Kulturë
Kadri Tarelli: 'Turizmi dhe trashëgimia'
E shtune, 03.05.2025, 02:55 PM
Kadri Tarelli shkruan:
Gjithnjë do të gjendet një laps për të shkruar të
ardhmen.
Kurrë nuk do
të gjendet gomë për të fshirë të shkuarën.
Al Paçino
“TURIZMI DHE TRASHËGIMIA”,
Mësuese Zemrita Hereni, në Projekt
mësimor kualifikues.
Në mes pranvere, më: 16, të muajit prill, 2025, u ndodhëm të ftuar në mjediset e shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori”, Durrës, më saktësisht në “Muzeun” e shkollës, në një veprimtari mësimore organizuar nga mësuese Zemrita Hereni: Projekt kualifikues. Lënda gjeografi, klasa e IX-të.
Tema: “Turizmi dhe trashëgimia”, ,
Pjesëmarrës, drejtore e
shkollës znj. Merita Kuçi Thartori, zv. Drejtore znj. Vojsava Hoxha, mësuesi i
historisë z. Ardian Neza. Të ftuar specialiste e trashëgimisë kulturore të Durrësit
znj. Antigoni Suli Gjergji, z. Ali Masha ish drejtor shkolle i hershëm, sot në
pension, dhe unë Kadri Tarelli.
Ideja e gjithë
veprimtarisë mësimore, njohëse dhe praktike, udhëhiqet nga filozofia, përmbledhur
në këto pak fjalë: “Njohja e të shkuarës na ndihmon të çmojmë të tashmen dhe të
hedhim vështrimin drejt një të ardhme më të mirë”.
I gjithë projekti u
shpalos në mjedisin e “Muzeut të shkollës”, i krijuar nga vetë mësuesja Zemrita
Hereni (Rita). Një e papritur e këndshme, që do mbete gjatë në kujtesë për të
gjithë pjesëmarrësit.
Të them të drejtën u ndodhëm,
më saktë duhet thënë: u ndodha në një mjedis që më pëlqen tej mase, pasi pashë
të realizuar në një klasë, një muze të vogël të historisë dhe kulturës
popullore. Një muze modest, pasi është në grumbullim materiali, si çdo qendër
muze, që ka një ditë fillimi por asnjëherë ditë të fundit. Dikur jam marrë me
muzeumet, kështu kam një përvojë pune, ndaj e di mirë se ç’ heq mësuesi apo
drejtuesi për të grumbulluar material, objekte historike, sende të përditshmërisë
jetësore, që sot po e quajmë kulturë popullore. Si bie fjala, vegla pune,
kostume dhe veshje, shkrime dhe dorëshkrime të kulturës shpirtërore, si këngët
e djepit, dasmës, këngët e vajtimit, përrallat, gjë e gjëzat, vallet, etj, etj,
pasi nuk kanë fund copëzat e jetës që u është lënë brezave, si në fshat ashtu
edhe në qytet. Vetëm dy fjalë i them mësueses: Veri nxënësit në punë dhe do
shikosh çfarë mrekullie do të krijosh. Gjeja çelësin e shpirtit dhe do të
kuptosh çfarë janë në gjendje të bëjnë.... Janë të paimagjinueshëm!
Mësuesja me fjalë të
kursyera na njohu shkurtimisht me përmbajtjen e kësaj ore mësimi të
titulluar “Projekt”. Lënda gjeografi.
Kl. IX-të. Tema: “Turizmi dhe trashëgimia”, që i shkon shumë përshtat kërkesave
të kohës që po kalojmë si shoqëri dhe ekonomi.
Drejtuesja e projektit,
mësuese Zemtita, në pak fjalë vuri në dukje rëndësinë e qëllimit mësimor: - “Edhe
pse jemi vend i vogël në botë, Shqipëria njihet për pasuritë e saj të shumta me
vlera të mëdha historike, jetësore, kulturore, materiale, shpirtërore dhe
natyrore, të cilat UNESKO i ka vendosur në listat e trashëgimisë botërore. Ky
vlerësim na lumturon, pasi kemi çfarë t’i tregojmë botës, por edhe turistëve në
veçanti, që vijnë përditë dhe nuk njohin stinë, verë apo dimër”.
Synimi ynë: Të rinjtë,
nxënësit tanë, të ruajmë dhe të trashëgojmë objektet e trashëgimisë materiale e
shpirtërore, si vlerë mbarë kombëtare, duke i dhënë përparësi jo vetëm
grumbullimit, njohjes dhe paraqitjes, por edhe shtrirjes për t’i bërë pjesë të
ekonomisë, kryesisht të turizmit.
Ajo që mësova nga fjalët
e mësueses dhe kolegëve të saj na dha të kuptojmë, se: Ky projekt, u poq
gradualisht, si dëshirë e kahershme e mësueses Zemrita Hereni, në bashkëpunim dhe
ndihmën e drejtorisë së shkollës, mbështetur në zbatimin e udhëzimeve të MAS.
Të gjitha së bashku bënë të mundur krijimin dhe pajisjen e këtij muzeu në
shkollë, ku nxënësit mund të gjejnë pjesë nga jeta e të parëve të tyre. Është e
kuptueshme se gjithçka nuk bëhet vetëm nga një njeri dhe aq më pak në një ditë.
U desh dhe u arrit në bashkëpunim me nxënës, prindër, koleksionistë dhe
profesionistë të pasionuar pas trashëgimisë materiale. Vetë puna muzeale është
një shkollë më vete, që fitohet më së shumti nga përvoja. Shpesh nga durrsakët
dëgjoj shprehjen: “Po nuk u fute në ujë, nga bregu nuk mëson dot not”.
Ishte një orë mësimi e
ngjeshur me veprime të lidhura e ndërthurura bukur me njëra-tjetrën. Mund të
përmend vetë disa çaste:
. Maket: “Torra
Veneciane” me material të riciklueshëm, punuar nga nxënësit.
. Dramatizim: “Thesaret
e Shqipërisë”, pataqitur nga x. Arbër Ismailaj, Marsela Paja, Fjoralb Gecaj, Rigels
Dedaj, Kristina Durmishi,
.Paraqitja e artefakteve
të ekspozuar në muze, duke u ndalur shkurtimisht edhe te disa hollësi, që
ngjallin kureshtje, pasi nxënësit e qytetit nuk i ndeshin nëpër shtëpitë e
tyre:
. Oxhaku me zjarrin dhe
enët e varura mbi të. Nga Ergi Shahaj.
. Djepi dhe “Ninulla”,
kënduar nga Sandiola Doske.
. Furka dhe shtëllunga
me lesh, gati për të tjerë fije për triko dhe veshje të ngrohta.
. Dybek dhe tundëse
bylmeti, etj, etj
. Më pas u thanë plot Fjalë
të urta popullore të grumbulluara nga vetë nxënësit.
. Piktura e Argjiros,
punuar dhe dhuruar muzeut nga nx. Arsa Kadiu.
Gjithçka lëvizte si një
film dokumentar me plot ngjyra të ndezura, jo vetëm si objekte, por të ndjera e
të gjallëruara nga nxënësit.
Askush nuk duhet të
çuditet, por ishte një mrekulli të shikoje sofrën e “Burrave”, ku djemtë ulur
këmbëkryq imitonin mbase gjyshërit, si të ardhur nga legjendat tona. Të gjithë
mbi krye mbanin simbolin e shqiptarisë: Plisin e Dardanisë, kapuçin e Dibrës,
Krujës, Tiranës.....etj, qeleshen e labit dhe takijen e myzeqarit. Një mrekulli
e vërtetë, aq sa mund të themi pa frikë: Pse u hoq ky simbol që na ka dalluar
ndër shkuj nga popujt e tjerë, edhe kur “Zeusi”, kryeperëndia e mitologjisë në
lashtësi, mbi krye mbante “plis”....?
Nuk jap dot shpjegim, pse u zëvendësua me kapele të lloj-lloj formash e
ngjyrash, të sjella nga vende të tjera. Plisi apo qeleshja në vetvete nuk është
gjë tjetër veçse një mbulesë punuar me lesh, që mbron kokën nga dielli, era dhe
të ftohtit. S’besoj se kapelet që përdorim sot na bëjnë më të bukur, apo
europianë dhe amerikanë modern. Përkundër i hoqëm vetes simbolin tonë kombëtar,
plisin apo qeleshen, duke i thënë vetëdijes sonë .... ”Na ishte dikur....”,
sepse mburremi dhe krenohemi vetëm duke i parë në skenat e teatrove, festivaleve,
apo në ditë festive, ku shkëlqejnë kostumet kombëtare. Nuk po them gjë të re, do
të bindeni lehtë mjafton të shikoni fotografitë e djemve tanë rreth sofrës, dhe
gjykoni sa të bukur janë...!
Nëse fola pak gjatë për
kostumet e burrave, një tjetër mrekulli përjetuam në atë klasë-muze: “Kostumet
e grave” të veshura nga vajzat e shkollës dhe kërcimet me motivet popullore. Një
madhështi e vërtetë, ku fjala mrekulli merr kuptimin e shenjtërimit të veshjeve
të grave dhe vajzave shqiptare të krijuara në shekuj. Që të ndjesh nga afër
këtë bukuri, duhet të jesh pranë këtyre vajzave tona, veshur e ngjeshur me
kostume kombëtare nga disa treva Shqiptare. Njëra më e bukur se tjetra. O zot
çfarë bukurie dhe fisnikërie ka në ato kombinime prerjesh, qepjesh dhe
ngjyrash.
Fjalët janë të tepërta,
ndaj po mjaftohem me një shkrim të hershëm të gazetës Shqiptarja. Com, ku
përmendet: Romancë franceze e vitit 1833. “Moj Shqiptarka këmbëlehtë”.
Kjo romancë është shkruar më 1833, me muzikë të Theodore Labarre, kompozitor i
njohur francez, konsideruar si virtuoz...... Kurse teksti i këngës është
shkruar nga shkrimtari dhe poeti Ambroise Bétourné, nga Kaeni i Normandisë. Për të përfunduar me fjalët lapidar të popullit
tonë që nuk kursehet kur e bekon atë: “Moj lulja e Shqipërisë, e bekuara e
Perëndisë”.
Në fund u bënë
vlerësimet nga drejtoresha Mertita Kuçi Thartori dhe znj. Antigoni Suli
Gjergji. U vlerësua, si ide me synime të
qarta, si organizim dhe realizim i përsosur dhe, në veçanti për kumtin që
përcollën artistët nxënës: - Ta duam, ta trashëgojmë dhe mbrojmë
trashëgiminë tonë të hershme, pasi kështu do njohim vetveten, kështu do na
njohë dhe vlerësojë edhe bota.
Në këtë rrjedhë mendimi,
nga përvoja mund të shtoj, se e vlen që kjo veprimtari mund të shfaqet edhe për
nxënësit e shkollës. Koha dhe hapësira gjenden, mjafton dëshira. Një orë mësimi
e ngritur në art, ku nxënësit kanë ç’të mësojnë dhe ç’të vlerësojnë mbi
kulturën popullore dhe nga kultura popullore. Një pasuri materiale dhe
shpirtërore e krijuar dhe e jetuar në shekuj nga paraardhësit tanë. Historia
jetësore ka ligjet e veta. Duhet t’i njohësh, që të jesh në gjendje bësh
analizën e shkaqeve të qëndresës dhe mbijetesës.
Jam i bindur, se për
nxënësit do të mbetet një veprimtari e bukur që do t’i shoqërojë gjatë në
kujtesë, ndërsa fotot do t’u flasin me gjuhën e heshtjes për vitet e bukura të
shkollës.
Urime dhe suksese koleges
mësuese Zemrita Hereni, për projekte të tjera me kaq vlera të dobishme për
nxënësit. Përvoja nuk ju mungon.
Urime edhe për stafin e drejtorisë
së shkollës që mbështet veprimtari të tilla, të cilat në një farë mënyre janë
pasuri e jetës shkollore, që me kohë mund të bëhen traditë. I bindur, se kështu
është bukur.....!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 25, të prillit, 2025.