Përjetësi » Kadare
Albert Vataj: Ismail Kadare, një vit pa penën dhe gjenialitetin krijues, që nënshkroi me vepër përjetësinë
E marte, 01.07.2025, 04:58 PM
Ismail Kadare, një vit pa penën dhe gjenialitetin krijues, që nënshkroi me vepër përjetësinë
Homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar
Nga
Albert Vataj
Më
1 korrik 2024, ra heshtja mbi një zë që kishte kohë që nuk fliste, por që
kishte folur aq shumë sa çdo heshtje pas tij tingëllon ende si jehonë. Një vit
më parë u nda nga jeta Ismail Kadare, njeriu që u lartua në ndërgjegjen e një
kombi si një sfidë dhe si një shenjë, si një zë që mbeti i paarritshëm, i
pazëvendësueshëm, i pashuar.
Kaloi
një vit që nga ajo ditë kur Shqipëria, gjuha shqipe, letërsia, kultura dhe vetë
ndërgjegjja jonë u mpakën për pak çaste. U bënë më të heshtura, më të brishta,
më të vetmuara. Sepse u largua jo vetëm një njeri, por një epokë. U largua
Kadareja, ai që kishte jetuar shumë jetë në një të vetme, që kishte folur shumë
gjuhë vetëm nëpërmjet një fjale: Shqip.
Në
një botë që i druhet të mëdhenjve, Kadareja nuk i druhej asgjëje tjetër
përveçse shterpësisë së shpirtit dhe heshtjes së fjalës. Ai nuk ishte vetëm
shkrimtar, ai ishte metafora më e madhe që kultura shqiptare ka mundur të
prodhojë në shekullin XX. Ishte një ndërgjegje që e çmontoi frikën, e demaskoi
dhunën, e sfidoi tiraninë pa asnjë shkulmë retorike, por me një art të tillë,
që edhe perandoritë do ta kishin zili.
Ai
e dinte mirë: “Më duan të vdekur”, pati thënë në një intervistë. E dinte, sepse
i njihte rrënjët e ligësisë njerëzore, e njihte baltën që shpesh i hidhet
madhështisë për ta zhveshur nga përjetësia. Por ai e kish fituar përjetësinë jo
si titull, por si substancë. Ai ishte bërë përjetësia vetë, nëpërmjet veprës,
fjalës, shenjtërisë së gjuhës së shpëtuar dhe të ngritur në majat ku s’kishte
mbërritur askush më parë.
Në
këtë përvjetor, Shqipëria nuk duhet të kujtojë thjesht vdekjen e një
shkrimtari. Ajo duhet të meditojë mbi jetën e një zëri që i dha emër. Sepse tre
janë emrat përmes të cilëve bota mëson se kush jemi ne: Skënderbeu – për
guximin, Nënë Tereza – për shpirtin, dhe Ismail Kadare – për mendjen.
Gjatë
këtij viti që ndan jetën me mungesën, shumë prej atyre që dikur e deshën të
heshtur, që ngritën fjalë si gurë kundër tij, janë detyruar të mendojnë
ndryshe. E kuptojnë tani se nuk kishin të bënin me një njeri të zakonshëm. Por
me një ndërgjegje kulturore, që s’mund ta përmbash me urrejtje personale, me
xhelozi ideologjike apo me ndëshkime morale të pastërta vetëm në dukje.
Kadareja nuk ishte as shenjtor e as profet, por as nuk u përpoq kurrë të ishte.
Ai ishte vetëm një shkrimtar, por i tillë që çdo përpjekje për ta ulur në
rrafshin e zakonshmërisë, do të dështonte.
Ai
e mbijetoi regjimin pa u bërë zëdhënësi i tij. I mbijetoi demokracinë pa u
kthyer në përfitues i saj. I mbijetoi gjithë hakmarrjen kolektive të provincës
shpirtërore shqiptare, që rrallë duron gjeniun dhe gjithmonë ngatërrohet me
madhështinë. I mbijetoi edhe vetë vetminë që i ngjitej pas, jo si dënim, por si
kusht i natyrshëm për një mendje që qëndronte larg turmës.
Dhe
sot, një vit pas vdekjes së tij, ai mbetet më i pranishëm se kurrë. Sepse vepra
e tij nuk është një korpus i mbyllur, por një vazhdimësi pyetjesh,
reflektimesh, protestash të heshtura dhe thirrjesh të padukshme që na mësojnë
si ta lexojmë historinë tonë, si ta kuptojmë Shqipërinë, si ta ndjejmë Europën,
si të jemi njerëz përmes letërsisë.
Duke
e kujtuar sot Ismail Kadarenë, ne nuk bëjmë thjesht një akt nderimi. Ne
rivendosim kontaktin me një vetvete më të thellë, më të kthjellët, më të
ndërgjegjshme. Dhe nëse ka një rrugë për të qenë të denjë për atë që ai ishte,
ajo është rruga e leximit, e përulësisë para mendjes së tij, e njohjes së
veprës së tij si gur themeli i letërsisë sonë moderne dhe si dëshmi e pasionit
që fjalës i jep pavdekësinë.
Ismail
Kadare nuk është më mes nesh, por ai është brenda nesh. Në çdo frazë që kemi
mësuar prej tij. Në çdo realitet që ka marrë kuptim falë atij. Në çdo fjali që
do të shkruajmë më mirë, sepse ai e deshi aq shumë fjalën, sa e shndërroi në
atdheun e vet të vërtetë.