E hene, 04.03.2024, 12:54 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Na ishte një herë...!

E hene, 18.04.2016, 06:09 PM


Fejton

Na ishte një herë...!

Nga Reshat Kripa

- Gjysh, a do të më tregosh një përrallë? – më tha në një nga këto ditë mbesa ime.

Kërkesa e saj më hutoi. Nuk më kujtohej asnjë nga përrallat që kisha dëgjuar dikur nga gjyshja ime kur isha fëmijë. Mirpo mbesa ngulte këmbë. Atëherë m’u kujtua se përrallat e gjyshes fillonin me shprehjen:

- Na ishte njëherë...!

Unë   e   dëgjoja   i   habitur   deri   sa   qepallat  më mbylleshin. Kur zgjohesha  kërkoja    kotë të shihja ndonjë nga personazhet e atyre përrallave por  ata  ishin zhdukur, ishin bërë hije të padukshme.

Mirpo  vitet  rrodhën  dhe  tani   isha  unë ai që duhej t’i tregoja mbesës time përralla të tilla. Historia po përsëritej.

Desha, nuk desha, fillova të sajojë nga mendja një të tillë me personazhet e kohes sonë, të cilën e nisa me shprehjen e zakonshme:

- Na ishte njëherë...! – dhe vazhdova duke shpikur lloj-lloj aventurash.

Përralla që nisa t’i tregoj mbesës nuk bënte fjalë as për diva dhe as për katallanë, as për Hirushe dhe as për Borëbardha që të të ngjallnin simpati me veprimet e tyre. Përralla bënte fjalë për disa karagjozë që mburreshin dhe thërrisnin me zë të lartë për të mirat që i paskëshin bërë dhe do t’i bëkan këtij vendi dhe këtij populli dhe i kërkonin atij që t’i përkrahte. Këta karagjozë me pelivanllëqet e tyre kishin mundur të arrinin majat e pushtetit dhe që nga froni i lartë i perandorit bënin be e rrufe dhe betoheshin në qiell e në dhe se do të bënin mrekullira për popullin e përvuajtur që qeveritarët e mëparshëm na e paskëshin lënë në mjerim. Më tepër betoheshin se do të vinin në vend padrejtësinë që i ishte bërë asaj pjese të popullsisë që “ustallarët” e regjimit të përmbysur e kishin degdisur në hapsanat e errëta të vendit dhe i kishte etiketuar si “armiq të popullit”.

Një fushatë e shfrenuar shpërtheu në median e shkruar dhe atë vizive  mbi këtë “dëshirë” të sundimtarëve të sotëm. Ekranet e televizorëve gati sa nuk u çanë nga britmat e korbave dhe faqet e gazetave u nxinë me këtë lajm të bujshëm.  Pikërisht një vit më parë, nën tamtamin e kësaj medie, u miratua në Kuvendin e Shqipërisë një ligj i mbiquajtur “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, madje i vunë edhe një numër 45 dhe një datë 30.04.2015 që të mos harrohej kurrë. U fol se për këtë ishin bazuar në eksperiencën gjermane Sa për sqarim, një ligj i tillë për këtë çështje ishte bërë edhe njëzet vjet më parë kur në pushtet ishte qeveria e vendosur pas përmbysjes së madhe  e cila u hodh poshtë nga qeveria pasardhëse që erdhi në pushtet pas katrahurës së madhe të ndodhur dy vjet më pas. Me rikthimin në pushtet të qeverisë së parë u hartua përsëri një ligj i tillë por të rrëzuarit nuk dorëzoheshin. Duke shfrytëzuar faktin se në krye të organeve kushtetuese që duhej të vendosnin mbi fatin e ligjeve ishin vetë ata të cilët ky ligj do t’i fshinte nga faqja e dheut, arritën ta heqin qafe edhe këtë ligj.

Po çfarë përmbante ligji i ri? Do të doja të citoja disa vargje të një poeti satirik të së kaluarës që, në të vërtetë, ka qenë i të njejtit kalibër me sundimtarët e sotëm):

 

Me pallavra plot një thes,

Desh t’na mbushte mendt e kres!

 

Kështu edhe përpiluesit e këtij ligji. Përpiluan një çorbë derri që as  edhe    diturit  e

dheut  nuk mund ta kuptonin se çfarë zgjidhte. Me pak fjalë as mish dhe as peshk. Për këtë ligj nuk u mor mendimi i askujt. Nuk u pyetën shoqatat e të përvuajturve. Nuk u pyetën shoqatat e të drejtave të njeriut. Nuk u pyet asnjë shoqatë tjetër. Madje njëra nga këto shoqata hartoi një projekt-ligj që u diskutua gjërësisht nga shtresat e mësipërme. Ky projekt-ligj u hartua në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Kondrad Adenauer”. Mirpo kuvendi, për të cilin nuk e dimë se cilën eksperiencë gjermane kishte zbatuar sepse Gjermania nuk ka patur dy variante të tilla, nuk kishte se si ta miratonte një ligj të tillë pasi ai, po të miratohej do të flakte jashtë shumë individë që sot drejtojnë komisionet e kuvendit, drejtoritë e institucioneve të qeverisë, të gjitha shkallët e drejtësisë. Ndaj u miratua  ligji i hokatarëve që lante gojën me shtresën e gjërë të popullsisë.

Megjithatë pati disa që e përkrahën pasi mendonin më mirë një gjysmagjel se sa hiç fare. Mirpo nuk vonoi edhe ata u zhgënjyen. Prit e prit që ligji të zbatohej dhe atyre iu bë mjekra një pëllëmbë dhe nuk po e shihnin të zbatuar. Në një nga nenet e ligjit (Neni 7/1) thuhet:

 

Për zbatimin e këtij ligji krijohet Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

 

Të interesuait prisnin zbatimin e këtij neni. Kush do të ishin kandidatët për këtë post? Në Nenin 8/1 të ligjit thuhet:

 

Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga rradhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral.

 

Çuditërisht, në ligj nuk përcaktohet se kush duhet t’i propozojë këto kandidatura, gjë që nuk ndodh në projektin e shoqërisë civile ku përcaktohet se vijnë nga propozimet e Presidentit të Republikës dhe Shoqërisë Civile. Siç duket Kreu i Shtetit kishte vendosur të ishte ai vetë zot dhe vetë shkop. Megjithatë pasi kaluan gjashtë muaj më në fund u përcaktuan edhe dhjetë kandidaturat që do të konkuronin për një vend në autoritetin në fjalë. U thirrën edhe në komisionin përkatës të Kuvendit ku paraqitën curriculumet e tyre. Dorëzuan edhe kartat e sigurisë së figurës së sejcilit. Megjithatë zgjedhja e tyre vazhdon të mbetet enigmë. Ajo, megjithëse kanë kaluar edhe gjashtë muaj të tjerë, ende nuk ka përfunduar. Deri kur? Asnjë përgjigje. Përse? Përsëri nuk ka përgjigje. A mos vallë janë bërë pishman që e miratuan këtë ligj dhe tani duan ta lenë në harresë? Mos u çudisni! Kjo është Shqipëria jonë, Shqipëria në botën e çudirave.

Pikërisht mbi këtë temë ndërtova përrallën që ia tregova mbesës time. Ajo më dëgjoi me vëmendje dhe kur mbarova më pyeti:

Po tani  ku mund t’i  shikojmë  këta  hokatarë? –  duke  përdodrur  fjalën  me   cilën

i kisha emërtuar unë

Mbeta në mëdyshje. Nuk dija si t’i përgjigjesha. U gjenda ngushtë. Për fat më erdhi në ndihmë kanali televiziv publik i cili transmetonte kronikën e një parade të çuditëshme. E ktheva në një kanal tjetër. E njejta gjë. Po kështu edhe kanali i tretë, i katërti e në vazhdim. Kisha parë shumë lloje paradash, duke filluar nga ato ushtaraket, të bukurisë ose të modës, por një paradë të tillë nuk e kisha parë kurrë. Kjo për faktin se, në vendin tonë, ndodhin çudira të tilla që nuk mund t’i shohësh në vende të tjera. Ajo ishte një paradë e burrave të shtetit që sot drejtojnë vendin dhe që donin t’i mbushnin mendjen publikut se ata paskëshin qenë ajka e shoqërisë shqiptare. Midis tyre kishte edhe nga ata që dikur, në kohën e firaunit, kishin qenë me detyra shumë të mëdha ose pinjollë të tyre duke folur para një turme që i duartrokiste me ovacione si dikur.

Ja ku i ke! – i thashë mbesës.

Nuk e di nëse ajo më kuptoi apo jo por në mendjen time më vinte rrotull shprehja:

Na ishte një herë një ligj!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora