Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (59)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (59)
Një
trakt i OMLK-së për mobilizimin e mërgatës shqiptare në mbështetje të
rezistencës së Kosovës

Në zarfin e përmendur më sipër nuk gjendeshin
vetëm fletushka apo parulla të shpërndara nga organizatat ilegale shqiptare,
por edhe një numër traktesh të hartuar nga veprimtarët e mërgatës shqiptare, të
cilët, larg atdheut, vazhdonin ta mbanin të gjallë idealin e lirisë dhe të
çlirimit kombëtar. Pjesa më e madhe e këtyre materialeve ishte botuar nën logon
e gazetës "Liria", organ i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës
(OMLK), një prej botimeve më të rëndësishme të shtypit ilegal shqiptar në
mërgatë. Përmes faqeve të saj përcilleshin analiza politike, denoncohej
represioni jugosllav, informohej opinioni shqiptar dhe ndërkombëtar mbi
zhvillimet në Kosovë, si dhe forcohej fryma e organizimit dhe e rezistencës
kombëtare.
Ndër të gjitha këto materiale, njëri prej
tyre më tërhoqi veçanërisht vëmendjen. Bëhej fjalë për një trakt të korrikut
1985, një dokument, që në shikimin e parë, dëshmonte se nuk ishte hartuar vetëm
për të informuar lexuesin mbi zhvillimet politike të kohës, por edhe për ta
mobilizuar atë rreth një kauze të përbashkët kombëtare. Ai pasqyronte frymën e
kohës, shqetësimet e mërgatës shqiptare dhe vendosmërinë e saj për të mos e
lënë Kosovën të vetmuar përballë represionit të regjimit jugosllav.
Ky trakt përfaqësonte një dëshmi të qartë se
mërgata shqiptare nuk ishte thjesht një bashkësi njerëzish të shpërndarë në
vende të ndryshme të Evropës, por një faktor i rëndësishëm politik dhe
kombëtar, i organizuar rreth idealeve të lirisë. Përmes botimeve të tilla, ajo
jo vetëm që mbante gjallë lidhjet shpirtërore me vendlindjen, por ndërtonte
edhe një front të fuqishëm informues, i cili synonte ta ndërkombëtarizonte
çështjen e Kosovës dhe të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve kudo që
jetonin. Prandaj, trakti i korrikut
1985 nuk duhet parë vetëm si një dokument i zakonshëm i shtypit
ilegal, por si një burim historik me vlerë të veçantë, që pasqyron mendimin
politik, organizimin dhe angazhimin e mërgatës shqiptare në një nga periudhat
më të vështira të historisë së Kosovës.
Trakti hapej me një nga parullat më të
njohura të lëvizjes revolucionare ndërkombëtare: “PROLETARË TË TË GJITHA VENDEVE DHE POPUJ TË
SHTYPUR, BASHKOHUNI!” Ky formulim nuk ishte zgjedhur
rastësisht. Ai vendoste që në hyrje kornizën ideologjike të dokumentit dhe
synonte ta lidhte kauzën e shqiptarëve të Kosovës me luftën më të gjerë të
popujve që kërkonin çlirim nga shtypja dhe padrejtësia. Për organizatat ilegale
shqiptare të viteve tetëdhjetë, përdorimi i kësaj parulle nuk kishte vetëm
karakter ideologjik, por edhe politik e diplomatik, pasi përmes saj përpiqeshin
ta paraqisnin çështjen e Kosovës si pjesë të lëvizjeve botërore për liri,
barazi dhe vetëvendosje.
Menjëherë pas kësaj pasonte përshëndetja e
drejtpërdrejtë “TË DASHUR BASHKATDHETARË!”, një thirrje që krijonte një afërsi
të menjëhershme mes autorëve të traktit dhe lexuesve të tij. Kjo formë
komunikimi nuk ishte vetëm një hyrje formale, por një mënyrë për të forcuar
ndjenjën e përkatësisë së përbashkët kombëtare. Ajo u drejtohej shqiptarëve
kudo që ndodheshin, veçanërisht atyre në mërgim, duke i bërë ata pjesë të pandashme
të fatit të popullit të Kosovës. Në këtë mënyrë, trakti ndërtonte një urë
shpirtërore ndërmjet atdheut dhe diasporës, duke e shndërruar lexuesin në një
pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në përpjekjet për liri.
