E diele, 28.04.2024, 01:01 PM (GMT+1)

Mendime

Bashkim Kopliku: Enciklopedistët tanë shpërfillin Shqipërinë

E marte, 15.09.2009, 02:21 PM


Enciklopedistët tanë shpërfillin Shqipërinë

Nga Bashkim Kopliku
bkopliku@gmail.com
 
U botua këto ditë në Shqipëri, vepra e dytë voluminoze që nuk përmend Skënderbeun, heroin kombëtar shqiptar, me gjithë se shumica e veprave të tilla të ngjashme, të botuara jashtë Shqipërisë, nuk e lënë jashtë tyre atë, figurën kryesore shqiptare.  Kjo vepër “e dytë” është “Enciklopedia e përgjithshme—Oxford”, e OxfordUniverdity Press (me drejtues të projektit shqiptarin Piro Misha, pjesë në projektin e IDK “Libra për një Shoqëri të Hapur”)—e kjo vuan edhe nga “mëkate” të tjera kundër Shqipërisë.  Vepra para saj, që dhe ajo nuk përmendte Skënderbeun, ishte “Historia Botërore dhe Qytetërimi” (12 vëllime!), me autor Karl Grimberg (botues shqiptari Arian Lleshi, dhe shtëpia botuese shqiptare Uegen).  Nuk bëjmë fare me faj autorët e huaj të këtyre dy veprave: fundja ata nuk janë shqiptarë, dhe kështu e kanë gjykuar renditjen e fakteve dhe figurave botërore.  Ne bëjmë me faj, bile me shumë faj, botuesit, drejtorët e deri te përkthyesit e këtyre veprave, që njihen për shqiptarë, dhe që zgjedhin, apo pranojnë për të përkthyer në shqip pikërisht këto lloj veprash, ku nuk përmendet fare Skënderbeu, dhe heshtet e shtrembërohen shumë fakte të tjera për Shqipërinë.  Na duket se snobizmi globalist nuk mjafton për të justifikuar këtë zgjedhje, duhet një shkak më i fortë: veprimtari e “qarqeve antishqiptare”? Jo, më mirë të akuzohemi për eufemizëm sesa për ekstremizëm, prandaj po mbesim vetëm tek “shpërfillja”.
Le të ndalojmë tek “Enciklopedia e Oxford-it”, meqë për Historinë Botërore kemi ndaluar në një shkrim tjetër.

Skënderbeu i panjohur


Enciklopedia ka rreth 1400 faqe.  Në shtëpi kam shtatë enciklopedi të huaja të ngjashme me enciklopedinë në fjalë.  Prej tyre, gjashtë, e pikërisht “Enciclopedia Zanichelli” nën kujdesin e Edigeo, me rreth 2100 faqe; “Grande Enciclopedia Illustrata”, Rizzoli, me rreth 1860 faqe; Lexikon A bis Z in einem Band”, drejtor Heinz Goeschel, rreth 1070 faqe; “Le Petit Robert 2”, rreth 1992 faqe; «??????? ????????????????? ???????», redaktor Prohorov, rreth 1600 faqe; “Larousse Compact”, vetëm rreth 1300 faqe; pra të gjashta këto, e përmendin Skënderbeun, bile disa mjaft gjatë.  Vetëm një nga këto enciklopedi, “e shtata”, nuk e përmend, e asaj iu shtua dhe kjo e përkthyera shqip, duke arritur numrin proverbial “8 me 2” në favor të Skënderbeut, te shtëpia ime, por jo në shtëpitë e shumë shqiptarëve të tjerë, pas blerjes së enciklopedisë në fjalë!  
Por ka dhe më.

Vetëm tre shqiptarë

Nga shqiptarët, do të gjeni në enciklopedinë në fjalë, vetëm tre persona: Ali Pasha, Zogu dhe Enver Hoxha.  Duket sikur kjo enciklopedi e ka me ne shqipot, se për të tjerët është mjaft informuese.  Kështu p.sh., në zërin “Hungaria”, gjejmë se përmendet Janosh Huniadi, bashkëkohësi i Skënderbeut, bile përmendet dhe i biri i Huniadit, Matias Korvini etj., gjithsej nja 11 vetë.  Apo në zërin “Greqia”, përmenden nja 9 vetë, me dukë e princa, si Otto, Wilhelm, nga Bavaria e Danimarka, që ia kanë pasë dërguar Greqisë për ta qeverisur, pas vitit 1833, pasi u pat çliruar nga otomanët, me kontributin e shumë shqiptarëve (këtë të fundit natyrisht që nuk e përmend fare enciklopedia në fjalë).  Besojmë se diskriminimi është i qartë.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja: nuk përmend fare as Sali Berishën, presidenti i parë post komunist i Shqipërisë, ndërkohë që nuk lihet pa u përmendur nja dy herë, Enver Hoxha!

Deformim faktesh

Në zërin “Shqipëria”, jo vetëm që nuk përmendet fare Skënderbeu, por përmendet Ali Pashë Tepelena.  Bile nga Aliu e fillon historinë e Shqipërisë, kjo enciklopedi që i është ofruar lexuesit shqiptar—duket sikur ofruesit kanë dashur të vërtetojnë se ne shqipot kemi origjinë hajdutësh, apo grabitësish ndërkombëtarë!  Apo mos synojnë t’i informojnë lexuesit e vet se Skënderbeu ynë paska qenë një figurë më pak e rëndësishme sesa hajduti i rrugëve të Greqisë dhe Shqipërisë, Ali Pashë Tepelena?!

Gafa, të pavërteta dhe heshtje pavend

Ilirët nuk i lidh fare me Shqipërinë e shqiptarët (ndërkohë që grekët e sotëm, nuk heziton t’i lidhë me grekët e lashtë), kjo enciklopedia në fjalë.
Ilirët u shtrikan, në jug, deri tek “trevat ku janë sot [...] Shqipëria veriore”, shkruhet në zërin me nja tre rreshta, “Iliria”, të enciklopedisë në fjalë.  Atëherë, ku e ka fjalën grupi shqiptar që ka përzgjedhur enciklopedinë në fjalë, që e ka gabim Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), kur në tekstin “Historia e Popullit Shqiptar” (viti 2002) shkruan se “trualli historik i ilirëve përfshinte [...] deri te Gjiri i Ambrakisë në jug [...] thesprotët [fis ilir-sh.BK] [...] deri tek lumi i Thiamit (Kalama) [...] molosët [fis ilir-sh.BK] [...] në pllajën pjellore të Janinës.  Ne besojmë ASHSH-në, që na tregon se ilirët ishin në trevat ku janë sot Greqia veriore, pra më poshtë jugut të trevave ku është sot Shqipëria, e nuk besojmë fare enciklopedinë në fjalë, sado që në kapakun e saj shkruhet me të madhe se është “ndër enciklopeditë më të besueshme në botë”, apo se “konsiderohet botërisht si botimi më i plotë dhe më i azhornuar [...] që ekzistojnë sot në botë”.
Enciklopedia në fjalë, shkruan se tek ne, sot u përdorkan si monedha “qindarkat”, pavarësisht se ato kanë disa dhjetëra vjet që janë hequr nga qarkullimi—hajde azhurnim, hajde.
Enciklopedia shkruan se në Shqipëri ka “jofetarë”, “ateistë”, “myslimanë” dhe “ortodoksë”, duke e harruar fare pjesën e madhe katolike të popullsisë sonë—hajde “i plotë”, hajde.
Ka heshtje. për luftën e NATO-s për Kosovën, në vitin 1999, ku morën pjesë dhe qindra anglezë, mbase dhe nga Oksfordi.  
Ka heshtje për statusin e Kosovës që qeveriset nga OKB, apo për popullsinë e saj që është shumica dërmuese shqiptare.  
Po e ndërpresim listën e gafave etj., sepse besojmë se mjaftojnë sa thamë.
Faji është i shqiptarëve
Një italian ngacmonte një mik shqiptar, duke i shkruar: “Ti incazzi quando all’estero non credono che Skenderbeu ha salvato l’ Europa dai turchi”, që e përkthyer shqip do të tingëllonte “Tërbohesh nga inati, kur jashtë shteti nuk besojnë se Skënderbeu ka shpëtuar Evropën nga turqit”—vërtetë që ka edhe shqiptarë që reagojnë kështu.  Ne nuk po tërbohemi nga inati sepse një enciklopedi nuk e ka përfshirë Skënderbeun, sepse ka me qindra enciklopedi, edhe angleze, që e kanë përfshirë.  Ne “tërbohemi” se si ka mundësi që ka shqiptarë që guxojnë që të zgjedhin për të përkthyer, si enciklopedi të parë “të madhe”, në Shqipërinë tonë të dashur, një si kjo?!
Nuk do të ishim dakord fare që të merrej një leje në një autoritet shtetëror për të përkthyer një libër.  Një gjë e tillë do të keqpërdorej menjëherë për të bllokuar botimet e “armiqve politikë” të pushtetit aktual etj.—pavarësisht se në raste si ky që sollëm, duket sikur do të shmangte gabimet.  Por, opinioni qytetar, e kryesisht historianët e ASHSH-së, e pastaj dhe të tjerët, duhet të mbajnë një qëndrim kritik ndaj kësaj mungese përgjegjësie, kësaj shpërfilljeje ndaj vlerave tona kombëtare—së paku, duhet t’ua “nxinin jetën me kritika publike” fajtorëve të kësaj zgjedhjeje.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora