E marte, 13.01.2026, 11:44 PM (GMT)

Editorial

Ilir Çumani: Të paturpët pa rrënjë turpi!

E marte, 13.01.2026, 06:57 PM


TË PATURPËT PA RRËNJË TURPI!

Nga Ilir Çumani

Duke marrë shkak që në nisje nga titulli i këtij shkrimi, nuk e di pse më vjen në mendje urtia e mençur:

“Çudia më e madhe, tre ditë zgjat…”

Por, në rastin e Kryeministrit Rama dhe të “binjakes” së tij politike, Belinda Balluku, kjo urti nuk përbën as kurrfarë lidhjeje me këtë mençuri urtake popullore dhe, për rrjedhojë, nuk ka asnjë lidhje organike me të, ngase ata të dy përfaqësojnë një rast sui generis në tërë historinë dhe përvojën politike të ekzistencës së shtetit shqiptar, për sa i përket abuzimit me pushtetin dhe shpërdorimit të besimit të sovranit.

Duke qenë prej muajsh të shënjestruar nga perceptimi publik dhe së fundmi nga SPAK-u, në lidhje me shumë skandale dhe afera domethënëse që do të trondisnin edhe qeveritë më të forta të vendeve më të mëdha kudo në Evropë dhe në botë, sjellja e tyre politike në raport me këtë realitet do të kërkonte një vëmendje të veçantë nga shumë studiues të fushës dhe politologë që hulumtojnë fenomene kaq të rralla të sjelljes politike nga kjo racë politikanësh të paturpë, pa rrënjë turpi!

Dikur, Winston Churchill (kryeministër britanik) do të shprehej:

“Nuk ka gjë më të neveritshme se të shohësh një njeri të ndyrë e të paturpshëm duke gënjyer hapur.”

Pasi shteroi çdo teknikë dhe taktikë të pushtetit të përqendruar, Kryeministri Edi Rama aktivizoi të gjithë arsenalin e shantazhit politik dhe të manipulimit të opinionit publik kundër drejtësisë, medias dhe parlamentit.

Qëllimi ishte i njëjtë dhe i pandryshuar: të pengonte drejtësinë, të deformonte funksionimin e institucioneve dhe të siguronte mbrojtje politike për Belinda Ballukun, duke refuzuar dorëzimin e saj përballë ligjit.

Në këtë proces, pushteti ekzekutiv u shndërrua hapur në një instrument presioni dhe bllokimi institucional, duke e trajtuar drejtësinë si pengesë dhe jo si shtyllë të shtetit. Parlamenti u reduktua në dekor, media u përdor ose u intimidua, ndërsa parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve u shkel brutalisht.

Kjo tashmë nuk është thjesht arrogancë pushteti, por një akt i qëllimshëm i kapjes së shtetit, ku ligji i nënshtrohet vullnetit politik dhe ku barazia para drejtësisë zëvendësohet me imunitet partiak.

E gjitha kjo është një nga shenjat më shqetësuese të sfidimit të hapur ndaj qytetarit votues dhe demokracisë funksionale prej kryeministrit Edi Rama, i cili, pa pikën e turpit dhe pa përgjegjësi politike, në mënyrë të trukuar dhe me makiazh politik, guxon dhe nxjerr përsëri në publik Belinda Ballukun, një nga personazhet më të akuzuara për korrupsion, e përfshirë në afera dhe skandale të rëndësishme, dhe aktualisht nën hetim nga SPAK-u.

Në një situatë emergjencash, si përmbytjet që kërcënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve, qytetari pret organizim, përgjegjësi dhe solidaritet, ndërsa përballë kësaj pritshmërie minimale, kryeministri zgjedh të shfaqë publikisht, në mënyrë sfiduese, një personazh qëndror të skenës politike të akuzuar për keqpërdorim fondesh publike, duke komunikuar se institucionet, ligji dhe morali janë opsionale dhe se qytetari është i detyruar të pranojë modelin e tij të qeverisjes.

Ky veprim nuk është thjesht çështje personale, por një provokim prej një deliranti infantil ndaj institucioneve të shtetit, ndaj drejtësisë dhe ndaj të gjithë qytetarëve, duke treguar se pushteti që ai e ka zaptuar në mënyrë kapilare nuk respekton parimet e demokracisë funksionale dhe, kësisoj, nuk mund të respektojë as shtetin ligjor, duke mos pasur më as kufij moralë.

Për qytetarin, mesazhi është i qartë: drejtësia nuk ka fuqi, morali nuk ka peshë, pushteti mund të bëjë çfarë të dojë.

Në këtë kontekst, duhet të theksojmë edhe një dimension tjetër kritik: qytetarët e dëmtuar ekonomikisht nga përmbytjet nuk mund dhe nuk ka moral që të marrin solidaritet nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.

Për 13 vite qeverisjeje, ky model pushteti e ka “përmbytur” popullin shqiptar jo vetëm në termat e ujërave të përmbytjeve natyrore, por më së shumti në detin e madh të varfërisë dhe mjerimit përmes korrupsionit, ku fondet publike janë grabitur sistematikisht dhe shërbimet publike janë politizuar dhe degraduar.

Kur një popull tashmë është ekonomikisht i dëmtuar, shfaqja publike e personave të përfshirë në korrupsion si “shërbyes të popullit” nuk është vetëm provokim poshtërues deri në vanitet, por edhe tallje morale: ajo mohon dhe ironizon dhimbjen reale të qytetarëve dhe banalizon nevojën për drejtësi dhe solidaritet.

Në planin politik, ky model tregon një zhgënjim të thellë të hierarkisë dhe të ndarjes së pushteteve. Kur lideri i shtetit mbështet dhe promovon personat më të kontestuar, institucionet bëhen thjesht mjete për të legjitimuar një imazh të gënjeshtërt.

Nuk ka më përgjegjësi politike, nuk ka më kufij moralë; çdo akt i drejtësisë ose hetimit bëhet i parëndësishëm përballë dëshirës për të ruajtur pushtetin.

Ky fenomen nuk ndodh vetëm në nivel lokal: ai përbën model të shndërrimit të pushtetit në mekanizëm vetëmbrojtjeje, ku çdo veprim publik shndërrohet në propagandë dhe çdo skandal bëhet mjet për të ruajtur statusin politik.

Në planin social, pasojat janë po aq të rënda. Kur qytetarit i komunikohet se korrupsioni dhe keqpërdorimi janë të pranueshëm, besimi në shtet dhe institucione shkatërrohet.

Shoqëria detyrohet të pranojë banalizimin e së keqes si normalitet, ndërsa cinizmi bëhet kulturë. Heshtja shndërrohet në bashkëfajësi dhe përgjegjësia bëhet luks për të paktët që nuk kanë pushtet.

Rrjedhimisht, kultura qytetare dhe morali shoqëror dobësohen, ndërsa qytetari ndien se çdo përpjekje për të kërkuar llogaridhënie është e kotë.

Ky është efekti më i rrezikshëm i modelit të qeverisjes që imponojnë binjakët politikë Edi Rama dhe Belinda Balluku: ai ndryshon marrëdhënien e qytetarit me shtetin, duke e bërë atë pjesëmarrës pasiv në degradimin institucional dhe duke e dëmtuar ekonomikisht dhe moralisht në përmasa të gjera.

Nga perspektiva filozofike, kemi një krizë të thellë të marrëdhënies qytetar–pushtet. Pushteti nuk është më shërbim, por pronë e individëve. Shteti nuk është më kontratë morale midis qytetarit dhe qeverisë, por terren për të imponuar vullnetin personal mbi ligjin, institucionet dhe shoqërinë.

Kur e vërteta dhe drejtësia bëhen opsionale, shoqëria përballet me normalizimin e korrupsionit dhe degradimin e demokracisë.

Ky fenomen ka edhe implikime ndërgjegjësuese. Ai tregon se demokracia nuk është thjesht mekanizëm votash apo institucionesh, por kërkon kulturë qytetare, llogaridhënie dhe normë morale të përbashkët.

Kur këto elemente humbasin, dhe nuk është çudi që pushteti shndërrohet në monopol të interesave private e personazheve të akuzuar për keqpërdorim, siç ndodh sot në Shqipëri me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun.

Për të kuptuar më mirë ndikimin e këtij modeli, mund të bëjmë krahasime me demokracitë funksionale evropiane.

Në vendet ku sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe institucionet respektojnë ligjin, politikanët që përfshihen në korrupsion nuk mund të marrin detyra të larta pa pasur llogaridhënie të menjëhershme.

Skandalet financiare ose keqpërdorimet e fondeve publike shpesh sjellin dorëheqje ose procese gjyqësore të shpejta. Ky mekanizëm, i krijuar mbi parimin e drejtësisë së pavarur dhe qytetarit si subjekt me të drejta, pengon normalizimin e korrupsionit.

Ndërsa modeli shqiptar, siç ilustrohet nga veprimet e Edi Ramës dhe shfaqja publike e Belinda Ballukut, nuk ofron mekanizma të tillë, duke shndërruar keqpërdorimin e pushtetit në një realitet të zakonshëm dhe banal.

Historiku i korrupsionit dhe i përgjegjësisë politike në Shqipëri tregon një vijë të gjatë provash: nga tranzicioni i hershëm, ku institucionet u ndërtuan në mënyrë të dobët dhe shpesh u përdorën për interesa okulte personale në dekadat e fundit, ku fondet publike janë përvetësuar sistematikisht dhe qytetari ka humbur besimin në shtet.

Ky mjedis ka krijuar një cikël të rrezikshëm: liderë që sfidojnë qytetarin dhe drejtësinë, qytetarë që heshtin ose bëhen bashkëfajtorë për mungesën e llogaridhënies, dhe institucione që shndërrohen në skenë për propagandë politike.

Analiza e pasojave afatgjata te qytetari dhe shteti ligjor tregon se rrënjët e këtij modeli janë shkatërruese: demoralizimi i qytetarit, humbja e besimit në drejtësi dhe në institucionet shtetërore krijojnë një ndjenjë pafuqie dhe pashprese.

Normalizimi i korrupsionit bën që aktet e paligjshme dhe keqpërdorimet të bëhen pjesë e rutinës së qeverisjes, duke e bërë shoqërinë më të ndarë dhe më të pafuqishme.

Dobësimi i shtetit ligjor sjell që ligji të mos zbatohet në mënyrë të barabartë dhe çdo shoqëri përfundon duke humbur parimet themelore të demokracisë funksionale.

Pasojat ekonomike janë evidente: fondet publike nuk shkojnë për nevojat reale të qytetarëve dhe emergjencat, si përmbytjet, tërmetet dhe zharret masive, të cilat përkeqësojnë pabarazitë dhe krijojnë varfëri të përhapur.

Kultura shoqërore e cinizmit bën që qytetarët të mësojnë të pranojnë banalizimin e së keqes dhe ndërgjegjja morale kolektive dobësohet gradualisht.

Regjia e Edi Ramës për të rikthyer në skenën publike binjaken e tij politike, Ballukun, nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e imazhit, por shndërrohet në një akt sfide institucionale dhe karshillëku të hapur ndaj qytetarëve, drejtësisë dhe vetë parimeve të demokracisë.

Ky është momenti kur çdo qytetar kupton se nuk ka vetëm zgjedhje politike përpara vetes, por zgjedhje morale dhe institucionale: të pranojë banalizimin e së keqes si normalitet, ose të kërkojë rikthimin e një shteti që respekton ligjin dhe qytetarin.

Në këtë kuadër, modeli i qeverisjes që imponojnë Edi Rama dhe Belinda Balluku është provë për shoqërinë shqiptare: a do ta lejojmë të normalizohet korrupsioni dhe sfidimi i drejtësisë, apo do të rivendosim idenë se pushteti ka kufij dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe parimeve të demokracisë funksionale?

Një shoqëri që pranon banalizimin e së keqes si rutinë është shoqëri që e humb mundësinë për të qenë shtet ligjor, funksional dhe demokratik.

Tiranë, e shtunë - 10 janar, 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx