Mendime
Pierre-Pandeli Simsia: Koloneli i ndjerë Arben Zylyftari në memorjen e një familje korçare
E merkure, 24.10.2018, 08:45 PM
KOLONELI
I NDJERË ARBEN ZYLYFTARI NË MEMORJEN E NJË FAMILJE KORÇARE.
BASHKBISEDIM ME ZOTËRINË 80-TË VJEÇAR AGIM PËLLUMBI
Nga Pierre-Pandeli Simsia
"... Çfarë të të them më parë, more bir. Ta kesh njohur nga afër, të hash, të pish, të ketë qenë pjesëtar i familjes sonë, ta kesh dashur dhe trajtuar si djalin tënd, t'ia kesh marrë këngës bashkë me të, shakatë e ndryshme që kemi bërë..., e çfarë mund të ndjeja unë atë ditë, përveçse dhimbje, dhimbje të madhe që na këputi shpirtin të gjithëve. Nuk donim ta besonim që Benin tonë e kishin vrarë..."
* * *
Para disa muajve, unë shkruajta për Familjen Zylyftari, në Berat:
"FAMILJA ZYLYFTARI NË BERAT, SHEMBULL CIVILIZIMI I KULTURËS QYTETARE, I DASHURISË VËLLAZËRORE"
Dhe, sigurisht, komentet vlerësuese për atë familje të nderuar ishin të shumta ashtu sikurse edhe i meriton çdo koment.
Midis komentuesve të shumtë, më bëri përshtypje komenti i një bashkëkombasi, Ismail Pëllumbi, nga Korça me banim në Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilin fizikisht nuk e njoh, nuk jemi takuar asnjëherë, përveçse jemi friend këtu në fb.
Ja se ç'më shkruante Ismaili në komentin e tij: "Kam patur nderin të njoh Arben Zylyftarin nga afër kur jetonte në Korçë në vitet 92-99.
Prindërit tanë, ne të gjithë si familje e konsideronim mikun e shtëpisë sonë. Arben Zylyftari, njeri me integritet, i respektuar, i kulturuar dhe shumë i përgatitur profesionalisht. Dhe mbas shumë vitesh e kujtojmë edhe këtu në Arizonën e largët. Po ua lexoja prindërve të mi përshkrimin të shkruajtur aq bukur nga ana juaj dhe babai im i përlotur, filloi të sjellë ndërment ato vite... Njeriu i mirë nuk mund të harrohet kurrë..."
Sigurisht, unë si bashkqytetar me të ndjerin Arben Zylyftari kolonel i vrarë në Shkodër në krye të detyrës nga një dorë kriminale, pas atij komenti, e ndjeva krenarinë për bashkqytetarin tonë, por edhe respektin për atë familje korçare që e ruan dhe kujton njeriun e mirë.
Më lindi dëshira të bisedoja me babain e tij meqenëse edhe vetë Ismaili e kujtoi të atin në komentin e tij.
E mirëpriti dëshirë kërkesën time dhe nëpërmjet skype na u mundësua bashkbisedimi.
Zoti Agim Pëllumbi edhe pse në moshën e tij të 80-të, kishte një memorie për ta patur zili.
Burrë me kulturë në komunikim, i qetë, me pamje fisnike, e pranoi me shumë dëshirë kërkesën time për një bashkbisedim të shkurtër edhe pse unë dallova në fytyrën e tij dhimbjen që e pushtonte kur kujtuam të ndjerin kolonel Arben Zylyftari.
"Oh! Ç'më kujtove atë djalë kapedan, që e doja shumë; e doja si djalin tim sepse i tillë ishte Arben Zylyftari që ne e thërisnim Beni, vinte shpesh në shtëpinë time.
Ti më pyet për Arbenin e ndritur, djalin flori'. Ç'të të them më parë për atë djalë azgan, për atë burrë, atë bashkëshort, baba shembullor.
Ah! Më lëndohet shpirti sa herë e kujtoj Arbenin, sa herë lexoj të shkruhet për të.
Me shkrimin tuaj të fundit për familjen ZYLYFTARI në Berat, më njohu djali im, Ismaili. E kam lexuar dhe rilexuar disa herë atë shkrim dhe, përveçse lotët që nuk i përmbaja dot, kujtimeve që më erdhën si fletë libri përpara syve, ndjeva edhe gëzim, sepse, duke lexuar familjen, fëmijët e familjes Zylyftari të shkruara kaq bukur nga ty, më trokisnin në vesh fjalët e Benit të dashur kur më fliste për familjarët e tij...
* * *
- Zoti Agim! Më fol, të lutem, si u njohët ju me kolonel Arben Zylyftari"
- Më parë se t'ju përgjigjem, do të korrigjoj pak si vërrejtje. Edhe pse unë jam në moshën time të pleqërisë tani, jam 80-të vjeç, të lutem, mos e përmend fjalën, zotëri kur komunikojmë bashkë, sepse, ajo fjalë, sikur më largon nga miqtë, nga shokët. Më thirr me emrin tim, Agim...
Kur Arbeni u emërua në Korçë, ka qenë djalë i ri në moshë.
Unë jam njeri që i adhuroj, i përkrah të ardhurit në Korçë, jabanxhinjtë, nga qytetet e tjerë.
Unë shtëpinë e kam në hyrje të Korçës, pranë frigoriferit.
Atë kohë, poshtë shtëpisë në katin e parë unë kisha hapur një lokalin tim, kafene' me dhjetë, dymbëdhjetë tavolina që, përveçse kafesë dhe pijeve të ndryshme, servisja edhe meze të ndryshme, përfshi edhe paçen dhe pilafin e preferuar nga të gjithë klientët.
Më ra në sy ardhja e Arbenit në lokalin tim. Pyeta dhe më thanë, është nga Berati dhe është emëruar me punë këtu në Korçë. U prezantuam dhe, siç të thash, jam tip që i afroj jabanxjinjtë. Beni ishte djalë që në bisedat me të, të bënte për vete. Ishte aq shumë popullor. Duke ardhur shpesh në lokalin tim, me kalimin e kohës njohja jonë u kultivua edhe më tepër.
- Gjatë viteve që Arbeni punoi në Korçë, përshtypjet tuaja personale dhe popullit të Korçës në përgjithësi, si kanë qenë?
- Arben Zylyftari ka qenë tepër korrekt me punën e tij, tepër i dashur, tepër i respektuar me të gjithë njerëzit, shumë popullorë.
Unë, vërtetë nga mosha jam babai i tij, por unë e konsideroja mik, shok, më kupto, të lutem, nuk di se si ta spjegoj marëdhëniet e mija dhe të familjes sime me atë djalë.
Atë kohë ka qenë edhe një djalë tjetër nga Berati, emri i të cilit nuk më kujtohet tani dhe, ata, pranë frigoriferit, hapën, si të ta them, si polici private, që kishin nën mbikqyrje institucione të ndryshme, si ndërmarjet, bankat, frogoriferin e qytetit...
Madje, në vitin e zi 1997 kur shteti u shpërbë, në Korçë vjen ministri i brendshëm i asaj kohe.
Midis të tjerave në bisedë me ministrin e brendshëm, meqenëse kisha edhe njohje të ngushta familjare, kur më pyeti për Arbenin, besoj se e kupton se si ka qenë përgjigjja ime; ja, si po të shprehem ty tani: djalë më të mirë nuk ke ku gjeni për të kryer detyrën, i pakompromentuar, sepse Arbeni kishte dhënë vetë provat në besueshmërinë, korrektësinë e tij gjatë kryerjes së detyrës në Korçë.
Gjatë kohës që punoi si drejtor policie në Korçë, puna e tij e shkëlqyer ra në sy menjëherë. Mblodhi, rifreskoi policinë e Korçës, duke përzgjedhur edhe njerëzit korrektë për të punuar.
Beni ka lënë përshtypjet nga më të mirat atje ku punoi: në Korçë, në Ersekë.
Sigurisht, për kriminelët, hajdutët, maskarenjtë, nuk do ketë qenë ky opinion.
- Si u miqësuan marëdhëniet tuaja familjare me Arbenin?
- Edhe pse kishte funksionin e drejtorit të policisë, Arbeni kurrë nuk na harroi. Vinte pothuajse çdo dy ditë, sikur edhe pak minuta kohë të kishte, vinte sa për të na përshëndetur, siç i thonë, fjalës.
Pra, Beni tani ishte bërë pjesë e familjes sime; Unë jam baba i tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë. Benin ne e donim shumë të gjithë dhe e konsideronim djalin tonë të tretë. Pra, ishte bërë pjesëtari i familjes sonë.
Duke qenë se ne e kishim si djalin tonë, u familjarizuam, madje dua të shpreh konsideratën time për bashkëshorten e tij, zonjë grua e nderuar, e respektuar. Më vinte mirë që kishin zgjedhur njëri tjetrin për jetën e tyre bashkëshortore.
Edhe pse tani jam 80-të vjeç, unë i mbaj mend shumë mirë edhe fëmijët e tij si drita, si yje ishin.
Kur Benit i erdhi transferimi për në Shkodër, erdhi tek ne dhe, si fëmija që bisedon me prindin, ashtu më tha edhe ai mua.
Unë, i papërgatitur, më dolën menjëherë fjalët: Do na ikësh nga Korça bir. Edhe këtu, mirë je, por, gjithsesi, ik, shërbeji atdheut atje ku të thërret...
- "Edhe pse unë do transferohem, do largohem nga Korça dhe do shkoj të punoj e ti shërbej atdheut tonë në çdo vend ku ka nevojë dhe ku të më thërrasin, ju përherë do jeni në mendjen, në zemrën time dhe të familjarëve të mi. Largësia është e shkurtër përpara dashurisë, respektit, mikpritjes, mirënjohjes sime ndaj jush dhe, sigurisht edhe e juaja ndaj meje" - Ishin këto fjalët e Arbenit të ndritur që, edhe tani që po bisedoj me ty, më trokasin në vesh ato fjalë të atij djali me virtytet e larta njerëzore.
Edhe pse vetë Beni më fliste shpesh edhe për familjen e tij, për vëllezërit e tjerë dhe motrën e tyre të vetme, e kam si peng, që nuk njoha pjesën tjetër të familjes së tij, pra vëllezërit dhe motrën e tij. Por, me shkrimin tënd, duke e lexuar me lot në sy, sikur plotësoj atë boshllëk që më ka mbetur.
E ripërsësris prap, kisha shumë dëshirë të njihja vëllezërit e tij, ashtu siç më kishte folur vetë Beni, ashtu siç i ke shkruar edhe ti në shkrimin tënd.
- Edhe unë e dëshiroj, i nderuar Agim, ndoshta ndonjë ditë jepet mundësia të takoheni me vëllazërinë Zylyftari dhe motrën e tyre të vetme.
Madje, mundësia është, sepse një nga vëllezërit e tij, inxhinier Petriti dhe motra e tyre, Sermaja, banojnë këtu në Nju Jork, në të njëjtën zonë ku banoj edhe unë.
- Për familjen time dhe për mua personalisht, unë familjen e tyre i konsideroj mik e kaluar mikut, sepse i tillë ishte edhe vetë Beni për sa të fola.
- Sigurisht, lajmin e hidhur të vrasjes së Arbenit e keni përjetuar dhimbshëm, ashtu siç e përjetuam të gjithë ne që e njihnim fizikisht atë dhe familjen e tij, por edhe bashkëkombas të ndryshëm që njihnin punën, sukseset e tij në të gjitha policitë e qyteteve ku e çuan.
- Oh, more bir, ç'më kujtove atë ditë të dhimbshme. (Hesht, psherëtin, madje i dalloj qartë syt e tij të përlotur. Edhe unë vetë sikur ndihem fajtor për atë pyetje që i drejtova. Nuk doja ta lëndoja për vetë moshën e tij që ka).
Çfarë të të them më parë, more bir. Ta kesh njohur nga afër, të hash, të pish, të ketë qenë pjesëtar i familjes sonë, ta kesh dashur dhe trajtuar si djalin tënd, t'ia kesh marrë këngës bashkë me të, shakatë e ndryshme që kemi bërë..., e çfarë mund të ndjeja unë atë ditë, përveçse dhimbje, dhimbje të madhe që na këputi shpirtin të gjithëve. Nuk donim ta besonim që Benin tonë e kishin vrarë.
Eh, vdekja, ajo dorë e mallkuar që qelloi mbi Benin, që ia mori jetën djalit në kulmin e moshës së tij, në kulmin e sukseseve dhe të karierës së tij, ma ka lënë edhe mua peng, atë që të thash pak më parë: Beni u transferua nga Korça për të mos u parë, për të mos u takuar kurrë më me neve, me mua personalisht. Dhe unë, sikur e parandjeva vdekjen e tij kur i thash: Mos na ik nga Korça bir, të duam të gjithë këtu; ke bërë goxha punë të shkëlyer. (Përsëri përlotet dhe fjalët sikur i ngecin në grykë)
Për vetë moshën që ka zoti Agim Pëllumbi, ai zotni burrë me një memorie për ta patur zili, u ndjeva edhe unë në siklet dhe nuk doja ta ngarkoja shumë emocionalisht. Mendova ta ndërprisja këtu bisedën...
Po i përjetonim të dy dhimbjen për Kolonel Arben Zylyftari, vrarë nga një dorë gjakatare në kryerjen e detyrës në shërbim të popullit, të atdheut.
I ndritë shpirti Arben Zylyftarit.
Faleminderit zotëri i nderuar Agim Pëllumbi për këtë bashkbisedim të shkurtër.
Zoti Agim Pëllumbi
BUSTI I ARBEN ZYLYFTARIT NË QENDËR TË BERATIT
FAMILJA ZYLYFTARI
ZOTI AGIM PËLLUMBI ME DY DJEMTË E TIJ; ISMAILI DHE ARJANI