Sabile Basha: Miti i “Kosovës së humbur” – historia, propaganda dhe politika e pretendimit territorial serb (3)
MITI I “KOSOVËS SË HUMBUR”- HISTORIA, PROPAGANDA DHE POLITIKA E PRETENDIMIT TERRITORIAL SERB (3)
Çfarë
humbi Serbia në Kosovë: territorin apo legjitimitetin?

Prandaj
Kosova nuk u bë “serbe” thjesht sepse mbi të u ushtrua pushtet serb në periudha
të caktuara. Pushteti dhe identiteti nuk janë sinonime. Një administratë mund
të vendoset dhe të largohet; kufijtë mund të ndryshojnë; regjimet mund të
lindin dhe të bien; por identitetet kolektive, kujtesa historike dhe ndjenja e
përkatësisë së njerëzve nuk ndryshohen me dekret. Për shqiptarët që përbënin
shumicën dërrmuese të popullsisë në fund të shekullit XX, Kosova mbeti hapësira
e tyre jetësore, kulturore dhe politike, pavarësisht se cili pushtet e
administronte atë në një moment të caktuar historik.
Dhe
ndoshta këtu duhet kërkuar përgjigjja ndaj gjithë atij investimi politik që për
dekada u bë për ta paraqitur Kosovën si pronë të padiskutueshme të Serbisë.
Mund ta pushtosh një hapësirë, por pushtimi nuk prodhon vetvetiu përkatësi; mund
ta sundosh një popull, por sundimi nuk të jep domosdoshmërisht besnikërinë e
tij; mund ta shkruash hartën sipas fuqisë së momentit, por nuk mund ta vizatosh
me të njëjtën lehtësi identitetin në ndërgjegjen e njerëzve. Pikërisht aty
gjendet kufiri i forcës politike.
Në
fund, historia e Kosovës dëshmon se dhuna mund të shkaktojë tragjedi të
jashtëzakonshme, mund të zbrazë përkohësisht qytete e fshatra, mund të
shkatërrojë shtëpi dhe të detyrojë njerëzit të kalojnë kufijtë si refugjatë,
por nuk është një instrument që mund të krijojë në mënyrë të qëndrueshme
legjitimitet politik. Përkundrazi, në rastin e Kosovës, represioni dhe dhuna e
viteve të fundit të sundimit të Beogradit kontribuuan në thellimin edhe më të
madh të bindjes së shqiptarëve se e ardhmja e tyre politike nuk mund të
ndërtohej nën sovranitetin serb.
Dhe
kjo është ndoshta ajo që propaganda e kishte më të vështirë ta pranonte:
Kosovën mund ta kontrolloje për një kohë, mund ta quaje me emrin që dëshiroje,
mund ta vendosje në hartat dhe kushtetutat e tua dhe mund të përsërisje
pafundësisht se ishte “e jotja”, por nuk ekzistonte forcë politike që, vetëm
përmes dhunës dhe imponimit, mund ta shndërronte vullnetin, identitetin dhe
ndjenjën e përkatësisë së shumicës së popullsisë së saj në diçka tjetër. Në
këtë kuptim, beteja vendimtare nuk ishte vetëm për territorin; ishte për
legjitimitetin. Dhe pikërisht aty politika e forcës pësoi dështimin e saj më të
madh.
Kufijtë
e Kosovës nuk janë një trillim i lindur dje, as një vijë e improvizuar në hartë
pas përfundimit të luftës së vitit 1999 dhe as një konstruksion i krijuar vetëm
në çastin e shpalljes së pavarësisë më 2008; ata kanë historinë e tyre politike
dhe administrative, të dokumentuar në periudha të ndryshme, dhe arkivat,
hartat, dokumentacioni institucional, aktet kushtetuese e administrative dhe
burimet e tjera historike dëshmojnë mënyrën se si territori i Kosovës është
përcaktuar, administruar dhe rikonfiguruar përgjatë kohës. Arkivi, kur lexohet
me kujdes dhe pa urdhra ideologjikë, është një dëshmitar kokëfortë: ai nuk flet
me emocionet e tribunave politike, nuk brohorit parulla dhe nuk përshtatet
lehtësisht me mitet që ndërtohen shumë kohë pas ngjarjeve; ai ruan dokumentin,
datën, vendimin, hartën dhe gjurmën institucionale të një kohe.
Pikërisht
për këtë arsye, kur flasim për kufijtë e Kosovës, duhet të flasim me gjuhën e
dokumentit dhe të historisë konkrete, e jo vetëm me gjuhën e miteve kombëtare.
Kufijtë politikë dhe administrativë, natyrisht, kanë ndryshuar në periudha të
ndryshme historike, sikurse kanë ndryshuar pothuajse në të gjithë Ballkanin,
por Kosova si njësi territoriale dhe politike fitoi një përcaktim gjithnjë e më
të qartë sidomos brenda Jugosllavisë socialiste, ku statusi i saj kushtetues
evoluoi deri te autonomia e gjerë që gëzonte sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Prandaj, kur diskutohet Kosova moderne, nuk mund të sillet argumenti sikur
territori i saj të ketë lindur papritur nga një vendim ndërkombëtar në fund të
shekullit XX; ekziston një vazhdimësi institucionale dhe territoriale që duhet
marrë seriozisht në çdo analizë historike.
Dhe
pikërisht këtu duhet ta themi çështjen shtruar, pa e mbuluar me retorikë:
formula se “Serbia e humbi Kosovën” është politikisht shumë më e ngarkuar sesa
duket. Sepse fjala “humbi” krijon menjëherë idenë e pronësisë: humba shtëpinë
time, humba tokën time, humba diçka që më përkiste. Mirëpo shtetet nuk janë
pronarë privatë të territoreve dhe popujve në kuptimin në të cilin një individ
është pronar i një shtëpie apo parcele. Sovraniteti, administrimi, pushteti dhe
pronësia janë nocione të ndryshme, dhe pikërisht ngatërrimi i tyre ka ushqyer
shumë prej tragjedive territoriale të historisë ballkanike.
Prandaj
unë do ta shtroja pyetjen ndryshe: çfarë humbi Serbia në Kosovë? Nëse me
“humbje” nënkuptohet humbja e kontrollit shtetëror dhe institucional që
Beogradi ushtronte mbi Kosovën, atëherë kjo është një çështje konkrete
historike që mund të analizohet dhe të datohet. Por nëse me këtë formulim
synohet të thuhet se Serbia humbi një pronë të saj të përjetshme, atëherë
pikërisht ky pretendim duhet vënë nën llupën e historisë. Sepse ushtrimi i
pushtetit mbi një territor në një periudhë të caktuar nuk prodhon vetvetiu një
titull pronësie përjetësisht të vlefshëm, sikurse as sundimi i dikurshëm i
perandorive mbi territore të mëdha nuk u jep shteteve pasardhëse të drejtën që
sot t'i kërkojnë ato territore si prona të humbura.
Këtu
qëndron, sipas meje, edhe manipulimi semantik i fjalës “humbje”. Thuhet “e
humbëm Kosovën”, në vend që të thuhet “humbëm kontrollin mbi Kosovën”; thuhet
“na e morën Kosovën”, në vend që të analizohet pse shqiptaret e Kosovës arritën
në përfundim se nuk mund ta ndërtonin të ardhmen e vet politike nën pushtetin e
Beogradit. Vetëm disa fjalë ndryshojnë, por politikisht ndërmjet këtyre formulimeve
ekziston një humnerë. E para krijon figurën e pronarit të grabitur; e dyta hap
debatin mbi legjitimitetin e pushtetit, përgjegjësinë politike dhe arsyet
historike të shpërbërjes së një raporti shtetëror.
Në
vend që të pyetet vazhdimisht se kush “ia mori” Serbisë Kosovën, do të ishte
shumë më e ndershme historikisht të pyetej se si e humbi shteti serb
legjitimitetin te shqiptaret e Kosovës. Kur filloi kjo humbje? A filloi kur
autonomia u godit rëndë në fund të viteve tetëdhjetë? A u thellua me përjashtimin
e shqiptarëve nga institucione të ndryshme, me represionin dhe konfliktin
politik të viteve nëntëdhjetë? Dhe a arriti pikën e pakthyeshme gjatë luftës së
viteve 1998–1999, kur dhuna, dëbimet dhe krimet e kryera ndaj civilëve e bënë
pothuajse të paimagjinueshme rikthimin e marrëdhënies së mëparshme politike?
Këto janë pyetje shumë më të vështira sesa parulla “na e morën Kosovën”, sepse
kërkojnë ballafaqim me përgjegjësinë dhe jo vetëm kultivim të ndjenjës së
viktimës.
Arkivat
janë të rëndësishme pikërisht sepse mund ta çlirojnë debatin nga kjo mjegull
propagandistike. Le të hapen hartat, regjistrimet, dokumentet diplomatike,
aktet administrative, kushtetutat, vendimet shtetërore dhe dëshmitë e
periudhave të ndryshme; le të shihet se si ka ndryshuar statusi i Kosovës, kush
ka ushtruar pushtet mbi të dhe në çfarë rrethanash është ushtruar ai pushtet.
Por dokumentet duhet të lexohen të plota, jo duke marrë prej tyre vetëm ato
fragmente që i shërbejnë njërës apo tjetrës mitologji kombëtare. Historia nuk
duhet të jetë prokurore e një kombi dhe avokate e tjetrit; detyra e saj është
të rindërtojë sa më besnikërisht atë që ka ndodhur.
Dhe
pasi të bëhet kjo, mund t'i kthehemi edhe një herë fjalisë së famshme: “Serbia
e humbi Kosovën”. Jo, do të thosha unë, Serbia humbi kontrollin politik dhe
shtetëror mbi Kosovën; por ta paraqesësh këtë si humbjen e një prone të
përjetshme është një interpretim krejt tjetër. Sepse një territor ku jetojnë
njerëz nuk është objekt që një shtet e mban në xhep dhe një ditë i bie diku rrugës.
Aq më pak mund të trajtohet një popull si pjesë e inventarit të një shteti, të
cilin ky i fundit ka të drejtë ta zotërojë pavarësisht vullnetit, historisë dhe
aspiratave të tij politike.
Prandaj
formula “nuk mund të humbësh atë që nuk është e jotja” merr këtu kuptim më të
gjerë politik: jo si mohim i faktit se Serbia ka ushtruar pushtet mbi Kosovën
në periudha të historisë — një fakt që nuk ka arsye të mohohet — por si
kundërshtim i idesë se ushtrimi i atij pushteti e shndërroi Kosovën në pronë të
përjetshme të Serbisë. Pikërisht këtë dallim duhet ta bëjmë të qartë, sepse
ndryshe historia e sundimit shndërrohet tinëzisht në histori pronësie, ndërsa
kontrolli i dikurshëm paraqitet si e drejtë e pakufizuar për të ardhmen.
Atëherë
me çfarë të drejte mund të flitet për një “pronë të humbur”? Me të drejtën e
kujtesës historike? Kujtesa duhet respektuar, por ajo nuk është titull
pronësie. Me të drejtën e monumenteve mesjetare? Ato janë trashëgimi historike
dhe kulturore që duhet mbrojtur, por monumentet nuk përcaktojnë vetvetiu
sovranitetin e sotëm. Me të drejtën e sundimit të dikurshëm? Atëherë do të
duhej të rihapnim të gjitha hartat e Evropës dhe t'ua kthenim territoret
perandorive dhe mbretërive që i kanë sunduar dikur. Historia moderne nuk mund
të funksionojë mbi një parim të tillë pa e kthyer kontinentin në një konflikt
të pafund pretendimesh territoriale.
Prandaj
çështja duhet zhveshur nga metafora e pronës së humbur. Serbia nuk humbi një
send që i përkiste përjetësisht; ajo humbi kontrollin mbi një territor, ndërsa
shumë kohë përpara se ta humbiste atë kontroll, politika e saj kishte humbur
besimin dhe pranimin e shqiptarëve që jetonin aty. Kjo është një humbje shumë
më politike sesa territoriale dhe, ndoshta, pikërisht për këtë arsye është
shumë më e vështirë për t'u pranuar.
Sepse
territorin mund ta vizatosh në hartë dhe mund ta quash “të humbur”; por humbjen
e legjitimitetit nuk mund ta fshehësh përgjithmonë pas hartës. Dhe ndoshta
vetëm atëherë, kur fjala “humbje” të mos përdoret më për të ushqyer mitin e
pronësisë, por për të analizuar dështimin e një politike ndaj njerëzve mbi të
cilët pretendonte të sundonte, mund të fillojë një ballafaqim më serioz me të
kaluarën dhe një marrëdhënie më racionale me të ardhmen.
E
çfarë të themi atëherë për Kosovën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,
për atë vit vendimtar 1945, kur në hapësirën jugosllave po ndërtohej një rend i
ri politik, ndërsa popujve u premtohej se epoka e re do të mbështetej mbi
lirinë, barazinë dhe të drejtën për të vetëvendosur dhe përcaktuar fatin e
tyre? Pikërisht aty duhet të ndalemi më gjatë, sepse viti 1945 nuk ishte për
Kosovën vetëm fundi i një lufte botërore dhe fillimi i një sistemi të ri; ai
ishte një nga ato momente kur fati politik i një vendi përcaktohej në tavolina,
kuvende dhe struktura pushteti, ndërsa vullneti i popullsisë së saj shqiptare
mbetej thellësisht i kontestuar dhe i kufizuar nga raportet e forcës që po
krijoheshin në Jugosllavinë e pasluftës.
Është
e vërtetë se Kosova pas vitit 1945 u përfshi në sistemin e ri federativ
jugosllav, konkretisht brenda Serbisë, por është po aq e rëndësishme të
shtrohet pyetja politike se në çfarë rrethanash ndodhi kjo, sa përfaqësues
kishte procesi dhe deri në ç'masë shqiptarët e Kosovës patën mundësi reale që
ta shprehnin lirshëm vullnetin e tyre politik. Historia e atyre viteve nuk mund
të kuptohet vetëm përmes formulimeve juridike që u vendosën më pas në
dokumentet shtetërore; ajo duhet lexuar edhe përmes atmosferës së pasluftës,
pranisë së forcave ushtarake, represionit ndaj kundërshtarëve politikë,
arrestimeve, ndjekjeve dhe përplasjeve rreth së ardhmes politike të Kosovës.
Prandaj,
përfshirja e Kosovës në Serbinë federale të Jugosllavisë së re nuk duhet
paraqitur sikur të kishte qenë një proces i natyrshëm, i pakontestuar dhe i pranuar
njëzëri nga shqiptarët e Kosovës. Pikërisht këtu historia kërkon kujdes: duhet
të shqyrtohen vendimet politike të kohës, përfaqësimi, kundërshtimet dhe
konteksti në të cilin ato vendime u morën. Sepse ekziston një dallim i madh
ndërmjet një akti të miratuar nga institucionet e një sistemi politik dhe një
vullneti popullor të shprehur lirisht, pluralisht dhe pa praninë e presionit
shtetëror.
Kosova
e pasluftës kaloi nëpër dekada të tëra transformimesh politike. Statusi i saj
ndryshoi, kompetencat e saj u zgjeruan gradualisht dhe, veçanërisht me
Kushtetutën jugosllave të vitit 1974, autonomia e Kosovës fitoi një përmbajtje
institucionale shumë më të fuqishme. Kosova kishte Kuvendin, institucionet,
përfaqësimin në strukturat federative dhe një shkallë të konsiderueshme të
vetëqeverisjes. Megjithatë, edhe ky zhvillim nuk e mbylli çështjen e statusit
të saj politik dhe as aspiratat e shqiptarëve për barazi më të plotë politike
dhe republikë brenda federatës.
Pastaj
erdhën vitet kur edhe ajo autonomi u godit rëndë. Fundi i viteve tetëdhjetë dhe
fillimi i viteve nëntëdhjetë shënuan një kthesë dramatike: centralizimi i
pushtetit në Beograd, kufizimi i autonomisë, largimet e shqiptarëve nga
institucione të ndryshme dhe represioni politik e shoqëror krijuan një realitet
të ri. Ajo që ishte ndërtuar për dekada si një autonomi kushtetuese u zhbë në
një klimë tensioni dhe mosbesimi gjithnjë e më të madh. Pikërisht në këtë
periudhë u bë edhe më e qartë se çështja e Kosovës nuk mund të mbahej
pafundësisht nën kontroll vetëm përmes mekanizmave të pushtetit shtetëror.
Kosova
u nëpërkëmb politikisht, njerëzit e saj u arrestuan e u përndoqën në periudha
të ndryshme, kundërshtimi politik u shtyp dhe kërkesat për më shumë të drejta e
tyre u trajtuan si kërcënim ndaj shtetit. Në fund të viteve nëntëdhjetë,
konflikti kaloi në luftë të hapur dhe popullsia civile shqiptare përjetoi
vrasje, dëbime masive, shkatërrime dhe forma të tjera të rënda dhune. Ishte një
tragjedi që e bëri edhe më të thellë ndarjen ndërmjet Kosovës dhe pushtetit të
Beogradit dhe që e ndryshoi përfundimisht drejtimin e historisë së saj
politike.
Por
këtu qëndron paradoksi i madh i historisë: ajo që për dekada ishte mbajtur
brenda një strukture shtetërore pa një zgjidhje të pranuar nga shqiptaret, pas
një rruge të gjatë konfliktesh, e cila pasoi nga një luftë e tmerrshme,
rezistencës politike, përpjekjesh diplomatike dhe ndërkombëtarizimit të
çështjes së Kosovës, arriti në një kapitull krejtësisht tjetër. Më 17 shkurt
2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe filloi një etapë të re si republikë,
duke u njohur më pas nga shumë shtete të botës, ndonëse pavarësia e saj vazhdon
të mos njihet nga Serbia dhe nga një numër shtetesh të tjera.
Dhe
pikërisht këtu historia fiton një simbolikë të veçantë. Një Kosovë që në vitin
1945 nuk e kishte pozitën e një republike në federatën jugosllave, që kaloi
nëpër periudha represioni, burgosjesh politike, demonstratash, kërkesash për
barazi, rrënimi të autonomisë, rezistence dhe, më në fund, lufte, shumë dekada
më vonë doli para botës me institucionet dhe shtetësinë e saj. Për ata që
kishin ëndërruar dhe punuar për këtë përfundim, ky nuk ishte vetëm një ndryshim
juridik në hartën politike të Ballkanit; ishte përmbushja e një aspirate të
gjatë politike për vetëvendosje dhe shtetësi.
Kosova
kështu mori vendin e saj mes shteteve evropiane që e kanë njohur dhe ndërtoi
marrëdhënie diplomatike me një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, edhe
pse procesi i konsolidimit dhe njohjes së plotë ndërkombëtare mbetet ende i
papërfunduar. Pikërisht ky fakt e bën historinë e saj edhe më domethënëse:
shtetësia nuk ishte fundi i të gjitha betejave politike, por fillimi i një
përgjegjësie tjetër — ndërtimit të institucioneve demokratike, sundimit të
ligjit, zhvillimit ekonomik dhe dëshmimit se liria për të cilën ishte
sakrifikuar aq shumë mund të shndërrohej në një shtet funksional dhe dinjitoz.
Nëse
do ta shihnim këtë rrugëtim nga larg, nga viti 1945 deri te 17 shkurti 2008, do
të shihnim jo një vijë të drejtë, por një histori të mbushur me kthesa,
zhgënjime, represion, rezistencë, përpjekje politike dhe sakrifica njerëzore.
Do të shihnim një shoqëri që kaloi nga një status i kufizuar politik drejt
autonomisë së gjerë, nga rrënimi i asaj autonomie drejt rezistencës dhe luftës,
dhe më pas nga administrimi ndërkombëtar drejt shpalljes së shtetit të vet.
Prandaj,
e vërteta e madhe politike nuk qëndron vetëm në faktin se Kosova u shpall shtet
pas shumë dekadash; ajo qëndron në faktin se, pavarësisht të gjitha përpjekjeve
për ta mbyllur çështjen e saj përmes vendimeve të marra nga lart, aspirata për
subjektivitet politik nuk u zhduk. Mund ta shtysh një çështje historike për
dekada, mund ta heshtësh përkohësisht me forcën e shtetit, mund t'i burgosësh
njerëzit që e artikulojnë dhe mund ta shpallësh të mbyllur në dokumente
zyrtare, por nuk mund ta konsiderosh të zgjidhur përderisa ajo vazhdon të
jetojë si kërkesë politike në vetëdijen e një populli.
Dhe
ndoshta kjo është ironia më e fuqishme e gjithë këtij rrugëtimi: Kosova që në
vitin 1945 hyri në rendin e ri jugosllav pa statusin që shqiptarët do ta dëshironin
për të, pas më shumë se gjashtë dekadash trazirash historike doli prej
rrënojave të Jugosllavisë dhe të luftës si republikë më vete. Ajo që për dekada
ishte trajtuar si çështje që duhej administruar, kontrolluar ose heshtur, në
fund u shndërrua në një çështje shtetësie. Dhe Kosova, pas një rruge të gjatë e
të dhimbshme, u ul në tryezën e historisë jo më vetëm si objekt për të cilin
vendosnin të tjerët, por si subjekt politik që kërkonte të fliste dhe të
vendoste në emrin e vet.
Po
atëherë, nëse këmbëngulim ta përdorim fjalën “humbje”, duhet të shtrojmë
pyetjen deri në fund: çfarë humbi në të vërtetë Serbia në Kosovë? A humbi një
tokë që i përkiste asaj në kuptimin e një pronësie të përjetshme historike, apo
humbi kontrollin mbi një hapësirë dhe mbi një popullsi që, në periudha të
caktuara, ishte vendosur nën pushtetin e saj? Pikërisht këtu nocioni i
“humbjes” duhet zhveshur nga romantizmi nacionalist dhe duhet parë me syrin
kritik me të cilin sot shihen edhe shumë prej perandorive dhe sistemeve koloniale
të së kaluarës.
Vijon


