E diele, 25.07.2021, 05:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Ne dhe te lindurit ndryshe

E merkure, 05.08.2009, 07:11 PM


Suzana Kuqi

Ne dhe te lindurit ndryshe


Vajza ime ka një shoqe, që sa herë i thoshte së ëmës se kishte një problem, ajo e pyeste:

- “Je shtazënë?”

- “Jo,”- përgjigjej vajza.

- “Je lezbike?”

- “Jo,” - përgjigjej sërish vajza.

-Atëherë nuk është problem. Tani më thuaj ç’të shqetëson.

Kur ma tregoi vajza këtë, fillova të qeshja. Eshtë si barcaletë mendova. Një anektodë. Për mua. Por ç’do të thoshte një nënë që ka një fëmijë... ndryshe? Po ta mendosh, nuk mund të thuash se është problem për nënën, ajo e don dhe e pranon krijesën e saj ashtu siç është. Problem po, dhe problem i madh është për atë krijesë... ndryshe. A i ka shkuar ndokujt ndër mend të kuptojë se ç’ndjen e vuan? Në këtë botë e jetë që është mjaft e vështirë dhe e komplikuar edhe për të lindurit brenda normave e rregullave te natyrës e shoqërisë, nëse mund të quhen kështu normalët, imagjinoni se si mund të jetë për ata... Por... problemi është vetëm i tyre, ne krenohemi me heteroseksualitetin tonë...

Nuk e di, por ca si shpesh e dëgjojmë fjalën gej këto kohët e fundit. Ku nuk dëgjohet, në radio, në televizor, në punë, në shtëpi… po, po dhe në shtëpi. Vajza ka një shok klase që vitin e tretë të shkollës kish shpallur se ishte gej. Dhe nuk i vinte turp aspak, e fundja përse t’i vinte? Në fakt me përjashtim të burrit tim të dashur që është akoma me të vjetrën, jo se kemi ndonjë simpati të madhe, nuk jemi aspak diskriminues. Je duke bërë punë në shtëpi e në televizor ka ndonjë program për të rinj. Ti nuk e ndjek, nuk hyn në programin tënd të ditës, më së shumti të kap veshi ndonjë fjalë, veshët e shkretë janë bërë për t’u mbajtur hapur, nuk kanë as kapakë që t’i mbyllësh. Veç kur dëgjon vajzën apo djalin të thotë:

- “Ky është gej, duket.”

- “Po!”- ja pret tjetri me siguri të plotë.

Burri nuk e kthen kokën fare nga ekrani, është shumë i zënë me sudokun e tij ndërsa unë e kthej dhe vështroj me kujdes atë figurë djali që ka pushtuar ekranin por nuk shoh asgjë të çuditëshme. Djalë i zakonshëm, i veshur siç duhet, serioz apo gazmor e aq.

- “Ama dhe ju, ç’ja fusni kot!”- ndërhyj unë.

-” Ku merr vesh dhe ti o ma,” - ma kthen djali ndërsa vajza ja kukuris. Kjo po që më hip nervat, kur më thonë që nuk marr vesh...

- “Ju po, ju, i dini të gjitha!” – nxehem unë.-” C’i bini kot në qafë çunit të botës, është alamet çuni.”

Ata kukurisin të dy. Pastaj për të më zbritur nervat fillojnë e më spjegojnë se si dallohen, nga mënyra se si flasin, nga xhestet me të cilat i shoqërojnë fjalët, nga mënyra se si lëvizin kokën, buzët e shumë e shumë gjëra të tjera që unë prapë se prapë nuk i dalloj dot. Burri që bezdiset nga ky lloj muhabeti ja pret me ton:

- “Mbylleni gojën! S’keni turp! Shkoni e mësoni!”

Atëhere vajza jonë inteligjente fillon e i spjegon se nuk ka asnjë turp, se homoseksualiteti ka ekzistuar shumë e shumë kohë më parë, se ajo e ka mësuar në shkollë, se ishte pjesë e qytetërimeve të lashta grekë e romake, se konsiderohej si dashuria më e pastër e... sublime… e këtu është kulmi se burrit i hipin nervat më shumë, e përzen nga salla dhe e dënon të futet në dhomën e saj. Ajo çohet e shkon në dhomë të saj, me derë hapur dhe vazhdon batutat nga andej derisa i ati e humb durimin aq sa shkon e mbyllet në dhomën tonë të gjumit. Mbetem vetëm unë me djalin. I miri i mamit sa i bukur që është … ke qejf ta shohësh. Kaq i bukur... Po sikur… Kjo “sikur” fillon si një pikëpyetje e vogël e të duket qesharake në fillim por pastaj…

- “Bir, po ti nga i di gjithë këto gj...”

Ai qesh e del nga dhoma pa më dhënë përgjigje e duke ma lënë kunj muhabetin. E shkreta unë si e kam hallin. Po sikur… E dëgjoj që flet me dikë në telefon, i dëgjoj ato fjalë të ëmbla që thotë e gjaku më shkon në fund të këmbëve. Shkoj në sallë e ngre telefonin ngadalë, me kujdes dhe e... përgjoj. Sa turp, dhe dua t’u jap edukatë fëmijëve! Të them të drejtën më vjen pak turp po nuk kam nga ja mbaj. Duhet t'i di gjërat që kanë lidhje me bijtë e mi. Nga ana tjetër e telefonit një zë vajze që mua më duket më i bukuri që kam dëgjuar ndonjëherë. Por nuk arrij të dëgjoj as dy fjalë rresht, se papritur më buçet në veshë zëri i tim biri:

- “Ma, mbylle telefonin se po flas me Ritën!”

Ul menjëherë dorezën e telefonit dhe kthej sytë nga dera. Nuk është aty. Po si dreqin e mori vesh? Pastaj kujtohem se televizori është i ndezur e dëgjohet në anën tjetër. Nuk më bën përshtypje se më kapi gjallë tek e përgjoja, jam e gëzuar, shumë e gëzuar. Rita atë moment nuk është më një vajzë e zakonshme, është e mrekullueshme, më e mrekullueshmja e botës…

Dëgjon të flitet e bëhesh kurioz, e si të mos bëhesh? Aq më tepër kur të hipin nervat tek dëgjon një koleg që thotë se kush nuk ja var nga gratë e punës duhet të jetë... Jo, kjo nuk durohet fare. Kështu që një ditë që gjeta ca kohë të lirë, vendosa të zhvillohesha si autodidakte, “me nder jush” siç thoshte Shvejku. Veçse ai i shkreti ish detyruar të vishej si zotëri për të hyrë në bibliotekë, ndërsa interneti nuk ta kërkon një gjë të tillë. Lexova një copë herë mbi homoseksualitetin, por të them të drejtën nuk është se mora vesh shumë. Spjegimet dhe shkaqet ishin të ndryshme, nga ato lë lindjes, domethënë se mund të lindësh i tillë, spjegimi psikologjik sipas të cilit bëhesh i tillë gjatë jetës, dhe volontaristik, që thoshte se nuk ekzistojnë persona homoseksualë por vetëm akte homoseksualiteti. Po i bie shkurt, dhe të më falni, pasi ishin aq shumë dhe çdo teori kishte mbështetësit e kundërshtarët e saj sa u bëra lëmsh e m'u ngatërruan edhe ato ide që kisha në kokë. I dhashë dum se duhej një studim i hollësishëm e shumë kohë për tu marrë me të, e fatkeqësisht unë nuk e kisha, ndaj e lashë fare.


Tereza...

Tereza e bukur flokëzezë e syzezë, që mund t'i rrotullonte trurin shumicës së meshkujve që mund t'ju rrotullohej, i përket asaj periudhe që isha pa dokumenta e isha e detyruar të punoja në të zezë. Rasti e kish sjellë të punoja me të, e nuk e dija në fillim... Një ditë e mërzitur dhe me lotë në sy më tregoi se partnerja e saj e kish lënë për një grua tjetër. Mbeta me gojë hapur, nuk dija ç'ti thoja. E në fakt e dëgjova e nuk thashë asnjë fjalë. Rrija gjithë siklet kur e dëgjoja se vuante, se ish ende e dashuruar marrëzisht pas asaj që e kish braktisur. Diçka mes absurdes e komikes, e ndjesisë se ishte diçka jo normale, e... turpshme. Pak nga pak veshët m'u mësuan. Jo vetëm kaq, nuk e di se pse, ndoshta sepse pata një shpresë të vagullt “për ta kthyer në rrugë të drejtë”... Kur e mendoj sot më vjen për të qeshur se sa mëndjemëdhenj e qesharakë bëhemi nganjëherë, me atë bindjen se jemi në të drejtë e duam të korrigjojmë botën dhe njerëzit sipas normave tona. Fillova t'i jepja mend me timen, se ishte e kotë të vuante për atë, të mblidhte mendjen e të gjente një djalë të mirë...

- “Kam patur një djalë të mirë, por nuk funksionoi.”.

- “Ndoshta nuk ishte ai që duhej,”- këmbëngula unë.

- “E di se ç’do të më thuash, por është e kotë. Kam bërë gjithë vizitat e analizat e mundëshme. Mjeku më ka thënë se kam lindur e tillë”

Ishim rrugës tek ktheheshim nga puna. Heshta, megjithëse të them të drejtën isha tërë frikë e siklet, kushedi se ç'mund të mendonin njerëzit rrugës që më shihnin me të. Ndërrova temë e fillova të ankohesha per hallet e mia. Kisha bërë gabim që kisha lënë vendin tim, nuk e kisha menduar kaq të vështirë, nuk po sistemohesha dot me dokumenta e fëmijëve në shkollë u kërkonin lejen e qëndrimit. Ajo mbajti hapin.

- “U thua probleme këtyre?”- sytë i kish të mbushur me lot.

- “Pse nuk janë?” – ja ktheva pothuaj me inat.

-” Dëgjo këtu, e më dëgjo mirë! Je një grua me shumë fat. Ke një burrë të mirë që të pret në shtëpi, ke dy fëmijë, ke gjithshka mund të të dëshërojë zemra. E unë? Nuk kam e nuk mund të kem asgjë nga këto... edhe në rastin më të mirë.

Desha t’i them se për këtë e kish vetë fajin, se e kish mbushur kokën me budallallëqe të tilla. Se natyra që e kish krijuar dhe pajisur me inteligjencë e bukuri, nuk mund të ishte aq mizore sa t'a bënte përjashtim. Desha t'i thoja të shkonte e të kuronte trutë e të ndiqte rrugën natyrale të jetës. Por… Nuk i thashë asgjë, sytë e saj mbushur me aq dhimbje, ata lot që i rrëshqisnin heshturazi faqeve, më thanë shumë, më shumë se sa më kish thënë me gojë. Ula kokën e vazhdova të ecja me hap e me mendime akoma më të rënduara. Cudi, dhimbja është ajo që i bën të shprehen më mirë njerëzit, dhe dhimbja është ajo që na bën t’i kuptojmë. Ajo dashuronte, ajo vuante, ç'të drejtë kisha unë të paragjykoja? Në ata sy pashë një zemër që rrihte për dikë, pashë atë ndjenjë që nuk ishte as më e vogël, as më e madhe dhe as më ndryshe... Atë moment...

Shpejt gjeta punë me rregulla e u sistemova me leje qëndrimi. Më ndihmoi Tereza që ishte shpirt njeriu e nuk kursehej të ndihmonte njeri nëse mundej. Nuk e kam parë më që atëhere, nuk e di se ç’bëhet dhe nga është. Nuk e di as se si mund të sillem nëse rasti ma sjell ta shoh rrugës. Do të ngurroj t'i flas?..! Do të ngurroj ta perqafoj?..! Zemra ma thotë se jo. Por kam frikë se mendimi, ose ai kënd i ngushtë i mendimit, ai që na përcakton se ç’është e pranueshme dhe e papranueshme për botën tonë të vogël që kemi brenda dhe e ruajmë me xhelozi, ndoshta në mënyrë të pandërgjegjëshme, do të më befasonte e do të më stepte. Kam njohur më vonë edhe të tjerë “të lindur ndryshe”, por nuk më kanë bërë më përshtypje. Sa herë që veshi më kap këtë diskutim, më fanitet përpara Tereza me atë dhëmbje therrëse, çjerrëse e të pafundme në sy...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora