Kulturë
Fran Cara: Mirdita në Dritën e Historisë...
E marte, 21.04.2026, 06:33 PM
Mirdita
në Dritën e Historisë: Vlera dhe Personalitete me Rrezatim Kombëtar
Rreth
librit Gjurmë në Identitet të autorit Gjon Marku
Nga
Fran Cara - Studiues dhe kritik
letrar
Gjon Marku autori i librit "Gjurmë
në identitet" bën një sprovë të suksesshme për të pohuar vetveten
në raport me një kohë të gjatë historike të mbushur me ngjarje dhe
personalitete të spikatura me vlera jo vetëm për Mirditën, por edhe për mbarë
Kombin tonë.
Përmes
këtij libri që përmbledh 14 kumtesa studimore të mbajtura në Konferenca
Shkencore brenda e jashtë Shqipërisë, 10 studime dhe 4 botime në organe
prestigjioze shtypi, i jep lexuesit të thjeshtë, apo të kultivuar mundësinë që
të njohë, përveçse autorin e disa librave me mjaft vlerë të llojeve e të
gjinive të ndryshme, por edhe mjaft ngjarje e personalitete historike të
Mirditës me rrezatim kombëtar.
Autori,
si në çdo prurje të tij, edhe në këtë përmbledhje na paraqitet si misionar e
vizionar që guxon dhe merr përgjegjësitë për të qëmtuar, grumbulluar dhe
sistemuar materiale, fakte dhe dokumente autentike arkivore që flasin për
historinë e Shqipërisë, në përgjithësi, dhe të Mirditës, në veçanti, që nga
lashtësia e deri në ditët e sotme.
Gjon
Marku është i lidhur pazgjidhshmërisht me ashtin e vendlindjes dhe atdheut të
tij. Ai është një qytetar i angazhuar për t'iu dhënë atyre gjithçka që di e
mund të bëjë më mirë. Njëherit, me kurajo qytetare, nuk mund të rrijë pa e
ngritur zërin dhe shqetësimin e tij të ligjshëm ndaj qëndrimeve të padenja të
historianëve dhe pseudohistorianëve, të studiuesve dhe pseudostudiusve, të
politikanëve dhe të pushtetarëve të çdo lloji "ngjyre", që vetëm të
tillë s'mund të quhen. Këto qëndrime arrijnë deri në mohuese e përjashtuese
ndaj vlerave më të rëndësishme historike dhe personaliteteve të Mirditës, si
gurë themeli të historisë sonë kombëtare. E pikërisht të atyre vlerave që shumë
udhëpërshkrues dhe studiues seriozë të huaj dhe vendas iu japin rëndësinë dhe
vendin që meritojnë.
Sadoqë
në këtë libër nuk shtjellohet një temë e specifikuar, shumësia e këtyre temave
krijojnë një lidhje të qëndrueshme në misionin që kanë dhe mesazhet që
përcjellin. Ato hedhin dritën e munguar dhe ndriçojnë anë të rëndësishme të
historisë shumëshekullore të Mirditës.
Falë
zotësisë së autorit për t'u thelluar në shumçka për atë që do të paraqesë dhe
aftësisë për të ruajtur drejtpeshimin e ngjarjeve dhe të rrethanave historike e
të personaliteteve pjesëmarrëse në to, pavarësisht nga largësia në kohë, duke i
vendosur në kontekstin historik, me gjakftohtësi, maturi, profesionalizëm dhe
konçizitet analizon, pohon dhe nxjerr përfundime me vlerë.
Gjon
Marku e nis udhëtimin e tij hulumtues e studimor që nga lashtësia e vjen deri
në ditët e sotme.
Pasi
thellohet në gjurmët e kulturës së hershme dhe objektet arkeologjike,
argumentohet më së miri se Mirdita për Shqipërinë e Epërme ishte një nyje e
rëndësishme si vetë Shqipëria për Ballkanin dhe Europën.
Krahas
kësaj, zhvillimi i bujqësisë dhe i blegtorisë, si dhe përdorimi i veglave të
punës, flasin qartë për një nivel kulturor të avancuar të Pirustëve, paraardhës
të Mirditës.
Që
nga lashtësia e deri në shporrjen e sundimit 500-vjeçar osman nga Shqipëria,
Mirdita nuk e kishte njohur pushtimin dhe asimilimin kulturor e kombëtar.
Nga
gjetjet e objekteve të shumëta arkeologjike në varrezat e Buklit, dokumentet
shoqëruese, analizat krahasuese dhe argumentet që përdoren, janë bindëse se
Bukli i Blinishtit ishte një qendër e rëndësishme urbane e sociale e periudhës
së Arbrit, si dhe Katedralja e Peshkopatës së Arbrit ndodhej në zemër të
Mirditës, pikërisht në Ndërfanë (Gëziqi i sotëm). Këtë e përforcon edhe gjetja
e mbishkrimit epigrafik dhe e Stemës së Arbrit, e vendosur në portën e Kishës
së Shna Premtes, apo Shën Mërisë, ku edhe për herë të parë në historinë e
Shqipërisë përdoret fjala "KOMB".
Një
vend të rëndësishëm zënë paraqitja e familjeve princërore dhe e personaliteteve
më në zë të Mirditës në rrjedhat e historisë. Autori është qëmtues i
vëmendshëm, i kujdesshëm dhe një analizues i imtë i jetës e i veprimtarisë së
tyre atdhetare dhe intelektuale.
Familjet
princërore të Blinishtëve, të Dukagjinëve dhe të kapidanatit janë "gurë
kilometrikë" të çimentuar fort në historinë e Mirditës dhe të Shqipërisë
që nga Principata e Arbrit e deri në ditët tona.
Vetëm
nga Blinishtët në shek. XIII-XIV, si në rrallë familje të tjera princërore
arbërore, tre prej tyre marrin tituj të lartë. Vllado Blinishti (1304)
titullohet "COMES" (Kont), Guliem Blinishti titullohet
"Mareshall i Përgjithshëm" dhe Kalojan Blinishti – "KOMES".
Dukagjinët,
luftëtarë të sprovuar, në kohën e Skënderbeut shtriheshin në Mirditën e sotme
administrative dhe etnografike, në Lumë, Gash, Pult, Krasniqe, Pukë dhe në tërë
zonën e Dukagjinit.
Përmes
punës së tij vullnetmadhe në paraqitjen e këtyre familjeve, autori na jep
mundësinë t'i njohim ato në brendësinë e veprimtarisë së tyre atdhetare dhe
kompleksitetin që mbartin ato.
Krahas
këtyre me mjaft vlerë sillen të dhëna rreth traditës humaniste shqiptare në
Rilindjen Europiane. E Mirdita është një vatër e rëndësishme e humanistëve
shqiptarë që renditen krahas rilindësve europianë, si: Gjon Gazulli (1400-1465)
– matematicien, astronom i famshëm dhe atdhetar i flaktë; Andrea Gazulli
(1405-1470) – ambasador i Skënderbeut dhe Pal Gazulli – diplomat dhe pedagog.
Të tre këta vëllezër njihen si njerëz dhe intelektualë të shquar, humanistë dhe
bashkëpunëtorë të Gjergj Kastriotit. Gazullorët janë me origjinë të hershme nga
fshati Gjazuj (Gazull) të Kashnjetit. Të kësaj epoke janë edhe Pjetër Përlati
dhe Pal Kuka, gjeneralë dhe diplomatë, apo Pjetër Shpani, që Gjergj Kastrioti -
Skënderbeu u besoi detyra të rëndësishme sa luftarake, aq edhe diplomatike.
Mirdita
vazhdimisht ka nxjerrë personalitete të tilla. Gjon mrku jo vetëm di të na i
paraqesë ato në tërë dimensionin e tyre intelektual e atdhetar, por përmes
analizës së thelluar të veprimtarisë së tyre dhe argumenteve e fakteve bindëse,
i vë ata në avanguardë të proceseve më të rëndësishme historike të kohës së
tyre.
Pashko
Vasa, me origjinë prej Mirdite, ishte ideatori, organizatori dhe ideologu i
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, udhëheqësi i parë i saj dhe autor i Himnit të
Parë Kombëtar, i titulluar "Bashkimi i Shqipnisë"; Abat Prend Doçi –
rilindas i shquar dhe klerik i devotshëm, kontribues për hapjen e shkollave
shqipe, për organizimin e kuvendeve të Mirditës, për alfabetin e gjuhës shqipe,
për çlirimin nga pushtuesi osman dhe shpalljen e pavarësisë, poet dhe
intelektual i rrallë; Bibë Dodë Pasha dhe i biri Prengë Bibë Doda – përfaqësues
të shquar të Kapidanatit të Mirditës dhe luftëtarë për mbrojtjen e trojeve
amtare e krijimin e Shtetit Kombëtar të Shqiptarëve; poeti kombëtar At Gjergj
Fishta dhe Dom Ndre Mjeda, më shumë se sa klerikë ishin intelektualë dhe atdhetarë
të rrallë; Kolë Toma i Velës - luftëtar i paepur që i dha gjithçka atdheut, në
libër portretizohen si figurat më përfaqësuese të Mirditës, ose me origjinë
mirditore me rrezatim të gjerë kombëtar.
Mirdita
sillet në këtë libër si vendi i kuvendeve të burrave dhe i Kanunit. Këto
kuvende ishin jo vetëm krahinore, por mbarëkrahinore e mbarëkombëtare. Roli i
tyre ishte mjaft i rëndësishëm për organizimin e jetës socialekonomike, të
vetëqeverisjes, të qëndresës dhe të luftës kundër pushtimit osman. Kuvendet dhe
kanuni trajtohen të lidhura pazgjidhshmërisht ndërmjet tyre. Ata kishin
marrëdhënie rregullatore të ndërsjellëta. Kuvendet kanë qenë institucion i
kahershëm, ku ishin vendosur e sanksionuar ligjet dhe e drejta zakonore
shqiptare. Ato ishin ashti më thelbësor e më jetik i Mirditës dhe përbëjnë një
vlerë identitare të papërsëritshme. Këto kuvende, thekson autori, në themel të
tyre kishin organizimin e qëndresës dhe të luftës së armatosur kundër
pushtuesit osman deri në çlirimin e plotë dhe shpalljen e pavarësisë. Në to u
vendos gurthemeli i gjithë mënyrës së jetesës dhe funksionimit ndërshoqëror,
ndërnjerëzor e familjar. Tradita vetëqeverisëse, e trashëguar ndër breza në
Mirditë, kishte organin më të lartë politik e vendimmarrës, Kuvendin, një model
paraprijës i parlamentarizmit bashkëkohor, prej të cilit kanë shumçka se ç'të
mësojnë parlamentarët tanë të sotëm.
Kuvendet
e mbajtura në Mirditë (1570-1912) i kanë shërbyer Lidhjes së Madhe të Mirditës,
bashkimit krahinor të saj dhe luftës për liri e pavarësi sipas lajtmotivit
"për fe e atdhe". Dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte kushtetuta
rregulluese, organizuese dhe funksionuese e këtyre kuvendeve. Por Gjon Marku
nuk mund të rrijë pa analizuar disa të vërteta të mëdha që lidhen me
mosnjohjen, moszbatimin dhe deri me anatemimin e Kanunit, jo vetëm nga njerëz
të zakonshëm, por deri edhe juristë, studiues, apo politikanë, të cilët nuk
janë të zotët të instalojnë shtetin ligjor.
Në
organizimin e këtyre kuvendeve në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillimet e
shek. XX jepen kontributet e çmuara të Abat Doçit, pa dyshim në bashkëpunim
edhe me personalitete të tjera bashkëkohëse. Abat Doçi është promotori i
Kuvendit të Oroshit (1873), të Shpalit dhe të Velës (1876), të Përlatit dhe
Rubikut (1877) dhe të kuvendeve të viteve 1902, 1908, 1912 etj.
Ndër
problemet që e shqetësojnë më shumë jon Markun, për të cilin është shkruar pak
e mohuar aq shumë, sidomos në sistemin e kaluar socialist, është historia e
zhvillimit të arsimit në Mirditë.
Për
të nxjerrë më mirë në dritë rrugën e zhvillimit të tij, ai sjell një mori
faktesh e dokumentesh nga studiues të huaj dhe vendas, sidomos misionarët e
kishës katolike.
Gjon
Marku thellohet në kohë dhe rravgon në gjurmët e arsimit në trojet arbërore dhe
në Mirditë që nga ilirët, në shek. XII e deri sot. Mjaft mirë nxirret në pah
roli i kishës, i abacive dhe kuvendeve benediktine në zhvillimin e arsimit dhe
hapjen e shkollave në gjuhën shqipe; por edhe goditja e jetës kulturore dhe
arsimore nga pushtimi osman, si në Mirditë dhe në gjithë Shqipërinë.
Në
disa dokumente historike vërtetohet hapja e shkollës së Velës (1632), si një
ndër pionieret më të hershme të arsimit në vendin tonë. Edvin Zhak, studiues
amerikan, thekson se ishin hapur edhe disa shkolla të tjera: në Kurbin (1632),
në Pllanë (Pëdhanë) (1638), në Troshan (1639), në Shkodër (1698). Në këto
shkolla, përveç shkrimit dhe leximit, mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin
librat e Bardhit, Budit dhe Bogdanit. Leonardo, një klerik françeskan, për
thelbin e këtyre shkollave pohon: "Ne jemi më shumë misionarë të
qytetërimit se sa të fesë".
Pas
numërimit të fakteve për shkollat, vendet ku u hapën dhe mësuesit, autori del
në përfundime me vlerë se në shkollat e kësaj periudhe, në më të shumëtën e
rasteve, klerikët janë edhe mësimdhënësit e tyre.
Por
shqetësimet e Gjon Markut si studiues e qytetar nuk kanë të sosur. Ai klithmon:
"Pse kërkojmë t'i zhbijmë e t'i zhbëjmë këto shkolla?! Për këtë shqetësim,
në 23 pyetje asgjësuese retorike, autori pothuajse nuk jep përgjigje. Ato nuk
kanë nevojë për përgjigje. Ato janë vetë përgjigjja. Këto pyetje janë këmbana
jo vetëm për lexuesit e kultivuar, që i kanë përgjigjet në majë të gjuhës, por
kryesisht për studiues të historisë së zhvillimit të arsimit e të mendimit
pedagogjik shqiptar që të jenë më dashamirës, më të thelluar dhe më objektivë
në studimet e tyre në të ardhmen edhe për këtë histori të spikatur të Mirditës,
si pjesë e rëndësishme e kësaj historie për mbarë vendin.
Në
rrugën e zhvillimit të arsimit theksohet se Shkolla e Oroshit (1899) është
njëra ndër shkollat e para laike shqiptare. Edhe këtu spikat kontributi i Abat
Prend Doçit, si nismëtar për hapjen e shkollave laike dhe hartimin e teksteve:
abetare, këndim, gramatikë dhe gjeografi. Me kontributin dhe insistimin e tij
hapen edhe disa shkolla të tjera: në Rrëshen (1900), në Kashnjet (1901), në
Spaç (1902), në Rubik (1903) dhe në Gomsiqe (1907).
Në
Mirditë, me këmbënguljen e popullit dhe të krerëve të saj u hapen edhe disa
shkolla të tjera para LANÇ, për t'ia lënë radhën aksionit madhor fill pas Çlirimit
të vendit për hapjen e 52 shkollave nën kujdesin e "Heroit të
Popullit", Bardhok Biba dhe "Mësuesit të Popullit", Ndrecë Ndue
Gjoka.
Kisha
Ortodokse Serbe, qysh herët, por veçanërisht në vitin 1913, armikun më të madh
të saj ka cilësuar Kishën Katolike të Shqipërisë, pohon Gjon Marku pas analizës
së shumë dokumenteve dhe relacioneve të vetë misionarëve të Kishës Ortodokse
Serbe dhe ushtarakëve të Serbisë.
Historikisht
synimet shoviniste serbe dhe të Kishës Ortodokse Serbe kanë qenë armiqësore
ndaj nesh. Ata nuk kanë lënë mjet pa përdorur politikisht dhe demagogjikisht
për të pushtuar dhe asimiluar popullin shqiptar.
Zoti
Gjon Marku hulumton me kujdes dhe zgjedh me saktësi pohimet shumëvlerësuese të
priftit ortodoks serb, ndonëse armik i betuar i popullit shqiptar dhe i Kishës
Katolike Shqiptare. E kjo zgjidhje ka vlerë, sepse cilësitë dhe virtytet e
shqiptarit rriten akoma më shumë kur i pohojnë me shkrimet e tyre armiqtë tanë.
Ky prift ndër të tjera shkruan: "Priftat katolikë shqiptarë janë më të rrezikshëm
se artileria turke".
Gjithashtu
ky prift, shumë i shqetësuar, por i vetëdijshëm vlerëson superioritetin
intelektual, klerikal dhe atdhetar të priftërinjve katolikë të Shqipërisë. E pa
dyshim, në këtë aradhe spikasin këta misionarë të krishterimit, të kulturës
perëndimore dhe të arsimit në Mirditë. Dhe kryesisht këta janë bij të Mirditës.
Për
të pohuar vetveten në raport me kohësi të gjata historike dhe fusha të
larmishme të dijes, Gjon Marku sjell të dhëna kulturore, bibliografike,
bibliotekare, për shtypshkronjat, shkrime e vepra të para botërore e shqiptare;
që nga Epi i Gilgameshit, shkrimet dhe veprat e para shqipe, e deri te
bibliotekat në Shqipëri, duke filluar nga bibliotekat pioniere kishtare, e
Voskopojës, e Komisisë Letrare, Biblioteka Kombëtare dhe pasuria e vlera e tyre.
Krahas
të dhënave për lahutën si instrument muzikor që përdoret në Mirditë dhe për
këngët e kreshnikëve, një nxitje të fuqishme për të bërë një trajtesë tërheqëse
i jep krijimtaria e Martin Camajt në poezi dhe në prozë.
Për
të realizuar atë çfarë do t'i përcjellë lexuesit, përveç njohurive të tij,
autori sjell me konçizitet vlerësimet, zbërthimet ideore, artistike dhe
estetike të disa prej studiuesve më në zë të krijimtarisë së Martin Camajt, si:
Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Anton Nikë Berisha, Ardian Klosi, Primo Shllaku,
Sabri Hamiti, Krist Maloki, Shaban Sinani etj.
Në
një emërues të përbashkët prej këtyre studiuesve, "Martin Camaj vlerësohet
ndër krijuesit më të veçantë në letërsinë dhe kulturën shqiptare: "Poet
dhe prozator, studiues, filolog dhe gjuhëtar i formimit akademik. Vështirë të
gjendet një tjetër krijues që si Camaj të ketë prodhimtari dhe shkëlqim në
krijimtarinë e mirëfilltë letraro-artistike dhe në punën
kërkimore-studimore...".
"E
gjithë proza e Camajt mund të konsiderohet një prozë realiste, e duket se ka
qasje të përbashkëta me prozën e një tjetër kolosi të letërsisë shqipe, Anton
Pashku..." ..."Camaj vlerësohet si novelist i rangut të lartë dhe si
një prurje e veçantë në letërsinë shqipe".
Përfundimisht
mund të themi se Martin Camaj, ashtu si edhe autori i këtij libri, Gjon Marku,
janë të lidhur aq ngushtë me vendlindjen, sa ata e nisin veç e veç udhëtimin e
tyre të krijimtarisë e studimore nga vendlindja, i bien rretheqark atdheut e
përsëri kthehen te vendlindja.
Profesioni
dhe pasioni e kanë joshur gjithmonë autorin të hulumtojë e të shkruajë për
studimet dhe eksplorimet e botanistëve dhe të speleologëve. Në mjaft dokumente
e fakte, në atlase botanike dhe eksplorime speleologjike, Mirdita është e
begatshme e me vlera ekoturistike.
Filatelia
vlerësohet si një ndër pasuritë kulturore të çdo kombi e populli. Gjon Marku
është marrë me pasion e seriozitet me këtë fushë në studimet e tij. Kësaj radhe
na sjell për lexuesin vlerësimet që i bëhen përmes pullave postare Nënë Terezës
si KRENARIA JONË KOMBËTARE.
Emëtimin
e pullave postare, kushtuar Nënë Terezës, e fillon India, e pastaj njëra pas
tjetrës shtete të ndryshme në përvjetorë e përkujtime të saj kanë emëtuar
dhjetëra seri me mbi 450 pulla postare të shoqëruara me FDC (Zarfi i Ditës së
Parë), pra në këtë veprimtari angazhohen 118 shtete të botës, ku një vlerësim i
veçantë i bëhet nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në
këto pulla Nënë Tereza është paraqitur e vetme, por edhe me personalitete nga
më të lartat e botës, si: Papa Gjon Pali II, Mbretëresha Elisabeta II, Nelson
Mandela, Ronald Regan, Jaser Arafat, Mahatma Gand, Nehrun, Gjina Lolobrixhilda,
Princesha Dajanë dhe me fëmijët.
Gjithashtu
në libër sillen edhe 30 vlerësime për Nënë Terezën nga personalitetet më të
larta; që nga Papa Françesku me Shenjtërimin e Saj në vitin 2016, Çmimin
"Nobel për Paqe" e me radhë ndër vite çmime nga më prestigjiozet.
Ky
libër ka vlera njohëse dhe edukuese, sepse sjell të dhëna të shumëta për një
kohë të gjatë historike në shumë fusha të dijes dhe hedh dritë edhe për disa
ngjarje e personalitete që nuk janë trajtuar sa e si duhet nga fushat përkatëse
historike e studimore. Njëkohësisht synon në edukimin e brezave që do të vijnë
me ndjenjën e dashurisë për vendlindjen, farefis, fe e atdhe.
Një
vlerë tjetër e pakontestueshme është tendencioziteti i autorit për ta thënë të
vërtetën pa hezitim për shumë kufizime në trajtimin e disa anëve të historisë
së Mirditës dhe qëndrime zyrtare përjashtuese të këtyre vlerave edhe për historinë
kombëtare. Përmes ideologjizimit dhe politizimit të tejskajshëm janë anatemuar
e përjashtuar vlera dhe kontribute tepër të çmuara atdhetarie, intelektuale,
arsimore, kulturore dhe letraro-artistike të disa klerikëve, si: Abat Prend
Doçi, Poeti Kombëtar dhe Homeri i Shqipërisë, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda,
Ambroz Marlaska, Dom Nikollë Kimza, dera e Kapidanit të Mirditës me dy
personalitete të larta, si Bibë Dodë Pasha dhe i biri Prengë Bibë Doda,
Gjenerali Gjin Mark Toma, një ndër ushtarakët më të zotë të LANÇ, vlerat e
KANUNIT etj., etj.
Por
Gjon Marku, duke qenë edhe vetë ndër hulumtuesit dhe studiuesit e zellshëm,
vullnetmirë dhe i orientuar profesionalisht në disa fusha të dijes e të
kulturës, vlerëson punën e bërë nga vetë studiuesit mirditorë dhe është
shpresëplotë se historia e spikatur e Mirditës dhe personalitetet e saj do të
ndriçohen kryesisht nga vetë MIRDITORËT.
TIRANË,
më 10.08.2019.









