E diele, 28.04.2024, 12:00 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Përfundon protesta, paralajmërohet ‘Pranvera kosovare’

E hene, 27.02.2012, 08:59 PM


Ka përfunduar pa incidente protesta katërorëshe e Vetëvendosjes para Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim të marrëveshjes me Serbinë rreth pjesëmarrjes në nismat rajonale, tashmë të njohur si “Marrëveshja Fusnota”. Sheshi Skender Beu tashmë është boshatisur.

Në mbyllje të saj lideri i Vetëvendosjes ka paralajmëruar protesta të tjera. “Do të ndodhë Pranvera kosovare”, është shprehur ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur marrëveshje personale të kryeministrit Thaçi, për të cilën nuk duhet të obligohen institucionet e Kosovës. “Qeveria në këto bisedime po merr vendime në kurriz të qytetarëve të Kosovës, pra kjo protestë demokratizon Republikën të cilën na e hoqi kryeministri”, është shprehur Kurti në një prononcim për media.

Ai ka paralajmëruar se protesta e sotshme është vetëm fillimi i kundërshtimeve të kësaj lëvizje, sepse do të vazhdohet me protesta në të gjitha qytetet e Kosovës.

Disa mijëra qytetarë të Kosovës dolën në demonstratën e sotme 4 orëshe e cila e bllokoi punën e Qeverisë së Kosovës. Hyrje-daljet e Qeverisë u bllokuan për ta pezulluar kështu punën e kësaj Qeverie që na e ka pezulluar shtetin dhe pavarësinë.

Kjo protestë u organizua në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për fusnotën me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet rajonale.

Para fillimit të protestës, Policia e Kosovës kishte vendosur disa mburoja metalike, për të penguar protestuesit për bllokimin e punës në ndërtesën e Qeverise së Kosovës.

Megjithatë protestuesit kanë zhvendosur mburojat metalike dhe janë mbledhur rreth sheshit Skënderbe.

Policia e Kosovës nuk reagoi, por, megjithatë, njësia speciale nuk ka lejuar që protestuesit t’i afrohen më shumë se 20 metra rrethojës së oborrit të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit, para protestuesve tha së Kosova është i vetmi shtet në botë që në forume e nisma do të prezantohet me fusnotë.

“Kjo qeveri nuk po na bën si e gjithë bota, por kjo qeveri po na ndan nga bota dhe po na bën të ndryshëm nga e gjithë bota”, tha Kurti.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, tha se Republika është shteti, dhe, siç u shpreh ai, “pa Republikën nuk mund ta kemi as shtetin”.

“Republikën po tentojnë të na e heqin ata që nuk na duan të barabartë me të tjerët, ata që nuk na duan të jemi shtet. Ata që nuk duan të jemi të barabartë mes nesh, ata që nuk e duan një shtet të përbashkët për të gjithë, por që e duan një shtet që u konvenon vetëm atyre. Këta janë pushtetarët e Kosovës, ata që e hoqën reciprocitetin me Serbinë, të cilët tash po e heqin edhe Republikën”, deklaroi Ymeri.

Kurse, deputeti tjetër i kësaj lëvizjeje, Rexhep Selimi, tha se edhe 13 vjet pas çlirimit, Kosova po copëtohet nga Serbia.

“Kosova edhe sot po copëtohet nga Serbia e nuk po mbrohet nga Qeveria. Kosovës sot po i shkelen frytet e luftës së saj dhe po i vidhet pavarësia. Nuk është bërë lufta e UCK-së që Kosovës t’i vihet fusnota, por t’i vihen themelet e lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar fuqishëm kundër marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se mospërfshirja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotë “e bën marrëveshjen të papranueshme për institucionet e Kosovës dhe popullin e saj”.

Ndryshe, Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media, protestën e organizuar nga Vetëvendosje, e ka cilësuar si protestë të paligjshme, pasi që për mbajtjen e saj nuk është kërkuar leje në polici.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadiru, tha se në protestë mendohet të kenë qenë të pranishëm rreth 600 persona.

“Sot në orën 12 ka filluar protesta e cila nuk ka qenë e lajmëruar në polici, e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Numri më i madh i pjesëmarrësve që u raportua është rreth 600 persona”, bëri të ditur Sadriu.

 

''Fjalimi i Albin Kurtit në demostratën Kosova Republikë

 

Beogradi dikur thoshte se shqiptarët janë njerëz me bisht. Kryeminstri ia nxori bishtin shtetin tonë. Ia hoqi republikën e ia shtoi fusnotën.

Asnjë shtet në botë nuk ka fusnotë te emri i vet. Kjo Qeveri nuk po na lidh me botën dhe nuk po na bën si e gjithë bota, por po na ndan prej botës e po na bën të ndryshëm nga bota.

Këta qeveritarë po ngriten për vete duke e zbritur shtetin tonë. Kjo Qeveri ka mandatin që ta bëjë Kosovën sovrane e jo ta ndajë sovranitetin me Qeverinë e Serbisë.

Qeveria e Kosovës po mban qëndrim më të butë ndaj Serbisë sesa Gjermania dhe Qeveria e Kosovës po e ndihmon Serbinë ta marrë statusin e vendit kandidat më shumë sesa vetë Qeveria e Serbisë.

Serbia po shkon si shtet drejt BE-së, kurse Qeveria e Kosovës po premton se do të mund të shkojmë si individë.

Dialogu me Serbinë në Bruksel, duke qenë pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, është shumë i padrejtë dhe shumë i dëmshëm. Prandaj, pikat kufitare u bënë pika kaluese, kufiri ndërshtetëror u bë kufi administrativ, po i marrim veçse kopjet e regjistrave civilë dhe dokumentacionit kadastralë, dhe tash ia hoqën republikën emrit e ia shtuan fusnotën ku shtetësia jonë mbetet e kontestuar.

 

Ata janë të frikësuarit që duan të na frikësojnë. Sepse i kanë planet shumë të këqija për Kosovën. Na e shtuan fusnotën sot, për të na e shtuar autonominë e veriut nesër. Na e hoqën Republikën sot, për të na e hequr veriun nesër.

Sa më shumë që të forcohemi ne, aq më shumë të rrezikuar do të jemi. Sa më shumë që dobësohet regjimi, aq më i rrezikshëm do të bëhet ai.

Prej kësaj Qeverie nuk mund të presim as drejtësi e as mëshirë. Do të mund të na rrahin e të na arrestojnë, do të mund na lëndojnë e të na persekutojnë.

Mirëpo, nëse edhe njëmijë herë do të biem, njëmijë e një herë do të ngritemi. Nëse pafundësisht herë do të biem, një herë më shumë se pafundësisht herë do të ngritemi. Sepse gjallëria e pandalshme, ringjallja e përjetshme, është mënyra se si jemi ne VETËVENDOSJE!-s, ne që duam të vendosim për fatin tonë në vendin tonë.''

 

Protesta ka përfunduar e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident.

Protestuesit zhvendosin barrikadat

Disa qindra protestues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvendosur mburojat metalike, të cilat i ka vendosur policia e Kosovës, për të mbrojtur ndërtesën e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.

Ata po protestojnë në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për fusnotën me të cilën Kosova do të përfaqësohej në forumet rajonale.

Protestuesit gjenden rreth 15-20 metra larg rrethojës së oborrit të Qeverisë së Kosovës ndërsa po brohorasin parullat “Kosova Republikë”, “Poshtë Thaçi”, etj.

Protesta e nisur në orën 12, sipas Lëvizjes Vetëvendosje ka për qëllim që “bllokojë për katër orë punën e Qeverisë së Kosovës”.

Ky subjekt opozitar është deklaruar fuqishëm kundër marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se mospërfshirja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotë “e bën marrëveshjen të papranueshme për institucionet e Kosovës dhe popullin e saj”.

 

Ymeri: 15 minuta ultimatum për policinë

 

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, para pak qastesh, i ka dhënë 15 minuta ultimatum policisë së Kosovës, që t’i heq barrikadat, para hyrjes së qeverisë së Kosovës, në mënyrë që ata të mund të zhvillojnë protestën, sipas agjendës së tyre – bllokimit të punës së qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje, në orën 12:00 ka nisur protestën e saj në kundërshtim të marrëveshjes së fundit që Prishtina ka arritur me Beogradi, e sipas së cilës, Kosova në forumet rajonale, do të mund të përfaqësohet vetëm duke u shoqëruar me fusnotën në të cilën është përfshirë rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

Qindra protestues, me pankarta të shumta dhe thirrje të vazhdueshme, “Poshtë fusnota”, “Poshtë qeveria”, “Hashim Thaçi shiti Kosovën” po vazhdojnë të protestojnë përderisa, përreth objektit të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, janë forca të shtuara të policisë së Kosovës, midis të cilëve edhe pjesëtarë të policisë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora