Speciale » Basha
Sabile Basha: Anatomia e krizës dhe demonstratat e 1981-it si artikulim i kërkesave kombëtare (4)
E hene, 20.04.2026, 06:58 PM
ANATOMIA E KRIZËS DHE DEMONSTRATAT E 1981-IT SI ARTIKULIM I KËRKESAVE KOMBËTARE ( 4 )
(Broshura
e ilegales: Eksploatimi i egër nën prangat e rënda kolonialiste, Zëri i
Kosovës, Zvicër, 1987)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Në
punimin “Fondi – lak në fytin e ekonomisë së Kosovës”, autori e zhvendos
vëmendjen nga mekanizmat e përgjithshëm të investimeve te një instrument i
posaçëm institucional, i cili—sipas interpretimit të broshurës—është përdorur
si mjet i dyfishtë, në pamje të jashtme si politikë solidariteti dhe “ndihme”,
ndërsa në praktikë si formë e sofistikuar e shfrytëzimit ekonomik. Në këtë
kuptim, autori e trajton Fondin jo thjesht si strukturë financiare, por si
mekanizëm politik që prodhon varësi, kontroll dhe përfitim të pabarabartë.
Sipas
materialit, viti 1963 shënon një moment të rëndësishëm, sepse atëherë, me
Kushtetutën jugosllave, u institucionalizua themelimi i Fondit për zhvillimin
më të shpejtë të viseve të pazhvilluara.[1]
Ky akt paraqitet si formalizim kushtetues i një politike që, në parim, do të
duhej të synonte zbutjen e pabarazive brenda federatës, duke përshpejtuar
zhvillimin e zonave më të prapambetura. Mirëpo, pikërisht këtu autori e vendos
theksin kritik, ai sugjeron se, pas gjuhës së lartë dhe premtimeve zhvillimore,
fshihet një logjikë tjetër, ku “ndihma” funksionon si instrument për ta mbajtur
Kosovën në një status të kontrolluar dhe të varur.
Në
tekst vërehet se mjetet e këtij fondi bartnin një “titull pompoz” dhe
siguroheshin “me anë të ligjit” nga të gjitha republikat dhe krahinat.[2]
Në planin argumentues, ky detaj shërben për të treguar se Fondi paraqitej si
projekt i përbashkët federativ, i mbështetur nga të gjithë, pra si shprehje e
solidaritetit ndërmjet njësive përbërëse të shtetit. Por më pas, autori e
zhvendos analizën te mënyra e shpërndarjes: mjetet e Fondit, sipas tij, duhej
të ndaheshin në formë kredie me kamata ndërmjet republikave “jo mjaft të
zhvilluara” dhe Kosovës së “pazhvilluar”.[3]
Kjo mënyrë e konceptimit—ndihma si kredi, jo si transfer i drejtpërdrejtë—i jep
autorit terren për ta problematizuar thelbin e “solidaritetit”, nëse ndihma
kthehet në borxh dhe borxhi bart interes, atëherë marrëdhënia nuk është vetëm
mbështetje, por edhe mekanizëm financiar që krijon detyrim dhe e përforcon
varësinë afatgjatë.
Pikërisht
për këtë arsye, autori i shkrimit e konsideron të domosdoshme që, në rastin e
Kosovës, të ndërmerret një akt demaskues, të “çjerrët maska” e atyre që e
menaxhojnë dhe e përdorin Fondin në mënyrë eksploatuese, me qëllim që të
zbulohet çfarë përfaqëson realisht “ndihma” që i jepet Kosovës. Në mënyrë
implicite, kjo thirrje sugjeron se Fondi, në interpretimin e shkrimit, është
shembull klasik i një politike ku diskursi i barazisë shërben për ta mbuluar
pabarazinë, ndërsa instrumentet e zhvillimit përdoren për të prodhuar varësi
ekonomike. Kështu, “Fondi” shndërrohet nga mjet zhvillimor në simbol të një
marrëdhënieje të shtrembër, ku Kosova trajtohet si objekt i politikave
financiare dhe jo si subjekt i zhvillimit.
Duke
pasur parasysh paaftësinë e ekonomisë së Kosovës për vetëfinancim—dhe,
rrjedhimisht, pamundësinë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me lëndë të
para për ekonominë jugosllave—aktorët shovinistë me prirje grabitqare e
konceptuan dhe e themeluan këtë Fond si instrument të dyfishtë: në dukje si
mekanizëm “zhvillimor”, por në thelb si kanal për plasimin dhe qarkullimin e
kapitalit të tyre brenda ekonomisë së Kosovës. Përmes këtij konstrukti, synimi
ishte që ekonomia vendore të futej gradualisht në një marrëdhënie varësie
strukturore ndaj kredive të Fondit—një varësi që jo vetëm e kufizonte
autonominë financiare të Kosovës, por edhe e bënte më të lehtë kontrollin e
drejtimit të investimeve.
Në
këtë mënyrë, Fondi shërbeu si mjet dirigjues. Ai orientonte destinimin e
kapitalit jo sipas nevojave të balancuara të zhvillimit shoqëror e ekonomik,
por kryesisht drejt degëve ekstraktive të industrisë[4],
duke e konsoliduar një model zhvillimi ku burimet dhe potencialet e Kosovës
trajtoheshin si rezervuar shfrytëzimi. Pra, kredia nuk funksiononte vetëm si
mbështetje financiare, ajo shndërrohej në mekanizëm disiplinues dhe nënshtrues,
i cili e vendoste ekonominë e Kosovës nën “disiplinën” e kushteve, prioriteteve
dhe logjikës së qendrës vendimmarrëse.
Po
të lexohej dhe të analizohej me kujdes punimi në fjalë, edhe lexuesi i
zakonshëm mund të arrijë në përfundimin se, brenda rendit shtetëror jugosllav
dhe nën dominimin e Serbisë okupatore, asgjë nuk iu la rastësisë. Përkundrazi,
proceset duken të menduara, të planifikuara dhe të institucionalizuara me
koherencë, nga ideimi i mekanizmave financiarë, te zbatimi praktik, e deri te
futja e tyre në sistem si norma të “ligjshme”. Kështu, padrejtësitë ndaj
Kosovës dhe popullit shqiptar nuk shfaqen thjesht si devijime sporadike, por si
produkt i një arkitekture politike e ekonomike që punonte për t’i prodhuar, për
t’i riprodhuar dhe, në fund, për t’i legjitimuar ato si pjesë “normale” e
funksionimit shtetëror.
“Shpërndarja
primare” paraqitet si punimi vijues ku, me një qasje të shtruar dhe të
argumentuar, analizohet në hollësi mekanizmi i shpërndarjes primare në
ekonominë e ish-Jugosllavisë, në Serbi dhe në Kosovë, duke e vendosur në qendër
vijueshmërinë e diskriminimeve strukturore që i janë bërë Kosovës. Në thelb, ky
punim niset nga një premisë metodologjike e njohur në analizën
ekonomiko-politike: pozita e një ekonomie republikane apo krahinore nuk
përcaktohet vetëm nga dinamika e brendshme e saj, por në mënyrë të
drejtpërdrejtë nga funksionimi i instrumenteve dhe masave të sistemit ekonomik,
si edhe nga orientimet e politikës ekonomike që i kornizon këto instrumente.
Pra, “rregullat e lojës” të sistemit—si në nivel federativ, ashtu edhe në nivel
republikan—përkthehen në avantazhe ose disavantazhe konkrete për njësitë
përbërëse.
Në
këtë kuadër, autori i kushton vëmendje të veçantë rolit të politikës së
çmimeve, duke e parë atë jo si një komponent teknik e neutral, por si një
mekanizëm kyç për prodhimin e pabarazive dhe për thellimin e varësive
ekonomike. Edhe në rastin e Kosovës—si në çdo ekonomi tjetër—sistemi i çmimeve
do të duhej të kishte peshë të madhe, sepse çmimet jo vetëm sinjalizojnë
mungesa e kërkesa, por strukturojnë fituesit dhe humbësit e procesit ekonomik,
përcaktojnë kush përfiton nga shitja, kush blen lirë, cilat degë grumbullojnë
kapital dhe cilat mbeten në periferi. Mirëpo, argumenti qendror këtu është se
sistemi i çmimeve në ish-Jugosllavi nuk funksiononte si sistem autonom, i
liruar nga ndërhyrjet politike; përkundrazi, ai ishte i varur nga rendi
ekonomik dhe nga politika ekonomike federative. Kjo e kthen çmimin nga kategori
tregu në kategori pushteti. Çmimi, në vend që të jetë rezultat i konkurrencës
dhe i rrethanave ekonomike, bëhet rezultat i rregullimit, i administrimit dhe i
hierarkisë politike.
Pikërisht
këtu del në pah një element tjetër vendimtar, jo të gjitha ekonomitë
republikane e krahinore e zinin të njëjtin vend brenda këtij sistemi, sepse
pesha dhe ndikimi i tyre përcaktoheshin edhe nga struktura ekonomike që kishin.
Ekonomitë me strukturë më të favorshme—të industrializuara, me zinxhirë më të
integruar prodhimi dhe me sektorë më të fortë përpunues—përfitonin një pozicion
më të privilegjuar edhe brenda sistemit të çmimeve. Ato kishin më shumë mundësi
t’i formësonin çmimet “më vete” (pra, të paktën relativisht më të pavarura), të
mbronin interesat e sektorëve të tyre dhe të siguronin norma më të favorshme
shkëmbimi në raport me pjesën tjetër të federatës.
Ndërsa
për Kosovën, autori thekson se struktura ekonomike ishte tashmë e njohur dhe e
rënduar: e varfër, e brishtë, me zhvillim të pakët industrial përpunues dhe me
profil të pafavorshëm prodhues. Kjo gjendje e bënte Kosovën të hynte në
sistemin e çmimeve jo si aktor me kapacitete të barabarta negociuese, por si
ekonomi e ekspozuar ndaj mekanizmave që e shtynin drejt kushteve
jashtëzakonisht të pafavorshme. Kësisoj, “neutraliteti” i sistemit rrëzohet në
një strukturë të tillë federative, disavantazhi i brendshëm i Kosovës nuk
mbetej thjesht pasojë e prapambetjes historike, por rrezikonte të kthehej në
gjendje të përhershme, sepse vetë mekanizmat e shpërndarjes dhe të çmimeve e
riprodhonin atë disavantazh.
Për
më tepër, sistemi i çmimeve përcaktonte se cilat degë ekonomike apo industriale
do të gëzonin çmime të formuara “pak a shumë” në mënyrë të pavarur dhe cilat
degë do të mbeteshin nën çmime rreptësishtë të dirigjuara nga federata
jugosllave. Ky dallim është thelbësor: autonomia relative e çmimeve i favorizon
sektorët që mund të krijojnë mundësi përfitimi në treg, të krijojnë fitime dhe
të riinvestojnë, ndërsa dirigjimi i rreptë i çmimeve, sidomos kur aplikohet mbi
degë kyçe të një ekonomie periferike, shndërrohet në instrument
kontrolli—kontroll mbi ritmin e zhvillimit, mbi shpërndarjen e të ardhurave,
mbi mundësinë e akumulimit dhe, në fund, mbi vetë orientimin strategjik të
ekonomisë.
Nga
kjo pikë, pyetja e autorit vjen si kulm logjik i analizës: çfarë nënkupton, në
praktikë, ky “dirigjim serbo-jugosllav” për Kosovën?[5]
Pyetja nuk është thjesht terminologjike,
ajo kërkon të zbërthejë përmbajtjen reale të një marrëdhënieje ku dirigjimi, i
veshur me petkun e politikave federative, përkthehet në kufizim të autonomisë
ekonomike, në përcaktim të destinimeve sektoriale, në kontroll të vlerës së
prodhimit dhe në thellim të pabarazive ndërmjet qendrës dhe periferisë. Në këtë
lexim, politika e çmimeve del si një prej kanaleve kryesore përmes të cilave
eksploatimi “i egër” i Kosovës bëhet i mundshëm, i organizuar dhe i justifikuar
brenda arkitekturës së sistemit ekonomik të kohës.
Në
vazhdën e analizës së tij, autori nuk e lë pyetjen të mbetet vetëm si provokim
analitik, por e kthen menjëherë në një përfundim të drejtpërdrejtë, pothuajse
akuzues: për Kosovën, “dirigjimi” nënkupton eksploatim të egër, një urrejtje të
thellë antishqiptare dhe një regjim pabarazie e padrejtësie që shtrihet në çdo
rrafsh—ekonomik, shoqëror dhe politik. Këtu, termat nuk përdoren thjesht si
figura retorike, ata synojnë të emërtojnë një realitet ku mekanizmat e sistemit
nuk prodhojnë vetëm rezultate të pafavorshme, por edhe riprodhojnë një rend të
padrejtë, i cili e ka të brendshme logjikën e përjashtimit dhe të nënshtrimit.
Brenda
këtij kuadri, autori e vendos theksin te çmimi si instrument kyç i
marrëdhënieve ekonomike. Në teori, çmimi është mënyra përmes së cilës pranohet
shoqërisht një vlerë e caktuar e produktit, një “marrëveshje” e tregut apo e
sistemit për atë se sa “vlen” diçka. Mirëpo, ai argumenton se në praktikë
çmimet rrallëherë përkojnë me vlerën reale të prodhimit. Kjo mospërputhje—mes
vlerës reale dhe çmimit të pranuar—hap një hapësirë të gjerë manipulimi dhe
përfitimi, krijon mundësinë që, përmes politikës së çmimeve, një palë të dalë
fituese dhe një palë tjetër të dalë humbëse.
Pikërisht
këtu autori e shquan dimensionin e padukshëm, por vendimtar, të çmimeve: ato
nuk janë vetëm shifra që rregullojnë këmbimin, ato janë mekanizëm
shpërndarjeje. Nëse çmimi i një produkti vendoset nën vlerën e tij reale,
prodhuesi humbet, sepse i merret një pjesë e vlerës që ai ka krijuar. Nëse
vendoset mbi vlerën reale, fiton ai që e shet ose ai që kontrollon kushtet e
tregtimit. Në një sistem ku çmimet nuk lindin nga marrëdhëniet e lira të
tregut, por dirigjohen e administrohen nga qendra vendimmarrëse, kjo hapësirë
“fitimi” dhe “humbjeje” nuk është rastësi; ajo shndërrohet në instrument të
qëllimshëm të transferimit të vlerës[6].
Nga
ky këndvështrim, autori arrin në një tezë të fortë ku nëpërmjet çmimeve kryhet
ajo që ai e quan “shpërndarje primare”. Me fjalë të tjera, përpara se të flitet
për rishpërndarje përmes buxhetit, taksave apo politikave sociale, ekziston një
shpërndarje më themelore—ajo që ndodh në vetë aktin e prodhimit dhe të
këmbimit, kur përcaktohet se kush e përvetëson vlerën dhe kush mbetet i
zhveshur prej saj. Në këtë nivel, çmimi bëhet portë hyrëse e padrejtësisë, ai
vendos fatin e të ardhurës, të akumulimit dhe të mundësisë për zhvillim.
Prandaj,
sipas autorit, shpërndarja primare paraqet formën dhe metodën më drastike të
eksploatimit të egër të Kosovës. Ajo është “më drastike” sepse vepron në
themele, nuk e prek vetëm një sektor të caktuar apo një periudhë të shkurtër,
por shtrin ndikimin e saj në mënyrë të vazhdueshme, duke e bërë shfrytëzimin të
duket si normalitet sistemor. Duke e kanalizuar vlerën e krijuar në Kosovë
përmes çmimeve të dirigjuara dhe të pafavorshme, sistemi e kthen ekonominë e
saj në burim që ushqen të tjerët, ndërsa e lë vetë Kosovën në pamundësi për të
akumuluar kapital, për të ndërtuar industri përpunuese dhe për të krijuar
kushte reale të zhvillimit. Në këtë shkrim, eksploatimi nuk është thjesht rezultat
anësor i një rendi të gabuar, ai është i institucionalizuar dhe i përkthyer në
rregull ekonomie—pikërisht aty ku pritet të sundojë “logjika neutrale”[7]
e çmimit.
Në
analizën e autorit, një nga mekanizmat më të dukshëm—por njëkohësisht më të
sofistikuar—të prodhimit të pabarazisë ekonomike ndaj Kosovës ishte aplikimi i
asaj që ai e quan çmime jo-ekonomike dhe jo-akumulatorë. Këto çmime, sipas tij,
nuk ishin përjashtim i rastësishëm dhe as dukuri e kufizuar në një degë të
vetme, përkundrazi, ato shfaqeshin si praktikë e përhapur “në çdo sektor të
mundshëm”, duke e kthyer politikën e çmimeve në një instrument të vazhdueshëm
të deformimit të rezultateve ekonomike. Në këtë kuptim, çmimi nuk ishte më një
kategori që reflektonte koston reale, produktivitetin, vlerën e shtuar apo
logjikën e akumulimit, por një mjet që ndikonte drejtpërdrejt në mundësinë (ose
pamundësinë) e subjekteve ekonomike në Kosovë për të krijuar të ardhura të
mjaftueshme, për të investuar dhe për të ndërtuar zhvillim të qëndrueshëm.
Autori
e konkretizon këtë tezë përmes dy shembujve emblemë, të cilët në
historiografinë ekonomike të Kosovës shihen shpesh si nyje strategjike:
Kombinati “Kosova” (në sektorin energjetik) dhe Kombinati “Trepça” (në sektorin
minerar-industrial). Në rastin e energjisë elektrike të Kombinatit “Kosova”,
theksohet se çmimet nuk ishin vetëm të pabarabarta krahasuar me çmimet e degëve
të tjera industriale, ato rezultonin edhe dukshëm më të ulëta se mesatarja e
çmimit të energjisë elektrike në Jugosllavi[8].
Ky dallim nuk lexohet si thjesht diferencë statistikore. Në logjikën e autorit,
ai shënon një marrëdhënie të pabarabartë shkëmbimi, ku një produkt
strategjik—energji elektrike—vlerësohet artificialisht poshtë, duke e kufizuar
potencialin e akumulimit dhe duke e zhvendosur përfitimin diku tjetër në
sistemin federativ.
E
njëjta logjikë diskriminuese, sipas autorit, përsëritej edhe në “Trepçë”, një
ndër kapacitetet më të rëndësishme të Kosovës jo vetëm për peshën e tij
ekonomike, por edhe për rolin që kishte në strukturën e punësimit, në të
ardhurat publike dhe në identitetin industrial të vendit. Autori nënvizon se
çmimet e tërë prodhimit të këtij kombinati ishin nën një kontroll të rreptë nga
Serbia. Kjo do të thotë se vlera e krijuar nga puna e organizuar në
Trepçë—përmes nxjerrjes, përpunimit dhe prodhimit—nuk ishte në dispozicion të
ekonomisë ku ajo krijohej, por kanalizohej në mënyrë të tillë që mundësonte
derdhjen e të ardhurave jashtë Kosovës. Autori e emërton këtë jo si rrjedhje të
zakonshme financiare, por si plaçkitje të të ardhurave të krijuara “me mundin,
djersën dhe gjakun” e punëtorëve të Trepçës. Në këtë figuracion, qëllimi është
i qartë, të theksohet se kemi të bëjmë me një proces të sistemit të përvetësimit,
ku prodhimi i vlerës dhe përfitimi nga vlera janë të ndarë në mënyrë të
padrejtë.
Nga
këtu, argumenti fiton dimension edhe më strukturor edhe po të ishte puna e
punëtorëve jashtëzakonisht e madhe, rezultatet ekonomike që do të duhej ta
pasqyronin atë punë nuk vareshin realisht nga produktiviteti, sakrifica apo
intensiteti i punës, por nga pozita e
ndërmarrjes në sistemin e çmimeve. Pra, “Trepça” nuk gjykohej nga sa prodhonte,
por nga sa lejohej të vlente ajo që prodhonte. Kështu, çmimi shfaqet si
mekanizëm që ia “modifikon” rezultatin punës, e zvogëlon ose e deformon atë
përmes rregullimit të vlerës së pranuar të prodhimit. Nëse një ndërmarrje
prodhon shumë, por produkti i saj vlerësohet poshtë, atëherë edhe bilanci
financiar i saj do të dalë i cunguar, dhe mundësia për investime e zhvillim do
të mbetet e bllokuar.
Autori
pastaj e zgjeron përfundimin, duke theksuar se kjo “statistikë e pabarazisë”
nuk ishte e veçantë vetëm për dy kombinate; ajo vlente, sipas tij, për të
gjitha organizatat që vepronin në Kosovë. Kjo e kthen problemin nga rast i
izoluar në tipar të përgjithshëm të rendit ekonomik. Çmimet në Jugosllavi, në
këtë punim, nuk shprehnin kushte të barabarta të aktivitetit ekonomik as
ndërmjet organizatave ekonomike, as ndërmjet ekonomive republikane e krahinore.
Përkundrazi, ato ishin shprehje e një marrëdhënieje shpërndarjeje që ndodhte që
në themel—shpërndarje primare—ku vlera përcaktohej dhe rishpërndahej në mënyrë
të pabarabartë që në aktin e çmimit.
Si
rrjedhojë, rezultatet ekonomike që dilnin nga ky sistem nuk ishin pasqyrë e
drejtë e realitetit prodhues, ato ishin rezultate të modifikuara—ose, më saktë
në terminologjinë e autorit, të diskriminuara. Kjo do të thotë se diskriminimi
nuk shfaqej vetëm si retorikë politike, por si praktikë e matshme ekonomike, në
të ardhura të ulëta, në pamundësi akumulimi, në zhvillim të penguar dhe në
zhvendosje të sistemit të përfitimeve jashtë Kosovës[9].
Në këtë mënyrë, politika e çmimeve del si një prej shtyllave kryesore të
mekanizmit të nënshtrimit ekonomik, një mënyrë “e heshtur” dhe administrativisht
e justifikuar për ta bërë pabarazinë të duket si rregull ekonomik, ndërsa në
thelb të funksionojë si instrument i shpërndarjes së padrejtë.
Vijon









