalinistët majtistë për të gjallë, e gjuajtën në shtëpi dhe rrugë, për ta shuar fizikisht, tashmë kacushanët e LDK-së u erdhen në ndihmë atyre, për ta shuar politikisht pengesën e dytë të mundshme - akademik Dacin.
Kundërpërgjigja nuk mungoi. Veprimtarë të shumtë, me bazë familjare të fortë në të djathtën shqiptare, në vecanti brezi i ri që nuk gëzoi privilegjet e monizimit, e bindën akademik Dacin për të vënë kandidaturën për kryetar të LDK-së. U mendua modeli amerikan i kandidaturave të hapura brenda partisë. Në parim u pranua, por pa aplikimin e marrjes të nënshkrimeve përkrahëse për kandidatët. Arsyetimi ishte i qartë. Niveli i demokracisë amerikane është kulmor, ndërsa ai i Kosovës qumështor. Ndjenja e primitivizmit provincial e tribal është e pranishme jo vetëm në zonat rurale të Kosovës, por edhe në auditoret e Universitetit të Prishtinës. Andaj rrezikonte përcarjen e partisë. Kjo frikë e shqetësim u përfol gjithandej, madje Kryesia e LDK-së në Istog e para proklamoi vendimin për neutralitet. Edhe Decani e ndoca të tjerë të kësaj mendjeje ishin. Por, kandidati zyrtar i partisë, njëherësh edhe president i vendit, i imponoi Kryesisë Qendrore vendimin për marrjen e nënshkrimeve të cdo delegati për në Kuvendin Zgjedhor. Dhe, këtu filloi pazari i madh korruptiv e satanik, i udhëhequr nga klani kacushor, tashmë i vetëngjitur në kreun e LDK-së. Kryesitë e LDK-së në Prizren, Therandë, Besjanë, ishin në pararojë të agjitimit tipik monist për kandidatin zyrtar, duke lëshuar deklarata të cdoditëshme nga strukturat partiake, përfshi këtu forumet e rinisë, gruas dhe gjer ke fshesarët e rrugëve! Edhe kjo hartë komunash flet mjaft.
Balanca anonte në favor të kandidatit privat, por presioni enormë në castet e fundit, theu Kryesitë e Gjakovës dhe të Mitrovicës. Fitorja  i buzëqëshi kandidatit zyrtar të partisë dhe urimet e sinqerta nuk munguan edhe nga pala humbëse. Por, rrjedha e Kuvendit zgjedhor, seleksionimi hakmarrës e primitiv i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, vulosi shkatërrimin total të Partisë të Presidentit Rugova. Fajësia është nominuar qysh gjatë leximit të listës për-zgjedhëse. Madje kanë pasuar kritikat e lutjet njëherazi për të bërë korigjimet e nevojshme, që do ta shpëtonin ndarjen e partisë. Po citoj me emër vetëm analistin Koco Danaj (edhepse i përket të majtës shqiptare), i cili këshilloi z. Sejdiun se diferenca prej 29 votash epërsi nuk është asgjë dhe duhet maturi e dialog me akademik Dacin, sepse ai nuk mund të krahasohet me pararendës të shkëputur me parë nga partia. Edhe dr. Rugova, tashmë, i mungon LDK-së - shtonte analisti. Cuditërisht, zoti Sejdiu, i inkurajuar edhe nga dashakeqës të tjerë të LDK-së përseriste slloganin bajat e fatal se "Kuvendi ka mbaruar punimet", duke e tundur kokën lehtësisht, si kalliri bosh, (sic e patëm cilësuar ne atëbotë), dhe tani shtojmë edhe një krahasim tjetër - si Edvin Rama në tundjet e lëkundjet e trupit, kur rrugacëron, shanë e mallkon dr. Berishën me aleancen djathtiste.
Qëllimisht bënë një kronologji faktesh, që solli LDK-në në mjerimin aktual poltik e moral. Njëherësh janë faktet që pamundësojnë manipullimin e mëtejmë me anëtarësinë fisnike të partisë. Vetëm diagnoza e saktë, mundëson një terapi efikase, e cila realisht ngjallë shpresë shërimi.
Nga ky përshkrim besnik i zhvillimeve politike brenda LDK-së, krijohet përshtypja se mbaj anën e viktimes, pra, të kandidatit privat. Fatmirësisht, janë të shkruara dhe të bëra publike, madje në nivel të Nëndegës tonë të LDK-së për Rheinland Pfalz - në Gjermani, disa mospajtime serioze me akademik Dacin. Nuk e dijmë, për mungesë informacioni apo arsye të tjera, ka qenë i dukshëm iluzioni për ndonjë shef të së majtës! Madje, edhe pas reagimit tonë të faktuar, ai vazhdonte konsideratat pozitive për atë, edhepse ai ngarkohet me mekatin e madh të gjakosjes të popullit të Kosovës gjatë dhe pas luftës. Megjithatë, edhe pse me një vonesë jo të zakonshme për një akademik, do t'i kërkonte ndjesë opinionit, që për një kohë u gjend në anën e të keqës së madhe. Por, pas leximit nominativ të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, akademik Daci tashmë, ishte jashtë lojës për ta shpëtuar partinë. Dhe, kishte detyrim moral e intelektual të vihej në krye të asaj mase kuadrosh, të cilët, të edukuar në shkollën e madhe të demokracisë të dr. Rugovës, nuk mund t'i riktheheshin monizmit, titizmit, tashmë, të tejkaluar.
Tashme LDK-ja humbi turpshëm. Dhe, e humben kacushanët brenda LDK-së. Kur themi kacushanët, ne nuk konfondojmë këtu anëtarësinë dhe kuadrotë e devotshëm të LDK-së, as Kryesinë Qëndrore, madje as kryesinë e ngushtë Brenda Kryesisë. Natyrisht, ata mbajnë përgjegjësinë e heshtjes jo fisnike kur shikonin batakcillëqet e shefave të tyre në rrënimin e partisë. Bindjen time se veprimet destruktive të kacushanëve shmajtanë nuk kane pasur aprovimin e bazës partiake, e mbështesë në takimet, bisedat e bëra me kuadro të rinj dhe të vjetër në Kosovë.
Në fund korrikun e sivjem, me nismën e Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani, bëmë vizita të organizuara ke shtëpia prehëse e dr. Rugovës, ke busti i professor Aganit në Prishtinë. Pastaj tre dite më vonë edhe në Decan dhe fshatrat përrreth, ku pushojnë përjetësisht luftëtarët e lirisë - heronjtë e kombit: Vëllezërit Gërvalla, Sali Cekaj, Tahir Zemaj me djalin Enisin e kushërinin Hasanin, Rrustem Brucaj - si dhe kosharasit heroikë, që legjitimuan luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Vëllezërit Zemaj na f'tuan për hijësim dhe freskim në oden e madhe  pritëse, të stolisur me portrete luftëtarësh. Ndonëse, fillimisht, u pritëm miqësisht nga  Kryesia e Degës të LDK-së në Decan, ata qënë në shoqërimin tonë të metejshëm. Në mes tjerash, pasoi edhe ky dialog: Unë duke iu drejtuar kuadrove partiakë komunalë, pyeta:" A ka menduar udhehëqja e LDK-së në Kosovë për koalicionet parazgjedhore?" Në përgjigje u thirr një mik i imi, pjesëtar i ekipit të Qeverisë si dhe i afërt me Kryesinë Qendrore:"LDK-ja nuk do të bëjë koalicione parazgjedhore, sepse partitë fare minore, po kërkojnë shumë poste. Për koalicione do të bisedohet pas zgjedhjeve." Unë ndërhyra:"Mos është tepër vonë atëherë?" Dhe, përgjigja qe e menjëhershme: "Jo. Zgjedhjet do t'i fitoje përsëri LDK-ja." Dhe, pasoi ndërhyrja e redaktorit për Gjermani të "Bota sot", njëherit edhe pjesë e Kryesisë të LDK-së për Gjermani:" LDK-ja nuk do të fitojë kurrë e vetme."
Pasoi një heshtje që fliste shumë. Dhe, personazhe të kësaj heshtjeje ishin shokët e punës dhe të luftës të Sali Cekaj, Rrustem Brucaj, Hasan Zemaj... Decani dhe Peja kanë qenë ndër komunat më të ekspozuara ndaj krimit të organizuar politik. Janë këto kuadro, nxënës të mësuesit të madh Rugovë, që organizuan të parët në Kosovë grupin e armatosur, kundra pushtuesit serbo-sllav. Janë këta djemë trima që janë kërcënuar e shantazhuar nga bandat e kuqe staliniste shqipfolëse. Ata kanë përballuar marshutat e kriminelëve, të tubuar këtu nga të gjitha viset e Kosovës, në mbrojtje të kriminelëve dhe të krimit të organizuar. Ata janë heronj të gjallë. Ata qenë gjithëherë anëtarë të devotshëm të partisë dhe respektonin hierarkinë drejtuese. Ata besuan edhe në udhëheqjen e re të LDK-së, pa e kuptuar se do bëheshin viktimë e besimit të tepëruar. Dhe, ate ditë vape përcëlluese ne, diasporasitë po vënim gishtin në plagën tonë të përbashkët, duke lënduar edhe zemrat e tyre fisnike.
Dyshimi i madh se LDK-ja ime ka humbur forcën paraprijëse qysh në Kuvendin e VI - të nuk më linte të qetë. Andaj, takova kuadro drejtuese të disa komunave. Dhe, vura re mungesën e entuziazmit, hamendësimin e bazuar se LDK-ja mund të rrokullisej humnershëm. Ata e dinin qëndrimin mospajtues me Kryesinë Qëndrore të Nëndegës tonë në Gjermani, të shprehur, më se një herë, publikisht. Dhe, ishin të matur në pakënaqesinë e dukshme të tyre. Ndërsa Koalicionin parazgjedhor e konsideronin si mundësi reale për t'i ikur rënies në opozitë. Dhe, unë sugjeroja përparësinë për koalicion me të djathtën. Por, dicka që lexohej edhe pa syze ishte se Qëndra kishte anashkaluar bazën, nuk e konsultonte atë për asgjë parimore e jetike për funksionimin normal të partisë. Pra, partia ishte privatizuar, madje pa tender fare, nga kacushanët piramidal.
Humbjet partiake në zgjedhje i kushtëzojnë një serë rrethanash. Fatkeqësitë natyrore, sic është bujqësia - industri pa cati, mund ta dështojnë një plan program ideal; në industri pengesë realizuese mund të paraqesin konjukturat e ndryshme politike, për rrjedhojë mungesa e lëndës të pare importuese etj. Në këto raste partia justifikon, në një masë, humbjen, analizon mangësitë dhe vazhdon riparimin dhe strukturimin e nevojshëm për tejkalimin e dobësive. Por, humbjes të LDK-së i paraprinë veprime destruktive, që nuk mund të kapërdihen në asnjë rrethanë Karierizmi i shfrenuar, nepotizmi fisnor, për rrjedhojë korrupsioni galopant, vendimet arbitrare pa përfillur fare bazën  partiake si dhe servilizmi neveritës zhgënjyen elektoratin besnikë të dr. Rugovës. Prandaj edhe quhet humbje e turpshme. Dhe, humbjet e kësaj natyre duhet të bartin përgjegjësitë përkatëse. Fillimi nuk është premtues. Dorëheqja e pare që i mungonte njëmendësia " e pakthyeshme" si dhe mospranimi i saj nga bashkëfajtori kryesor për humbjen, la shije të hidhur. Kjo do te thotë:" Më mbrojë, se të mbroj!" Asgjë më të vështirë nuk ka sa të provosh serishmi dicka që ke provuar dhe ka dështuar. Anëtarësia e LDK-së ndodhet para dilemës të madhe: Cfarë të bëjë? Ata, tashmë, e kanë kuptuar se ky ekip që i shkaktoi humbjen, nuk ka asnjë të drejtë morale për të këmbëngulur në udhëheqjen e mëtejmë të partisë. Ata po shohin se kacushanët nuk kanë burrërinë dhe ta bëjnë "Una gentile retirata", (një tërheqje të mencur) - sic thonë italianëtnë raste të tilla.
Mëshira politike është po aq e rrallë sa edhe oaza në shkretëtirë. Por, edhe nëse kjo provohet, paraprakisht, lypset një fill, si nismë. Mjërisht, faktet aktuale nuk ofrojnë dic për mëshirë e kompromis. Kuvendi i VI – të shënon rrënimin e partisë. Mbizotëron mendimi se u bë qëllimshëm, për kapricio e karierizëm, madje nga kreu aktual i partisë. Atëherë, kujt i duhen këta kanunorë prapamikë?! Por, edhe nëse ky rrënim filloi nga padija për të parashikuar rrjedhojat, atëherë kujt i duhen profanët në drejtimin e partisë?!
Sjelljet mospërfillëse dhe veprimet skajshëm përjashtuese në Kuvendin e VI - të shpunë në përcarjen e partisë. E kemi thënë edhe atëbotë, se LDK – ja ishte partia më e madhe, ishte populli aty. Dhe, përcarja e saj nënkupton  përcarjen e popullit. Dhe, përcarja e popullit nga ana e Presidentit përbën shkelje të Kushtetutës, e cila e parashikon atë (presidentin) si faktor të unitetit të popullit. Rrjedhimisht, ligjshmëria e presidentit është vënë në luhajë.
LDK-në, aktualisht e presin detyra e vendime jetike për fatin e saj. Së pari, duhet të lirohet nga kacushanët në drejtim të partisë, madje në të gjitha nivelet. Kur themi kacushanët, kemi parasysh vetëm ata që nuk kanë arritur të shkëputën nga dogma e kuqe, të cilën vazhdon ta injektojë zonja në fjalë. Se dyti, duhet ta percaktojë orientimin e mirëfilltë djathtistë, ashtu sic e ka projektuar njeriu i zemrave shqiptare, më i madhi i të gjitha kohërave, që nga Skenderbeu -dr. Ibrahim Rugova. Dhe, kuadri i ardhshem drejtues, ne bashkepunim me forcat djathtiste, jashte saj të synojnë krijimin e një të djathte të fuqishme. Le të shpresojmë se dr. Rugova ka lënë pas bashkëmendimtarë të ciltër, por që tani mund të jenë bërryluar nga kacushanët, do të kenë hapesirë dhe forca për ta ringritur e bashkuar Partinë zëmirë të Presidentit Rugova. Le te shpresojmë ciltërisht.

P.S.

Shtrohet pyetja: pse intelektualët, analistët, gazetarët nga Shqipëria, përfshi këtu edhe ato penda të arta në "Bota sot", reaguan të parët, madje me një paanësi admiruese, për atë cfarë ndodhi në Kuvendin e VI - të zjedhor të LDK-së? Sepse këto zhvillime të marrëzishme ua kujtuan kongreset dhe plenumet e PPSH-së. Ata konstatuan faktueshem se u shkelën parimet bazë mbi të cilat Presidenti Rugova themeloi dhe drejtoi LDK-në, duke e bërë të pakonkurueshme. Edhe kombëtarja "Bota sot" plasoi disa shkrime me autorë nga Shqipëria. Por, me keqardhje, kjo nuk zgjati shumë. Ndoshta, për të mos qenë pjesë korale e të majtës, që festonte rrënimin e Partisë të dr. Rugovës. LDK - ja, përvec Buletinit informativ ditor, i mbikëqyrur nga dr. Rugova, nuk ka poseduar me gazetë partiake. Edhe botimet e ndonjë reviste, madje me ndërprerje, më shumë kanë qenë pronë e klaneve të heshtura brenda LDK-së. Edhe dr. Rugova ditën e punës e ka filluar me leximin e kësaj gazete. Gazetarët të "Bota sot" kanë qenë të privilegjuar në pritjet e dr. Rugovës. Tani që partinë e Tij e katandisën kacushanët karieristë, është obligim moral i "Bota sot" të ndihmojë në këndelljen dhe rimëkëmbjen e Partisë të Presidentit Rugova. Këtë duhet ta bëjë në nderim të emrit dhe të vepres madhore kombëtare të dr. Rugovës, të anëtarësisë dhe të simpatizantëve të shumtë që ka pasur LDK - ja. Dhënia hapësirë mendimit intelektual dhe veprimtarëve partiakë, do t'i kontribuonin mendimit të lirë e demokratik, duke e liruar anëtarësinë ngatutela cinike e klaneve mafioze. Lë të urojmë dhe shpresojmë se kjo do të bëhet.

Dhjetor 2007



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT