E premte, 19.04.2024, 08:31 AM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Bilanci i Moskujtesës

E merkure, 21.12.2005, 05:25 PM


Dossier-ët sportivë të "TemA Sport": Bilancet tona të vitit sportiv 2005

Edhe kujtesa kombëtare historike sportive, ashtu si gjithë pjesa tjetër e kujtesës së kombit, rrezikon të shuhet

1.
Pardje në Shkodër është organizuar nderimi i Paulin Ndojës me rastin e 60-vjetorit të tij të lindjes. Ka do vite që Shkodra nuk i ka aq të shpeshta këto lloj festash që përfaqësojnë sa një histori, aq dhe një intimitet jete. Ndërkaq, ky personazh i madh i futbollit shqiptar, sa përfaqëson vetveten, po aq përfaqëson edhe pjesë dramatike të historisë së futbollit të Shkodrës, e pse jo, edhe të Shqipërisë. Ndonëse nga jashtë ky përkujtim kuptimplotë i 60-vjetorit të Paulin Ndojës, të cilin përveç të tjerave, e konsideroj një fisnik të jetës qytetare shkodrane, duket pra, sikur është diçka vetjake në nderim të vetë protagonistit tonë të shquar. Them se jo. Ose të paktën jo vetëm kjo. Eshtë nderimi i vetë historisë kombëtare sportive, në këte rast përmes Paulin Ndojës, historia e të cilit është sa sportive, aq dhe politike, sa njerëzore aq dhe antinjerëzore. Kjo e fundit kur mendon se si ka qenë e mundur që në moshën 27 vjeçare, kur ky talent unikal në stilin e interpretimit të tij, sapo kishte prekur kulminacionin e futbollit të tij tejet origjinal, Partia ta ndalonte të luante. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur të ndalohen zërat e bukur të këndojnë dhe të interpretojnë meloditë e tyre prekëse deri në shpirt. Një prej tyre ka qenë edhe Paulin Ndoja, historia e të cilit përbën një dramë më vete.
Siç e kam treguar në "Librin e Kombëtares", ka qenë maj i vitit 1972, ditë kur Vllaznia e Shkodrës po bëhej gati të kthente pas 25 vjetëve në qytetin e saj, titullin e Kampionit të Shqipërisë dhe trajneri Loro Boriçi thërret Paulin Ndojën në Kombëtare, sepse po habiste stadiumet shqiptare me elegancën e teknikën e tij, me guximin, me pangjashmërinë e stilit të tij. Shqipërisë i kishte mbrritur kësisoj, një portjer i një talenti çka nuk ishte parë prej vitesh dhe ishte siguria e madhe e tij, që i dha Vllaznisë jo vetëm titullin kampion pas 25 vjetëve, por dhe Kupën e Shqipërisë falë 11-metërshave historikë të pritur po prej Paulin Ndojës në finalen e paharrueshme me Besën e Kavajës në atë 1972. Në Shqipëri mbrrin ndërkaq skuadra përfaqësuese e të Rinjve të Kinës, në fakt Kombëtarja e përtërirë e Kinës pas traumave të Revolucionit Kulturor të atjeshëm. Loro Boriçi rezervon më 11 qershor 1972 një ndeshje përgatitore të Kombëtares me këte ekip kinez dhe Paulin Ndoja është në portë i shkëmbyer me Muhedinin e Partizanit. Boriçi kishte vendosur t'i jepte Ndojës fanelën e Kombëtares në Helsinki pas disa ditëve kundër Finlandës. Do të mbeste thjesht një iluzion. Të nesërmen Ndoja largohet nga Kombëtarja për shkaqe biografike dhe madje pas disa muajve edhe krejt nga futbolli! Egërsia e regjimit nuk pyeste për talente qoftë dhe tejet të fuqishme, siç ishte portjeri Paulin Ndoja, i cili gjithsesi ruan në kujtesën e historisë së tij, edhe atë ditë të qershori 1972 kur e pa veten për herë të parë dhe të fundit në portë nën fanelën e Kombëtares. Ka qenë një fitore 2-1 për Shqipërinë, po ndërkaq shuheshin dy ëndrra njëkohësisht: ajo e Loro Boriçit për t'i dhënë Kombëtares një portjer të rrallë, së bashku me ëndrrën e vetë Paulin Ndojës, këtij talenti të papërsëritshëm, për të përfaqësuar një herë Shqipërinë e tij në garat e mëdha europiane.
Pardje Shkodra me ceremoninë e përkujtimit të 60-vjetorit të tij ka përtërirë një histori dhe ka sfiduar në largësi një ndalim të madh.

Kjo ka të bëjë mu me kujtesën kombëtare sportive që ashtu si gjithë pjesa tjetër e kujtesës së kombit, rrezikon të shuhet.
Pata bindjen se 60-vjetori i Paulin Ndojës ishte rasti i fundit i një nderimi jubilar për sportin shqiptar të vitit 2005. Por u befasova kur vërtet papritmas, pashë se po pardje u përkujtua 53 vjetori i themelimit të më të voglës federatë sportive, Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit, sot një ndër sportet më të nënvleftësuar dhe më pak të nxitur në Shqipëri. E për çudi i mbështetur në këte përvjetor nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, FSHR ia arrin të festojë jo një pëvjetor të plotë jubilar, por një 53 vjetor! E gjitha kjo befasi ishte një zotësi e presidentit të kësaj federate, Myftar Fanës, i cili prej dekadash, lufton për mbijetesën e këtij sporti "të vogël", që për çudi e kanë gjithë shtetet më të përparuara të botës, sepse në historinë e njerëzimit radioamatorizmi ka një një rol të madh. Myftar Fana ka fiksuar në arkivin e tij se më 22 dhjetor 1953 kryetari SHNUM-it (Shoqata Nacionale Ushtarake për Mbrojtjen), gjeneral Spiro Moisiu i jep jetë këtij organizmi, çka e bën të shndërrohet në Federatë. Dikur Partia donte t'i jipte vetëm një rol strategjik radioamatorizmit, në atë luftë lodhëse të mbrojtjes artificiale të Atdheut, që në të vërtetë ishte vetëm luftë për mbrojtje të sistemit. Myftar Fana sot i ka dhënë një rol modern radioamatorizmit, atë rol që bota moderne ka këte përkufizim emblematik: "një veprimtari që veçohet prej çdo "hobby" tjetër për karakterin e tij edukativ dhe shoqëror".

2.
Tash nuk di a mund të merrni me mend se çka ka lënë pa kujtuar Shqipëria sportive gjatë vitit 2005? E, në përgjigje të kësaj pyetjeje do të ndal vetëm tek ato përkujtime që përkuan me përvjetorë jubilarë, të plotë ngjarjesh të paharrueshme sportive.
Kështu pra, më 2005 duhet të kishim përkujtuar 100-vjetorin e dukjes së futbollit në Shqipëri (1905-2005) dhe krijimin e të parës skuadër me emrin "Leka i madh". Duhet të kishim përkujtuar edhe 85-vjetorin e themelimit të Sportklub Tiranës (1920-2005). Do të duhej të kishim përkujtuar edhe 80-vjetorin (1925-2005) e Rrethit të Parë Ciklistik të Shqipërisë që është i pari në Europë për amatorët. Duhej të kishim përkujtuar, madje me një festim disi të veçantë, po aq edhe 75-vjetorin e organizimit të Kampionatit të Parë Kombëtar të Futbollit (1930-2005), një rast i bukur ky për të nderuar gjithë ato figura të shquara, kampionë të parë të Shqipërisë: Begollin, Cokun, Dr.Dashin, M.Gurashin, R.Gurashin, I.Gjinalin, Hajnalin, B.Jolldashin, Kajanon, Kasharin, Kosovën, Mihën, Dr,Ndroqin, Sabatin, S.Stërmasin, Shehrin, shumicën e të cilëve nuk i kemi nderuar kurrnjiherë dhe të cilët Mbreti Zog i pat pritur në Durrës në një ceremoni mbretërore të paparë. Natyrisht që së bashku me këte, do të mund të përkujtonim edhe 75-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (1930-2005), ndonëse nga ana ime përmes shkrimit historik të botuar në TemA, jam munduar të vërtetoj se ajo është themeluar më 1929, po ndërkohë një dokument të ri që kam hasur, më çon padashur edhe te 1930-ta, për çka duhet shkruar edhe një herë. Mund të kishim përkujtuar ndërkohë edhe 65-vjetorin (1940-2005) e fitimit të titullit të parë të Kampionit të Shqipërisë nga ana e Vllaznisë së Shkodrës, titull i mbërritur nën pushtim, për të cilin forcat e një politizimi krejt të njëanshëm, që vegjetojnë jo pak edhe në mjedisin e futbollit e sportit kombëtar, kurrsesi nuk duan ta pranojnë.
Padyshim që festimi i 75-vjetorit të Federatës Sportive Shqiptare-FSSH (1930-2005) të 6 qershorit 1930 si i pari organizëm i lëvizjes sportive kombëtare në drejtim të sporteve shqiptare, çka po të realizohej do të ishte për herë të parë në historinë tonë, duke respektuar dhe nderuar kështu themeluesit e vërtetë të institucionalizimit të organizimit të sportit shqiptar, do të ishte një tjetër nder për Shqipërinë e sotme. Federatë e cila kishte këte qëllim atdhetar të dorës së parë: "Me mbledhë jo vetëm të gjitha energjitë sportive të kombit, me vështrue rregullimin zyrtar të sporteve të ndryshme dhe me organizue shfaqje ose mbledhje sportive lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare". Eshtë thelbi në gjithë këte histori, edhe ngaqë themelimi i kësaj Federate Sportive bëri të mundur që tash e mbrapa "në çdo qendër Prefekture të fomoheshin shoqatat sportive krahinore", ato që ne sot i quajmë klube sportive. Me këte rast do të nderonim edhe personalitetin e Izedin Beshirit si të parin kryetar të Federatës Sportive Shqiptare, e, natyrisht, edhe Princeshën Myzejen si patroneshën e parë të sportit në Shqipëri.
Vazhdon Shqipëria e sotme të mos e hedhë vështrimin në këto histori, duke zbatuar me fanatizëm të plotë "ndarjen një herë e mirë nga sporti i klasave të pasura të kohës së Zogut", siç pat urdhëruar me rreptësi Partia Komuniste Shqiptare qysh më 1945!
Duke mbetur po në këte histori, gjatë vitit 2005 ne mund të kishim përkujtuar edhe 70-vjetorin (1935-2005) e themelimit të Federatës tjetër, asaj të shoqnive sportive e artistike "Vllaznija Shqiptare", kryetar i së cilës qe Dr. Mirash Ivanaj, Ministër i Arësimit, dhe sekretar Luigj Shala - figura emblematike në arsimin e sportin kombëtar. Padyshim duhej të kishim festuar edhe 70-vjetorin e gazetës sonë "Sporti Shqiptar" (1935-2005) - historinë e vërtetë të së cilës ne e treguam para disa numrave në TemA - si e para gazetë e rregullt periodike sportive e Shqipërisë, çka mund ta bënte para të gjithëve Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke qenë se kjo gazetë gjithmonë, Para dhe Mbasluftës është e Ministrisë. Po të dëshironim t'i bënim një nderim të veçantë të kaluarës sonë themeluese sportive, mund të përkujtonim edhe 60-vjetorin (1945-2005) e ndeshjes së Stadiumit të Romës, Lazio - "Studentët Shqiptarë në Itali", vetëm për faktin se kjo është ndeshja e parë ndërkombëtare e një skuadre shqiptare e cila del në fushën e lojës me fanela të kuqe dhe shqiponjën tonë në gjoks. Me këte rast do të nderonim edhe Eqrem Arapin, Arif Pezën, Haki Korçën, Reshat Biçakun, Mexhid Dibrën, Akil Deranin, Halim Begejën, Bik Dedën, Kol Manin, Sabedin Biçakun dhe Naim Kryeziun, të cilët përmbi 45 vjet poshtërsisht i quajtëm tradhtarë të kombit.
Kongresi i Parë Hipik i zhvilluar për po herë të parë në Shqipëri në qytetin e Fierit më 1930, mund të kishte qenë një tjetër rast përkujtimor i një 75-vjetori të papamë. Po të ishim qytetarë të vërtetë, e natyrisht historianë të mirë, nuk do të kishte qenë çudi që të kishim festuar qoftë dhe me një garë çiklistike femrash 75-vjetorin (1930-2005) e dukjes së gruas së parë në biçikletë në Shqipëri: ka qenë pronarja e Grand Hotelit të Shkodrës, zonja Micci. Mund të përkujtohej edhe 80-vjetori i pjesëmarjes së parë (1925-2005) ndërkombëtare të Shqipërisë jashtë vendit në atletikën e lehtë: Olimpiada e Zetës në atletikë të cilën e fiton "Studente Shkodra". Dhe po kështu, mund të përkujtohej 85-vjetori (1920-2005) i garës së parë atletike në Shqipëri: vrapimi i famshëm i organizuar prej Palok Nikës me shokë, një vrapim 4200 metrash rrugëve të qytetit të Shkodrës të fituar nga Kol Gjoni.

3.
Bilanci i moskujtesës sportive të vitit 2005 është i mbushurderi në majë dhe nuk ndal asesi.
Kështu, duhej të kishim përkujtuar 40-vjetorin (1965-2005) e ndeshjes së parë të bujshme të Shqipërisë në Kampionatin Botëror, që tronditi mjedisin futbollistik europian, ate Shqipëria -Irlanda e Veriut 1-1 të George Best. Eshtë fjala për një Shqipëri të paharrueshme, me tri fanela krejt të reja: Gëzim Kasmi, Foto Andoni dhe Bashkim Rudi, me katërshen e fuqishme të 17 Nëntorit, Frashëri, Halili, Kasmi, Ali Mema. Me atë të Partizanit: Janku, Shllaku, Andoni, R.Rragami e Mexhid Haxhiu, me Zhegën e Dinamos e Bashkim Rudin e Labinotit të Elbasanit; dhe me rikthimin e Loro Boriçit në krye të kuqezinjve, si dhe kujtesën për golin historik të Zhegës, që i dha Zvicrës së Dr. Fonit biletën për në Londër dhe që pengoi mundësinë e vetme të pjesëmarrjes në një Kampionat Botëror të yllit të botës, George Best të Machester United.
35-vjetori (1970-2005) i ngjarjes unikale sot e kësaj dite kur një klub shqiptar është shpallë Kampion i Ballkanit - Partizani 1970 - padyshim do të ishte një tjetër rast domethënës për nderim të historisë. Ndërsa 25-vjetori (1980-2005) i Kampiones së dytë shqiptare të Europës - Ermira Dingu në 1x60 precizion në Madrid të Spanjës më 1980, do të shërbente jo pak për të tronditur disi shtetin e forumet sportive shqiptare për mbarimin e parakohshëm të qitjes shqiptare.
Po të më pyesnin mua si gazetar, do t'i kisha bërë një përkujtim madhështor 50-vjetorit (1955-2005) të pjesëmarrjes sonë në Kampionatin Europian të Volejbollit për meshkuj në Pragë kur Shqipëria u rendit e 10-ta në Europë, çka sot nuk mund të na shkojë kurrsesi më ndër mend. Madje ajo as nuk është më e pranishme me pjesëmarrje kësisoji. Do të kishte qenë ndërkaq, një rast për të kujtuar e nderuar themeluesit e volejbollit modern në Shqipëri: Fatmir Mekën, Petrit Murzakun, Pëllumb Pelivanin, Qemal Gjinalin, Andon Konën, Jorgji Konën. Edhe për shahun viti 2005 pati një rast të bukur për nderime e përkujtim së bashku: 45-vjetorin (1960-2005) e pjesëmarrjes për herë të parë të Shqipërisë në një Olimpiadë Botërore të Shahut, atë të Lajpcigut ku Shqipëria u rendit e 28-ta në botë midis 40 shteteve pjesëmarrëse: Bujar Hoxha, Ylvi Pustina, Eqrem Konçi, Fatos Omari, Mendim Veizaj qenë befasues teksa u paraqitën si mjeshtra-shahistë të klasit ndërkombëtar.
Duke iu rikthyer volejbollit, në këte 2005, që po numëron ditët e fundit të tij, kemi patur edhe 25-vjetorin (1980-2005) e arritjes së madhe të Dinamos në volejboll për femra e cila u ngjit deri në katërshen finaliste të Kupës së Kampioneve të Europës mbas eliminimit të "Duemilauno" të Barit të Italisë, çka gjithashtu sot nuk mund ta shohim as në ândërr: Kreshnik Tartari, Tase, Duka, Turdiu. Ishte modernizimi i volejbollit shqiptar të femrave. Madje mund ta kishim festuar së bashku edhe me 15-vjetorin (1990-2005) e pjesëmarrjes së dytë të Dinamos në fundoren (finalen) e Kupës së Kampioneve të Europës ku u arrit edhe lartësia e lartësive: Dinamo e treta në Europë pasi mundi "Racing" të Parisit. As këte nuk mund ta shohim në ândërr. Dhe përkujtimi më i rrallë do të kishte qenë ai i 25-vjetorit (1980-2005) të dy rekordeve të rangut europian të të pambërritshmes Pavlino Euro në 800 metra (2.03.1) dhe 1500 metra (4.06.41), kjo e dyta me medaljen e bronztë në Mitingun e Oslos! Ndonëse me siguri do t'i festojmë 25-vjetorin, sepse as në horizontin më të largët nuk duket një Pavlina Euro e re për këto gara.
Ndërkaq, një 15-vjetor tjetër (1990-2005) ai i vendit të tretë të Shqipërisë në Kampionatin Europian të peshëngritjes më 1990, vit vije demarkacioni epokash, mund të bëhej shkak përveç të tjerave, për "t'u pajtuar" përfundimisht me protagonistë të asaj ngjarjeje të rrallë: me legjendarët Pirro Dhima e Luan Shabani, më mbas Kampionë Olimpikë dhe Botërorë. Këtij 15-vjetori do t'i bashkohej edhe Shqipëria - Kampione e Ballkanit për të rinj dhe Shqipëria - Nënkampione e Kupës së Europës po në peshëngritje - të gjitha ngjarje të vitit 1990.
Kështu pra, nuk di a mund të merrni me mend se çka ka lënë pa kujtuar Shqipëria sportive në këte vit 2005!
Duke e mbyllur me atë që e filluam, futbollin, më 2005 mund të përkujtohej dhe të festoheshin edhe 55-vjetori (1950-2005) i themelimit të Dinamos, po aq dhe 40-vjetori i rikthimit Mbasluftës të 17 Nëntorit (Sportklub Tiranës) (1965-2005) te titulli i Kampionit të Shqipërisë, që për vitin 1965 kur ngjau, qe vetë rikthimi i një pjese të çmuar të historisë së shuar në rrugën e zhvillimit të futbollit kombëtar në Shqipëri. Po ashtu, mund të përkujtohej edhe 40-vjetori (1965-2005) i fitimit të Kupës së parë të Shqipërisë prej Vllaznisë së Shkodrës ku protagonisti ishte një: Paulin Ndoja i fillimit të shkrimit tonë, ngjarje që shënoi ringjalljen përfundimtare të futbollit të Shkodrës.
E çka mund të shërbenin gjithë këto përkujtime të harruara sportive të vitit 2005 të rreshtuara në këte mënyrë "abstrakte" vetëm përmes këtj shkrimi? Vetëm që plagjiatorët e shkrimeve dhe të librave tonë të shpejtojnë e t'i kopjojnë për mbledjet e tyre të ngatërruara të shënimeve? Kjo do të ishte shumë pak.
Kërkojmë diçka tjetër. Kërkojmë ruajtjen e mosshuarjen e kujtesës kombëtare sportive, si pjesë e kujtesës kombëtare në tanësinë e jetës dhe historisë së Shqipërisë, e cila vuan harresën e madhe në të gjitha fushat, ndonëse pa këte kujtesë nuk mund të ketë zhvillim dhe të ardhme.
Kujtoj se Italia ka "Archivio Storico dello Sport Italiano", Anglia e Franca qindra muze e institucione historike sportive. Shqipëria tash për tash ka Moskujtesën.
Ky ishte "Bilanci Sportiv i Moskujtesës" për vitin 2005.
Të martën e ardhshme është pjesa e tretë e Dossier-t të TemA-s për sportin shqiptar të vitit 2005. Le të shpresojmë se do të ketë befasi të reja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora