E shtune, 27.04.2024, 04:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Juli Deda: Ju rrëfej arsyen e vërtetë pse na pushuan nga puna

E diele, 03.08.2008, 04:09 PM


Julian Deda
Është folur shumë këto kohë për largimin e grupit “The SHBLSH” nga spektakli i humorit “Por tokalli” dhe tashmë lajmi është përfundimisht i vërtetë, nuk do të jenë më në sezonin e ri që nis në shtator. Deri dje, asnjë nga djemtë nuk ka preferuar të tregojë arsyet e vërteta të largimit, duke zgjedhur si mënyrën më të mirë, moskomunikimin me median edhe pse kjo e fundit i ka lakuar shumë ditëve të fundit. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth”, Juli Deda tregon motivin e vërtetë të heqjes nga puna, të përjashtimit automatikisht prej saj. Gjithçka ndodhi në mbledhjen e fundit të sezonit, mes trupës së aktorëve dhe regjisorit të “Portokalli” i cili i kontaktuar nga Bluetooth nuk ka dashur të japë asnjë koment rreth situatës. Cili ishte konflikti mes tij dhe “The SHBLSH”? Ndiqni rrëfimin e njërit prej pjesëtarëve të grupit.

The SHBLSH nuk do të jenë më pjesë e “Portokalli”? Pse u larguat?

Në fakt nuk u larguam, por na kanë larguar. Besoj se nuk do na kishte shkuar ndonjëherë në mendje të iknim, kjo për shumë arsye. Një prej arsyeve është që televizioni Top Channel për mua mbetet shumë i mirë, një televizion që të krijon mundësi. Arsyeja tjetër është se ne e dëshironim atë punë dhe ç’është më kryesorja, mbetet publiku. Jemi përpjekur me sinqeritetin më të madh për të dhënë atë që ai do, për ta kënaqur atë. Por në fakt gjërat kanë ndryshuar kohët e fundit në “Portokalli”. Varieteja nuk është më e para. Po ndodhin ndryshime fatale ose më mirë të themi, po del në pah një mentalitet i gabuar. Unë dhe Genti jemi ‘martirët’ e parë, jemi tregues se si ti mund të përjashtohesh nga puna duke punuar shumë. Këtu ndodh të merret një masë ndëshkuese kur flet lirshëm dhe thua atë që mendon pa rezerva.

Mund të na e tregoni arsyen e vërtetë?

Ka qenë një mosmarrëveshje mes meje, Gentit dhe regjisorit të “Portokallisë”, shokut regjisor i cili pavarësisht se punon në vitin 2008, mendja i ka mbetur në vitin 1973. Është e çuditshme se si këto ndjenja të tij superkomuniste zgjohen këto muajt e fundit. Pse ka mbetur i fshehur dhe është zgjuar pikërisht këto dy muajt e fundit? Gjithçka ndodhi në numrin e fundit të “Portokallisë”, një numër që për hir të së vërtetës ishte shumë i mirë dhe njerëzit e pëlqyen mjaft. Regjisori nuk donte që ky numër të dilte, duke e cilësuar atë një numër të dobët që nuk bënte për të qeshur. Në fakt ishte e kundërta, ai doli shumë mirë dhe njerëzit u kënaqën me të. Pati impakt shumë të mirë. Unë dhe Genti e mbrojtëm me fanatizëm nisur dhe nga eksperienca katërvjeçare që numri ynë të dilte, ishte pikërisht numri me ushtarët ku interpretonin dhe Gjini me Avdiun. Fakti që e bëmë këtë, pra që kundërshtuam regjisorin, u hoqëm nga puna. Me keqardhje them që regjisori nuk do që ta kundërshtojë njeri. Na hoqën nga puna për një budallallëk. Të pushohet aktori nga puna se mbron punën e tij. Nuk e di se në cilin vend perëndimor dhe demokratik ndodh kjo. S’ka asnjë ndryshim nga viti 1973.

Me konkretisht, si u mor ndaj jush masa ndëshkuese?

Sapo ne kundërshtuam për numrin e fundit të sezonit që sapo lamë pas të “Portokallisë”, regjisori u shpreh: “Këta aktorë nuk janë më të nevojshëm në “Portokalli”, le të ikin që tani! Më falni, por kështu mund të flasë vetëm një ish-kryetar kooperative, jo një artist. Në ato momente, ne dolëm menjëherë nga zyra dhe u larguam.

Më pas nuk u negociua më? Ky ishte një vendim i prerë?

Më pas u vazhdua me një sërë mbledhjesh me drejtuesit e televizionit “Top Channel”, ku u pa nga të dyja palët dëshira e mirë për ta zgjidhur këtë ngërç, derisa gjithçka përfundoi në një mbledhje me vetë shokun regjisor dhe drejtorin e “Portokallisë”, nga të cilët nuk vinte asnjë lloj sinjali për zgjidhje, ndërkohë që unë dhe Genti kishim dëshirën që problemi të merrte zgjidhje që në atë sekondë. Në mbledhje na u tha shprehimisht kështu: “Vetëm nëse ju të dy do të kërkoni falje në sy të trupës, atëherë mund të nisin negociatat për t’u rikthyer. Theksoj: Kështu mund të flasë vetëm një ish-zyrtar i byrosë politike me një kriminel që thoshte: Buka është e keqe. Nuk mund të flitet kështu me dy aktorë që gëzojnë popullaritet dhe kanë punuar me përkushtim. Dhe ja ku u detyruam të hiqnim dorë përfundimisht.
Të them të drejtën, neve nuk na kishte shkuar në mendje të iknim, sepse “Portokallia” është një spektakël, i cili siç i dhamë edhe na dha shumë spektakël, që ne e krijonim të gjithë bashkë. Mos t’i gënjejë mendja njeriu që “Portokallinë” e kanë bërë siç kanë dashur vetë regjisori, drejtuesi i emisionit apo skenaristi. Përkundrazi, është një spektakël i ndërtuar nga 20 veta bashkë, njerëz që kanë punuar me përkushtim, që i kanë dalë vetë për zot punës duke filluar që nga shkrimi i materialeve e deri tek interpretimi. Dhe kjo vjen se dy skenaristët tanë të nderuar nuk kanë dhënë as 1% kontribut të këtyre materialeve në katër vite.

Pse aktorët e shkruanin vetë materialin?

Aktorët kanë qenë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë, sepse e njihnin karakterin që kishin, në njëfarë mënyre kishin jetuar me të. Mund ta bënin këtë si askush tjetër. Ju them me bindje të plotë se Erandi e shkruante vetë materialin e tij, Gent Bejko po kështu, Flori, Ervina, Romiri, Marini, Ledio. Bashkë me ta kemi punuar gjatë gjithë javës për të nxjerrë materialin përkatës e në fund, për ta interpretuar me përkushtim dhe dinjitet. Atëherë më thoni ju lutem: çfarë kanë shkruar pra skenaristët?
Megjithatë mbetet për t’u thënë se “Portokalli” ka ecur shumë mirë pikërisht nga kjo. Aktorët janë vetë në terren, janë ata që e njohin situatën mirë. Aktorët e “Portokallisë” janë aktorët më të mirë në Shqipëri sot për sot dhe prandaj dëshira jonë ishte të punonim aty. Sinqerisht, është kënaqësi të punosh me një staf të tillë kolegësh. Është pikërisht ajo energjia e pashterur që kjo trupë çonte tek publiku dhe shihte tek ky i fundit problemet që “Portokallia” kishte brenda. Një trupë të tillë, çdo regjisor në Shqipëri do e kishte ëndërruar. Në fakt në “Portokalli” po ngatërrohen gjërat. Regjisori bën edhe punën e rojës. Kostumografi bën edhe punën e regjisorit, skenaristi bën punën e drejtorit. Nëse këto gjëra nuk zgjidhen, pra gjithsecili të bëjë punën e tij, atëherë është e kotë të flitet. Ata duhet të kuptojnë që aktori është i paprekshëm, njësia qendrore e atij spektakli. Kushdo mund të ikë nga ajo punë, edhe regjisori, edhe artisti, por atë punë aktorësh zor se e gjen.

Si reagoi trupa e aktorëve për largimin tuaj?

Gjithsecili reagoi në mënyrën e tij. Nuk pritej ndonjë reagim i madh. Konflikti ishte mes nesh dhe regjisorit. Ishte një konflikt personal le të themi. Dikush reagoi e dikush jo, nuk është për t’u vënë faj.

Ç’do të bëhet tani me ju? Cilat janë planet që keni?

The SHBLSH do të vazhdojë të ekzistojë. Genti, Ermali dhe Juli do të jenë në treg edhe jashtë “Portokallisë”. Marrëdhëniet mes njëri-tjetrit i kemi shumë të mira, ndaj dhe do të vazhdojmë fuqishëm. Nuk është “Portokallia” ajo që na mban aktivë. Do i kërkoja shumë ndjesë publikut për këtë që po ndodh. Ai që na bëri këta që jemi sot, që na deshi, na ndoqi, dhe kjo shoqërohet me një premtim nga ne: Juli dhe Genti do të jenë përsëri në ekran, me humor dhe përkushtim me sa fuqi të kemi. Gjithashtu i uroj dhe “Portokallisë”, suksese në sezonin e ri në shtator dhe me sa më pak probleme të tilla.

Pra po mendoni të lëvizni diku tjetër?

Për hir të së vërtetës, ofertat kanë filluar që tani. Kemi pasur disa oferta pune dhe ku i dihet, ndoshta njerëzit në një të ardhme do të kenë një spektakël të dytë humoristik. Ndoshta sepse kështu është më mirë edhe për spektatorët por edhe për vetë aktorët. Ky është tregu. “Portokallia” nuk do të jetë e vetme. Spektatorët do të jenë më të lirë për të zgjedhur se çfarë duan të ndjekin dhe çfarë iu shijon të shohin. Kemi pasur disa takime dhe shumë të tjera na presin. Mjafton që ne të vendosim. Ne jemi të hapur për çdo televizion, qoftë edhe për vetë Top Channel.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora