Mendime
Lekë Mrijaj: “Çfarë politikani i madh që do të kishte qenë Juda”, thënie e shkrimtarit francez Achille Tournier që pasqyron kohët tona
E enjte, 04.12.2025, 07:20 PM
“Çfarë politikani i madh që do të kishte qenë Juda”, thënie e shkrimtarit francez Achille Tournier që pasqyron kohët tona
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Para
disa ditësh në rrjetin social Facebook, më ra në sy një thënie e vjetër
lapidare e shkrimtarit francez Achille Tournier, e cila vërtetë më la pa fjalë
nga realiteti dhe ironia e mprehtë që mbart: “Çfarë politikani i madh që do të
kishte qenë Juda”.
Kjo
shprehje e tij monumentale dhe shpotitëse, me gjithë peshën e fjalës së
thanë, është një shpatë me dy tehe e drejtuar
drejt shtyllës së politikës sonë të zhveshur nga morali. Judë Iskarioti i cili
është një simbol biblik i tradhtisë, ai që Kajfës ia shiti Krishtin vetëm për
tridhjetë sikla argjendi, pra, nuk përmendet këtu për mirënjohje, por për të
treguar se në një politikë të sëmurë e të deformuar shpërblehen dredhia,
mashtrimi dhe pabesia, e jo ndershmëria. Dhe sa shumë i ngjan kjo thënie
ironike realitetit tonë politik të pasluftës!
Pas
qershorit të vitit 1999, Kosova jonë martire, falë heroizmit të veprimtarëve të
devotshëm, intelektualëve, martirëve, heronjve, UÇK-së dhe mbi të gjitha falë
trupave të NATO-s, vëndi ynë hyri në një epokë të re lirie, por jo medoemos në
një epokë morali. Institucionet tona, të ngritura me mund, përkushtim dhe gjak,
shumë shpejt nisën të grabiteshin nga grupe interesash amoraliste, administrata
u politizua skajshëm, korrupsioni u kthye në përditshmëri të zymtë, ndërsa
meritokracia e idealistëve e atyre që sakrifikuan u rrënua. Në këtë amulli e
mjegull të dendur, në krye nuk ngjiteshin njerëzit e idealeve, por tetkalemshit
dhe brekgrisurit, ata që dinin ta luanin lojën e pushtetit me forcë e dinakëri.
Prandaj
thënia e Tournierit dukej si të ishte thënë e shkruar për ditët tona. E njëjta
frymë e sëmurë vazhdoi edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më
patronazhizëm, më familjarizëm, më nepotizëm, më pazare tenderësh nën dorë dhe
më një administratë që funksionon më shumë si vegël partiake sesa si shërbyese
e shtetit dhe e qytetarëve. Ndërkohë njerëzit e ndershëm, profesionistët dhe
idealistët liheshin anash, sepse sistemi nuk i donte të tillët. Edhe kjo ishte
mënyra më e heshtur, dhe më e shëmtuar, për t’i “shpërblyer” Judenjtë e
politikës.
Për
më tepër ia vlen të potencohët se që nga paslufta e deri në liberalizimin e
vizave e këtej, vendi ynë ka nisur të zbrazet më të madhe nga të rinjtë dhe
kuadrot e reja elitare, të cilët janë larguar dhe po largohen nga mungesa e
perspektivës dhe padrejtësitë e përditshme. Megjithatë, një gjë mbetet e
patundur, kujtesa historike e popullit tonë, ajo që e ka mbajtur gjallë nderin
dhe lirinë ndër shekuj. Pikërisht kjo kujtesë është forca që mund t’i rikthejë
moralin vendit dhe politikës së sotme, e cila shpesh endet pa busull etike.
Në
fund të këtij opinioni reflektues e themi se politika pa moral nuk ndërton
shtet, por prodhon zhgënjim, kaos dhe humbje shprese dhe rrënim të Republikës
së Kosovës. Vetëm atëherë kur pushteti ynë fillon ta shpërblej vlerën, besën
dhe përkushtimin, populli mund të shpresojë sërish.
Përndryshe,
koha sikurse deri më sot, do të vazhdojë të prodhojë “Judenj” të rinj, dhe
thënia e shkrimtarit francez Achille Tournierit do të mbetet e saktë dhe tejet
trishtuese për popullin dhe institucionet e Republikën së Kosovës.