Që në rreshtat e parë, autorët e dokumentit e
vendosin lexuesin përballë një tabloje historike të rëndë. Ata kujtojnë se
kishin kaluar afro katër dekada që nga vendosja e regjimit komunist jugosllav,
periudhë gjatë së cilës, shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi
kishin jetuar nën një sistem të karakterizuar nga diskriminimi politik,
ekonomik dhe kulturor. Kjo periudhë ishte një kohë robërie, në të cilën
shqiptarëve u mohoheshin të drejtat themelore kombëtare, ndërsa çdo përpjekje
për afirmimin e identitetit të tyre përballej me represion të vazhdueshëm.
Në tekst përdoret një gjuhë me simbolikë
politike, ku udhëheqja jugosllave cilësohet si "revizioniste titiste", një terminologji
karakteristike për diskursin politik të organizatave ilegale shqiptare të asaj
periudhe. Përmes këtij përcaktimi, autorët synonin të denonconin jo vetëm
politikën e Beogradit ndaj shqiptarëve, por edhe ta paraqisnin atë si një
sistem që kishte devijuar nga parimet e deklaruara të barazisë ndërmjet popujve
të federatës. Politika shtetërore ishte ndërtuar mbi diskriminimin sistematik
të shqiptarëve dhe mbi përpjekjet për të dobësuar identitetin e tyre kombëtar.
Veçanërisht domethënëse është fjalia se
regjimi ishte përpjekur "ta zhdukë nga faqja e dheut popullin tonë dhe
ta sllavizojë tokën shqiptare". Kjo nuk duhet kuptuar vetëm si një
figurë retorike, por si pasqyrim për politikat shtetërore të kohës. Në trakt,
proceset e shpërnguljes së shqiptarëve, kolonizimi i viseve shqiptare, kufizimi
i arsimit në gjuhën shqipe, goditja e elitës intelektuale dhe presioni i
vazhdueshëm administrativ ishin pjesë e një strategjie afatgjatë për të
ndryshuar strukturën etnike dhe për të dobësuar identitetin kombëtar shqiptar.
Në këtë mënyrë, hyrja e traktit nuk kishte
vetëm funksion informues. Ajo shërbente si një hyrje programatike, përmes së
cilës autorët rikujtonin vuajtjet historike të shqiptarëve dhe njëkohësisht
krijonin bazën morale mbi të cilën ndërtohej i gjithë mesazhi i dokumentit.
Duke evokuar katër dekada represioni, ata i dëshmonin lexuesin se demonstratat,
rezistenca dhe organizimi politik nuk ishin reagime të çastit, por vazhdimësi e
një lufte të gjatë historike për mbijetesë kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, ky fillim i traktit
përbën një burim me rëndësi të veçantë për studiuesin e historisë së lëvizjes
ilegale shqiptare. Ai pasqyron jo vetëm gjuhën politike të organizatave të
kohës, por edhe mënyrën se si ato e interpretonin historinë e shqiptarëve nën
Jugosllavi dhe përpiqeshin ta shndërronin kujtesën historike në një mjet
mobilizimi politik e kombëtar. Në pak rreshta ndërthuren historia, ideologjia
dhe thirrja për veprim, duke e bërë këtë dokument një dëshmi të çmuar të
mendimit politik të rezistencës shqiptare në mesin e viteve tetëdhjetë.
Më tej, autorët e traktit ndalen në
përshkrimin e politikës represive që, ishte ushtruar për dekada ndaj
shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën administrimin
jugosllav. Në tekst thuhet se pushteti "vrau, dënoi dhe shpërnguli me
forcë popullin e Kosovës", duke sqaruar se me emërtimin Kosovë nënkuptoheshin
të gjitha trojet shqiptare që ndodheshin brenda Federatës Jugosllave. Ky sqarim
nuk ishte i rastësishëm. Ai pasqyronte konceptin politik dhe kombëtar të
organizatave ilegale shqiptare, të cilat Kosovën e shihnin si simbol të
tërësisë së viseve shqiptare nën Jugosllavi dhe jo vetëm si njësi
administrative autonome.
Përmes këtij formulimi, autorët rikujtonin
një varg të gjatë vuajtjesh kolektive që kishin shoqëruar shqiptarët që nga
përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Që në kujtesën historike ishin të
pranishme arrestimet masive, proceset politike të montuara, dënimet e rënda me
burg, vrasjet pa gjyq, represioni policor dhe shpërnguljet e detyruara të
mijëra familjeve shqiptare drejt Turqisë e vendeve të tjera. Të gjitha këto ishin
pjesë e një politike sistematike, që synonte dobësimin e elementit shqiptar dhe
ndryshimin e strukturës etnike të trojeve të tij historike.
Megjithatë, pavarësisht këtij represioni
shumëvjeçar, trakti thekson me vendosmëri se regjimi nuk arriti ta realizonte
qëllimin e tij kryesor. Sipas autorëve, as dhuna, as burgjet, as shpërnguljet
dhe as përndjekjet nuk mundën ta thyenin shpirtin e rezistencës shqiptare.
Përkundrazi, çdo valë represioni prodhoi një brez të ri veprimtarësh dhe një
ndërgjegje kombëtare edhe më të fuqishme. Kjo është arsyeja pse në dokument
thuhet me bindje se pushteti "nuk arriti ta mposhtte dhe ta nënshtronte
popullin tonë". Në këtë fjali mishërohet besimi se forca morale e një
populli nuk matet me mjetet ushtarake të kundërshtarit, por me aftësinë për të
ruajtur identitetin, kujtesën historike dhe aspiratën për liri.
Po aq domethënëse është edhe pjesa ku thuhet
se pushteti "nuk arriti t'i realizojë planet e tij të mbrapshta karshi
popullit tonë heroik." Kjo nuk ishte vetëm një figurë stilistike, por
një realitet që vendoste rezistencën shqiptare në vazhdën e një tradite të
gjatë historike. Në diskursin e organizatave ilegale, shqiptarët ishin një
popull që kishte mbijetuar përmes shekujsh përballë pushtimeve të ndryshme dhe
që kishte ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e tij falë qëndresës së
pandërprerë. Për këtë arsye, cilësimi "popull heroik" nuk kishte vetëm
karakter emocional, por përfaqësonte një kategori historike dhe morale, e
ndërtuar mbi kujtesën e sakrificave të brezave të tërë.
Në aspektin historik, ky trakt është mjaft
domethënës, sepse pasqyron mënyrën se si organizatat ilegale interpretonin
marrëdhënien ndërmjet shtetit jugosllav dhe shqiptarëve. Ai nuk është thjesht
një përshkrim i represionit, por edhe një deklarim besimi në qëndrueshmërinë e
identitetit kombëtar. Për autorët e traktit, historia nuk ishte vetëm kronikë e
vuajtjeve, por edhe dëshmi se çdo përpjekje për ta nënshtruar popullin shqiptar
kishte dështuar. Pikërisht ky besim në pamposhtshmërinë e popullit shërbente si
burim frymëzimi për brezin e ri të veprimtarëve dhe si mesazh shprese për
mërgatën shqiptare, e cila, edhe pse jetonte larg atdheut, vazhdonte ta
konsideronte veten pjesë të pandashme të kësaj rezistence historike. Në këtë
kuptim, ky fragment i traktit shndërrohet në një manifest të qëndresës
kombëtare, ku kujtesa e vuajtjeve ndërthuret me bindjen se liria dhe dinjiteti
nuk mund të mposhten përmes dhunës dhe represionit.
Më tej, autorët e traktit e zhvendosin
vëmendjen nga përshkrimi i represionit drejt qëndresës së pandërprerë të
shqiptarëve, duke e paraqitur atë si një vazhdimësi historike që kishte kaluar
nga një brez në tjetrin. Në tekst thuhet se "populli ynë martir, ashtu
si ndaj të gjithë armiqve të tjerë, nuk e ndali kurrë luftën as kundër
pushtuesve titistë." Kjo fjali përmbledh një nga shtyllat kryesore të
mendimit politik të organizatave ilegale shqiptare: bindjen se historia e
shqiptarëve është historia e një populli që, pavarësisht pushtimeve dhe dhunës
së vazhdueshme, nuk e kishte pranuar kurrë nënshtrimin si fat të pashmangshëm.
Përdorimi i cilësimit "popull martir" nuk ishte një figurë e
rastësishme letrare. Ky përcaktim mishëronte sakrificat e panumërta që
shqiptarët kishin përjetuar ndër dekada: burgosjet, internimet, vrasjet,
përndjekjet politike dhe mohimin sistematik të të drejtave kombëtare. Në të
njëjtën kohë, ata theksonin se vuajtjet nuk kishin prodhuar nënshtrim, por
përkundrazi kishin forcuar vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri. Në
këtë mënyrë, martirizimi nuk paraqitej si shenjë dobësie, por si dëshmi e
qëndresës dhe e forcës morale të një kombi që kishte mbijetuar falë sakrificës
së bijve dhe bijave të tij.
Autorët e vendosin luftën kundër regjimit
jugosllav në vazhdën e gjithë përballjeve historike që shqiptarët kishin
zhvilluar me pushtues të ndryshëm gjatë shekujve. Kështu, pushteti titist nuk
paraqitet si një fenomen i veçuar historik, por si hallka më e re në një
zinxhir të gjatë sundimesh që, kishin synuar ta nënshtronin popullin shqiptar
dhe t'ia mohonin të drejtën për të jetuar i lirë në trojet e veta. Kjo mënyrë e
interpretimit të historisë kishte për qëllim të forconte bindjen se rezistenca
e viteve tetëdhjetë nuk ishte një lëvizje spontane, por vazhdim i natyrshëm i
një tradite të gjatë kombëtare të qëndresës.
Më pas, dokumenti shpall se kjo luftë kishte
hyrë në një fazë të re historike. Sipas autorëve, rezistenca nuk mbështetej më vetëm
në veprimtarinë e organizatave ilegale apo të grupeve të veçanta patriotike,
por ishte shndërruar në një lëvizje të gjerë popullore. Ata theksojnë se në
këtë etapë të re ishin bashkuar punëtorët, rinia, fshatarët dhe të gjitha
shtresat liridashëse të popullit, duke krijuar një front të përbashkët kundër
padrejtësive të regjimit. Kjo paraqitje synonte të dëshmonte se kërkesat për
liri nuk ishin më aspirata të një grupi të kufizuar intelektualësh apo
studentësh, por ishin bërë kërkesa të mbarë popullit shqiptar në Kosovë.
Veçanërisht domethënës është përshkrimi i
popullit që "është ngritur si një trup i vetëm." Ky formulim
përfaqëson një metaforë të fuqishme të unitetit kombëtar. Nëpërmjet saj,
autorët synonin të krijonin idenë se dallimet shoqërore, profesionale apo
krahinore ishin tejkaluar përballë një qëllimi më të madh – mbrojtjes së
dinjitetit kombëtar dhe fitimit të lirisë. Në këtë vizion, studenti, punëtori,
fshatari dhe intelektuali nuk paraqiten si kategori të ndara, por si pjesë të
një organizmi të vetëm kombëtar, që vepron me të njëjtin ideal dhe me të
njëjtin synim historik.
Në tekst theksohet gjithashtu se kjo frymë e
re e rezistencës po shprehej përmes grevave dhe demonstratave, të cilat
përshkruheshin si forma legjitime të kundërshtimit ndaj një sistemi të
perceptuar si shtypës. Këto protesta thuhej se, nuk ishin thjesht reagime ndaj
vështirësive ekonomike apo sociale, por manifestime të ndërgjegjes kombëtare
dhe politike të shqiptarëve. Përmes tyre, populli ngrinte zërin kundër
diskriminimit, shfrytëzimit ekonomik, represionit policor dhe mohimit të të
drejtave elementare njerëzore e kombëtare.
Autorët e traktit e karakterizojnë regjimin
jugosllav si "regjim fashist i Titos", një terminologji tipike për gjuhën politike
të organizatave ilegale të asaj kohe. Në sytë e tyre, represioni, burgosjet,
dhuna policore, ndalimi i lirisë së shprehjes dhe diskriminimi sistematik ndaj
shqiptarëve ishin elemente që e bënin regjimin të ngjashëm me format më të
ashpra të autoritarizmit të shekullit XX.
Në aspektin historik, ky fragment i traktit
paraqet një moment të rëndësishëm të vetëdijes politike të lëvizjes ilegale
shqiptare. Ai dëshmon se, pas demonstratave të vitit 1981, rezistenca nuk e
shihte më veten si një veprimtari të kufizuar të organizatave konspirative, por
si një lëvizje të gjerë popullore që kishte fituar mbështetjen e shtresave të
ndryshme të shoqërisë shqiptare. Pikërisht ky besim në unitetin e popullit dhe
në vazhdimësinë e luftës për liri përbënte një nga burimet kryesore të forcës
morale të rezistencës dhe njëkohësisht mesazhin që autorët e traktit synonin
t'ua përcillnin shqiptarëve në mërgim: se populli i Kosovës nuk ishte dorëzuar
dhe se rruga drejt lirisë vazhdonte të ndërtohej mbi solidaritetin, sakrificën
dhe bashkimin kombëtar.
Në vazhdim të traktit, autorët përshkruajnë
reagimin e pushtetit jugosllav ndaj zgjerimit të rezistencës shqiptare. Shteti,
ishte i alarmuar nga rritja e ndërgjegjes kombëtare dhe nga uniteti gjithnjë e
më i madh i shqiptarëve, ai kishte vendosur të përgjigjej me forcën më brutale
të aparatit të tij represiv. Në dokument thuhet se "armiku, i tmerruar
nga forca e popullit dhe uniteti i tij, u lëshua në Kosovë me të gjitha mjetet
që kishte në dorë." Ky formulim pasqyron bindjen se demonstratat dhe
mobilizimi popullor kishin tronditur seriozisht strukturat e pushtetit
jugosllav, të cilat nuk iu përgjigjën kërkesave të qytetarëve me dialog apo
reforma, por me dhunë të organizuar shtetërore.
Në këtë mënyrë, trakti paraqet një tablo të
zhvillimeve që pasuan demonstratat e vitit 1981. Sipas autorëve, në Kosovë u
aktivizua i gjithë mekanizmi represiv i shtetit jugosllav, ku policia, ushtria
dhe shërbimet e sigurisë vepruan në mënyrë të koordinuar për të shuar çdo formë
kundërshtimi. Në tekst përmendet veçanërisht policia dhe ushtria serbe,
vepronin në bashkëpunim me funksionarë dhe bashkëpunëtorë shqiptarë të
regjimit, të cilët në gjuhën politike të organizatave ilegale cilësoheshin si
"vegla" të pushtetit jugosllav. Ky ishte një diskurs karakteristik i
kohës, përmes të cilit bëhej dallimi ndërmjet popullit shqiptar dhe atyre
individëve që konsideroheshin mbështetës të politikave të Beogradit.
Dokumenti përshkruan me tone të forta pasojat
e këtij represioni, duke folur për masakra, vrasje, plagosje dhe arrestime
masive. Ata informonin se, qindra demonstrues humbën jetën, mijëra të tjerë u
plagosën dhe filloi një valë e paprecedentë burgosjesh, që preku pothuajse çdo
familje shqiptare. Edhe pse gjuha e traktit është emocionale, ajo pasqyron
klimën e frikës dhe të represionit që mbizotëroi në Kosovë pas demonstratave të
pranverës së vitit 1981. Në fakt, burime të shumta historike dëshmojnë se pas
demonstratave u ndërmorën masa të gjera policore, u zhvilluan procese gjyqësore
ndaj mijëra shqiptarëve dhe u ashpërsua kontrolli politik mbi institucionet
arsimore, kulturore dhe shoqërore të Kosovës.
Një nga pjesët më prekëse të këtij fragmenti
është pohimi se "është vështirë të gjendet një kosovar, i cili të mos
ketë dikë të vrarë, të plagosur a të arrestuar nga familja a farefisi."
Kjo fjali nuk duhet lexuar vetëm si një figurë retorike, por si një e vërtet
për të shprehur përmasën kolektive të traumës që, kishte përfshirë shoqërinë
shqiptare. Mesazhi synon të krijojë bindjen se represioni nuk kishte goditur
individë të veçantë, por tërë trupin shoqëror shqiptar, duke prekur pothuajse
çdo familje dhe duke e bërë dhimbjen një përvojë të përbashkët kombëtare.
Ky fragment gjithashtu ndërton një kontrast
të fortë ndërmjet dy forcave: nga njëra anë qëndron populli, i paraqitur si i
bashkuar, i vendosur dhe moralisht superior, nga ana tjetër paraqitet shteti, i
cili, përballë pamundësisë për ta thyer këtë unitet, mbështetet tek dhuna,
frika dhe ndëshkimi. Në këtë logjikë, përdorimi i forcës nuk interpretohet si
shenjë fuqie, por si dëshmi e dobësisë politike të regjimit, i cili, kishte
humbur aftësinë për të qeverisur përmes legjitimitetit dhe mbështetej vetëm në
aparatin represiv.
Ky tekst është një dëshmi e rëndësishme për
mënyrën se si organizatat ilegale shqiptare e perceptonin periudhën pas
demonstratave të vitit 1981. Ai nuk pasqyron vetëm ngjarjet konkrete, por edhe
gjendjen emocionale, psikologjike dhe politike të një brezi që jetonte nën
presionin e vazhdueshëm të ndjekjeve, arrestimeve dhe proceseve politike.
Përmes këtij rrëfimi, autorët jo vetëm që dokumentonin dhunën e ushtruar ndaj
shqiptarëve, por edhe të mobilizonin mërgatën, duke e bindur se lufta për të
drejtat kombëtare nuk ishte një çështje e disa individëve apo organizatave, por
një dramë kolektive që kërkonte solidaritet, angazhim dhe përgjegjësi të
përbashkët. Në këtë kuptim, ky dokument mbetet një dëshmi e rëndësishme e
diskursit politik të rezistencës shqiptare në mesin e viteve tetëdhjetë dhe një
burim i vlefshëm për të kuptuar represionin, sakrificën dhe qëndresën
kombëtare.
Në vijim të traktit, autorët arrijnë në një
përfundim që përbën edhe boshtin e gjithë argumentimit të tyre politik. Sipas
tyre, represioni i ushtruar nga pushteti jugosllav nuk kishte prodhuar efektin
që synonte regjimi. Përkundrazi, dhuna, burgosjet, vrasjet dhe persekutimet
kishin zgjuar një ndjenjë edhe më të fuqishme revolte dhe vetëdijeje kombëtare.
Në dokument thuhet se "kjo ka shkaktuar një zemërim të madh te populli
ynë, i cili është më i vendosur se kurrë më parë në luftën e tij të drejtë dhe
ka arritur suksese të mëdha në konsolidimin e forcimin e kësaj lufte."
Kjo fjali shpreh bindjen e autorëve se represioni shtetëror nuk kishte arritur
ta frikësonte popullin shqiptar, por kishte prodhuar efektin e kundërt, duke e
bërë atë më të bashkuar dhe më të vendosur për të vazhduar rrugën e
rezistencës.
Në interpretimin e trakshkruesve ishte se,
çdo akt dhune i ushtruar nga pushteti shndërrohej në një faktor mobilizues.
Arrestimet masive, proceset politike, ndëshkimet kolektive dhe kufizimi i
lirive nuk paraqiteshin si shenja të triumfit të regjimit, por si dëshmi se
sistemi kishte hyrë në një krizë të thellë politike dhe se përpiqej ta ruante
pushtetin vetëm përmes forcës. Për autorët e traktit, një pushtet që mbështetet
te represioni është një pushtet që ka humbur besimin e qytetarëve dhe që nuk
mund të sigurojë stabilitet afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye, ata e
interpretonin ashpërsimin e politikave shtetërore si tregues të dobësisë së
regjimit dhe jo të fuqisë së tij.
Veçanërisht domethënës është përdorimi i
shprehjes "lufta e drejtë". Ky formulim kishte një funksion të
rëndësishëm moral dhe politik. Ai synonte ta paraqiste rezistencën shqiptare jo
si një konflikt të zakonshëm politik, por si një përpjekje legjitime për
mbrojtjen e lirive themelore, të dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave
kombëtare. Në këtë mënyrë, autorët përpiqeshin t'i jepnin luftës së shqiptarëve
një legjitimitet moral, duke e vendosur atë në të njëjtën traditë historike me
lëvizjet çlirimtare të popujve të tjerë që kishin luftuar kundër shtypjes dhe
padrejtësisë.
Po aq i rëndësishëm është edhe konstatimi se
rezistenca kishte arritur "suksese të mëdha në konsolidimin dhe
forcimin e kësaj lufte."
Ky pohim nuk lidhej domosdoshmërisht me fitore ushtarake apo politike të
menjëhershme, por me bindjen se lëvizja kishte fituar një bazë shumë më të gjerë
shoqërore. Pas demonstratave të vitit 1981, organizatat ilegale vlerësonin se
ndërgjegjja kombëtare ishte zgjeruar ndjeshëm, se rezistenca kishte depërtuar
në shtresa të ndryshme të popullsisë dhe se ideali i lirisë po bëhej gjithnjë e
më shumë një aspiratë e përbashkët e studentëve, punëtorëve, fshatarëve,
intelektualëve dhe mërgatës shqiptare. Në këtë kuptim, "konsolidimi"
nënkuptonte forcimin e organizimit politik, zgjerimin e rrjetit të mbështetjes
dhe krijimin e një fryme uniteti që, sipas autorëve, do të ishte vendimtare për
të ardhmen e çështjes kombëtare.
Ky trakt, gjithashtu ndërton një ide të
rëndësishme historike: se popujt nuk forcohen vetëm në kohë paqeje, por edhe
nëpërmjet përballjes me sprovat më të rënda. Në optikën e autorëve, çdo
sakrificë, çdo burgim dhe çdo humbje njerëzore nuk shihej si fund i
rezistencës, por si një gur tjetër në themelet e saj. Pikërisht në momentet kur
pushteti mendonte se kishte arritur ta thyente vullnetin e shqiptarëve, lindte
një energji e re kolektive, e cila ushqehej nga kujtesa e padrejtësive dhe nga
besimi se liria kërkonte qëndrueshmëri, durim dhe sakrificë.
Nga këndvështrimi historik, ky tekst është i
rëndësishëm sepse pasqyron filozofinë politike të lëvizjes ilegale shqiptare në
mesin e viteve tetëdhjetë. Ai dëshmon se organizatat e rezistencës nuk e matnin
suksesin vetëm me rezultatet e menjëhershme politike, por edhe me aftësinë për
të ruajtur gjallë frymën e qëndresës, për të zgjeruar ndërgjegjen kombëtare dhe
për ta kthyer represionin në një faktor mobilizimi. Pikërisht ky besim se dhuna
nuk mund ta mposhtte një popull të bashkuar përbënte një nga shtyllat kryesore
të diskursit politik të rezistencës shqiptare dhe njëkohësisht mesazhin që
autorët e traktit dëshironin t'u përcillnin bashkatdhetarëve të tyre në mërgim:
se rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë, por tashmë kishte hyrë në
një fazë të pakthyeshme, të mbështetur mbi unitetin, sakrificën dhe
vendosmërinë e një populli që besonte në drejtësinë e kauzës së tij.
Vijon


