Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Roli i Eliot Engel dhe i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në lobimin për Kosovën
E shtune, 11.04.2026, 07:10 PM

ZËRI I DIASPORËS DHE FUQIA E UASHINGTONIT:
ROLI
I ELIOT ENGEL -- KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN (NAA C) DHE LOBIMI PËR
KOSOVËN
Nga
Frank Shkreli
Ndërroi
jetë Elliot Engel, miku i madh i shqiptarëve. Po, Eliot Engel shkoi në amshim.
Një humbje e madhe jo vetëm për politikën amerikane, por edhe për Kombin
shqiptar, të cilin ai e mbështeti pa kursim për disa dekada kritike. Kongresisti Engel ishte një nga zërat më të
fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të çështjes
shqiptare, sidomos gjatë viteve të vështira të luftës në Kosovë. Ai luajti një
rol kyç në sensibilizimin e opinionit të politikës amerikane dhe ndërkombëtare
në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit terrorist serb të
Slobodan Milosheviç. I njohur për qëndrimin e tij të palëkundur, i ndjeri Engel
shpesh e quante veten, “mik të shqiptarëve” dhe ka vizituar disa herë
Shqipërinë dhe Kosovën, duke forcuar lidhjet mes dy popujve tanë. Kontributi i
tij mbetet i paharrueshëm—një figurë që shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë me
mirënjohje të thellë. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, emri i
tij do të qëndrojë si simbol i miqësisë dhe përkushtimit.
Si
kongresmen me ndikim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Engel ishte i hapur
dhe i angazhuar ndaj çështjeve shqiptare. Në thelb, Engel ishte zëri politik në
Uashington, duke ndihmuar që çështjen shqiptare të mos mbetej në hije në
momentet më kritike për Kombin shqiptar shekullin e kaluar dhe në fillim të
këtij shekulli. Vdekja e Eliot Engel ka
rikthyer në vëmendje jo vetëm figurën e një miku të madh të shqiptarëve, por
edhe bashkëpunimin e tij të vyer me përfaqësues të shquar të diasporës, Ky
bashkëpunim, i ndërtuar mbi përkushtim dhe vizion të përbashkët, ishte një
shtyllë e rëndësishme në promovimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës, kur ai ishte në Kongres dhe më vonë.
Si
një nga figurat më me ndikim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Engel u bë
një mbështetës i palëkundur i të drejtave të shqiptarëve, veçanërisht gjatë
krizës në Kosovë në fund të viteve ’90. Ai ishte ndër zërat kryesorë që kërkoi
ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit terrorist serb të Slobodan Milosheviçit,
duke u rreshtuar hapur në mbrojtje të popullsisë shqiptare, në harmoni me
komunitettin shiptaro-amerikan për një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e të
drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve kudo që ndodheshin.
Në
shumë raste, qëndrimet publike të Engel ndikonin shumë si në qarqet politike
amerikane, ashtu edhe në opinionin publik shqiptar. Kjo lidhje me diasporën
shqiptare në Amerikë ndihmoi që çështja e Kosovës, Shqipërisë dhe e shqiptarëve
në Ballkan, të mbetej në fokus të politikës së jashtme amerikane për një kohë
të gjatë. Eliot Engel dhe komuniteti
shqiptaro-amerikan kishin formuar një partneritet të pathyeshëm në shërbim të
lirisë, një aleancë që ndryshoi rrjedhën e historisë për shqiptarët.
Bashkëpunimi mes Eliot Engel dhe komunitetit shqiptaro-amerikan përbën një nga
shembujt më domethënës të ndikimit të diasporës në politikën e jashtme të
Shteteve të Bashkuara. Për dekada me radhë, kjo marrëdhënie u ndërtua mbi
besim, angazhim dhe një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e të drejtave të
shqiptarëve në Ballkan. Si anëtar dhe më vonë kryetar i Komisionit për Punët e
Jashtme në Kongresi i Shteteve të Bashkuara, Engel ishte një nga aleatët më të
fortë të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai dëgjoi dhe bashkëpunoi ngushtë me
organizata dhe aktivistë të diasporës, duke i kthyer shqetësimet e tyre në
nisma konkrete politike në Uashington.
Sot, trashëgimia e këtij bashkëpunimi mbetet e gjallë. Ajo shërben si
një model i fuqishëm se si një komunitet i organizuar dhe një përfaqësues i
përkushtuar politik mund të ndikojnë në rrjedhat e historisë. Eliot Engel nuk ishte thjesht një politikan
për shqiptarët—ai ishte një partner i besueshëm, një zë i fuqishëm dhe një mik
i përhershëm i komunitetit shqiptaro-amerikan.
Si
njëri prej themeluesve dhe për një kohë të gjatë kryetar i Grupit të Çështjeve
Shqiptare në Kongresin Amerikan, ai udhëhoqi këtë grup të rëndësishëm
ligjvensish në Kongres për tri dekada, duke u bërë zëri kryesor për të drejtat
e shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Një moment simbolik ky që forcoi lidhjet mes
diasporës, Uashingtonit zyrtar të gjithave niveleve më të larta të qeverisë
federale dhe shqiptarëve në Ballkan, ka qenë vizita e Kongresistit Eliot Engel dhe
përfaqsuesve të NAAC në trojet shqiptare.
Në vitin 2005, Eliot Engel, në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me qëndër në Uashington, realizoi një vizitë të
rëndësishme në trojet shqiptare—një ngjarje që shënoi një hap të ri në forcimin
e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kjo
vizitë kishte një peshë të veçantë politike dhe simbolike. Engel, i cili kishte qenë prej kohësh një
mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Kongresin e Shteteve të
Bashkuara, erdhi në terren për të parë nga afër realitetin politik dhe ekonomik
në Kosovë, në Shqipëri dhe shqiptarëve në Mal të Zi.
I
shoqëruar nga përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) dhe
figura të diasporës shqiptaro-amerikane, Engel zhvilloi atje takime me drejtues
politikë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të thjeshtë. Vizita u
fokusua në periudhën pas luftës në Kosovë, kur vendi ishte në një fazë
vendimtare të ndërtimit të institucioneve dhe të përcaktimit të statusit të tij
përfundimtar. Edhe për organizatën NAAC,
kjo vizitë ishte një dëshmi konkrete e suksesit të lobimit të tyre në
Uashington. Ndërsa për Engel, ajo përfaqësonte një mundësi për të forcuar më
tej angazhimin e tij personal dhe politik ndaj shqiptarëve.
Vizita
e vitit 2005 në trojet shqiptare shërbeu gjithashtu për t’i dërguar një mesazh
të qartë botës shqiptare: se mbështetja amerikane për shqiptarët nuk ishte
vetëm retorikë, por e bazuar në një partneritet real dhe të qëndrueshëm mes
përfaqësuesve politikë amerikanë dhe diasporës shqiptaro-amerikane. Ai moment
mbetet një nga episodet më të rëndësishme në historinë e bashkëpunimit mes
Eliot Engel dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan -- një dëshmi se kur
angazhimi politik dhe veprimi i organizuar i diasporës bashkohen, ndikimi i
tyre kapërcen kufijtë dhe lë gjurmë në histori.
Sot,
trashëgimia e këtij bashkpunimi mbetet e gjallë. Ajo shërben si model i
fuqishëm për brezin e sotëm se si një komunitet i organizuar mirë dhe
perfaqsues politikë amerikan, si kongresisti Eliot Engel mund të ndikojnë në
rrjedhat e historisë. Eliot Engel nuk ishte thjesht një politikan për
shqiptarët. Ai ishte një partner i besueshëm, një zë i fuqishëm dhe një mik i
përhershëm i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe i të gjithë shqiptarëve kudo që
janë. Kontributi i tij për Kosovën, për
demokracinë dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithsi do të mbetet
i pahararruar
Kujtimi
i tij do të jetojë gjatë në zemrat e shqiptarëve kudo që janë. Lavdi veprës së
tij! Pushofsh në paqë, Eliot Engel!

Foto
me shkrimtarin Ismail Kadare gjatë vizitës së kongresistit Engel dhe
përfaqsuesve të NAAC në Tiranë, 2005

Autori,
në kapacitetin e Drejtorit Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,
me kongresistin Eliot Engel dhe me Presidentin historik të Republikës së
Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën, 2005 në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Presidenti
historik Dr Ibrahim Rugova, shtroi darkë për nder të vizitorëve nga Amerika,
Prishtinë, 2005

Takim
në Tiranë, 2005 me Kryetarin e Partisë Demorkatike, Dr Sali Berishën

Autori
duke mbajtur fjalën e rastit në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan,
2005









