E premte, 26.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Mendime

Ami Boue: Fatkeqësitë e shqiptarëve

E diele, 16.09.2007, 12:11 AM


Nga Asti Papa

Edhe kushtet e jetës materiale të shqiptarëve zgjuan kureshtjen e Ami Bouesë. Kështu, ai foli ndër të tjera kryesisht mbi mënyrën e të ushqyerit, pamjen e qyteteve dhe të fshatrave, banesat dhe fortesat, kishat e xhamitë, monumentet historike, doket dhe zakonet, duke dhënë njoftime mjaft interesante. Ai përshkroi edhe kullat tipike ose “shtëpitë katrore me gurë” të malësisë shqiptare, pazarin e mbuluar të Shkodrës dhe të Pejës, kishat e Mirditës, kështjellat e Gjirokastrës, Beratit, Shkodrës, Lezhës, Prizrenit, si dhe kështjellat më të vjetra të Drishtit, Danjës dhe Petrelës. Dijetari i njohur foli edhe mbi shoqërueshmërinë midis shqiptarëve, mbi dasmat dhe festat familjare, mbi çiftet e përziera midis shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë, mbi festat fetare më të njohura, sidomos mbi festën e Shën Gjergjit që kremtohet edhe nga myslimanët shqiptarë. Nga ana tjetër, ai nuk mënoi të nxjerrë në pah edhe zakonin më të mynxyrshëm shqiptar, atë të hakmarrjes, të gjakmarrjes shqiptare, duke folur edhe për kodifikimin, për rregullat e zbatimit të saj.

Në vëllimin e tretë të veprës së tij madhore, ndërmjet çështjeve të tjera, Ami Boue iu kushton vëmendje të posaçme çështjeve të ekonomisë dhe të organizimit politik edhe në trevat shqiptare. Ai vëren se bujqësia në Shqipëri nuk është shumë e zhvilluar dhe kryesisht përmenden vreshtat dhe ullishtat në rrethinat e Beratit, Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Lezhës dhe Shkodrës, si dhe pemët frutore, mollët dhe dardhat në Kosovë. Duke folur për blegtorinë, përmend zhvillimin e bagëtive të imta dhe shtegtimin e tyre drejt bjeshkëve, në pranverë, nga fundi i prillit, ditën e Shën Gjergjit dhe drejt fushave në vjeshtë, nga fundi i tetorit, ditën e Shën Mitrit. Nga udhëtimi i tij nëpër viset shqiptare përmend rrugën e karrocave që shkon nga Shkodra në Durrës e më tej në Kavajë, Elbasan, Berat dhe Vlorë, rrugën nga Shkodra në Tiranë, si dhe disa ura me gurë si Ura e Shenjtë mbi Kir, ura mbi Drin në Pejë, mbi Shkumbin në Elbasan, mbi Osum në Berat, mbi Vjosë në Përmet.

Po të njëjtin zhvillim të pakët Ami Boue e vërejti edhe për industrinë dhe zejtarinë në viset shqiptare. Ndërkaq, ai theksoi se “Shqiptarët janë të njohur për punimet me gdhendje në hekur dhe në bakër”, si dhe për qëndistarinë, sidomos në Shkodër dhe në Janinë. Ai vëren gjithashtu se “duke qenë kryesisht një popull blegtorësh e bujqish” tregtia nuk është fort e zhvilluar në Shqipëri dhe prandaj “tregtarët shqiptarë nuk janë të shumtë në Turqi”. Nga ana tjetër, ai përmend se “shqiptarët, si dhe grekët e armenët, janë të vetmit që merren me detari në Turqi”.

Duke kaluar me kalë ose madje me këmbë nëpër shtigjet e thepisura të maleve shqiptare, Ami Boue u njoh me organizimin fisnor dhe mënyrën e administrimit osman të “vilajeteve” shqiptare. Ai thekson se krahas ndarjeve administrative osmane të Shqipërisë, vërehen edhe krahinat e lira dhe vuri në dukje se “krahina e lirë më e madhe e Turqisë së Europës është Mirdita ose viset malore katolike që përfshijnë mirditorët, dukagjinasit dhe matjanët”, të drejtuara nga “prenku ose princi” i tyre dhe ku malësorët “nuk paguajnë asnjë lloj takse dhe nuk lejojnë asnjë turk të banojë midis tyre”. Ai vuri në dukje gjithashtu se “po në të njëjtën gjendje janë në pjesën më të madhe edhe malësorët në veri të Drinit”, si dhe “Himara e Suli në Shqipërinë e Jugut” dhe theksoi se në viset shqiptare “çdo fis i madh ka kryetarin e tij – plakun”.

Ami Boue jep njoftime mjaft të rëndësishme mbi gjendjen e organizimit ushtarak në Turqinë evropiane, duke vënë në dukje edhe praninë e trupave të parregullta, ose bashibozukëve dhe thekson se njësitë e këtyre trupave të parregullta turke “janë të përbëra kryesisht nga vullnetarë shqiptarë dhe grekë”. Ai i quan shqiptarët “zviceranët e lindjes”, duke pasur parasysh se qysh në kohë të hershme mjaft prej tyre, sidomos mirditorët, “kanë shërbyer si stradiotë, si ushtarë për Papën, për mbretin e Napolit, për Francën në kohën e Henrikut IV, për Austrinë.... dhe ka ende të tillë që shërbejnë për sulltanin dhe Mehmet Aliun e Egjiptit.” Ai përmend gjithashtu se edhe vetë “Hospodarët vllehë kanë pasur në shërbim të tyre ushtarë shqiptarë epirotas të besimit ortodoks”.

Një vend të posaçëm në tërë veprën e tij Ami Boue i ka kushtuar besimit fetar të shqiptarëve. Duke qenë vetë një pasardhës i “hygënotëve” francezë, të cilët kishin pësuar aq përndjekje nga shkaku i fesë, ai ka folur me admirim të veçantë për një veti të çmuar morale që vërejti në trevat shqiptare: mungesën e fanatizmit dhe tolerancën e madhe fetare. Ai thotë se “Në Shqipëri, sidomos në Labëri, vetë turqit thonë se myslimanët shqiptarë janë fare pak të lidhur me fenë e tyre”. Ami Boue ka përmendur fakte të ndryshme për të vërtetuar se “madje edhe myslimanët shqiptarë nuk janë aspak fanatikë” dhe “tregojnë tolerancë fetare ndaj bashkëkombësve të tyre të krishterë”. Kështu, ai përmend se në Shqipëri “pothuajse të gjithë e pinë rakinë... por, megjithatë e ruajnë masën dhe shihen pak të dehur”. Ai thekson gjithashtu se edhe “femrat myslimane të Shqipërisë, sidomos në viset malore, janë më të lira se në çdo vend tjetër të Turqisë së Europës....Ato nuk mbajnë ferexhe dhe madje i presin vetë miqtë”. Ami Boue përmend me mirënjohje se, kur u sëmur në viset shqiptare dhe dridhej nga ethet, “kaluam dy ditë në shtëpinë e një fshatari, ku për mua u përkujdesën gruaja dhe vajzat e tij....Fshatari i mirë mysliman na tha: “Ne nuk jemi turq”, - dhe na futi në dhomë, pa i larguar gratë”.

Vëmendjes së Ami Bouesë nuk i shpëtoi as gjendja e mjerueshme, në të cilën e kishte lënë qeveria turke arsimimin e rinisë shqiptare. Ai thekson se në viset shqiptare “shkollat mungojnë pothuajse kudo” me përjashtim të kuvendeve e manastireve, si dhe të disa qyteteve si Shkodra, Elbasani dhe Berati.

Në vëllimin e katërt të veprës së tij madhore, dijetari poliedrik u mor edhe me çështjet politike të Gadishullit Ballkanik, duke i kushtuar vëmendje të posaçme edhe viseve shqiptare. Ai vë në dukje ndarjet dhe kufijtë e vjetër midis vendeve të ndryshme të gadishullit dhe thekson rëndësinë e tyre politike e ushtarake, flet për kufizimet e Shqipërisë në veri, lindje dhe jug, për kalimet gjeografike natyrore nga Shqipëria në Maqedoni dhe në Thesali, për kufijtë e Epirit etj. Kur parashtron qëndrimin politik të popujve ballkanikë që përfshiheshin në Turqinë e Europës, përmend ndër të tjera qëndrimin e sllavëve dhe të grekëve ndaj Rusisë dhe Austrisë, antipatinë e boshnjakëve ndaj turqve dhe serbëve, qëndrimin e Portës së Lartë ndaj tërë popujve ballkanikë nënshtetas të saj. Në këtë mes janë mjaft interesante mendimet e Ami Bouesë për qëndrimin politik të shqiptarëve. Ai thekson fillimisht se shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të forcave të armatosura turke në viset ballkanike dhe e pëlqejnë shërbimin ushtarak “duke qenë se ata janë mësuar qysh në rininë e tyre të përdorin armët dhe, sepse ata i kanë qejf uniformat e bukura dhe jetën plot të papritura të ushtarakëve, por shkojnë në ushtri, kryesisht, sepse janë tepër të varfër në malet e tyre”. Nga ana tjetër, ai vë bukur në dukje një veçori të qëndrimit politik të shqiptarëve, kur thekson: “Duke parë kaq shqiptarë në radhët e ushtrisë turke, mund të mendohej se ata janë nënshtetasit më të bindur të perandorisë, ndërsa ata janë kryekëput e kundërta dhe duke shërbyer në ushtri, kërkojnë vetëm që të fashitin prirjet e tyre, madje shpesh janë të gatshëm për t’i braktisur urdhëruesit e tyre...Zakonisht, ata komandohen nga oficerë turq dhe vetë zënë vende të dorës së dytë, sepse ndryshe turqit nuk do të kishin gjë në dorë....”. Ai thekson gjithashtu se “qeveria nuk ndjen rrezik nga ta, kur janë të shpërndarë nëpër garnizone të ndryshme dhe nën komandën e oficerëve turq. Por, nëse do t’i shkonte në mend që të krijonte oficerë të lartë shqiptarë dhe të përqendronte trupat siç bëhet në monarkitë evropiane, atëherë shqiptarët do ta ndjenin forcën e tyre dhe do të përfitonin nga kjo”. Ami Boue mendon se ky qëndrim shpjegohet me faktin që “shqiptarët i përbuzin të gjithë turqit, sepse ata e mbajnë veten e tyre më të lartë nga turqit për nga fuqia dhe mprehtësia e mendjes. Shpesh ata flasin ndërmjet tyre për turqit, duke i quajtur me nofka përçmuese si çorbaxhinj, pizevengë, bij kurvash etj. Madje, shqiptarët ortodoksë e kishin si zakon që si shpërblim për lirimin e robërve turq që kapnin, të kërkonin ndonjë gomar ose mushkë...Ata nuk e harrojnë Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën dhe prijësit e tjerë, nën urdhrat e të cilëve i kanë shkaktuar humbje osmanëve.


* * *

Duke e njohur nga afër gjendjen e shqiptarëve, duke parë botën e tyre shpirtërore, duke ndjerë dëshirat e tyre të patundura, Ami Boue e quajti për detyrë që të shfaqë shpresat më dashamirëse dhe pikëpamjen e tij për të ardhmen e Shqipërisë. Ai shkruan: “Mund të na pyesin se ç’duan, pra, banorët e Shqipërisë? Shqiptarët, të ndarë prerazi nga sllavët dhe madje edhe nga grekët, synojnë të kenë kombin dhe shtetin e tyre, nëse do të mund ta fitonin atë....Duke pritur këtë ditë, shqiptarët tubohen rreth prijësve të tyre, nën urdhrat e të cilëve duan që të kenë të njëjtin imunitet, të njëjtën pavarësi, si ajo që kanë krahinat e lira të malësisë.... Deri tani ata nuk kanë asnjë prijës aq të madh, aq të aftë, që të krijojë trupin e një kombi. Dhe duke qenë të ndarë, turqit arrijnë të mbajnë me të mira disa prej tyre, për të shtypur të tjerët dhe kësisoj t’i ndëshkojnë të gjithë njëri pas tjetrit”. Ami Boue shpreh bindjen e tij mbi rolin që do të luajnë shqiptarët në rrëzimin e Turqisë, duke shkruar se “mund të jemi të sigurt, se në përplasjen më të afërt të Perandorisë Turke, në Shqipëri do të shpërthejë një stuhi kundërshtimesh dhe mund të parashikojmë ndryshime të mëdha”.

Ami Boue shfaq bindjen e tij, se nën një qeverisje tjetër dhe të përshtatshme shqiptarët do të arrijnë një shkallë më të lartë qytetërimi, do të evropianizohen dhe në vend që të groposin paranë e fituar, do ta përdorin atë me përfitim dhe për të kënaqur shijet e tyre. Kësisoj, mendon ai, shqiptarët “do të ishin sipërmarrës të shkathët, njëlloj si grekët dhe vllehët”. Ndërsa tani, sipas Ami Bouesë, “shqiptarët mendojnë se mund ta gjejnë të mirën vetëm në mjeshtërinë e armëve, në ushtri”.

Ami Boue analizoi edhe qëndrimin politik të ndërsjelltë dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët e tyre. Në disa shkrime të viteve 1860, dijetari i shquar flet për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve dhe shpreh shpresën se “do të marrë fund kjo mëri mendjeshkurtër ndërmjet këtyre dy racave, që pengon qytetërimin e tyre të përbashkët”. Ai ishte për marrëdhënie dhe bashkëpunim miqësor të sllavëve të jugut dhe shqiptarëve, me synimin për të krijuar një front të përbashkët kundër zgjedhës osmane. Duke theksuar se “shqiptarët janë ushtarë trima dhe jo bullgarë të nënshtruar”, ai i këshillonte serbët që “të përpiqen ta zëvendësojnë antipatinë e tyre kombëtare ndaj shqiptarëve me një sprovë për afrim midis tyre, që është në interesin e përbashkët, sepse këta dy popuj i urrejnë njëlloj osmanët”. Dijetari mendjendritur i këshillonte gjithashtu serbët, të cilët tanimë kishin fituar një autonomi të madhe dhe ishin të lidhur vetëm formalisht me Portën e Lartë, që të hapnin në Beograd një shkollë për shqiptarët, “ku të kultivohej gjuha shqipe dhe ku duhet të tërhiqen të rinjtë shqiptarë”.

Por, ndërhyrjet e tij në përkrahje të shqiptarëve nuk mbeten vetëm me kaq. Në shkrime të tij të mëvonshme, gjatë krizës ballkanike të viteve 1875-1876, kur në Bosnjë-Hercegovinë, në Malin e Zi dhe në Bullgari ndodhën masakra të popullsive myslimane dhe kundërpërgjigje me masakra të popullsive të krishtera, ai mbajti një qëndrim realist. Në një artikull të botuar në “Neue Wiener Tageblatt”, në maj 1876, dijetari mendjendritur stigmatizoi absurditetin e disa mendimeve të përhapura në mjediset sllave për “shfarosjen e plotë barbare të gjithë popullsisë myslimane”. Ai theksoi se “këto ide sllavët m’i kishin shfaqur në 1857 dhe qenë habitur nga kundërshtimet e mia, megjithatë besonin, pa mend në kokë, se në këtë mënyrë do të gjenin shpëtim.....Si mund të lehtësohesh nga vetë banorët e Turqisë, domethënë nga bullgarët dhe boshnjakët që janë bërë myslimanë? Pastaj, cili është ai i çmendur që mund të propozojë të masakrohen afro një milion shqiptarë, të cilët kanë përqafuar me pahir besimin e Muhamedit?”

