E premte, 26.04.2024, 12:26 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ndriçim Kulla: Prolog dhe epilog i shkurtër mbi thesarin fishtjan

E diele, 23.10.2011, 07:58 PM


Prolog dhe epilog i shkurtër mbi thesarin fishtjan

 

Nga Ndriçim Kulla

 

Përtej fushës së albanologjisë, së historisë së Shqipërisë dhe dokumentimit kapilar të saj, pa dyshim, vlera më e çmuar që At Zef Valentini i ka lënë letërsisë sonë, janë kritikat e një niveli elitar që ai ka dhuruar për figurat më të mëdha letrare të Shqipërisë së asaj kohe. Kështu, në këtë panoramë recensionesh e artikujsh për De Radën dhe Zef Sqiroin, për Koliqin apo Mjedën, paraqiten madhështore sprovat e tij mbi Fishtën, me anë të të cilave autori mëton të gjejë çelësat për të hapur thesarin e poezisë fishtjane e të kryeveprës së tij “Lahuta e Malcisë”. Madje, admirimi i tij për këtë vepër e nxiti Zef Valentinin të luftonte shpesh (qëkur Shqipëria ishte nën diktaturë dhe e mbante si të dënuar politik) për rehabilitimin e figurës së poetit. Në një shkrim të rëndësishëm te “Shejzat” e vitit 1962, Valentini shkruan: “S’ka grimë dyshimi që qëllimi i poemës ishte ekzaltimi i malësorëve, gjithmonë në luftë me sundimin turk, të cilët i mësuan ato përmendësh prej famullitarëve të tyre françeskanë, duke i bërë kështu pjesë të repertorit të vet. Ja pse Fishta u shndërrua në Tirteun e fushatave më të fundit për pavarësinë kombëtare. Pra, nuk mund të kemi grimë dyshimi në sentimentet  patriotike të poetit, i cili, që prej vendosjes së regjimit komunist ishte njëri prej autorëve më të dënuar si armik i pushtetit dhe atdheut. Preteksti: mohoi të gjithë të shkuarën e tij patriotike me pohimin e regjimit italian. Dhe i vetmi fakt për këtë gjë jepet pranimi nga ana e tij e emërimit si akademik i Italisë apo mos vallë pse direktiva e tij politike e yshte të parapëlqente për Shqipërinë, të shtrënguar asokohe për të gjetur mbrojtje, një mbrojtje perëndimore më shumë sesa një mbrojtje shumë më të rrezikshme sllave.

Në një kohë që edhe jo pak të tjerë mundën të përshtaten si ai, por nuk u mohuan a mënjanuan; dhe e kundërta, shumë të tjerë të mohuar nga ky regjim qenë në realitet kundërshtarë të paepur të bashkimit me Italinë. E kush vallë mund ta shpjegojë këtë mister motivesh të errëta e kontradiktore?

Në një shkrim të vitit 1965 me titull “Aventura e shpirtit në historinë politike të Shqipërisë”, Valentini u përpoq ta kujtonte dhe interpretonte situatën dhe zhvillimet e një periudhe të tillë. “Në regjimin e atëhershëm të Shqipërisë, shpjegon ai, mund të thuhet se nga pikëpamja politike ekzistonin tri lloj kategori njerëzish: praktikuesit trashamanë të një politike të pushtimeve imperiale; italianët e sinqertë e miq të Shqipërisë që bashkëndanin idetë me patriotët shqiptarë, miq të Italisë, duke bashkëpunuar për lartësimin e të gjitha vlerave shpirtërore të kombit, e duke shpëtuar – për aq u ishte e mundur – edhe dinjitetin kombëtar (numri i tyre në vetvete qe i paktë, mirëpo rëndësia, në krahasim me njerëzit e kategorisë së parë, qe shumë më e spikatur, për shkak të posteve të larta që zinin dhe autoritetit që zotëronin); dhe grupi i tretë, ku përfshiheshin krerët më të lartë të politikës italiane (veçanërisht Musolini dhe konti Çiano), të cilët nuk kishin një pozicion të përcaktuar qartë, por hera-herës ndikoheshin ose nga pasioni apo ambicia personale, ose nga një interesim miop për këtë çështje, ose jo shumë rrallë, edhe nga idetë e tyre të madhështisë, që mundet të përdoreshin shumë më mirë në sensin e ekzaltimit të madhështisë së të tjerëve se sa të shtypjes a nënçmimit të tyre.

Praktikisht ndodhte që njerëzit e kategorisë së dytë, shqiptarë dhe italianë, të vepronin sa të palodhur aq edhe aftësisht në shpërhapjen e një koncepti të tillë, natyralisht në mes të një fryme moskuptimi të ngritur në çdo anë. Por, tek e fundit, ky është fati i shpeshtë i personave mirëkuptues: të gjejnë sa më shumë mirëkuptim tek të tjerët. Megjithatë, mund të shtohet se ata arritën të fitonin shumë më tepër se sa mund të shpresohej në një situatë të tillë e në një kohë kaq të vështirë si ajo e luftës. E, duke u rikthyer te koha dhe vepra e tyre, mua më vjen ndërmend kujtimi magjepsës dhe dramatik i një personazhi të epokës së fundit të historisë antike: Cassiodoros, romanit që duke punuar si sekretar i mbretit barbar Teodoriko, e duke shkruar në emër të tij tekstet e letrave dhe të ligjeve, u jepte atyre një shpirt roman e i bënte të vepronin si një roman; po njëlloj, edhe në epokën e këtyre njerëzve për të cilët folëm, arrihej me një lehtësi tash të pabesueshme, të bëje dhe gjërat më të pamenduara me hierarkët e asaj kohe, duke u thënë atyre thjesht se kjo do të qe një ide a një iniciativë “vërtet fashiste”, përballë së cilës ata gjendeshin të çarmatosur e lehtësisht entuziastë.

Nuk e di – mes atyre që s’kanë arritur ta provojnë – se sa bindëse është një histori e tillë; megjithatë mbetet i vërtetë fakti se në këto vite sentimenti nacional shqiptar dhe vetë kultura shqiptare dolën të fuqizuara; për këtë do të mjaftonte të listohej bibliografia kulturale e asaj periudhe goxha të shkurtër, e cila barazohej ose dhe e tejkalonte në masë e në cilësi bibliografinë e një periudhe të mëparshme shumë më të gjatë.

Gjithsesi, duhet të themi se është një ligj i pandryshueshëm në vlerësimin historik të meritave të veprës së çdo njeriu të një kulture militante, mbajtja parasysh e situatës në të cilën ai u gjend e mundi të zhvillojë veprën e vet. Ngandonjëherë mund të bëhet fjalë për situatën e jashtme, ashtu siç e konsideruam deri këtu; herë të tjera problemi mund të trajtohet nga një situatë e mbrujtur më nga afër prej vetë jetës së kulturës, e aftë kësisoj të kushtëzojë veprën e njeriut të kulturës me akoma dhe më shumë forcë-ngulitje.

Është e vërtetë që një mendimtar autentik duhet të jetë superior mbi rastësitë e rrjedhimisht edhe mbi mentalitetin e kohës, derisa të shndërrohet në një martir të idesë. Por lipset gjithashtu të pohohet edhe fakti se në disa raste pranimi i heshtur i ideve të kohës nuk mund t’i atribuohet gjithmonë dobësisë së mendimit dhe karakterit; ndodh jo rrallë që për dashuri të vetë së vërtetës dhe drejtësisë, e vërteta dhe drejtësia të paraqiten me argumente që i përkasin mentalitetit të kohës dhe ambientit, të mbartur me qëllimin e mirë për ta pranuar këtë të vërtetë dhe të drejtë nisur nga premisat e pohuara nga të gjithë ose të paktën të pohuara në heshtje si argumente ad hominem.

Kështu, mund të ndodhë që argumente të tillë t’u zhvillohen të gjithëve si të gabuara e të pavlerë; ose, duke u shpënë shpesh nga të tjerët në rrjedhime ekstreme, të njihen përgjithësisht si të rrezikshëm e të gjykohen lehtësisht fals në çfarëdolloj hipoteze. Mirëpo drejtësia dhe logjika e shëndoshë të ndalojnë të dënosh vetëm për këtë shkak edhe idetë që u mbështetën mbi argumentime të tilla, edhe pse ato mund të mbështeteshin ndryshe. Aq më shumë nevojitet t’i rrihet larg dënimit të atyre që i përdorën, si njerëz me qëllime të këqija ose ligdashës, kur rrjedha konstante e jetës flet përkundrazi në favor të tyre. Më e shumta që mund të thuhet është se gabuan ashtu siç mund të gabojë çdo njeri, por kjo gjë s’mund t’u lëvizë asnjë fije meritave të tyre të vërteta.

Disa vite më pas, më 1972-shin, në revistën “Popuj dhe misione”, Valentini do të ndjehej përsëri keq në orvatjen e tij të pashpresë kur shkruante “E vërteta është se dëshmia e parë e fushatës antifishtiane qe ndikimi i fortë serb në vitet e para të regjimit komunist”, E kjo kuptohej qartë, poeti i madh kish luftuar gjithnjë tmerrësisht synimet ekspansioniste sllave. Mirëpo më pas, gjersa u dënua me vdekje triumviri Koçi Xoxe si serbofil, përse vallë nuk mund të rehabilitohet Fishta si antisllav, për shkak të synimeve antishqiptare? I dukej e pabesueshme  “shqiptarit” të madh se si mund të harrohej kaq shpejt e kaq prerë një trandje e molisje kaq e fortë popullore siç qe ajo e vdekjes së tij, që nëse do të citonim Shantonë në “Kujtimet françeskane” mund të thoshim se “vdekja e At Fishtës nuk qe vdekja e një kishtari, e nji patrioti apo  një poeti cilitdo, nuk qe vdekja e një njeriu zakonisht të famshëm e zakonisht të dashtun që mund të përkujtohet me fjalë të mirëreshtuara brenda një ligjërate të bukur. Vdekja e At Fishtës qe një tronditje, një tërmet, një revolucion. Një tronditje që pat shkundur deri dhe skutat më të thella të zemrave tona; një tërmet që pat qitur për fushë fijet ma t’imta e ma të bukura të ndjenjave tona kombtare; një revolucion që n’atë çast hutimi e dhimbje pat pështjelluar e turbulluar mbarë ndërtesën  e shpirtit tonë”.

I dukej absurde studiuesit të rreptë, se si një regjim që deklarohej nacionalist të vazhdonte me po të njëjtën rrugë të mohimit, për një vepër që konsiderohej si “ma i famshmi ditiramb politik i letërsisë shqipe” dhe për një poet që shkoi në varr duke mbajtur të pashlyer betimin e tërë jetës së vet se “nuk ka dashuri të vërtetë të atdheut aty ku nuk njihet a ku përjashtohet a luftohet emri i Zotit; se patriotizmi nuk është as vetëm një instinkt, as vetëm një modë apo zanat; po përkundrazi, se patriotizmi është njohja e atdheut, dashuria e mbi të gjitha shërbimi i atdheut;

E kjo qe vërtet palca e personalitetit të tij, sinteza e gjithë veprimtarisë së tij.

“Vendosni mbi qivurin tim një shpatë, pse unë kam qenë një ushtar trim në luftën e lirisë së njerëzisë”. Ky testament politik i poetit Hajne, fare mirë mund të qe edhe testamenti i At Gjergj Fishtës. E shpata që Shqipëria mund të ulë në varrin e këtij ushtari, të këtij poeti e profeti të lirisë shqiptare, është padyshim “Lahuta e Malcisë”! Shpatë e prehme me duart e tija!

Në bibliografinë e vet, duke dashur të sistemojë gjithë poezitë e poemat, gjithë shkrimet e përkthimet,  ai mendon një vepër dy-vëllimshme të titulluar “Për fe e Atdhe”.

Ja, ky qe amaneti i tij më i madh për të ardhmen e Shqipërisë; amaneti i një poeti, që siç thotë Shantoja, “qe fryt i njëhershëm i gjakut të një race të tërë, i përftuar në natën e epokave që nuk njihen e në trishtimin e mundimin e dëshmorëve të panjohur, i cili zbriti në terrin e varrit duke kënduar me zë të lartë vargun e bukur të një poezie të tij të bukur: Jo, po: ka Shqipni për Zotin!”

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora