Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Mos e zbukuroni ferrin!
E marte, 03.06.2025, 06:59 PM
MOS ZBUKURONI FERRIN!
Ferri
nuk zbukurohet! Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë për ata që ishin në ferr…
Nga
Visar Zhiti
Burgu
famëkeq i Spaçit, ku vuajtën mizorisht mijëra kundërshtarë të diktaturës
enveriste, ku u pushkatuan apo u
ridënuan rëndë ata qê guxuan dhe u ngritën në revoltën e madhe, tashmë të futur
në histori si ndër të paktat dhe më heroiket në të gjithë perandorinë komuniste, por e vetmja ku
u ngrit Flamuri Kombëtar pa yllin e kuq, ku u vranë në minierat me kushte
primitive, ku punonim si skllevër, ku vdisnim urie e varrezë nuk kishte,
banonim në fjetore pa asgjë, me tullat si luspa reptilësh, ku mbi 50 veta
ngjeshur flinin në një dhomë-shpellë, me dyshekë kashte me tri radhë njeri mbi
tjetrin, dritare te shkaterruara ku futej era e dimrit dhe shiu dhe vëzhgonte
policia e çmendur, ku s’lejoheshin rroba te tjera veç te burgut, as këpucë apo
orë dore, kuzhina me tym si gazi në kampet naziste, etj, etj, një infermieri pa
ilaçe, ku alkoolin e pinin policet me spiunët e tyre, me ata në sherbim të
komandës, berberhane, tubi i ujit me vrima nga rridhte uji qe ngrinte akull,
banjot pa dyer, shkallë dhe zgëqe e thase, shtylla, altoparlantë që lehnin,
kthina e takimeve të rralla me familjarët- e ndaré me hekura në nje dhomez sa
kolibja e qenit të komandës, vendi i rrethuar me tela me gjemba një herë, dy
herë, tre herë, katër herë, pesë… dhe male, përrenj me ujë të zi që dilte nga
grykat e minierës si gojë lubish, kullat e dëndura të vendrojeve me trarë si
përbindësha, etj, etj.
PSE?
-
Një herë u bë krimi i madh, që u ngrit ai burg politik aq çnjerëzor…
-
Së dyti, që e lanë të rrënohej, po prishej një dëshmi, po zhytej në mjegullat e
harresës nga qeveritë…
Së
voni- po duan ta bëjnë muze, shumë mirë, por jo ta tjetërsojnë, nëse po ndodh,
jo ta zbukurojnë siç nuk ka qenë, të lihet ashtu siç e bënë etërit…
FILMI?
Po
ndreqet për një film, po dëgjoj këto ditë të thonë, që do të xhirohet aty…
Skenarin
e filmit, “Kryengritje në ferr”, e kam shkruar unë, ish i burgosur i Spaçit,
drejtimor i filmit dhe regjisor ështe Namik Ajazin, edhe ai ish i burgosur si
unë, edhe babai i tij e mijëra shqiptarë, ndërkaq i është kërkuar shtetit nëpërmjet
kryeministrit, cilitdo që do të ishte, (se s’e kemi emëruar ne, por është
zgjedhur), të mbeshtesin filmin, si rrëfim i vuajtjes dhe i qendresës dhe
kryengritjes tonë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, euroatlantike, nder
për historinë dhe krenari për popullin, që s’u gjunjëzua i gjithë.
Shteti
e ka për detyrë, i ka paratë, janë tonat, qoftë dhe nga ato të punës së
papaguar të mijëra e mijëra të burgosurve politikë në dekadat e socializmit
real në miniera, tharje kënetash, hapje kanalesh, themelesh, ngritje pallatesh,
taracash, stadiumesh e deri dhe aeroportin e kryeqytetit, etj, etj.
Shteti
të dënojë krimin shtetëror të diktaturës enveriste, të nxjerrë kriminelët e saj
politikë, t’i sjellë nga ku janë strehuar, jo t’i riciklojë, të ndëshkojë Realizmin
Socialist dhe të keqen!
Shteti
të mos zvarrisë apo të shmangë kulturën e kujtesës tonë!…
Të ribëjë burgun e Spaçit si muze ashtu si
Aushvicin bota, si pjesë të kujtesës njerëzore, ashtu siç ishte, autentik, nëse
s’mundet, të mos e zbukurojë, le t’ua thoshin etërve atëhere ta bënin siç do të
donin tani - si makiazh krimit të madh shtetëror, ferri është ferr, ai thjesht
duhet të dëshmohet, të kujtohet si një e vërtetë e mynxyrshme, me qëllim që të
mos përsëritet…
Këtë
do të donim të bënim me filmin, nderim vuajtjes dhe martirizimit, gjakut dhe
qëndresës, ëndrrës dhe së ardhmes…
Shteti
të mos e pengojë, nëse nuk e mbështet dot artin e madh si pasuri kombëtare!