Parashtrimin e tij mbi “Turqinë e Europës” studiuesi poliedrik e mbyll me një vështrim historik, në të cilin trajton me radhë historinë e serbëve, boshnjakëve, malazezëve dhe shqiptarëve. Pavarësisht se, si e thekson edhe vetë, ky vështrim “është vetëm një kronikë e thatë e ngjarjeve politike kryesore” dhe se është shkruar mbi bazën e të dhënave të studimeve të kryera nga autorë të tjerë, në të mund të gjejmë shumë vërejtje të drejta. Kështu, në faqet që i kushtohen Shqipërisë dhe në të cilat vihen në dukje ngjarjet kryesore, si koha e Perandorisë Romake, dyndjet sllave, epoka e Bizantit, mësymja e turqve, epopeja e Skënderbeut, pashallëqet e mëdha shqiptare etj., janë parashtruar edhe të dhëna të reja. Të tilla janë njoftimet tejet të rëndësishme për trazirat dhe lëvizjet kryengritëse më të fundit, ato të viteve 1830, për të cilat ai mori të dhëna të drejtpërdrejta në viset shqiptare. Po ashtu, zgjon interes të madh parashtrimi i hollësishëm, me fakte të shumta e plot kolorit, i një ngjarjeje të hidhur dhe tepër të njohur të historisë shqiptare, që kishte ndodhur vetëm disa vite para udhëtimit të Ami Bouesë nëpër Shqipëri. Është fjala për masakrën e krerëve shqiptarë në 1830, në Manastir, ku ata u prenë në besë nga veziri i madh turk Reshit Pasha dhe u vranë tradhtisht. Ami Boue, i cili siç duket ka dëgjuar nga bashkëkohësit dëshmitarë të kësaj drame rrethanat dhe hollësitë e saj, i ka dhënë ato me besnikëri, duke përshkruar sesi “u zhduk në një mënyrë mizore lulja e prijësve shqiptarë”, duke ngritur lart qëndrimin krenar deri në vdekje të këtyre prijësve, viktima të pabesisë osmane.


* * *

Ami Boue kishte ardhur në Gadishullin Ballkanik, në “Turqinë e Europës” dhe veçanërisht në skajin e saj më të humbur, në Shqipëri, e cila përfaqësonte një “terra incognita” për Europën e fillimit të shekullit XIX, i ushqyer me paragjykimet e zakonshme të kohës. Por, duke i qëndruar besnik bindjeve të tija si shkencëtar i mirëfilltë, pasi ishte njohur drejtpërdrejt me tërë anët e jetës shqiptare, pasi i kishte njohur nga afër shqiptarët me të mirat dhe të metat e tyre, me virtytet dhe veset e tyre, ai arriti të dallojë paragjykimet e përhapura nga propaganda shoviniste e fqinjëve dashakeqës nga realiteti i terrenit. Ai arriti të dallojë lakmitë dhe qëllimet shoviniste të këtyre fqinjëve ballkanikë nga mëtimet e arsyeshme të shqiptarëve dhe kësisoj, mundi të krijojë një botëkuptim të tijin mbi Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Thelbi i këtij botëkuptimi të tij është bindja se Shqipëria e meritonte plotësisht që të ishte e pavarur, se shqiptarët ishin të denjë që të kishin një shtet të tyrin, por do të ishin të detyruar të përballoheshin me lakmitë ekspansioniste të fqinjëve të tyre ballkanikë.

Këtë bindje të tij Ami Boue e theksonte shprehimisht, kur shkruante “Njëlloj si dhe Bosnja, Shqipëria e sotme mund të ekzistojë si shtet i pavarur midis Greqisë dhe një shteti serb. Është e vërtetë se ky vend është tepër i zgjatur në krahasim me gjerësinë e tij, por, nga ana tjetër, ai ka kufij tepër të përcaktuar dhe një bregdet të madh, me porte deri diku mjaft të mira, të cilët mund ta pasurojnë duke zhvilluar tregtinë. Por, fatkeqësia e Shqipërisë është se gjendet midis shteteve të tilla, të cilët kërkojnë të zgjerohen. Kësisoj, atdhetarët shqiptarë me gjasë do të gabohen në atë çka presin”.

Fjalë profetike ogurzeza, të thëna në 1840, që u vërtetuan nga copëtimet e njëpasnjëshme të trungut shqiptar në 1878, në 1913!.....



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora