Kulturë
Nexhmije Mehmetaj: Një zë shqiptar në skenat e muzikës klasike – Fjolla Iseini rrëfen rrugëtimin e saj artistik
E marte, 14.04.2026, 06:56 PM
Një zë shqiptar në skenat e muzikës klasike – Fjolla Iseini rrëfen rrugëtimin e saj artistik.
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Në universin e muzikës klasike, ku çdo tingull kërkon
disiplinë, ndjeshmëri dhe shpirt artisti, sopranoja shqiptare Fjolla Iseini
përfaqëson një zë të ri që po afirmohet me finesë dhe përkushtim. E lindur në
Shkup dhe e lidhur me muzikën që në fëmijëri, ajo e ka ndërtuar rrugëtimin e
saj artistik hap pas hapi, nga skenat e festivaleve për fëmijë e deri te
interpretimet në skenën operistike.
Me një formim të qëndrueshëm profesional në fushën e
kantos dhe me përvojë në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, Fjolla Iseini i
përket atij brezi artistësh që e shohin artin si një mision të vazhdueshëm
kërkimi dhe përkushtimi. Sot ajo jeton dhe vepron në Zvicër, ku përveç
aktivitetit artistik, kontribuon edhe në edukimin muzikor të brezit të ri, duke
e ndarë pasionin e saj për muzikën me nxënësit.
Rrugëtimi i saj nuk ndalet vetëm në skenë: ai vazhdon
edhe në fushën akademike, ku ajo po përmbyll studimet e doktoratës në teknikën
vokale, duke thelluar më tej kërkimin mbi artin e këndimit. Në këtë bisedë,
sopranoja Fjolla Iseini ndan me ne kujtimet e fillimeve, sfidat e skenës
operistike, përvojën e jetës artistike në diasporë dhe vizionin për të ardhmen
e saj në muzikën klasike.
Fillimet dhe zbulimi
i talentit
NM: Fjolla, ju keni filluar
rrugëtimin artistik që në moshën pesëvjeçare. Si e kujtoni kontaktin tuaj të
parë me muzikën dhe skenën?
FI: Që në moshë të vogël e kam
adhuruar këngën. Në shtëpi isha një fëmijë i hareshëm; luaja dhe këndoja
vazhdimisht, madje merrja telekomandën dhe e improvizoja si të ishte mikrofon.
Rrugëtimi im artistik nisi shumë herët. Talenti im u vu
re që në moshën 3-vjeçare, kur një ditë, teksa isha me prindërit në një lokal,
papritur mora mikrofonin e këngëtarit Selami
Kolonja — një emër i njohur për të gjithë sot — i cili më vonë u
bë edhe profesori im i solfexhos gjatë studimeve Bachelor. Aty këndova këngën “A vritet pafajësia” të
Leonora Jakupi.
Ai mbeti i habitur se si një fëmijë kaq i vogël mund të
interpretonte një këngë të tillë dhe iu drejtua prindërve të mi duke u thënë:
“Vajza juaj ka talent, mos ia ndalni rrugën, por filloni që tani ta
mbështesni.” Ky moment shënoi hapin e parë të rëndësishëm, kur familja ime
vendosi të më orientojë drejt muzikës.
NM : Cilat kanë qenë kujtimet dhe emocionet nga festivalet e para për fëmijë ku
morët pjesë ?
FI: Në moshën 5-vjeçare mora
pjesë në festivalin për fëmijë “Cicërimat e para”, që organizohej në qytetin
tim, në Gostivar. Aty u njoha për herë të parë me skenën. Interpretoja një
këngë shumë të bukur për fëmijë, “Babi, a më dëgjon?”, me të cilën u shpërbleva
me çmimin e parë nga juria profesionale. Që nga ai moment, skena u bë si
shtëpia ime e dytë — aty filloi gjithçka.
Çdo festival ku kam marrë pjesë ka pasur rëndësinë e vet,
por kujtimet më të bukura lidhen me miqësitë dhe përjetimet me këngëtarët e vegjël.
Shkëmbenim ide, flisnim për mënyrën se si do të paraqitemi, si do të këndonim
dhe cila këngë do të dilte më e bukur. Natyrisht, momenti më emocionues ishte
gjithmonë fundi, kur ndaheshin çmimet. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm sa herë
që përmendej emri im si fituese e ndonjë çmimi.
NM: Sa ndikim pati familja në zbulimin dhe zhvillimin e
talentit tuaj muzikor?
FI : Familja ime nuk i përkiste fushës së muzikës. Nëna ime ishte mësuese e
ciklit të ulët fillor, ndërsa babai ekonomist. Unë isha e vetmja në familje që
ndoqa këtë profesion. Tek unë, muzika ishte diçka e lindur, një dhunti natyrore
që erdhi vetvetiu dhe që më pas e përforcova me shumë punë dhe përkushtim.
Megjithatë, familja ime pati një rol shumë të rëndësishëm
në zhvillimin tim. Ata më mbështetën vazhdimisht dhe më inkurajuan të ec
përpara, të dal në skenë, të këndoj dhe të ndjek shkollën e muzikës. Ishin një
mbështetje e fortë dhe nuk më lanë kurrë të mbetem prapa.
Ajo që ishte më interesante ishte se, kur merrnim pjesë
në festivale, shpesh na pyesnin nga e kishim trashëguar talentin. Shumë
konkurrentë përgjigjeshin se e kishin nga nëna apo babai, ndërsa unë gjithmonë
thosha se nuk e kisha trashëguar nga askush — isha e vetmja në familjen time që
merresha me muzikë.
Formimi muzikor
NM: Studimet e para i keni filluar në drejtimin e pianos në
Gostivar. Si ndikoi studimi i pianos në formimin tuaj si këngëtare lirike?
FI: Studimet e mia të para i
nisa në drejtimin e pianos, edhe pse dëshira ime fillestare ishte të studioja
flautin. Megjithatë, duke qenë se qyteti im, Gostivari, është relativisht i
vogël dhe me një interesim më të kufizuar për muzikën klasike, nuk pata mundësi
ta ndjek atë instrument. Në atë kohë, ofroheshin vetëm piano dhe solfezh,
kështu që vendosa të filloj me pianon.
Ky instrument rezultoi të ishte një bazë shumë e
rëndësishme për formimin tim muzikor. Studimi i pianos më ndihmoi
jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e dëgjimit muzikor, ndjeshmërisë artistike
dhe kontrollit të intonacionit, duke ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen time
si këngëtare lirike në vitet në vijim.
NM: Ju jeni vlerësuar me shumë çmime në konkurrencën kombëtare
dhe ndërkombëtare. Cili prej tyre ka qenë më domethënës për ju?
FI: Vlerësimet kanë qenë të
shumta. Në pothuajse çdo garë apo festival ku kam marrë pjesë, kam arritur të
shpërblehem me ndonjë çmim. Që në fëmijëri kam qenë shumë këmbëngulëse dhe
ambicioze; shkoja në festivale me dëshirë dhe bindje se do të kthehesha me një
çmim — dhe shpesh ia dilja. Në ato gara kishte shumë fëmijë të talentuar, shpesh
edhe fëmijë kompozitorësh apo këngëtarësh, me zëra shumë të bukur, por unë isha
e vetmja që arrija të vlerësohesha vetëm falë punës sime, pa ndihmën e askujt.
Një nga çmimet më të papritura dhe më domethënëse për mua
ka qenë në garën “Gjeniu i Vogël” në Tiranë, ku merrnin pjesë fëmijë nga e
gjithë bota. Aty u rendita me çmimin e dytë, me 90 pikë nga juria. Ishte një
moment i jashtëzakonshëm për mua, sidomos kur përfaqësuesja moderatorë Alketa Vejsiu
përmendi emrin tim dhe tha: “Një yll në skenën shqiptare po lind.” U ndjeva e
habitur, por mbi të gjitha jashtëzakonisht e lumtur.
NM: Përmendet edhe aftësia juaj për dëgjimin absolut. Sa e
rëndësishme është kjo dhunti në rrugëtimin e një këngëtareje operistike?
FI: Një
tjetër vlerësim shumë i veçantë ishte kur u shpalla me “vesh absolut” në një konkurrencë
në Strugë, ku merrnin pjesë pianistë të vegjël. Gjatë interpretimit tim në
piano, fillova të improvizoj me akorde dhe juria vuri re aftësinë time për të
dëgjuar dhe riprodhuar saktë tingujt. Kjo më solli vlerësimin si një nga
dëgjueset më të sakta muzikore.
Kjo aftësi më ka ndihmuar shumë edhe në zhvillimin tim si
këngëtare operistike. Gjatë studimit të veprave, shpesh i improvizoja
tonalitetet në piano dhe i përvetësoja në këtë mënyrë. Falë këtij procesi dhe
përkushtimit të vazhdueshëm, kam arritur të mësoj përmendësh një arie brenda dy
ditësh, ndërsa një operë të plotë me katër akte brenda dy javësh. Kjo lidhet
pikërisht me atë që quhet “vesh absolut” — aftësia për të përvetësuar dhe
riprodhuar muzikën me saktësi, përmes dëgjimit dhe ndjeshmërisë së brendshme,
shpesh edhe përtej notave të shkruara.
Studimet
universitare dhe mentorët
NM : Studimet e këndimit artistik i keni zhvilluar në Fakultetin e Muzikës në
Shkup. Çfarë ndikimi patën profesorët tuaj, veçanërisht prof. Nita Zenuni dhe
tenori Kastriot Tusha, në zhvillimin tuaj artistik?
FI: Studimet e mia të para për kanto i fillova në Universitetin Shtetëror të
Tetovës, ku pata si mentor kryesor tenorin Kastriot Tusha.
Ai ishte njëkohësisht edhe profesor i teknikës vokale dhe më ndihmoi
jashtëzakonisht shumë në formimin tim profesional, sidomos në përvetësimin e
teknikës së të kënduarit. Po ashtu, një rol shumë të rëndësishëm pati edhe
asistentja, profesoresha Nita
Zenuni.
Për mua, ata nuk ishin vetëm profesorë që punonin me mua
gjatë orëve të mësimit, por edhe mbështetës dhe motivues të vazhdueshëm. Më
inkurajuan të marr pjesë në koncerte të shumta dhe më shtynë të dal në skenë sa
më shpesh. Falë besimit që patën tek unë, u forcova shumë si studente dhe
fitova siguri në rrugëtimin tim artistik.
Besoj se një pedagog i mirë ka fuqinë të të ndërtojë fort
në profesion, dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Nuk mjafton të kesh vetëm një
profesor; e rëndësishme është të kesh një pedagog që di ta përcjellë dijen në
mënyrën më të qartë dhe më frymëzuese të mundshme.
Profesorët e mi kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në
zhvillimin tim dhe sot i përmend me shumë respekt dhe krenari.
NM: Në vitin e tretë të studimeve u shpallët zëri më i mirë ndër solistët e
fakultetit. Si e përjetuat këtë vlerësim?
FI: Edhe
pse nuk ishim një numër shumë i madh studentësh në degën e këndimit, u
organizua një garë e brendshme mes nesh, ku synohej të përzgjidhej zëri më i
pastër dhe më voluminoz. Nga kjo garë u përzgjodha unë.
Vendimi u mor nga shefi i katedrës dhe komisioni
vlerësues, jo vetëm mbi bazën e interpretimit që realizova në atë moment, por
edhe duke analizuar punën time trevjeçare gjatë studimeve. Ky vlerësim më gëzoi
jashtëzakonisht shumë, sepse ndjeva se përkushtimi dhe puna ime ishin
kurorëzuar me sukses.
Edhe pse kishte studentë më të rritur se unë, të cilët
kishin nisur studimet një vit më herët, komisioni e pa të arsyeshme të më
përzgjidhte mua. Në këtë prezantim u paraqita me arien e Mrikës nga opera Mrika e kompozitorit Prenk Jakova.
NM : Sa e rëndësishme ka qenë
përvoja me studion operistike dhe interpretimi i arieve nga repertori klasik
botëror gjatë studimeve?
FI: Përvoja me studion operistike ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për
formimin tim artistik. Aty nuk punonim vetëm me arie, por edhe me opera dhe
opereta më të vogla, zakonisht me dy akte, nga repertori botëror dhe në gjuhë
të ndryshme.
Kjo lëndë na ndihmoi të formohemi si artiste, sepse puna
zhvillohej në mënyrë shumë të detajuar. Profesori ynë ishte shumë i përpiktë
dhe nuk punonte vetëm mbi interpretimin e veprave, por edhe mbi shprehjen e
ndjenjave dhe përjetimin emocional që duhet të përcjellë çdo interpretim në
skenë. Kjo përvojë më ka ndihmuar shumë në ndërtimin tim si këngëtare
operistike.
Përvoja në Operën e
Maqedonisë
NM
: Ju keni qenë e pranishme edhe në skenën e Operës në Maqedoni. Çfarë përvoje
artistike dhe personale ishte kjo për ju?
FI: Gjatë studimeve pata
mundësinë të paraqitem në skenën e Operës së Maqedonisë, një përvojë shumë e rëndësishme dhe e
veçantë për mua. Pas disa muajsh, u punësova aty si koristë, çka më dha
mundësinë të jem pjesë e vazhdueshme e jetës artistike në këtë institucion.
Kjo eksperiencë nisi me një koncert të organizuar për
këngëtarët e rinj të muzikës klasike. Përzgjedhja u bë përmes një audicioni nga
një dirigjent italian, i cili ishte organizatori i koncertit. Nga rreth 80
kandidatë, u përzgjodhëm vetëm 10, dhe kjo për mua ishte një arritje shumë e
madhe.
Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të ngjitesha në atë
skenë dhe të isha pjesë e një koncerti kaq madhështor. Kjo përvojë më ndihmoi
të rritem si artiste, por edhe si person, duke më dhënë më shumë siguri dhe
besim në vetvete.
NM
: Ju u bëtë një nga artistet e para shqiptare në korin e Operës dhe Baletit
të Maqedonisë. Çfarë sfidash dhe emocionesh solli kjo përvojë?
FI: Në korin e Operës së
Maqedonisë, kam qenë një nga artistet e para të përzgjedhura përmes një
konkursi të rregullt. Ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të veçantë ishte fakti
se karriera ime në këtë institucion nisi me një moment shumë domethënës:
interpretimin në operën e parë shqiptare, Skënderbeu.
Ishte paraqitja ime e parë si koriste dhe pikërisht me
një vepër shqiptare, e cila për herë të parë vihej në skenën e Operës së
Maqedonisë. Ndjenja që përjetova ishte e papërshkrueshme — një përzierje
krenarie, emocioni dhe përgjegjësie artistike, që do ta mbaj gjithmonë në
zemër.
NM: Nga
repertori i kompozitorëve të mëdhenj si Verdi, Puccini, Mozart apo Bizet, cili
rol ose vepër ju ka prekur më shumë si artiste
FI: Nga
repertori i kompozitorëve të mëdhenj botërorë, të gjitha veprat që kam
interpretuar kanë pasur një vend të veçantë në formimin tim artistik dhe më
kanë dhuruar emocione të thella. Megjithatë, ndër më të dashurat për mua mbetet
opera Aida e kompozitorit Giuseppe
Verdi. Sa herë që e kam interpretuar, jam ndjerë shumë e
lidhur emocionalisht me të dhe e kam kënduar me shumë dashuri. Është një vepër
e gjatë dhe e vështirë, që kërkon përkushtim të madh, disiplinë dhe punë të
vazhdueshme për t’u interpretuar në nivelin e duhur.
Jeta dhe aktiviteti
në Zvicër
NM
: Prej disa vitesh jetoni dhe veproni në Gjenevë. Si ka ndikuar ky ndryshim
mjedisi në zhvillimin tuaj artistik?
FI: Kaluan
gati pesë vite larg vendlindjes që jetoj në Gjenevë. Fillimet nuk kanë
qenë të lehta: një vend i ri, një ambient i panjohur dhe largimi nga familja
dhe shoqëria ime. Megjithatë, asnjëherë nuk u shkëputa nga profesioni im. Në
fillim kisha dyshime nëse do të arrija të përshtatesha me tregun zviceran, jo
për mungesë aftësie, por për shkak të rrethanave dhe pasigurive të natyrshme.
Me kalimin e kohës kuptova se, me përpjekje dhe
këmbëngulje, gjithçka është e mundur. Gradualisht fillova të angazhohem edhe
këtu në projekte artistike dhe koncerte të ndryshme, duke vazhduar kështu
rrugëtimin tim profesional edhe në një realitet të ri.
NM: Si e përjetoni faktin që përfaqësoni kulturën dhe
talentin shqiptar në skenën artistike të Zvicrës?
FI: Jam shumë e lumtur që në Zvicër, veçanërisht në Gjenevë, jeton një komunitet i
madh shqiptarësh që kanë arritur suksese të konsiderueshme. Prania e tyre ka
qenë një mbështetje e rëndësishme për mua, sidomos në fillimet e mia në këtë
vend të ri.
Këtu ekzistojnë edhe institucione ku flitet gjuha shqipe
dhe organizohen aktivitete e evenimente kulturore shqiptare, gjë që më ka ndihmuar
të ruaj lidhjen me identitetin tim dhe kulturën nga vij. Në të njëjtën kohë,
jeta në një qytet ndërkombëtar si Gjeneva më ka dhënë mundësi të reja
artistike, duke më nxitur të zhvillohem më tej dhe të përballem me sfida të
reja në skenën muzikore.
Sa herë që këndoj shqip në Zvicër, zemra më mbushet plot,
sepse besoj fort se rrënjët tona nuk duhet të shuhen dhe se këngët tona të
bukura meritojnë të dëgjohen kudo.
Kam vënë re me shumë kënaqësi se edhe publiku zviceran i
pret shumë mirë këngët shqipe. Në disa promovime librash ku kam interpretuar,
reagimi i tyre ka qenë shumë vlerësues.
NM: A ka dallime mes jetës artistike në Ballkan dhe në Zvicër ?
FI: Po, ka dallime të dukshme mes jetës artistike në Ballkan dhe në Zvicër. Në Zvicër, gjithçka është
më e strukturuar dhe profesionale; ekziston një organizim shumë i mirë,
standarde të larta dhe më shumë seriozitet në qasjen ndaj artit. Kjo krijon
mundësi të mira zhvillimi, por njëkohësisht kërkon edhe disiplinë dhe
përkushtim maksimal.
Nga ana tjetër, në Ballkan jeta artistike është më e
ngrohtë dhe më spontane. Ka më shumë afërsi njerëzore dhe emocion në
interpretim, por shpesh mungojnë mundësitë e qëndrueshme dhe mbështetja
institucionale.
Të dyja kanë bukurinë e tyre: Ballkani të jep shpirtin
dhe ndjeshmërinë artistike, ndërsa Zvicra të ofron strukturën dhe
profesionalizmin për ta zhvilluar atë më tej.
Angazhimi pedagogjik
NM : Krahas karrierës artistike jeni e angazhuar edhe në mësimdhënie. Çfarë ju
motivon të punoni me fëmijët dhe të rinjtë në fushën e muzikës?
FI: Krahas karrierës sime
artistike, mësimdhënia zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time
profesionale. Ajo që më motivon më shumë për të punuar me fëmijët dhe të rinjtë
është mundësia për të ndarë pasionin tim për muzikën dhe për t’i ndihmuar ata
të zbulojnë dhe zhvillojnë potencialin e tyre artistik.
Për mua, muzika nuk është vetëm teknikë, por edhe një
mënyrë e fuqishme shprehjeje dhe zhvillimi personal. Është një ndjenjë e
veçantë të shohësh progresin e nxënësve, rritjen e vetëbesimit të tyre dhe
gëzimin që përjetojnë përmes muzikës.
Ky proces më frymëzon vazhdimisht dhe më jep kënaqësi të
madhe, si në rolin tim si pedagoge, ashtu edhe si artiste.
NM: Sa e rëndësishme është edukimi muzikor në zhvillimin e
ndjeshmërisë artistike te brezat e rinj?
FI: Edukimi muzikor është thelbësor në zhvillimin e ndjeshmërisë artistike te
brezat e rinj. Përvoja ime me fëmijët dhe të rinjtë më ka bindur se muzika
është një mjet i fuqishëm që ndikon jo vetëm në formimin artistik, por edhe në
zhvillimin emocional, intelektual dhe kreativ të tyre.
Është shumë frymëzuese të shohësh se si ata rriten jo
vetëm si artistë, por edhe si individë më të sigurt dhe më të ndjeshëm ndaj
botës që i rrethon. Përmes muzikës, ata mësojnë të dëgjojnë me vëmendje, të
përjetojnë më thellë dhe të shprehin emocionet e tyre në mënyrë të vetëdijshme
dhe kreative.
Edukimi muzikor nuk kufizohet vetëm në teknikë apo
interpretim; ai ndikon drejtpërdrejt në formimin e botës së brendshme të
individit. Në një botë gjithnjë e më të shpejtë dhe të dominuar nga
teknologjia, muzika mbetet një hapësirë e rëndësishme ku të rinjtë mund të
lidhen me emocionet e tyre, të zhvillojnë ndjeshmërinë artistike dhe të gjejnë
mënyrën e tyre unike të shprehjes.
Kërkimi akademik dhe
e ardhmja
NM : Aktualisht jeni në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e
teknikës vokale. Çfarë synoni të sillni të re me këtë kërkim?
FI: Po, ashtu jam në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e teknikës
vokale, dhe synimi im kryesor është të sjell një qasje më të integruar dhe
bashkëkohore në pedagogjinë e zërit. Kërkimi im fokusohet në ndërthurjen e
traditës së teknikës klasike me njohuritë moderne mbi trupin, frymëmarrjen dhe
funksionimin e aparatit vokal.
Dua të kontribuoj në krijimin e metodave më të qarta, më
efikase dhe më të personalizuara për këngëtarët, duke marrë parasysh
individualitetin e çdo zëri dhe nevojat specifike të secilit student. Synimi im
është që ky kërkim të mos mbetet vetëm në nivel teorik, por të ketë një ndikim
të drejtpërdrejtë në praktikën pedagogjike dhe në zhvillimin artistik të
këngëtarëve të rinj.
Besoj se zëri nuk është thjesht një mjet që prodhon
tinguj, por një instrument shumë delikat, që kërkon njohje të thellë dhe punë
të kujdesshme, sidomos në trajtimin e kordave zanore. Për këtë arsye, synoj të
ndihmoj në ndërtimin e një teknike të shëndetshme, të qëndrueshme dhe
artistikisht të pasur për çdo këngëtar.
NM
: Si e shihni të ardhmen tuaj artistike : më shumë në skenën
operistike, në pedagogji, apo në kombinimin e të dyjave?
FI: Të ardhmen time artistike
e shoh si një kombinim harmonik të të dyjave. Skena operistike mbetet pasioni
im më i madh, aty ku mund të shpreh emocionet, të interpretoj dhe të lidhem
drejtpërdrejt me publikun.
Në të njëjtën kohë, pedagogjia është një dimension po aq
i rëndësishëm për mua, sepse më jep mundësinë të ndaj njohuritë dhe përvojën
time me brezat e rinj, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë zërin dhe ndjeshmërinë
e tyre artistike.
Synimi im është që këto dy fusha të ndikojnë dhe të
pasurojnë njëra-tjetrën: përvoja në skenë ta forcojë dhe ta bëjë më të gjallë
mësimdhënien time, ndërsa puna pedagogjike të ushqejë reflektimin dhe rritjen
time artistike.
Besoj se ky është një kombinim i bukur dhe i domosdoshëm,
që nuk duhet lënë asnjëherë pas dore.
NM: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin
një karrierë në muzikën klasike ?
FI:
Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të
ndjekin një karrierë në muzikën klasike është të jenë të guximshëm, të
durueshëm dhe të përkushtuar. Muzika klasike kërkon punë të vazhdueshme,
disiplinë dhe pasion të vërtetë, por shpërblimi që sjell është i
jashtëzakonshëm.
I këshilloj të rinjtë të kërkojnë mësimdhënës të mirë dhe
të punojnë seriozisht për zhvillimin e teknikës dhe interpretimit të tyre, pa e
humbur asnjëherë gëzimin dhe dashurinë për muzikën. Çdo zë është unik, dhe me
përkushtim e këmbëngulje, ëndrrat mund të bëhen realitet.
Gjithashtu, besoj fort se një pedagog i mirë luan një rol
vendimtar në formimin profesional të një artisti, sepse ai jo vetëm që të
udhëzon, por edhe të ndihmon të zbulosh dhe të zhvillosh potencialin tënd në
mënyrën më të mirë të mundshme.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 14.04.2026









