E diele, 28.04.2024, 05:17 PM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Ditari i Jetes 2008

E enjte, 10.01.2008, 12:02 AM


Mr. sc. Kadri Osmani-Mani

DITARI I JETËS 2008

Fol një fjalë që të zë vend!
(Babi ynë, Murat Osmani)

31.12.2007

Kadri Mani
Zgjimi në orën 6: e kam për detyrë ta ndez shporetin dhe të shkoj në furrën e hasjanëve “KOSOVA”, që të blej bukë të mbetur! Buka e ftoftë ka qenë 10 centi dhe është bërë 20 centi, nuk e blejmë të nxehtën 45 centi!

Dhe vrap e te kompjuteri: kompjuterin e kam pjesë përbërëse të zemrës, krahas valvulave të vëna në zemër në Inselspitalin e Bernit, në Zvicër më 1997!

Në orën 10 e vizitova në zyrën e tij biznesmenin e suksesshëm e të këndshëm, zotëriun e nderuar të qytetit tonë, Abdurrahim Kelmendi- Durri:SOLID Company” www.solidcompany.com (indo@solidcompany.com), është dëm që nuk merret edhe me publicistikë?- ama në njëfarë dore edhe- merret! Nga bisedat përmbajtsore, gazetari del i freskët dhe i armatosur për ta përparuar gazetarinë, ku në tekstin e tij gacërojnë xixa e mëlmesa të njeriut të madh- Abdurrahim Kelmendi- Durri, fatkeqësisht që nuk është prefekt i Komunës!? Zotni Abdurrahim ma huajti librin e autorit Sinan Gashi:”MENÇURIA ILIRO-SHQIPTARE NËPËR BOTË”, Prishtinë,2007, f. 495. (fotokopjimi më kushtoi 3 euro e 70 centi).

Dhe në bisedë e sipër derisa po pinim kafet, ndër të tjera më tha: Unë nuk jam politikan, se kur jam lindur zoti nuk ma ka qitur pushkën te koka, por kitarën! Unë e ndihmoj politikën dhe shkollimin e të rinjve në Amerikë...

Vitin e Ri po e presim në shtëpinë tonë dhe me familjen tonë: me tryezën përplot pije dhe ushqime... ama nuk jam i kënaqur, kur e di se ka skamnorë dhe lypsarë që flenë në kasolle ose edhe jashtë: sot takova një të tillë prapa Bibliotekës Universitare, në Rr. “Agim Ramadani”; rrinte ulur në beton, afër lokalit për fotokopjim “FLORI”, (ku e fotokopjova librin e huajtur nga zotni Emin Fazlija, kryetar i Besëlidhjes Shqiptare, nga autori Preloc Mrgjilaj: “ILIRËT FLASIN SHQIP, SHQIPTARËT FLASIN ILIRISHT”, Podgoricë 200, f. 463, tirazhi: 1500, fotokopjimi kushtoi 3 euro e 50 centi),- rrinte kruspull e dridhej në acar, mesoburrë, i parruar dhe i palarë!! Dikush ia kishte hedhur një batanije të mirë e të butë anash, po ai nuk e merrte, mbante ca bukë në prehër, ca para të imta ishin në tokë, një portokall i kishte rrëshqitur tutje, e mora nga toka dhe ia lëshova në prehër:

“Merreni batanijen e mbështilluni?”- vetëm me pa shkurt e nuk foli... mbase sonte vdes!?!

Fill m’u kujtuan Kryeparlamentari, Kryeministri dhe aparatçikët tjerë... Përse na mungon një Shtëpi për të Moshuarit!?! Flitet se ka qenë një Projekt i tillë në Klinë, por që në nismë, janë ngatërruar keq për ta keqpërdorur Fondacionin dhe ka mbetur pa ndërtuar, e të sëmurit mentalë bredhëritin rrugëve!!! Gazetaria nuk bën të heshtë, përse ka heshtë!?! Kush përgjigjet nëse ky lypsar vdes sonte?- dhe a duhet të konsiderohet ky rast vrasje me paramendim, dhe të ngrihet padia në gjykatën kompetente? Ky që po vdes në heshtje; e të tjerët rretherrotull po këlthasin e po thërrasin e po bërtasin me këngët e tyre të mjerimit, nëpër Kryeqytetin tonë me mëtime të bëhet Metropol: Allahi ju dhashtë- ishalla! Bani rahmet për hatër të Zotit! Ooo milet, bani gajret! Dhe njerëzit si njerëzit, secili ngutet për punë të vet, rrallë e tek dikush mëshirohet dhe ju hedh ndonjë kacidhe... madje kjo ndodh në rrugën e dëshmorit të popullit “Agim Ramadani”: përse e dha jetën Agimi ynë me shokë, pse e thyen kufirin për çlirim e për liri- për liri të borgjezisë së re!?

Medet për ne: bubullijnë fishekzjarrët, disa paskan gjuajtur me revole e me kallashnikë, dhe ka pas të plagosur e të përcëlluar që kanë kërkuar ndihmë nëpër spitale!!

APEL-ALARM!!
 
Të nderuara zonja dhe zotërinj të Institutit Alb-Shkenca, unë mendoj se tanimë jam i regjistruar dhe i bllokuar njëkohësisht: i regjistruar, ngase më vijnë informatat, i bllokuar ngase nuk botohen artikujt e mi të mirë, ndërkohë që botohen lloj-lloj shkarravinash!?!
Në pyetjet e mia askush nuk përgjigjet!?! Dhe kjo nuk është në natyrën e intelektualëve, apojo?- aq më pak ata që paraqitën kinse kundër komunizmit dhe zbatojnë metoda komuniste-fashiste!?!
Tash që i sigurova disa e-maila, vendosa të ju shkruaj edhe njëherë, pale, mos po del dikush që ndien përgjegjësi... unë ende shpresoj!?!
Të nderuara zonja dhe zotërinj, përse nuk botohen shkrimet e mia te Alb-Shkenca!?!
Ju kam shkruar disa herë edhe moderatorëve dhe disa personaliteteve që kam menduar se kanë ndikim dhe dikush do të ndikojë që kjo bllokadë e pakuptimtë dhe e ultë (me urdhrin e dikujt!?), të zhbllokohet, ama deri më sot nuk u gjet askush!?
Në pritje e sipër, ju përshëndes.
Mr. sc. Kadri Osmani-Mani

31.12.2007


agideba@aol.com

alb-shkenca@alb-net.com

ashak_pr@hotmail.com

bardh.frangu@hotmail.com

bbaliu@hotmail.com

bkopliku@gmail.com

encikloped@yahoo.com

ihysa@gc.cuny.edu

kristjorgo@yahoo.com

lekpervizi@hotmail.com

lindita_komani@yahoo.de

naliu@t-online.de

niko_qafoku@yahoo.com

sdrepishti@optonline.net

shqip@voanews.com

slolja@hotmail.com

1.1.2008

Zgjimi në orën pesë: ndryshe nga viti që lamë pas, bora reshi gjithë ditën, dhe njerëzit e kamur gëzohen se moti u kthye mbarë dhe se do të kemi ujë, dritë dhe bereqet! Skamnorët s’kanë të pritme, as gëzime dhe as shpresa!!

Ndez shporetin, e bëj dhe e pi kafen e mëngjesit, duke e hapur kompjuterin; paskan ardhur dy përgjigje në ankesën time për mosbotimin e shkrimeve të mia te Alb-Shkenca:

1.1.2008

Prof i nderuar (Kadri), shëndet, fat e suksese për vitin 2008!
Alarmante është edhe vetë koha jonë. Nuk besoj se ka kuptim të merresh me moderatorët e Albshkences, tash veç po dihet kush janë
Përshëndetje (Bardh Frangu)

-------------------------------

1.1.2008

Une ju falenderohem te gjitheve per deshirat dhe urimet dhe gjithasht ju uroj te gjitheve shendet dhe fat ne vitin 2008.

Sa me perket mua, 2007 mos u kthevt kurre. Kam kaluar nje vit teper te rende dhe tani nje dritez po shihen ne fund te tunelit dhe shpresoj se do te ndryshoj dicka ne drejtimin e duhur.

I uroj dhe falenderoj moderatoret per punen qe po bejne dhe uren qe po na e bejne te mundur. Zoti i bekofte!

Puna e tyre nuk eshte e lehte, sepse ne shume here jemi tekanjoz(ë) dhe prepotent(ë).

Shume urime moderatoreve dhe anetaresise...

N.(aser) Aliu

---------------------

Nga gjashtëmbëdhjetë veta, u përgjigjen vetëm dy: Bardh Frangu pozitivisht e Naser Aliu negativisht për mua, dhe pozitivisht për moderatorët, duke i bekuar!!

Lajkatari Naser i lavdëron moderatorët për botimin e shkarravinave të tija neveritëse! Ngaqë nuk është pleqnar, ngaqë nuk është opinionbërës sikur unë e bardhi, por është opiniontollovitës! Ja ku dolën edhe tri fjalë të reja:

OPINIÓNBËRËS, ~I m. sh. ~,~IT. Personi që merret me gazetari e me publicistikë, i cili ndikon në orientimin e drejtë të masave gjithandej e gjithëkëndej. Opinionkrijues.

OPINIÓKRIJUES, ~I m. sh. ~,~IT. Personi që merret me gazetari e me publicistikë të mirëfilltë, i cili ndikon në orientimin e drejtë të masave gjithandej e gjithëkëndej. Opinionbërës.

OPINIÓTOLLOVITËS, ~I m. sh. ~,~IT. Personi që merret me gazetari e me publicistikë jo të mirëfilltë, i cili ndikon në orientimin e keq, në tollovitjen e masave gjithandej e gjithëkëndej. Opiniontollovitës.

Të burgosurit në Burgun e Dubravës vazhdojnë grevën e urisë... më kujtohen edhe grevat tona nëpër burgjet serbe...

Flasim mbarë e mbrapshtë: për një grua të shëmtuar,biri im thotë se qenka bërë për t’i frikësuar shtrigat! Kurse mua më kujtohet një humor: kur nuk të përfill një femër ose kur të përbuzë, për t’iu hakmarrë, vrik bëhesh tebdil dhe i del përpara me një fotoaparat:

“Ju lutëm zonjë a ka mundësi një pozë?”

“Po përse!?”

“Mësuesja ma ka dhënë për detyrë t’ia fiksoj një pamje të shëmtisë natyrore!”

Në ekran paraqitet emisioni”Fiks Fare”, me dy vasha kërthizëpërfushta!!

Gruaja ime thotë: në kohën e rinisë tonë, nuk na ka shkuar mendja se do të vijë një kohë e do ta përjetojmë një situatë të këtillë kaq të poshtër, madje vashat gjysmëlakuriqe në televizor!?!

Kali edhe kjo... tash vjen Labi me ekipet “Ajkë” e “Mjaltë”, të cilët bëjnë gara se cili po e ha përpara pjatën me tambëloriz! Mungon edhe ekipi i tretë? Cili?- mungon ekipi “Bajgë”!

Pastaj paraqitet “Familja moderne”, me gaz e gajasje për gabimet që kanë bërë gjatë xhirimeve! Skena të çuditshme, qeshje e rrëzuarje përtokë, pordhë e piskamë!

2.1.2008

Zgjimi me cicërimat e trumcakëve! Se çfarë dromcash do të gjej në magje dhe në kompjuter- fill pas kafes së mëngjesit!?

Dhe pas qëmtimesh, gjej te Agjencia e Lajmeve PASHTRIKU, këtë shkrim, ku mora vetëm fillimin dhe mbarimin:

Bedri DEDJA: Jeta dhe historia e jetimëve[1]

          /www.pashtriku.org, 30. XII. 2007/

         Jeta dhe historia e jetimëve, kudo në rruzullin tokësor, ka frymëzuar personalitetet më të shquara. Atyre u janë kushtuar vargje brilante poetike nga poetët. Përralla popullore dhe përralla e lëvruar letrare e shkrimtarëve kanë himnizuar të ardhmen e tyre. Bamirësit e shekujve kanë krijuar institucione për t’i shpëtuar ata nga jeta e zezë e për t’i mbledhur në vatra të ngrohta, që t’i ngjanin sado pak familjeve të tyre imagjinare. Pavarësisht se në botën e sotme shumë fëmijë e, sidomos jetimë, vuajnë nga uria, nga mungesa e banesës dhe e shkollës ; pavarësisht se ata ngrysen e gdhihen në qoshka të braktisura, nëpër shkallë pallatesh e nën anët e urave të qyteteve të mëdha, në xhungla e me punë  të rënda për duart e tyre të njoma, me orë të zgjatura, nëpër miniera, - bota dhe shtetet demokratike po bëjnë çmos që t’ua bëjnë jetën të lumtur nëpër Jetimore dhe me ndihma sociale humanitare. (...)

        Por mua nuk do të më shlyhet kurrë nga mendja historia e pesë jetimëve kosovarë gjatë luftës së fundit shfarosëse të serbomëdhenjve, të cilën rastësisht e lexova në një nga gazetat e atyre ditëve.

          Duke vrapuar të dëshpëruar nëpër kodrën që i ndante nga fshati i tyre, për të mos parë tymin e flakët që kthenin në gërmadhë shtëpinë, në të cilën digjeshin nëna e babai që paramilitarët serbë masakruan aq mizorisht përpara syve të tyre të njomë e të pafajshëm, ata donin të zhdukeshin mes pemëve, për të mos rënë edhe një here në duart mizore të kriminelëve serbë. Ata qëndruan disa ditë e net në mes të pyllit, duke u dridhur nga të ftohtët, uria e dhimbja e tyre e pamasë që gërryente gjokset e tyre të vegjël. E kur dëgjuan sërishmi krisma e britma ushtarësh, duke mos dashur të binin edhe një herë të gjallë në dorën e armikut, si nipër të Azem e Shote Galicës, këta kosovarë të vegjël trima përgatitën litarin për tu vetëvarur, si simbol sakrifice për botën e qytetëruar e në emër të fëmijërisë së tyre të këputur në mes. Por fatmirësisht, kur 5-vjeçari Dren po vinte lakun rreth qafës dhe po i lutej vëllait të tij më të madh t’ia shtrëngonte më fort, mbërritën njësitet e UÇK-së dhe të pesë jetimët-heronj kosovarë shpëtuan nga vdekja.

Ku jeni sot ju, o trimat e mi, pesë jetimët-legjendë kosovarë?

Me siguri, me libra në duar, nëpër shkolla, ku si gjithë jetimët e tjerë në mbarë botën, përkëdhelni vetëm një ideal: lumturinë e ardhshme të gjithë njerëzimit!

           Unë përulem me respekt të thellë përpara jush si dhe përpara të gjithë jetimëve në mbarë botën! Jeta juaj qoftë përherë e praruar nga rrezet e diellit! Ju mbeteni yje në qiejt e njerëzimit.

--------------

Mua nëna më ka vdekur në moshën 11-vjeçare, por kurrë nuk e kam ndier veten jetim! E kam pas babain, motrën më të madhe dhe vëllain, vetëm njërin vëlla e kam pas 4 vjet më të ri.

Nuk i di kushtet e jetimëve në Prishtinë as në Kosovë?

 Në mbrëmje shkuam familjarisht te shoku i birit tonë, Rabitit, te zotni Izet Rrahmani, babain të ndjerë të të cilit unë e kam pasur shok të punës në Shkollën 8-vjeçare “Rilidnja” në Keqekollë 1965-1968.

Nezir Latifi (1922-2003)

I ndjeri Nezir ishte mjeshtër i Shkollës dhe bashkë i luftonim tendencat negative për qeverisje me mujshi! Me grupacione: klane-klika-tarafe, pa punë e me llafe! Kështu jemi bërë edhe miq shtëpie:

I biri Izet Rrahmani (1960), bashkëshotja e Izetit, zonja Zejnepe Tasholli-Rrahmani (1960), çuni i tyre, zotni Armend Rrahmani (1984), reja Afërdita Durmishi- Rrahmani (1985), e bija Arjeta Rrahmani (1986), çuni tjetër Valdet Rrahmani (1989), i zoti i shtëpisë punon me kamion dhe e mban familjen. Armendi me shoqen Aferditen janë në Gjermani.

Tregojmë barsoleta: vjehrra-reja! Për mikpritjen dhe mosmikpritjen...

Murati dhe Izeti

Muratit ia kishin vjedhur pushkën, po Izetit i vinte keq t’ia përmendte. Mirëpo ku Izetit ia vodhën një pend mëzet, Murati filloi e po tallet me të:

O Izet, more Izet

Si t’i vodhën ata dy mëzet!?

Atëherë Izetit iu çel goja:

O Muratë, more Muratë,

Sikur ty njat pushën e gjatë!

E bane s’e bane

E zeza e kresë tande

Dhjetë vjet hapsane!

Zonjusha Arjeta na shërbente me çaj, me pemë e me ëmbëlsira... e shkathtë dhe e shpejtë si flutur! Unë pi vetëm një çaj, që t’iu kundërvihem shqiptarëve të mi që pinë nga 5 e nga 10 çaja!!! Jua marrin kohën vashave e nuseve, për t’i akuzuar pastaj se ato nuk lexojnë!!

Fjetat shkëlqejnë nga pastërtia... Me vete kishim nipin dhe mbesat tona, me shpresë që ta vijojmë fqinjësinë dhe shoqërimin reciprok tradicional.

Izeti na e tregon një ngjarje që i ka ndodhur fill pa hyrjes të NATO-s në Kosovë, më 1999: një ditë prej ditësh shkon të çojë mall në Serbi! Me njëqind peripeci arrin të kthehet në Prishtinë, ama kamion ia konfiskojnë në Nish! Ama sa e sa nuk janë kthyer...

Për një Festë të Flamurit, nuk u ktheva në fundjavë në shtëpi, po bashkë me Nezirin dolëm në Malin e Meçekllavës dhe çanim dërrasa! Nevojitej ta arnonim dyshemenë e sallës në Shtëpinë e Kulturës, që ia kishin cenuar parazlinjtë gjatë udhëtimit Malësi-Prishtinë.

Dhe erdhi dita e festës dhe e programit të përgatitur, në bankën e parë kishin zënë vend tri personalitetet e shkollës: Drejtori, Sekretari dhe Arkëtari, të cilët me blloka e lapsa në dorë po rrinin gati në përgjim e sipër që të shënoni nëse ndonjë nxënës reciton ndonjë vjershë nacionaliste!

Dhe- eureka! E gjetën atë që po pritnin në ethe: ishte kjo vjersha e Fan Nolit “Shpell'e drgobise (Elegji për Bajram Currin) ”, strofa e fundit “inkriminuese”:

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.

Si ka guxim ky arsimtar me kaq pafytyrësi ta përmend Shqipërinë- armiken e Jugosllavisë!?! Dhe pa hamendje e shkruajnë akuzën dhe e nënshkruan Daut Zena, ish-komandant i policisë, se aq ka ditë të shkruaj në jetën e vet- vetëm nënshkrimin!

Pas pak ditësh, erdhi sekretari i Komitetit Komunal, boshnjaku Enver Jusufi, axhustator!

“Kush e ka udhëhequr Shfaqjen?”- duke dashur të ngrihem, Hamtë Xhafa më tërhoqi për setre nga prapa dhe u ngrit vetë:

-Unë!

-Cilën lëndë jep ti?

-Aglishten!”

-Jo, po kush e jep Gjuhën e Letërsinë shqipe?”- atëherë u ngreha unë:

-Unë, Kadri Osmani.

-Është recituar një vjershë problematike, po na intereson ta dimë a është në program?

-Po është në Program dhe unë mund t’ua shpjegoj, paçka se nuk e di se sa e kuptoni!?- shkova në banesë e mora librin e kl. VII  dhe Programin: urdhëroni Programin dhe librin, nën nr. 1.?

Drejtoi i Shkollës e nxori bllokun nga xhepi dhe po e krahasonte strofën e dyshuar: vrik filloi të demoralizohet, të shkërmoqet- si qaraman!!

Mbledhja mori fund e komitetlinjtë u kthyen si të dhjerë!!

Të gjithë më thonë se jam i ngutshëm, kurse unë e ha veten pse nuk isha mjaft i shpejtë dhe përse nuk i rashë shuplakë Drejtorit, që t’i qitnin sytë njëkohësisht pjata të verdha të kuqe e të gjelbra!!!

E pse nuk ia përmenda emrat e udhëheqjes shkollore, fajin a meritën po ia ngarkoj plakut tonë zotit Sedat Dida-(15.6 1926 ), njërit nga redaktorët më të vjetër të gazetës tonë të paharrueshme “Rilindja”, i cili më pati thënë: njëri nga drejtorët e burgjeve ka qenë shumë i keq, shumë i poshtër, ama po dëgjoj se fëmijët po i bëhen të mirë dhe nuk dëshiroj t’i ngarkoj me një damkë të babait të tyre!

Zëvendëskomandanti i policisë në Keqekollë, Dragan Mihajlloviq, po bënte kërdi: pa qenë në detyrë zyrtare, duke punuar në ndërtimtari, në kohë të lirë deri në gjunjë këbët me baltë, iu del dasmorëve përpara dhe i ndalon, për t’i marrë në pyetje përse galdojnë dhe qesin pushkë!?! Jua lëshonte fshatarëve derrat e vet të shumtë nëpër ara e nëpër livadhe  dhe askush nuk bëzante!! Unë i kam trimëruar fshatarët që ta kundërshtonin dhe t’ia mbytnin derrat:

-O shok mësues, a e dini sa kushton një derr!? 

-Po e di, ju mbytjani, unë e paguaj dëmin!- dhe del Selimi i Keqekollës dhe ia mbyt derrkucin; vjen Dragani të ankohet tek unë (isha korrespondent i RILINDJES), dhe më thotë se kinse ia kanë mbytur derrkucin në rrugë te murrizat dhe e kanë hedhur në arë!

-Nga e pe ti këtë skenë?

-Nga dritaret e banesës time! E kapa për mënge dhe i thashë:

-Eja shkojmë te murrizat: ku po shihen dritaret tua!?

-!?!

-Zhduku!- nesër ke me dalë sërish në gazetë!

Redaktori i mirënjohur, i ndjeri Haki Hoxha, nuk donte të ma botonte artikullin:

-Mjaft më pe atë polic!

-JO, nuk është mjaft derisa ta largojmë nga detyra, e kemi përjashtuar nga Lidhja Komuniste!-(unë kam qenë anëtar i Lidhjes Komuniste, për dijeni trutharëve tanë veriorë që kanë në maje të gjuhës “vlerësimin” me librezë-pa librezë!!- dhe trutharëve tanë jugorë që e kanë në maje të gjuhës “vlerësimin” me tesere-pa tesere!! 

-Kjo nuk mjafton, ta përjashtoni edhe nga Lidhja Socialiste!

Dhe kur organizuam dhe e përjashtuam edhe nga Lidhja Socialiste; e përgënjeshtrova edhe me disa artikuj të njëpasnjëshëm dhe e hoqëm nga Keqekolla.

Tjetër gjë ishte se UDB-a si “dënim” Draganin e transferoi nga Keqekolla në Graçanicë, nga një vend i largët e pasiv, në një fshat afër Kryeqytetit!!

Kishte edhe etapa të këndshme bashkëpunimi e bashkëqeverisje të shkollës: kur erdhi për drejtor zotni Xhelil Rama, puna ndryshoi për të mirë: punët i bënim bashkë, zhvilloheshin aktivitete, bashkë me Idriz Zeqirajn i parapaguajtëm nxënësit në revistat e Prishtinës e të Shkupit: “Pionieri”, “Zëri i rinisë”, “Fatosi”, Gëzimi”... bashkë me Mehedin Dilin e nxorëm revistën shkollore “Yli i parë”...

Kur ishte puna për pranimin e mësuesve, unë anoja kah të kualifikuarit, që zakonisht vinin nga jashtë krahinës tonë Gallapit, kurse kur ishte puna për dhënien e bursave, derisa vendasit frikoheshin nga unë, unë anoja ekskluzivisht për nxënësit vendas: me arsyetimin se për bursistët e jashtëm ne s’kemi banesa?- dhe ata krisin e ikin!

Më në fund, dujke parë drejtësinë time, këshilltari Hazir Haziri pati deklaruar:

“Kadri Osmani është një gjarpër që zë (ngjok), e kurrgjë në bark të vetin nuk çon”!

Dhe tash aktualisht në librin e autorit Rrahman Latifi: RREZET E DITURISË (Historik i shkollave të një pjese të malësisë së Galabrit (Gallapit) /Monografi, Prishtinë, 2007, emri im figuron pa fotografi e pa biografi! Ndërkaq, biografia me foto e autorit Rrahman Latifi (1925) zë dy faqe të plota!!- (153-154), dhe të të tjerëve me blloqe spiunazhi në xhep e me revole në brez!! 

Përse, vallë, autori i librit RREZET E DITURISË nuk e bëri vërtet “rreze”- por as pa brejtje ndërgjegje që ta thotë të vërtetën sot kur e ka kaluar moshën e pubertetit dhe të karrierës, tregohet kaq nihilist dhe rrezet e diturisë i errëson, i eklipson!?!

Ama edhe ne nuk i kemi përfillur kurrë, përkundrazi i kemi përbuzur atëherë e sot, të gjithë bashkëpunëtorët e regjimit Tito-Rankoviq!!

3.1.2008

Sot nuk dola fare, edhepse moti pakëz u përmirësua: sivjet duhet të doktoroj me çdo kusht, nëse nuk parashihet ndonjë distancë kohore nga magjistrimi te doktorata?- ose në Fjalët e Reja ose me Monografinë për Dr. Mlan Shufflay?

UNMIK-u kërkon përfundimin e grevës së urisë në burgun e Dubravës

Zëri i Amerikës
03-01-2008

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë u ka bërë thirrje të burgosurve në burgun më të madh të Kosovës t’i japin fund grevës së urisë që kanë filluar që të shtunën.

Zëdhënësi i misionit i tha Zërit të Amerikës se 476 të burgosur kanë kundërshtuar të hanë, një pakësim i numrit prej 500 të burgosurish disa ditë më parë. Në këtë burg pranë Dubravës, 112 km në perëndim të Prishtinës, mbahen afro 700 të burgosur.

Të burgosurit po kërkojnë leje për t’u larguar përkohësisht nga burgu, të drejta të pakufizuara për vizita dhe të drejtën për amnisti.

Në një letër drejtuar secilit të burgosur në këtë objekt, zyrtarët e OKB-së thanë se shëndeti fizik dhe psikologjik i të burgosurve është një temë shqetësuese për misionin e OKB-së. Zyrtarët thanë megjithatë, se kërkesat që kanë paraqitur të burgosurit janë për privilegje që u jepen vetëm disa të burgosurve në raste të veçanta. //iç//

4.1.2008

Zgjimi si zakonisht, me harabelat!

Vetëm sa dola deri te furra e bleva bukën e ditës dhe anasjelltas te shtëpia: lexim-internet!!

----------

Të burgosurit e Dubravës pezullojnë grevën 6-ditëshe

Zëri i Amerikës
04-01-2008

Të burgosurit në burgun më të madh të Kosovës kanë pezulluar grevën e tyre 6-ditëshe të urisë pasi Presidenti Fatmir Sejdiu premtoi se qeveria do të shqyrtojë kërkesat e tyre për amnisti, falje dhe trajtim më të mirë.

Një zëdhënës i administratës së Kombeve të Bashkuara tha se zoti Sejdiu e bëri këtë premtim në një letër drejtuar të burgosurve. Në burgun e Dubravës, 110 kilometra në perëndim të Prishtinës, ndodhen rreth 700 të burgosur. Në grevën e urisë morën pjesë më shumë se 500 të burgosur. Ata kërkonin leje që të largoheshin përkohësisht nga burgu, vizita të pakufizuara dhe të drejtën e amnistisë.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarët e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë shprehën shqetësimin rreth gjendjes fizike dhe mendore dhe u bënë thirrje atyre t’i jepnin fund grevës. Një zëdhënës i UNMIK-ut i tha Zërit të Amerikës se është i kënaqur që greva mori fund.//lk

5.1.2008

E shtunë, nuk i dua të shtunat as të dielat, as fetat fetare as kombëtare!! Se si më duket sikur po ndalet koha: nuk punojnë institucionet edhe në internet njerëzit janë më pasivë! Kurse unë dua punë dhe vetëm punë!

Por ja, edhe gazeta e sotit “Bora sot” e paska një punim të mirë shkencor nga Dr. Bahtijar Krseziu: STANDARDI I SHQIPES DHE DISA PROBLEME RRETH TIJ, (1,2), dje paska filluar por nuk e kam parë, duhet të vrapoj te qoshku dhe ta lexoj edhe pjesën e parë, patjetër.

Gazeta “Bota sot” e datës 5.1.2008, në f. 12 ka këtë artikull:

BURG PREJ 12 VITEVE PËR FËMIJËMBYTJE

Sllogjan Petkovski nga fshati Peshirovë, të Shën Nikollës, i cili ishte akuzuar për fëmijëmbytje, është dënuar sot me dënim me burg prej 12 viteve, ndërsa bashkëshortes së tij Vesnës i është shqiptuar aktvendimi lirues.

Aktvendimin e mori Gjykata themelore në Shqip, në bazë të materialit dëshmues të marrjes në pyetjet dëshmitarëve.

I akuzuari i parë Sllogjan Petkovski është shpallur fajtor për dy raste të fëmijëmbytjes, që i ka kryer në maj të vitit 2006 dhe në gusht të vitit 2007. Dy fëmijët e porsalindur, ai i ka mbytur duke ua zënë frymën, e më pas i ka varrosur në afërsi të fshatit Peshirovë.

Bashkëshortja e Sllogjanit, Vesna Petkovska, është liruar nga akuza për mosparaqitje të fëmijëmbytjes. Sllogjani dhe Vesna Petkovska, të cilët jetojnë nga ndihmat sociale, janë prindër edhe të tetë fëmijëve.

----------------------------------

Këtu po paraqesim edhe një rast të ngjashëm, por edhe më të rëndë që ka ndodhur dekada më parë në Vojvodinë:

Një grua serbe e mbetur e vejë me një fëmijë 9 vjeçar, e gjen një burrë për martesë, por ai i paraqet kusht se do të martohej me të vetëm pa fëmijë, dhe ajo e mbyt fëmijën e vet në bunar!

Duke ia lidhur fëmijës këmbët me litar të kovës, fëmija po e luste nënën e vet për mëshirë: mos nëna ime, se atje poshtë është ftoftë, është terr... por katilesha nuk u mëshirua përpara afshit shtazarak për martesë!!! Gjykata e pati dënuar me vdekje, dhe pastaj me shndërrim dënimi me 20-vjet burg.

----------------------------------------------------

NDIHMA NORVEGJEZE PËR SHKOLLË TË RE NË ZHELINË

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti  dhe ambasadori i Norvegjisë, Karl Vibu, sot duhet ta përurojnë zyrtarisht objektin e ri të shkollës rajonale fillore në fshatin Ozormishtë, Komuna e Zhelinës. Për ndërtimin e godinës së re shkollore në këtë fshat janë investuar 97.000 euro, në kuadër të Projektit për rikonstruim të shkollave, që është pjesë e nismës së Sekretariatit për çështje evropiane për avancimin e kushteve për zhvillimin e procesit arsimor. Në kuadër të nismës, deri tani janë investuar gjithsej 100 milionë denarë për ndërtimin dhe rikostruimin e 34 shkollave. Me fillimin e vitit të ri shkollor, në bashkëpunim me Norvegjinë tashmë janë siguruar edhe mjete plotësuese, të cilat do të jenë të orientuara për rindërtimin e numrit plotësues të shkollave.

(Gazeta “Bota sot” e datës 5.1.2008, në f. 12)

6.1.2008

Sot nuk dola fare nga shtëpia, bukë blejtën të tjerët...

U mora me planin e botimeve të sivjetshme, Gjatë vitit 2008 mund të:

-të doktoroj,

-ta botoj Ditarin e Burgut,

-ta botoj Ditarin e Jetës,

-ta përpunoj, zgjeroj dhe ta ribotoj romanin tim NUSET TONA...

Por ky plan është vetëm në vija të trasha: i kam ndarë një krah libra për lexim dhe në ndërkohë nuk dihet se çka sjell jeta: ja lajmi i gëzuar i ditës për botimet e veprave komplete të Naim Frashërit, po përgjatë gjithë vitit, kush mund ta parashohë!?

Dikujt iu duk plan i hatashëm dhe më tha:

“Sa vjet jetë ia ke caktuar vetes!?”

“O njeri bre! Po kurrkush bre nuk mund t’ia caktojë jetën vetvetes, nuk është thënë kot se njeriu duhet të punojë sikur të mos vdiste kurrë, ama duhet ta ketë ndërmend se vdekjen e ka më afër se këmishën”!

7.1.2008

Si zakonisht, shkova dhe e bleva bukën, në orën 80 e 30 minuta. Ngutesha duke mos dëshiruar të humbas asnjë minutë, megjithatë, në rrugë për të fura dhe anasjelltas, duhet të kaloj përpara dyqanit të tekstilit të zotit Hajrush Pllana, i cili ka dëshirë që të komentojë situata politike, dhe edhepse shpesh ia qëllon, nuk i beson askujt përveç të nderit Ibrahim Rugova!

Ngutesha sepse kisha dy takime me rëndësi: njërin në orën 10 me zotni Sylë Metajt, për një punë për mua?- të cilin takim e lamë te Ambienti”, një kafene e LDK-së, por ai nuk erdhi as për 30 minuta!?

I hidhëruar shkova te Ombduspersoni, as këta nuk po punuakan sot qe qenka një festë serbe e “Viti të Ri”!?- vrapova te Shtypshkronja “Rilindja” që ta takoja Hashim Zhaçin (jo atë të partisë!), as ata nuk punuakan!  Shkova në zyrën e Avokatit Metush Sadiku, ish-hetuesi im, dhe biseduam gati një orë: ky hetues nga familja e Idriz Seferit, ishte ndryshe nga udbashët tjerë dhe na ka mbetur një lidhje, një bisedë dhe komente e shqyrtime.

U ndamë dhe vrapova te hotel ILIRIA, por as Dr. Musa Ahmeti nuk erdhi!? Jua lashë porosinë personit të hotelit dhe poetit Gani Xhafolli, me të cilin kishte qenë edhe publicisti Reshat Sahitaj, një vegël qorre e Qoses, dhe më lutën të ulëm në tavolinën e tyre, por nuk ndeja dot, sepse u riktheva aty te kafeneja ALBATROS ku po rrinim me zotni Xhelil Ramën dhe shokët e tij.

Këtyre iu propozova që komplet ne t’i bashkohemi Besëlidhjes Kombëtare Shqiptare të zotit Emin Fazlija. Dhe në orën 13, i demoralizuar u ktheva në shtëpi!!

Dhe befasia tjetër: kompjuterit tonë i ka dalë afati njëmujor dhe është ndërprerë! Vrapoj te miqtë tanë-Bunjakët, dhe nga kompjuteri i tyre e marr lidhjen me zotni Sylë Metaajn: ai nuk e paska kuptuar drejt terminin e vendi dhe ka pritur gabimisht tjetërkund! Bëjmë sërish termin të ri dhe dalim e takohemi: dhe pas bisedave të zakonshme të politikave dhe koalicioneve PDK-LDK, koalicion i çuditshëm revolucionar-pacifist!! Dalim te tema për çka kemi lënë kontaktin: qenka një Kompani Sigurimesh WVP GRAZER WECHSELSEITINGE ME KURSIM TË SHTUAR 50%, EDHE SIGURIM JETËSOR, INVALIDOR, PENSIONAL DHE PUNË SHTESË, varësisht sa persona mund t’i organizosh, t’i bindësh se është kulturë dhe interes persona e familjar kursimi.

KONGRESMENI AMERIKAN, ELIOT ENGËL

KOSOVA TË JETË NJË VEND I LIRË DHE I PAVARUR

“Negociatat kanë përfunduar pa ndonjë rezultat dhe nuk është arritur pajtim, kështu që Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të marrin një vendim”, tha Engël.

8.1.2008

Sot do të rri në shtëpi, duke pritur telefonatë nga Dr. Musa Ahmeti për terminin e ri?- ky takim do të më kursente nga fluturimi i kushtueshëm Tiranë-Dubrovnik-Zagreb.

9.1.2008

Sot më erdhi kompjuteristi, i riu Besnik Mehmeti: që nga vdekja e kompjuteristit tonë të ndjerë, Bajram Vitija, kemi ngelur prapa gjashtë numra! Në të vërtetë numrat janë të radhitur, vetëm duhet të hidhen  në vebfaqe.

Babain e Besnikut, zotni Ganiun e kam shok të mirë, ama shpesh bijtë nuk po iu ngjajnë baballarëve!? Po që se më del i mirë, do t’ia lë detyrën e Kryeredaktorit?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora