E hene, 05.12.2022, 12:30 AM (GMT)

Faleminderit

Akil Koci: Ramadan Sokoli, kolos i etnomuzikologjisë shqiptare

E enjte, 01.07.2010, 08:58 PM


Akil Koci, Bonn - Janar 2010
Akil Koci, Bonn - Janar 2010
Ramadan Sokoli, kolos i etnomuzikologjisë shqiptare

 

Nga Profesor Akil Koci

 

Si mund ta kuptojmë krijimtarinë e Ramadan Sokolit po të mos ravijëzojmë figurën ikonoklastike të këtij personaliteti të shquar nga shumë aspekte, si fryt i punës kolosale shumëvjeçare befasuese, si njohje empirike, si arketip dhe prototip në eter, që sublimon jo vetëm parimet shkencore, artistike dhe estetike, por edhe vrojtimet fondamentale të moderuara filozofike?

 

Profesorin e nderuar e kam takuar për herë të parë në vitin 1970, pikërisht më 26 dhjetor të atij viti, në Tiranë.

 

Atë kohë, bashkë me kompozitorin e profesorin Lorenc Antoni, si përfaqësues të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, në kuadrin e marrëveshjes për shkëmbime të ndërsjella nëmes Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për këmbimet reciproke, patëm shkuar në Festivalin tradicional që organizohej çdo vit, - Kënga në Radio, - njëri prej aktiviteteve të shumtë ku i këndohej Partisë së Punës së Shqipërisë, kooperativistit, shokut Enver dhe tërë plejadës së udhëheqësve partiakë. Ai festival me vlerave kombëtar në muzikën e lehtë shqiptare, krahas pasurimit për vite me radhë të fondit të kësaj gjinie, nxirrte në pah edhe krijime të tjera ,,me elemente të huaja,,, siç thoshin anëtarët e byrosë politike të ngarkuar me çështjet ideore në artin shqiptar dhe, fill pas mbarimit të edicioneve të festivalit, mbanin plenume dhe konferenca për të trajtuar ideshmërinë e këngëve .

 

Ende e kam të freskët Plenumin  IV të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, që u thirr menjëherë pas festivalit të XI, për të ndëshkuar, siç shpreheshin, frymën liberale që kishin nxjerrë krye në disa nga këngët dhe që përbënin “shfaqje të huaja,, për normat e shoqërisë socialiste. Pra, sidoqë kanë kaluar shumë vite, më kujtohet si tani ai festivali, se kam qënë i pranishëm dhe më befasoi me këngë të një stili të ri, stil që nuk ishim mësuar ta dëgjojmë herëve të tjera. Prandaj edhe debatet, autokritikat dhe kritikat ishin të ashpra dhe në fund u shoqëruan me marrjen e masave drakoniane ndaj të gjithë atyre kompozitorëve dhe këngëtarëve, të cilët shprehnin ,,mani për të huajën,,. Kështu doli edhe termi ksenomani, që u huazua nga fjalorët dhe u përdor nga ,propaganda dhe nga politika e diktaturës në lëmin e artit e të kulturës. Qëllimi ishte të frenoheshin dëshirat dhe përpjekjet e shkrimtarëve dhe artistëve për t’u njohur e përfituar nga arti dhe kultura përparimtare botërore. Me këtë u hap “drita jeshile,, që të anatemohej, ndalohej dhe dënohej çdo lëvizje kulturore, e cila nuk përmbante të gjithë elementet përbërëse të realizmit socialist, duke u bërë sinonim i krimit. Ndëshkimi në kësi rastesh nuk kufuzohej vetëm me burgim, por shkonte deri në likuidim fizik.

 

Ramadan Sokoli
Ramadan Sokoli
Meqë ishim mysafirë të Lidhje së Shkrimtarëve dhe  Artistëve të Shqipërisë, na pritën në lokalët e saj ku, pos shumë krijuesve, të cilët na i prezantuan me protokoll, ishin të pranishëm edhe të persona të tjerët, të cilët as që guxonin të na afroheshin pa lejen e funksionarëve partiakë.

 

Në mesin e tyre çuditërisht ishte edhe profesori Ramadan Sokoli. U habitëm paksa duke e ditur se në çfarë ferra kishte kaluar menjëherë pas  ,,Çlirimit,, të vendit.

 

Nuk e kam pas njohur më parë, por kisha lexuar mjaft prej veprave të tija shkencore, ndër të tjera edhe botimin  voluminoz dhe një studim të thukët shkencor me titull “Folklori muzikor shqiptar ,, (Morfologjia), dalë nga shtypi më 1965. Ishte një ndër botimet e para shkencore të këtij autori, të cilën ma kishin dërguar vëllezërit dhe motrat e mia, që ishin asokohe në Shkodër. Ua kishte dhënë motra e profesorit, Safetja, me porosi që të ma dërgonin në Kosovë.

 

Ishte vërtet një kënaqësi që e njoha këtë artist dhe etnomuzikolog të shquar personalisht dhe me shumë lutje e bëmë sëbashku një fotografi me kolosin e krijuesin e doktrinës etnomuzikologjike shqiptare. Po ta analizojmë atë fotografi me kujdes, do të vërejmë se deri sa në fytyrat tona shihet një lloj gëzimi për takimin tonë me të, ndërsa në fytyrën e tij shihet njëfarë droje, ankthi, disponim i zymtë që merr përmasa të njeriut të frikësuar. Ndjenjë e natyrshme kjo për këtë intelektual të rrallë, që pat njohur izolimin  shumëvjeçar nga diktatura, çka bëhej “në emër të popullit,, .. Po në emër të tij, i dërgonin nëpër burgje dhe internime. Me siguri që nuk i kishte harruar bisedat paraprake dhe të shumta në zyrat e errëta të hetuesisë dhe të Sigurimit, që zhvilloheshin gjithnjë sipas një plani dhe programi, si reminishencë dhe retiçencë e dhunës, jo vetëm fizike, por sidomos psikike.

 

Ishte shtatlartë, me pamje fisnike dhe gjatë bisedës shumë të shkurtër që zhvilluam me të, unë dhe profesor Lorenci u bindëm se ishte një njeri i predestinuar për shkencë, mendimtar që zotëronte prirjen për objektivitetin shkencor, për krijimtarinë e vërtetë artistike, si veprime pragmatike me cilësi dhe përmbajtje humaniste, substancë intelektuale të rafinuar në kuptimin më pozitiv të kësaj sintagme.

 

Edhepse fjalët e tij ishin mbresëlënëse, i dilnin nga goja me një pianissimo, saqë mezi e dëgjoja. Si dukët frikohej sepse ,,Sigurimi, si syri vigjilent i Partisë”, siç dëgjohej të thuhej shpesh e kudo, të bënte gjëmën. Pra, nuk kish çudi që t'i ndodhte edhe njëherë tragjedia siç e pat pësuar pa bërë asnjë faj. Prandaj ruhej se mos e ,,tepronte,, ,sikurse thoshin pushtetarët për normat e ,,sjelljes,, së papërgjegjshme para të huajve e sidomos para atyre që vinin nga shtetet revizioniste, siç emërtohej edhe ish-Jugosllavia.

 

Pavarësisht prej të gjithë atij konstelacioni optik që zotëronte, atmosferës mikpritëse dhe solemne për nderin tonë, gjatë tërë kohës ndjehej edhe një lloj mjegullëze mikluese, intelektuale e artistike, që dukej qartazi se ishte farsë e ushtruar mirë nga kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si specifikë e diktaturës, edhe pse artificialisht bënin çmos ta mbulonin.

 

Ramadan Sokoli: E si mund të punosh kthjellët, kur mbizotëron parimi hegelian ,,gjithkush kundër të gjithëve,,.

 

 Profesor Sokoli edhe në ato rrethana punoi pa pushim dhe me veprat e veta krijoi një logjikë jashtëzakonisht të fuqishme, një postulat, që nuk ka nevojë të vërtetohet. Mendoj se, as sot e as nesër nuk mund të përfytyrohet  shkenca e etnomuzikologjisë pa të, pa kontributin që ka dhënë qysh para shtatë dhjetëvjetshash, sepse, pos brezit të parë që krijoi, siç thotë kompozitori dhe muzikologu prof. dr. .Sokol Shupo, ,,botimet e tij të shumta influencuan dukshëm në rritjen e sensibilitetit të formimit të muzikologëve të shkolluar vetëm në Shqipëri. Ato ishin kthyer në një lloj Bible për këtë profesion. ... në krijuesit shqiptarë, njohja e sistemuar e lëndës folklorike shqiptare krijoi një premisë reale për t'u shprehur me një gjuhë të pasur në elementë shqiptarë,,.

 

Prandaj universi estetik i etnomuzikologjisë shqiptare, pa Ramadan Sokolin në Shqipëri dhe pa Lorenc Antonin në Kosovë, që cilët filluan veprimtarinë e tyre kërkimore dhe artistike dhe vunë themelet e saj në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, nuk do ta kishte këtë zhvillim dhe utilitarizëm muzikor si funksionalizëm estetik.

 

Do të përqëndrohemi posaçërisht në aktivitetin krijues të kompozitorit dhe të etnomuzikologut Ramadan Sokoli, jo vetëm për të kuptuar nervin e tij hulumtues, por edhe për ta njohur krijimtarinë që paraqet një metaforë artistike si pjesë përbërëse e kohës sonë, si sublimim i ndjenjave krijuese dhe i përjetimeve origjinale me qasje të duhura artistike. Me emrin e tij është e lidhur ngushtë etnomuzikologjia shqiptare, kjo degë e shkencës,  historia dhe ecuria e saj në Shqipëri dhe më gjerë.

 

Etnomuzikologjia fillestare dhe pa traditë

 

Etnomuzikologjia nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe si shkencë në trojet tona, sikurse edhe e gjithë shkenca dhe kultura shqiptare. Në një të kaluar jo fort të largët, kemi pasur disa emra të nderuar, të cilët kanë qënë mbledhës të folklorit dhe ndonjëherë kanë mundur t'i deshifrojnë këngët që kanë mbledhur. Ndër ta duhet përmendur Gjon Kolë Kujxhija, që ka dhënë një ndihmesë të shquar me botimin  e vëllimit të parë me titull ,,Valle kombëtare – Dasma Shkodrane,,, 20 qershor 1943 në Firence, si dhe Pjetër Dungun me përmbledhjen e njohur ,,Lyra shqiptare,,. Të dy këto punime mund të konsiderohen në mos të parat, së paku ndër të parat botime të kësaj gjinie.

 

Ramadan Sokoli është studiues e hulumtues, i cili i shtrin problemet etnomuzikologjike në tema universale të kësaj shkence duke i prezantuar në referenca. Ai pikërisht është i pari që na solli brenda një harku kohor të shkurtër një varg studimesh dhe tekstesh etnomuzikologjike me struktura komplekse, modernë jo vetëm në aspektin e parimeve estetike, por edhe të qasjeve të tyre, duke u bazuar në diskurse që burojnë nga vetë gjenia krijuese e popullit. Kësaj të fundit i jep pa ngurrim përparësi, siç i ka hije një shkencëtari me bagazh të konsiderueshëm diturie dhe pa dilema, si përfaqësues i denjë dhe teoricien i parë i etnomuzikologjisë shqiptare.

 

Tek vepra e Ramadan Sokolit shquajmë një krijimtari të madhe dhe të gjerë, jo vetëm në etno muzikologji, por edhe në kompozicion.

 

Nga ky këndvështrim, duke i shpalosur punimet e tij shkencore, me plotë gojë mund të themi se kredoja e tij krijuese dhe hulumtuese bazohet në binomin artist-shkencëtar, binom që shumë shpesh e hasim edhe te  krijues të tjerë, sepse koha ka qënë ajo që ua ka imponuar një realitet të tillë.

 

 Shkodra, qytet i një kulture të madhe gjithëshqiptare

 

 Shkodra ka qënë qytet në të cilin u lind ky shkencëtar, që  rrjedh nga një familje me tradita të hershme kombëtare, atdhetare e qytetare. Fisi i Sokolave pat ardhur nga fshati Boja i Sumës së Malësisë së Madhe dhe ka nxjerrë shumë trima. Po të shfletojmë pak historinë, do të na shfaqet përpara figura e Hodo Pashë Grudës, mbrojtësit legjendar të Hotit e të Grudës, treva  shqiptare në Mal të Zi,

 

Ramadan Sokoli u lind pikërisht në Shkodër, më 19 qershor të vitit 1920. Aty filloi të mësojë muzikën artistike dhe në moshën 16-vjeçare kompozoi një sërë këngësh, si: ,,Turtulleshë,,, ,,Jelino,,, “Lulja me erë,, e shumë të tjera, që u përqafuan nga publiku dhe u bënë pjesë e shpirtit të tij.

 

Në vitet 1940-1944 vazhdoi studimet për flaut dhe kompozicion në Konservatoriumin e Muzikës ,,Luigi Cherubini,,, në Firence (Itali).

 

Pas përfundimit të studimeve, duke grumbulluar tashmë   dije të konsiderueshme, e ngriti nivelin jo vetëm të mësimdhënies së flautit, të teoretikës e të teorisë  së kompozimit, por u fut plot sukses në të fshehtat e në enigmat që mbante në gji ai kozmos muzikor, si katars aristotelas. I gjithë ky proces nuk kish si të mos shoqërohej me ,,trandje,, shpirtërore. Rëndësi të posaçme i kushtoi përcjelljes e zbatimit të përvojës së fituar sakaq, si mesazhe bindëse për krijimtarinë e tij jo vetëm në rrafsh teoriko-praktik, por edhe artistike. Njëkohësisht bëri hapa drejt sintetizimit të tyre në aspektin gnoseologjik.

 

Mjerisht, me kthimin në atdhe, fill pas mbarimit të  studimeve, ëka përkoi me kohën kur komunistët e ,,çliruan,, Shqipërinë, Ramadan Sokoli pësoi jo vetëm katarsis e tronditje të vërteta shpirtërore, por edhe tragjedi. Befas ,,çlirimtarët,,  e burgosën bashkë me të dy vëllezërit, Ibrahimin dhe Hodon, për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari nacionaliste dhe legaliste. Ky ishte “mëkati“ i tyre. Pas shumë viteve,  falë ndihmës së shokut të tij, shkrimtarit Llazar Siliqit, - që shfrytëzoi, siç thuhej, nevojën e regjimit për kuadro të nevojshme në fushën e studimeve muzikore, - u lirua nga gulagu enverist. Pas vuajtjeve fizike, filluan vuajtjet, po aq të mëdha, shpirtërore, sepse e detyruan të krijonte si “anonim”, pa pasur të drejtë të vinte emrin në veprat e në shkrimet që botonte.

 

Pasi u lirua nga burgu, u caktua instruktor muzike në Ministrinë e Mbrojtjes, instruktor i korit shtetëror, përgjegjës  i muzikës në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë, ndërsa më 1967 u emërua pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për ta nxjerrë në pension në moshën 55-vjeçare, bash në kohën më të mirë krijuese.

 

Gjithnjë u është përmbajtur fjalëve “Chi va piano, va sano”, (Kush ec ngadalë, ec shëndoshë e mirë). Me durim e këmbëngulje, me zell e përkushtim, botoi shumë artikuj e   studime shkencore dhe praktikisht u bë themeluesi i muzikologjisë shqiptare, pastaj edhe modernizuesi i saj në tërësi përmes zbatimit të diskurseve dhe referencave konkrete, të cilat u mishëruan e u materializuan në veprimtaritë e specializuara të fushës përkatëse. Paralelisht me këtë,  i vuri vetes detyrë që të përgatiste kuadrot e nevojshëm, duke qënë i vetëdijshëm se në muzikologji mungesa për ta ishte mjaft e theksuar.

 

Studim i shkëlqyer: “16 shekuj” -njih vetveten!

 

Lista e punimeve të tij do të ishte shumë e gjatë, por ne do të ndalemi vetëm në veprën “16 shekuj”, ku çuditërisht as në koopertinë e as në brendinë e botimit nuk hasim as datën e botimit e as atë të krijimit, çka mund të konsiderohet si  lëshim teknik.

 

Parathënia fillon me fjalët e së madhes Dora d'Istria : ,,Arbëria gjithmonë ka nxjerrë njerëz të mëdhenj,, . Qysh në rreshtin e parë të kësaj parathënieje lexojmë dy fjalë: ,,Njih vetveten,,, si lajtmotiv i krejt studimit, epse profesori i nderuar në të nëntë kaptinat flet dhe shkruan për personalitete që pak ose aspak nuk janë hulumtuar, nuk është shkruar për ta, përfshi krijimtarinë shkencore dhe artistike të humanistëve, artistëve dhe shkencëtarëve mërgimtarë. Pra, stilema:  ,,Njih vetveten,, e përligj plotësisht e më së miri vënien në ballë të parathënies.

 

Në kreun e parë shpaloset veprimtaria e madhe e dijetarit dhe muzikantit Niketë Dardani ose Niketa i Remesianës, për të cilin autori me të drejtë shprehet: ,,Niketë Dardani, i pajisur me prirje letrare e muzikore, përpilonte këngë dhe himne e ua mësonte besimtarëve që t'i këndonin së bashku. Me sa duket ai ishte rritur në një mjedis ku muzika përfshihej në planin mësimor për edukimin e rinisë, si pjesë e lëndës së metrikës”.

 

Më tej, autori shton: “Pra, ky prelat i devotshëm, njeri i gjakut tonë,  në moshë të re, 26-vjeçare, ishte në postin më të lartë në hierarkinë kishtare katolike, që i dha qytetërimit një opus të gjerë të kanonizuar, të pranuar si model, aktual dhe i përdorshëm edhe në ditët e sotme.  Mjafton të përmendim Te Deum Laudamus, himn i cili njihet në literaturën e përbotshme dhe ka mbetur aktualqë nga viti 525 pas Krishtit dhe ndodhet në Antifonarin e Bangorit të Irlandës, si dorëshkrim i kopjuar ndërmjet viteve 680-691, si relikt paleokristian që të kujton disa skulptura arkaike plot patos në thjeshtësinë tyre....,,.

 

Sa i përket natyrës së himnit të sipërpërmendur, profesor Sokoli thotë se ,,....ky himn tradicionalisht shtjellohet lirshëm, duke u mbështetur në pikat parësore sipas stilit responsorial, domethënë duke gërshetuar zërin e solistit me zërat e grupit të këngëtarëve, që i përgjigjet verset pas verseti,,.

 

“Te Deum ,vazhdon autori, ,,...pa druajtje është më i famshmi himn në liturgjinë kishtare të mbarë botës,,.

 

Më tej, Ramadan Sokoli shpjegon edhe shumë elemente të tjera dhe ve në dukje se “me të drejtë mund të konstatojmë se ky krijues sikur asgjë të mos kishte bërë,  por vetëm këtë himn, do të kishte ngelur i njohur si autor me një të shprehur dhe të menduar si krijues i vetëdijësuar dhe i formësuar artistikisht në nivel të lartë artistik dhe duke pasur soditje imagjinatave në kontekstin jo vetëm spiritual, por më gjerë”. Në fund, autori konstaton: ,,....kjo dukuri dëshmon jo vetëm për qëndrueshmërinë e himnit, por edhe për vazhdimësinë e pandërprerë të traditës sonë, duke hapur shtegun për hulumtime të mëtejshme rreth etnogjenezës së popullit tonë, si dhe të vazhdimësisë etnokulturore iliro-arbërore-shqiptare,,.

 

Me qënë se vendi në gazetë nuk na lejon të flasim për të gjithë kapitujt veç e veç gjerësisht, ne vetëm sa i përmendëm ato.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora