E premte, 16.01.2026, 11:20 PM (GMT)

Faleminderit

Dorian Koçi: Ismail Qemal Vlora

E premte, 16.01.2026, 06:56 PM


Ismail Qemal Vlora

Nga Dorian Koçi

Ismail Qemal Vlora mishëron figurën e burrit të shtetit me kulturë dhe formim europian, i cili arriti ta nxjerrë çështjen shqiptare nga kufijtë e një problemi të brendshëm të Perandorisë Osmane dhe ta shndërrojë atë në një çështje të rëndësishme të diplomacisë ndërkombëtare. Profili i tij politik ndërtohet mbi një vizion të qartë afatgjatë, realizëm politik dhe një aftësi të rrallë për të kuptuar e interpretuar saktë zhvillimet dhe balancat e kohës.

Ai u formua brenda administratës osmane, por shumë shpejt e kuptoi se e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të sigurohej pa njohjen e kombësisë dhe të drejtave politike të tyre. Qëndrimi politik autonomist i Ismail Qemalit nuk ishte shenjë hezitimi, por një strategji politike realiste, e menduar si hap i domosdoshëm drejt pavarësisë së plotë. Në këtë kuptim, ai ishte një politikan evolucionar, që dinte të përshtaste kërkesat kombëtare me balancat ndërkombëtare.

Angazhimi i tij në lëvizjen xhonturke dëshmon besimin fillestar te reformat, parlamentarizmi dhe kushtetuta, por edhe qartësinë politike për t’u shkëputur prej saj në momentin kur ajo u shndërrua në një regjim autoritar. Si deputet në Parlamentin Osman, Ismail Qemali u shqua për mbrojtjen konsekuente të interesave shqiptare, duke e kthyer parlamentin osman në një tribunë të çështjes kombëtare.

Në planin ndërkombëtar, portreti politik i Ismail Qemalit merr përmasa të një diplomati të klasit të lartë. Ai kuptoi herët se fati i Shqipërisë do të vendosej në kancelaritë europiane dhe jo vetëm në fushëbetejë. Takimet me Fuqitë e Mëdha, Memorandumi i Greçës dhe koordinimi me figura si Hasan Prishtina, Myfit Libohova, e Luigj Gurakuqi tregojnë aftësinë e tij për të ndërtuar konsensus kombëtar dhe për ta artikuluar atë në gjuhën e diplomacisë europiane.

Kulmi i këtij momenti politik është 28 Nëntori 1912: akti i shpalljes së Pavarësisë dhe krijimi i Qeverisë së Përkohshme. Ismail Qemali kthehet kështu jo vetëm në një simbol, por si arkitekt i shtetit shqiptar, që e konceptoi pavarësinë si proces institucional, të shoqëruar me qeverisje, përfaqësim dhe diplomaci.

Ismail Qemali- Vlora mbetet figura e politikanit vizionar, që diti të ndërthurë idealin kombëtar me realizmin politik, duke i dhënë Shqipërisë jo vetëm lirinë, por edhe një drejtim europian.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx